Nga Fehmi Ajvazi : Komplet veprash për fëmijë me vlera brilante

Image result for xheme karadaku
Xhemë Karadaku 

Xhemë Karadaku u lind në fshatin Ranatoc të Karadakut të Preshevës.Është shkrimtar shqiptar. Xhemë Karadaku shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen në Preshevë, ndërsa fakultetin e Makinerisë në Prishtinë. Ka ndjekur studimet pasuniversitare në drejtimin Administrim Biznesi, në Universitetin “Dardania” në Prishtinë.

Bashkëpunon me revista të shumta në gjuhën shqipe. Bashkëpunoi kohë të gjatë edhe me Revistën për Enigmatikë “Horizonti” e një kohë ishte edhe anëtar i redaksisë. Është autor i qindra enigmave, sidomos i enigmave të rimuara. Në vitin 1994 botoi tufën me enigma “Gjej e qesh”, ndërsa në vitin 1998 kishte përgatitur për botim librin e dytë me enigma “Zgjidh e Zgjidh”, i cili për shkak të rrethanave të kohës mbeti i pabotuar.

Është prezantuar në Leksikonin e shkrimtarëve për fëmijë, të përpiluar nga shkrimtari i njohur Odhise Grillo. Në konkurse të ndryshme letrare, në Kosovë e më gjerë, është fitues i mbi 30 shpërblimeve për poezi, tregime dhe humoreska. Është editor i [[Shtëpisë Botuese “URA”]], Prishtinë.

 Është redaktor i botimeve të letërsisë për fëmijë në www.librariaelektronike.com. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton dhe punon në Prishtinë.

Veprat


Legjendë e re, 1992
Natë mbi mua, 1994
Gjej e qesh, 1994 (libër me enigma)
Pse iu kall mjekra gjyshit, 1995
Zvarranikët, 1995
Trimi më i madh në botë, 1999
Kalikuse, kalikuse a ma gjen një nuse, 2000
Ëndërr me ëndrra, 2000
Feniksi nuk është ndryshe, 2000
Lavjerrësi i kohës, 2002
Histori për një dashuri, 2003
Lojë në Trojë, 2003
Nipi i Don Kishotit, 2005
Fuqia Hyjnore, 2009, 2010
Flakadani i lirisë - Monografi për dëshmorin Xhavit Kozhani, 2010
Bozanska moc, 2011
Lojë me fjalë, 2011
Lojë me fjalë, 2013 botim i plotësuar (Shkup)
JAM I MADH, 2014 (libri me i mire ne Kosove per vitin 2014)

Floripress/Flori Bruqi 




                                                               ******************


Nga Fehmi Ajvazi 


Shkrimtari i njohur Xhemë Karadaku, autor i disa librave zhanresh të ndryshme për të rritur, viteve të fundit është i pranishëm intensivisht me krijimtarinë për fëmijë. Në këtë fushë, ky autor ka punuar me përkushtim të veçantë duke botuar shumë libra motivesh të ndryshme, e që lidhen me botën e fëmijëve, me kureshtjet dhe interesimet e tyre etj.
Karadaku, ka arritur të depërtojë thellë në psikologjinë dhe vizionet e fëmijëve dhe si rrjedhojë, t’u sjellë atyre vepra brilante që nxisin jo vetëm interesim, por edhe kualitet artistik-letrar.

Xhemë Karadaku, në punën e tij letrare për fëmijë, ka arritur që në një konkurrencë me autorët më të dalluar shqiptar për të vegjël, të fitojë edhe një sërë çmimesh në konkurse të ndryshme letrare. Autori Xhemë Karadaku, këto ditë, pas një pune voluminoze përgatitore botoi kompletin e librave për të vegjël, me gjithsej, tetë tituj. Botuar nga Sh.B

“URA” (Prishtinë), kompleti i autorit Karadaku, përfshinë këta tituj:
* Legjendë e re, vjersha për fëmijë,
* Pse iu kall mjekra gjyshit, vjersha për fëmijë,
* Trimi më i madh në botë, vjersha dhe tregime për fëmijë,
* Kalikuse, oj kalikuse, vjersha për fëmijë më ilustrime,
* Histori për një dashuri, vjersha për fëmijë,
* Nipi i Don Kishotit, vjersha për fëmijë,
* Lojë me fjalë, vjersha për fëmijë,
* Jam i madh, vjersha për fëmijë.

