Nga Kastriot Marku*
At Gjergj Fishta O.F.M. ishte padyshim intelektuali autoritar më imponues i kulturës shqiptare për më se një gjysëm shekulli. Kritika dhe studimet për Fishtën dhe veprën e tij kanë një histori mbi 100 vjeçare. Autori dhe vepra e tij kanë kaluar përmes një rruge ku nuk kanë munguar lavdërimet e sharjet. Parë në aspektin vëllimor ajo padyshim që përbën korpusin më të madh të shkruar për një autor shqiptar. Studiues të vjetër e të rinj, bashkohës e pasardhës, tradicionalistë e modernë kanë dhënë ndihmesën e tyre, duke shpenzuar kohë për Fishtën, pavarësisht cilësisë së saj.
At Gjergj Fishta (23 Tetor 1871- 30 Dhjetor 1940)
“Veç se po, moj bjeshkatare
Krah m’krah bashkë na tue këndue
Ndërtue kemi ‘i pomendare
Rr’fe as mot mos m’e dermue.”
E njimend rrufetë e lëshuara përgjatë 45 viteve nuk e thanë lisin Fishtë, i cili i binte lahutës nën mriz në vallen tipike shqiptare. Fishta megjithëse në pikëpamje letrare ishte shkrimtar, vlerësimet për të u mbështeten mbi argumnentime jashtëletrare. Vlerësimi për të nuk u bazua në analizën shkecore të veprës, por mbi bazën e ideve dhe mesazhit që përcillte vepra e tij dhe mbi të gjitha sepse ai ishte klerik.
Gjergj Fishta u bë shembull se si një njeri i përmasave unikale të botës shqiptare, të përgojohej, shahej e fajësohej në mënyrat më absurde e më të pamoralshme, me justifikimet më bajate e më antishkencore, sa edhe një njeri i zakonshëm do ta humbte drejtpeshimin e gjykimit nëse do të ndeshë në shkarrashkrimet e historianëve dhe kulturologëve të kooperativave socialiste të periudhës 1945-1990. Fishta përfaqëson shqiptarin fenomenal, njeriun, klerikun, poetin, dramaturgun, publicistin, oratorin, filozofin, estetin, kritikun, përkthyesin, pedagogun, sociologun, gazetarin dhe botuesin, politikanin dhe diplomatin, e mbi të gjitha atdhetarin e klasit të parë, i cili do t’i mungonte për 45 vjet me radhë leximeve e studimeve, por do të jetonte në mendjet dhe kujtesën e ish nxënësve, bashkëkohësve të shkolluar apo analfabetë, të cilët ia dinin poezitë përmendsh. Filologjia zyrtare shqiptare mbi të gjitha i hyri në hak Fishtës shkrimtar. Ajo çfarë ngjau me Fishtën, dëshmon më së miri se si një popull i tërë bjerret në tëmthin e tij, pa ditur se kështu me gjithë përjagien që i ka bërë vetvetes, prapë ka mundësinë t’i rikthehet vetvetes për t’u imunizuar nga virusi që kishte injektur vetes. U lavdëruar dhe i përçmuar, i dashur dhe i urryer, i marrë në konsideatë, dhe i keqtrajtuar, Fishtës i bie të jetë shkrimtari më i lexuar, më i kërkuar dhe më i dashur, por që në mënyrë krejt të çuditshme u mohua kategorikisht. Ai përjetoi dy skaje të kundërta vlerësimi. Zhvlerësimi që i bëhej nga kritika ideologjike dhe vlerësimi nga brezi i shkollarëve të cilët do ta citonin pa ditur asgjë, pa lexuar asgjë prej tij. Mungesa e leximit dhe receptimit publik të veprës letrare sikur e përforcoj edhe më tej mitin Fishtë. Fishta nuk kishte dhe nuk ka as sot nevojë të mbrohet prej asgjëje se vepra e tij letrare është vetmbrojtur falë vlerave estetike të cilat ajo i mbart. Kthimin e Fishtës Plasari do ta kërkonte “jo duke i dhënë Fishtës vendin që i takon, por duke i kthyer historisë së letërsisë atë çka i mungon“.
