Neser, ora 14, ne Kukes, nen kujdesin e LSHK e ne bashkepunim me Shtepine Botuese Klubi i Poezise, Tirane, do te prezantojme Antologjine e poeteve kuksiane, antologji gjitheperfshirese me 68 autore qe nga Pjeter Bogdani e deri tek me te rinjte e sotem.
Ideja dhe sponsorizimi i ketij libri eshte i Lili Kristulit
Redaktor Izet Duraku
Botues Rexhep Shahu
Ndihmuan ne gjetjen e grumbullimin e materialeve prof. Shefqet Hoxha, shkrimtaret Petrit Palushi e Sulejman Dida
Une do te lexoj kete falenderim:
Falenderim Liljana Kristulit!
Me ndihmën financiare për botimin e librit “Antologji e poetëve kuksianë”, mjekja poete, shkrimtare, humaniste, Liljana Kristuli i jep vetes një dimension shtesë, u zgjat dorën miqve e kolegëve, i ul bashkë në një sofër të moçëm e të rij, përfaqësues zulmëmëdhej epokash, merr salutim nga hyjnori Pjetër Bogdani, për të cilin ne gjithmonë do të kemi nevojë të na e krijojë rrezullimin e ai, ashtu gdhendur në malin e kujtesës të na salutojë, ajo merr tundje dore nga poeti i varur nga diktatura komuniste Havzi Nela, i fundit njeri i varur nga komunizmi në Perandorinë e Lindjes Komuniste, merr tundje dore nga Tahir Kolgjini antikomunist pa leje që nuk i erdhi turp nga emri i tij as pati frikë e nuk e futi kurrë kryet në rërë të bëhej anonim, merr tundje dore poetë rrace dhe dashnorë vargjesh, nga mbi gjashtëdhjetë emra që ne si shtëpi botuese i bëmë bashkë si njerëz që ecin me qiri të ndezur në duar në udhën e tyre për të bërë dritë për të nesërmen.
Kur më tha t’ia botoja librin “Unë dhe Dializa”, libër me foto iliustruese me ngjyra dhe t’i vija çmim sa më të lirë me qëllim që libri të shpandahej tek çdo i sëmurë me veshka, qoftë edhe falas, m’u shtua respekti e nderimi për këtë grua, këtë mjeke që merret gjithë kohën në spital në Itali me të sëmurët me veshka, këtë zonjë, këtë nënë, këtë poetë, këtë shkrimtare që jeton edhe për të ndihmuar të tjerët dhe këtë ndihmë e konsideron jetë, jetesë, të jetosh.
Liljana Kristuli u lind në Vlorë, jetoi mes Korçës e Tiranës, u diplomua mjeke, u emërua në Tropojë ku ndërtoi jetën, rriti dy fëmijët e saj, u specializua në Tiranë ku punoi pak vite, dhe që nga viti 1993 jeton e punon mjeke në Itali. Ajo ka të botuara këto libra : “Pemë e Gjethe”, poezi, “Mes për mes Europës”, tregime, “Gra të harruara”, tregime, “Unë dhe Dializa”, manual mjeksor, “Heshtja nuk është zgjidhje”.
Libri i parë i saj me poezi botuar nga unë “Pemë e Gjethe” është një libër elegant, me poezi të ndjera, i lehtë në dukje por i thellë me mesazhe, i këndshëm në lexim por që të krijon e ndez përfytyrime. Autorja ka ditë të shkrijë melodinë e ngrohtësinë e serenatave mes të cilave është rritur dhe jehonën e këngëve e vajeve epike. Në këtë libër gjen drithërima, gjen lapën e gjethit tek e merr përroi, gjen zhurmën e Valbonës e vajet e saj që s’i kompozon dot as zoti, ndjen vajin therës të Ajkunës që thinj lisat e kohën, ndjen dhimbjen e maleve të zhveshura e mallin e tyre për drurë e lisa. Poezitë e tregimet që ka shkruar Liljanajana Kristuli, nuk janë shkrime për tu dukë grua mode dhe për të mbushë me art apo aristokraci kohën që shumë e çojnë dëm, nuk janë shkrime apo poezi për të aplikuar tek pavdeksia, te historia, nuk janë shkrime për të vrarë vetminë e kotësinë siç e vrasin shumë telenoveliste dhe që u duhen këputë duart kur të nisin të shkruajnë. Jo. Liljana Kristuli mezi gjen kohën që të shkruajë pasi është e mbytur nga angazhimet intelektuale, është mjaft e dobishme dhe nuk ka kotësi për të vrarë në jetën e vet. Ajo pa pretenduar asgjë, ka mundur të rindërtojë në letërsi histori të diktaturës që ne t’i njohim e të mos shkojmë dëm si qorri për shkop, ka krijuar përsonazhe aq bindës sa unë kam kërkuar të gjenden dosjet e këtyre përsonazheve e ajo më ka thënë se janë të krijuar dhe nuk ka individë për dosje.
Poetja e tregimtarja Liljana Kristuli nuk konkuron me askënd, as nuk ia hyn asaj gare. Ajo ndjehet mirë në përmbushje të vetes, asaj i mjafton vetja dhe nuk ka asnjë arsye apo nevojë për salutime mediokrish. Me poezitë e tregimet e saj, i ka hije të jetë pak fodulle dhe arrogante para turmave që kërrejnë pa pushim poezi dashurie pa dashuri, histori dashurie pa dashuri.
Librat me tregime të Liljana Kristulit janë nga ato libra që rrëfejnë fatin tonë në kohën e deformimeve të mëdha, në kohën e krijimit të njeriut të ri, në kohën kur haheshin parime e vriteshin shpirtra e jete njerzore, në kohën kur urrejtja shitej për dashuri e dashuria jetonte në varre.
Faleminderit Lili!