Për vlerat ideoartistike të krijimtarisë për fëmijë të shkrimtarit Xhemë Karadaku, flasin vlerësimet e penave të njohura nacionale për fëmijë: Zejnullah Halili, Jonuz e Fetahaj dhe Agim Deva: Ja, vlerësimet e tyre:

Zejnullah Halili ELMAZ I NDRITSHËM (Recension për veprën “Legjendë e re”)

Mendova gjatë si ta pagëzoj këtë tufë të re vjershash të autorit Xhemë Karadaku. Para syve të mendjes më erdhën dhjetëra tituj tjerë, por duke e parë kështu si diçka të re e të ndritshme, thashë, ky libër është një elmaz i ndritshëm. Poeti këtu ia ndien jetës pulsin, ngjitet lartë te kroi i artit dhe mbush ujë për njerëzit, edhe pse re të hirta kumbuese e të trishta i rrinë mbi kokë.

Ai hedh hapin vrullshëm përpara, i bulëzon gjaku dhe si një përrua i pastër valëshumë, i shpejtë e ngjyrë kaltër, vargu i tij ecën nëpër Legjendën e Re, nëpër jetë, kapërcen ëndrrën, hap sytë, gëzon e njëkohësisht përjeton dhembjet. Pas botimit të shumë vjershave nëpër revista dhe gazeta, pas përpjekjeve për të gjetur figurë të re, poeti ia del të na fal një përmbledhje vjershash me të cilën zbulohen të papriturat intriguese, që e tërheqin lexuesin, sepse vargjet janë të shkruara me një gjuhë të gjallë e të figurshme, e në përshtatje me botën e psikologjinë e fëmijëve.

Libri u dedikohet fëmijëve, por mendoj se do të ketë edhe lexues të rritur, sepse të gjithë do ta lexojnë me kureshtje dhe secilit do t’i ngjallë interes. ( Prishtinë, 1992)

Prof. dr. Agim Deva

NJË PENË E VERIFIKUAR- EDHE KËTË HERË JEP VLERA TË QËNDRUESHME POETIKE (Recension për veprën “Nipi i Don Kishotit”)

Takimi im më i ri me Xhemë Karadakun në kabinetin tim të punës m’i solli dy gëzime: e para, se Xhemën nuk e kisha takuar kaherë dhe, si mik të dashur që e kam, më kishte pas marrë mallë të shihem me të, dhe e dyta - më gëzoi edhe një dorëshkrim, të cilin ai me shumë modesti e nxori nga çanta, duke kërkuar nga unë që t’ia hedh një sy dhe, eventualisht t’ia jap ndonjë sugjerim të vogël apo edhe të ndërhyj diku më seriozisht, nëse për këtë do të ketë nevojë...

Po unë, poezinë e Xhemë Karadakut e kam përcjellë me vite, e kam lexuar me qejf, dhe pothuaj, në çdo hapërim të tij poetik gjeja diçka të re, të freskët, të thënë ndryshe nga ç’e kishin thënë të tjerët. Thënë shkurt: Xhemë Karadaku shkruante vazhdimisht vetëm si - Xhemë Karadaku.

Prandaj, kur nxori nga çanta librin e tij më të ri “Nipi i Don Kishotit” m’u duk se letërsisë sonë për fëmijë i lindi edhe një foshnjë e re, e cila duke kaluar nga dora në dorë, do të rritet shumë shpejt për ta shpejtuar e begatuar edhe rritën e brezave që vijnë. Dy gëzime të papritura. Dy befasi, dhe vetëm pasi që e lexova këtë dorëshkrim të tij me vjersha për fëmijë, e kuptova se takimi me këtë libër është dashur të më gëzojë shumë më tepër se takimi me vetë autorin e tij - mikun tim Xhemë Karadakun.

Ishte ky një libër i mrekullueshëm. E them troç, sado që në vesh vazhdimisht më kumbonte kërkesa e Xhemës që në një recension të vogël që do të vëhej në fund të librit, të mos e lavdëroj shumë dhe mos t’ia jap asnjë kompliment të pamerituar. Megjithatë, vetë strukturimi tematik i këtij libri me vetëm 23 vjersha për më të vegjëlit, dëshmon kriterin e fortë selektiv të vetë autorit si edhe respektin që ka ai për fëmijët e të gjitha grupmoshave, pa dallim. Sensi i tij krijues e ka hetuar se fëmijët e adhurojnë pa masë botën faunale, dhe për ta - kjo është diçka sa imagjinative aq edhe reale, sa e përditshme aq edhe përrallore, sa e prekshme aq edhe magjike, sa e afërt aq edhe e largët.