Kritika jonë dhe në veçanti ajo mbi Fishtën përgjatë periudhës 1945-1990, ka qenë propagandë, pra krejt fiktive. Fishta është shenjtëruar (këtu mund të fusim rrethet, qarqet, mjediset e letrare të afërta të tij) dhe ekskomunikur kundërshtarët e tij politikë për interesa të caktuara pa argumente. Në të dy rastet të vërtetat dhe të pavërtetat kanë krijuar mitin Fishtë. Miti Fishtë ka qenë pengesë serioze për njohjen dhe vlerësimin real të veprës së tij letrare. Ky mit filloj të ngrihej fill pas Kongresit të Manastirit, ku françeskani shkëlqeu me oratorinë e tij në përfaqësinë e shoqërisë Bashkimi e që në Kongres qe kryetar i komisionit të alfabetit, alfabet i cili më pas fitoj në praktikën shkrimore si propozim i kësaj shoqërie. Jo rrallë kjo ka ndodhur për shkak të mosnjohjes së veprës së tij letrare, ose pamundësisë së qasjes shkencore të kritikës që është marrë me të, prandaj ky mit ka vazhduar gjatë dhe vazhdon të bëjë jetën e tij aktive edhe në studimet e pas 90-ës. Vepra e Fishtës pati receptim jo të zakonshëm jo vetëm në Shqipëri, por edhe ku jetonin shqiptarë si në Vjenë, Boston, Bukuresht, pra edhe në metropolet ballkanike, europiane madje edhe amerikane. Argumenti dhe kundërargumenti tek Fishta janë një rast tejet i pazakontë. Edhe përkundrejt njohjes dhe receptimit të pazakontë të veprës së Fishtës, edhe përkundrejt kritikës e cila me Fishtën u bë aktive, herë lavdëruese e sipërfaqësore e jo thelbësore e bazuar në tekstin dhe vlerat reale të saj, përkundrejt intelektualëve dhe strukturave institucionale kulturore, çështja e vendosjes së Fishtës në majën e hierarkisë së letërsisë shqipe mori natyrë debati. Vepra e Fishtës mbijetoi edhe përkundrejt rënies se strukturave socio-kulturore që e mbajtën Fishtë poetin më të madh shqiptar, të cilat duhet ta pranojmë realisht se paten një shkallë jo të vogël subjektiviteti gati imponues, jo aq kritiko-letrar sa moralizues dhe ideologjik.
At Gjergj Fishta lindi më 23 tetor 1871 në fshatin Fishtë të Zadrimës prej prindërve Ndokë Simon Ndoci dhe Prenda e Lazer Kacit prej Kotrri. Ndër tre djem e nji vajzë që patën, Zefi ishte më i mbrami. Shtëpia e tyre ndodhej jo larg themeleve të vjetra të një kuvendi të françeskanëve. Në regjistrin e famullisë do të shënohej me Emrin Zef. Pagëzimin ia dha italo-shqiptari arbëresh, At Leonard de Martino (1830-1923), i cili atëbotë ishte meshtar në Troshan. Sinjifikativ është fakti se At De Martino, ndërsa do t’i lagte kryet me ujin e pagëzimit këtij djaloshi, ndoshta do ta parandiente se tashmë po pagëzonte njëherësh një nxënës të ardhshëm të varrëve të Jezusit, gjurmëve të Shën Françeskut, por edhe një nxënës, i cili do t’ia kalonte edhe atij vetë në letërsi. “Harpa leonardiane i epte drunin “Lahutës” fishteane”. Ashtu sikurse ishte zakon ndër djemtë e fshatit të Zadrimës, Zefi i vogël shkonte pas të rriturve për të ruajtur bagëtinë. Ishte i shkathët, simpatik, mjaft inteligjent ndërsa kishte dhe përkujdesjen e të dy vëllezërve dhe motrës, që ishin më të rritur. Menjëherë Zefi, për cilësitë e mira që kishte, ra në sy të Atë Marian Pizzochini nga Palmanova, (Udine), i cili kërkoi nga prindërit e tij ta shkollonte djalin. Prindërit nuk e refuzuan dëshirën e fratit. Meqë në fshatrat aty përqark nuk kishte shkollë dhe Kolegji nuk ishte hapur ende, e dërgoi me shpenzimet e veta në Shkodër në shkollën fretnore. Ai kujtonte se edhe aty ishte midis “miqve” të At Leonardos e At Marianit ashtu me zhgun, me litarin e bardhë lëshuar brezit, këmbëzbathur në sandale. Françeskanët kishin hapur shkollën e tyre që në vitin 1861 në Shkodër. Në teatrin e tyre në vitin 1880 do të shfaqnin dramën Nata e Këshndellave të At Leonardo de Martinos, duke shënuar kështu fillimet e teatrit dramatik në Shqipëri, Fishta ra në sy për rezultatet shumë të mira dhe u dallua ndër të parët e shkollës.
