2016-10-25

“Qarqet pro-greke më dogjën muzeun me ikona”




nga: Leonard Veizi

Është nisur nga Korça me një thesar, 50 punime ikonografike të rralla. Ka mbërritur në Tiranë për të hapur një ekspozitë me rastin e Konferencës Ndërkombëtare të Luftës Kundër Trafikut të Trashëgimisë Kulturore. Ndërsa do të niset sërish në Korçe, me një makinë të zakonshme furgon, ku do të sistemojë me kujdes fondin e artë të trashëgimisë së shqiptarëve. Në pamje të parë duket si paradoks. As policë shtetërorë dhe as privatë në ruajtjen e këtyre vlerave. Vetëm ai, Gjergji Thimo dhe familja e tij.
Përse ju vajti në mendje të ndërmerrni hapjen e një Muzeu Ikonografik?
Shtimi i fondeve të mia ikonografike bëri që këto të mbroheshin ligjërisht. Për këtë shteti shqiptar më aprovoi një liçencë dhe me një vendim gjykate më jepej e drejta të grumbulloja objekte të ndryshme të artit dhe kulturës shqiptare, sidomos në fushën e ikonografisë. Kjo më bëri që, përveç atyre objekteve që kisha të trashëguara nga familja, të shtoja dhe konsolidoja punën, idetë dhe dëshirat që unë kisha.
Aktualisht, vepra të kujt përmban ky Muze Ikonografik?
Këto ikona janë vepra të ikonografëve shqiptarë, që quhet “Ikonografia e Shkollës së Korçës”. Megjithatë ka dhe objekte të tjera të kulturës mesjetare të piktorëve apo ikonografëve, siç janë Nikolla Onufri. Kryesorja është që shumica janë ikona të Shkollës së Korçës. Quhet Shkolla e Korçës, sepse nga shekulli XVII, XVIII e deri në fund të shekullit XIX Korça krijoi një plejadë të shkëlqyer ikonografësh, të cilët i dhanë një impuls jo vetëm ikonografisë në Shqipëri, por në të gjithë Evropën Juglindore.
Cilët janë përfaqësuesit më të denjë të Shkollës Ikonografike?
Shkolla Ikonografike e Korçës në këtë kohë përfaqësohej me mësues Kostandinin të shekullit XVII, ikonat e tij tashmë njihen pasi janë të botuara dhe në katalogët e Francës, madje janë ekspozuar edhe në Luvër para disa viteve, vazhdohet me Davit Selenicasin në shekullin XVII, pastaj vjen Kostandin Shpataraku, vëllezërit Kostandin e Athanas Zografi, vazhdohet me Çetjerët me bijtë e Kostandin e Athanas Zografit, me Tërpo Zografi dhe Thimi Zografi. Në fundin e shekullit XIX vazhdohet me piktorët, që natyrisht është shkollë më vete, si Dardharët, ku mund të përmendim Vangjel Papajani Zengon, fëmijët e tij, Androniqi dhe Sofija Zengo etj. Një pjesë e koleksionit të këtyre që përmenda më lart, kanë zënë vend të koleksionin tim dhe them se janë punime nga më të mira.
Të gjitha objektet janë të çertefikuara?
Bashkëpunimi më i mirë me krijimin e Muzeut nga nga ligjore që në vitin 1996, është se pjesa më e madhe e objekteve ka çertefikatë. Aktualisht, jam në një bashkëpunim të sukseshëm me Qendrën e Inventarizimit të Pasurive Kombëtare, ku dua të falenderoj drejtorin e kësaj Qendre, Koço Gjipali. Por edhe këtu ka probleme. Sepse duhen të paktën 400 euro vetëm për kartelizimin dhe fotografitë e objekteve. Megjithatë unë kam një dokumentacion shumë të fortë. Kam dokumenta që nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, ku vërtetohet që këto objekte nuk kanë qenë pjesë e fondeve shtetërore apo të kishës, nga Muzeu i Artit Mesjetar Shqiptar, dhe në fund Qendrën e Inventarizimit të Pasurive, ku vërteton sipas ekspertizës së institucioneve se këto objekte nuk kanë qenë pjesë e kishës apo e shtetit. Them se ky dokumentacion duhet ndjekur dhe nga vetë shteti. Sepse mendoj që ka tendenca që dokumentacioni dhe inventarizimi i veprave të artit në shumë muze të Shqipërisë, duke shfrytëzuar dhe anomalitë, janë lënë me qëllim për t’u grabitur.

TRAFIKU
Muzeu, i zbuluar ndaj grabitësve
Por sa i kërcënuar është Muzeu nga trafiku i trashëgimisë kulturore? Gjergji Thimo thotë: “Muzeu im është fare i zbuluar. Muzeu im shpesh herë është sulmuar. Në vitin 1997 ka qenë ndërhyrja e forcave të policisë që këto vepra të mos i kalonin kufijtë. Më pas, qarqe të caktuara në Korçë, që janë pro greke (nuk them se janë politikat greke) shtëpisë sime i kanë vënë zjarrin, në prag të çeljes së parë të ekspozitës ikonografike në vitin 1999. Dëmtime dhe vjedhje të ndryshme ka patur, megjithatë fondi është ruajtur i gjithi. Por as shteti dhe as kjo vlerë e pashembullt e trashëgimisë sonë nuk nderohen, nëse ato ruhen në shtëpinë time, e cila është vetëm një dhomë e një kuzhinë. Janë të paktën 100 ikona dhe rreth 800 objekte arkeologjike. Kështu që kërkoj ndihmën e shtetit. Sepse po të ishte për veten time unë kisha sakrifikuar 2-3 objekte dhe e kisha ngritur godinën. Unë dëshiroj që këto vepra të mbeten dhe shteti të më ndihmojë. Mbrojtjen e punës sime e ka bërë Ismail Kadare gjatë një vizite që ai pati në Korçë me intelektualët, ku bëri apel qytetarëve dhe institucioneve, që problemet e punës time të kenë vëmendjen e merituar. Po këtu ka një dallim. Me çeljen e kësaj ekspozite, që përkon me Konferencën e Luftës Kundër Trafikut të Trashëgimisë Kulturore, iu dha mundësia që ekspertëve të UNESCO-s apo të Shërbimit Informativ Shtetëror të shihnin një gjë krejt të kundërt, që ne shqiptarët nuk jemi vetëm shkatërrues, por ne dimë t’i mbrojmë këto vlera. Këtu vlerësoj edhe ministrin e Kulturës, Bujar Leskaj, i cili më kërkoi një projekt të mirëfilltë për t’ia paraqitur qeverisë”.

GODINA MUZEALE
Pyetjes, në ka godinën e duhur për të patur një muze të standardeve, Gjergji Thimo i përgjigjet: “Në këtë pikë ka disa absurditete. Nese unë kam një muze me vlera të konsiderueshme, gjithmonë sipas mendimit të specialistëve, edhe pse kanë kaluar 10 vjet që nga marrja e liçencës, nuk kam patur mundësi për të patur një godinë. Tani, së fundi, shteti më ka aprovuar një vend në Korçë, për të ngritur një muze privat. Por kur kam kërkuar donacione apo ndonjë tolerim, kam vënë re se zyrtarë të shtetit më shumë sponsorizojnë për ekspozita fare pa vlerë se sa për një muze që ekspozon traditën. Për këtë nuk më vjen mirë. Ka patur njerëz që bashkëpunimin e kanë filluar me kërkesën: “Më jep një ikonë të të japim atë që kemi ne në dorë”.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...