Prandaj, me ndërgjegje artistikisht të sendërtuar, Xhemë Karadaku vë relacione emocionale midis fëmijëve dhe botës së gjallesave, të cilat të shumtën e herave marrin veçori personi-fikuese, e herë-herë edhe alegorike dhe aludacionale. Në këtë spektër të begatshëm të mjeteve komunikuese, autori insiston posaçërisht në energjinë humoristike të atmosferës krijuese brenda këngës. Prandaj, vjersha për fëmijë e Xhemë Karadakut është relaksuese, është e ngrohtë dhe - si strukturë shprehëse disponon me elemente që e sigurojnë dhe e mbajnë gjallë një fushë magnetike në klimën e përjetimit midis poezisë së tij dhe lexuesit të vogël.

Edhe në aspektin versifikativ hetohet se Xhemë Karadaku, ka një kriter mjaft të fortë ndaj sajimeve të veta. Vargu i tij është latuar bukur, me shumë elasticitet sintaksor, me rima që sikur puthiten pahetueshëm njëra më tjetrën, me një melodikë e ritmikë të atillë të këngëtimit që sidomos ata më të vegjëlit e parapëlqejnë shumë, si dhe me vargje kryesisht të shkurtëra, adapte për aftësitë e kufizuara frymëmarrëse të fëmijëve moshash më të ulëta.

Vepra “Nipi i Don Kishotit” më duket si një person i edukuar mirë, që disponon me vlera të pamohueshme të karakterit të vet, prej të cilit pritet shumëçka e mirë dhe dinjitoze, prandaj i meriton të gjitha këto fjalë afirmative që i thashë shkurtazi. ( Prishtinë, 2005 )

Jonuz FETAHAJ

NJË BOTË PLOT IMAGJINATË

(Duke lexuar vëllimin poetik për fëmijë “Lojë me fjalë”) Që në fillim të këtij shkrimi pasthënies për vëllimin me poezi për të vegjlit “Lojë me fjalë” të Xhemë Karadakut duhet dhënë profilin e monedhës së tij, mjafton të thuhet: poezia e këtij poeti është e veçantë, që sjell një risi në vargënimin e poezisë për të vegjlit, e cila, pa dyshim se sjell risi dhe porosi për ata që e lexojnë, pra, jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit, sepse, ajo është e lehtë, e kapshme, e kuptueshme, ka mesazhin në të, është nxjerrë si ekstrakt nga jeta dhe përvoja krijuese e Xhemë Karadakut, i cili duke dashur të jetë i “veçantë” mundohet të jetë sa më i përpiktë dhe më i afërt, në mënyrë që lexuesi ta lakmojë çdo varg, çdo tingull dhe çdo rimë, e cila sajohet dhe krijohet si një piramidë që po nise të ngjitesh lartësive të saja, jo që do të lodhesh, por do të harrosh të pushosh derisa ke përpara atë lartësi të sajën e cila të bën që alpinizmi për ta pushtuar rimën dhe ritmin e këngës, jo që të lodhë, të djersitë, por përkundrazi, të bën të mendosh se si autori në gjitha këto poezi në radhë të parë ka lundruar në detin e gjerë të imagjinatës së fëmijëve, por edhe në përvojën e të moshuarve, të cilët e përcjellin mesazhin ndër breza e gjenerata, në mënyrë që të krijohet urëkalimi nëpër hapësirë dhe kohë, por gjithnjë duke lënë të kuptohet dhe interpretohet koha dhe gjithë ajo që quhet volum kuptimi që është një gjetje e mirë që shumë pak vend i lë fantazisë, sepse ky shekull që e kemi nisur ka sjellë aq risi, aq ngjarje dhe inovacione sa që nuk i ka lënë vend më përrallës, legjendës dhe fantazisë, por duke u përpëlitur me sfidat dhe të vërtetat ka bërë që edhe fëmija të ballafaqohet me sfidat dhe risitë, apo edhe siç thotë autori në një poezi me Rendin e Ri, por për ta mësuar këtë rend të ri dhe gjithë këtë bagazh, pa dyshim se duhet lexuar me një frymë këtë përmbledhje që me këtë titull aq përmbajtësor, të kapshëm “Lojë me fjalë” të bën për vete... (Prishtinë, 2013).

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)