Aso kohe Provica Françeskane kalonte një periudhë të vështirë sa i takon formimit të klerit vendas. Misionet e saj mbaheshin në këmbë falë fretërve të huaj. At Marjani Pizzochini kishte shërbyer edhe në Kosovë si famullitar, bile atje njihej si “Marjan Pasha”, kjo falë punës dhe autoritetit që kishte. Tashmë duke qenë se ishte prefekt i misionit të Epirit dhe duke patur mbështetjen edhe të Gjon Pjetrit nga Bergamo, prefekti i misionit të Kastratit menduan të themelojnë një Kolegj për të rinjtë shqiptarë. Në vitin 1880 në Troshan afër vendlindjes së Fishtës, françeskanët në kuvendin e tyre hapin Kolegjin e tyre nën drejtimin e Atë Marianit e At Giampiero. Zefi i vogël në moshën 11-vjeçare, nga Shkodra rikthehet kalon aty, tashmë jo si bari, por si nxënës, duke u shënuar kështu një ndër nxënësit e parë të kësaj shkolle. Në këtë kohë i shfaqen dhimbje në zemër, sa etërit françeskanë e dërgojnë menjëherë në Raguzë (Dubrovnik) të Dalmacisë (Kroaci) për shërim. Pasi kthehet prej andej, vijon sërish mësimet në Troshan, por sikurse mund të merret me mend, në këtë shkollë ishte ende herët për të pasur standarde arsimore të mjaftueshme për formim në shkenca, sikurse kërkonin françeskanët, prandaj drejtuesit e kolegjit me miratimin e Gjeneralit të Urdhërit të Françeskanëve At Bernardinit prej Portogruaro vendosin që t’a dërgojnë për studime të mëtejshme në filozofi e teologji në Bosnje. Bosnja në këtë kohë sapo kishte fituar pavarësinë nga Turqia dhe katolikët e veçanërisht Urdhëri françeskan kishte arritur t’i mbijetonte pushtimit turk, gjë që studentët shqiptarë e kuptonin më mirë se kushdo pasi kishin kaluar të njëjtat peripeci. Në Bosnje françeskanët kishin një histori të mirë tradicionale të tyre me kisha, famulli, kuvende, kolegje e seminare. Pas 5 vitesh studime në Troshan, Zefi u nis vetë i shtati më 1886 së bashku me At Ejëll Paliq, At Severin Lushaj, At Pjetër Gjadri, At Loro Mitroviç, At Bonë Gjeçaj dhe At Pashko Bardhin. Vitin e parë të provës e kryen në kuvendin e Guca-Gora afër Travnik-ut, çka me këtë rast sipas traditës së fretërve ndërron emrin e mëparshëm të pagëzimit Zef dhe tashmë do të quhet e njihet Gjergj. Studimet e filozofisë i ndoqi në Kuvendin Sutiska, ndërsa ato teologjike në Kuvendin e Livnos. Lexonte klasikët grekë e latinë Dante Alighieri (1265-1321), Carlo Goldoni (1707-1793), Vittorio Alfieri (1749-1803), Alessandron Manzoni (1785-1873), Giosue Carducci (1835-1907), Giovanni Pascoli (1885-1912) etj. Sikurse dëshmon biografi i parë i jetës së Fishtës, njëkohësisht edhe koleg i tij At Pashk Bardhi. Fishta kishte një dhunti, e cila e dallonte nga të tjerët. Ai shpenzonte pak kohë në përgatitjen e mësimeve, pasi mjaftonte një lexim i vetëm që ai t’i riprodhonte gati krejt përmendësh. Profesorati i zgjedhur që kishin ardhur nga Roma dha vlerësime maksimale për studentin. Lexonte poetët kroatë Grga Martic (1822-1905), nga Bosnja, Andrij Kacic (1704-1760), nga Dalmacia (të cilët edhe i adhuronte), Petrovic Njegosh Petar (1813-1851) “Gorski vijenac”, Ivan Mazuranic (1805-1888). Në këtë kohë ai zë miqësi të ngushtë me poetin lirik kroat Kranjçeviç Silvije Strahimir (1865-1908), respekti dhe dashuria e të cilit bëri që ai t’i kushtonte në shenjë mirënjohje në vitin 1892 edhe një poezi në italisht. Që në Bosnje nis’i ushtrimet e tij të para poetike, të cilat i ruajti At Pashk Bardhi. Fishta dallohej në sprovat e hartimeve në punimet filozofike, teologjike e letrare vjetore në gjuhët latine, italiane dhe kroate. Sikurse kudo edhe në mjediset religjioze xhelozia etnike sllave nuk kishte si të mos gëlonte e ziente edhe ndaj Fishtës dhe bashkëvëllezërve të tij, ndaj Gjergji reagoi së bashku me bashkëvëllezërit e tij përmes një proteste, organizuar nga studentët shqiptarë të Fakultetit të Teologjisë të Livnos. Fishta bile ideoi krijimin e një shoqërie të vogël letrare-artistike, e cila do të mund zhvillonte e të ruante traditat dhe vlerat më të mira të kulturës shqiptare. Në një letër, e cila mban datën 2 shtator 1892, ndër 10 nënshkruesit ishte edhe emri i fra Gjergjit. Fishta dallohej në festat familjare dhe argëtime, por edhe në hartime të lira dhe ato shkollore që dëshmonin për prirjen e tij për të shkruar. Pasi kreu studimet e larta për filozofi e teologji shkëlqyeshëm, në vitin 1893 kandidati për meshtar kthehet me të (gjashtë) shtatë sivëllezërit e tij në Shqipëri, tashmë i formuar e me kulturë gjuhësore në disa gjuhë (latinisht, italisht, kroatisht, frëngjisht e gjermanisht), me njohuri mbi muzikën, artet figurative) etj. Të dielën më 25 shkur 1894 në moshën 23 vjeçare, ngre (celebron) Meshën e parë në kishën e Troshanit ende pa e mbushur moshën e lejuar, e cila duhej të ishte 24 vjeç, gjë që për ta bërë këtë, duhet të ketë kërkuar leje të veçantë për shugurimin meshtarak. Kështu mundi të plotësojë dëshirën për të kremtuar meshën e tij të parë, përpara bashkëfshatarëve të tij, shokëve e miqve me të cilët ishte rritur. Tashmë Zefi i vogël i dikurshëm, Gjergji, po i kushtohej altarit të Hyjit dhe të Atdheut, që do të bëheshin kredoja e jetës së tij. Meshtari i saposhuguruar emërohet mësues në Kolegjin e Troshanit, bash aty ku pat marrë mësimet e para. Të dielave ai mbulonte me shërbim meshtarak kishën famullitare të Dom Lleshit (Zojës Nunciatë) në Lezhë (në të cilën shërbeu si kabelan (1896-1897), e cila mban si vit të ndërtimit të saj vitin 1240, vit në të cilin thuhet se aty kishte ardhur vetë Shën Françesku dhe se aty ai kishte themeluar bashkësinë e parë françeskane. Në vitin 1899 Fishta caktohet famullitar i përkohshëm në famullinë e Gomsiqes (Pukë), e cila asokohe ishte nën juridiksionin e abacisë së Mirditës, që administrohej nga Imzot Prend Doçi, me të cilin krijoi një miqësi të veçantë. Detyra e famullitarit i jepte mundësinë që të ishte vazhdimisht në kontakt me grigjën e tij shpirtërore dhe në këtë mënyrë të prekte me dorë e të kundronte për së afërmi cilësitë morale e shpirtërore të banorëve të këtyre maleve, doket, gjuhën idiomatike shpesh enigmatike, bujarinë, nderin, besnikërinë, trimërinë, urtësinë, krenarinë drejtësinë, varfërinë ekonomike, mungesën e shkollimit, hakmarrjen, dëshirën për të qenë të lirë, të cilat do të preknin mendjen e meshtarit të ri. Me syrin e një psikologu, vëzhgues deri në imtësi, Fishta do të grumbullonte visarin gjuhësor, i cili do të ishte brumi me të cilin do të gatuante më pas veprën e tij letrare. Në Gomsiqe “…Fishta do të njohë deri edhe skutat ma t’thella, njerëzit që u bindeshin normave juridike të Kanunit, Kodit Zakonor të Shqiptarëve ku asht pasqyrue shpirti i vërtetë i rracës.” “Në Gomsiqe, koloriti i gjuhës së Zadrimës, u fuqizue tek Fishta me thelbin e të folmes malsore…“.
Po këtë vit, pra më 1899, falë miqësisë dhe admirimit që krijoi tek abati Prengë Doçi, një nga personalitetet intelektuale më të kulturuara të kohës, ky i fundit e ftoi si bashkëthemelues të shoqërisë Bashkimi, dhe së bashku me Dom Dedë Kolecin, Dom Ndoc Nikajn, Atë Pashk Bardhin, Atë Ambroz Marlaskajn, Luigj Gurakuqin etj. Fishta gjithashtu do të ishte një ndër anëtarët më aktivë të shoqërisë. Kundruar nga këndvështrimi letrar “Kur më 1899 themeloi Shoqninë Letrare “Bashkimi” së bashku me abatin dinamik të Mirditës, Imzot Preng Doçi, At Gjergj Fishta i zotnonte të gjitha nivelet e komunikimit në gjuhën shqipe, nga modulimet e ambla dhe eufemizmat e të folmes femnore, në tonin therës dhe satirik të bejtexhijve, deri në të folmen madhështore të zonave alpine.”
Në vitin 1899 i vritet i vëllai për gjakmarrje, çfarë u bë shkak që ai të shfryhet mbi këtë fenomen në poezinë Gjaksorëve, ndërkohë që dhimbjen për humbjen e të vëllait, meshtari françeskan do ta falte për hir të Krishtit, duke marrë përsipër faljen e gjakut dhe duke lidhur të dy familjet në kumbari të krishterë. Sipas Marin Sirdanit “Kurë ishte At Fishta ende Meshtar i ri, i mbyten njanin vllà, pa kurrfarë fajit, po pak minuta mbasi kishte dalë prej odës së tij. Veç nji Zot e din se sa iu dhimbët ai vllà qi e kishte dashtë si sytë e ballit. Me gjith këta, ky e fali mejherë gjaksin e pashpirt, e bàni çëmos deri sa e detyroi të vetët jo vetëm me e falë, por edhe me u miqasue ato dy shpi nder veti me nji lidhni shèjte, me kumari,…“. Të njëjtën gjë na e konfirmon më pas edhe At Daniel Gjeçaj.
Viti 1989 shënon edhe fillimin e krijimtarisë letrare të Fishtës, e cila nis e publikohet së pari në revistën Albania të Faik Konicës, por gati e gjitha me pseudonime. Po ashtu do të botojë edhe në perkohshmen Elcija (mâ vonë: Lajmtari) i zemres së Krishtit.
Në vitin 1902 emërohet sekretar i Komisariatit të Misionit Françeskan si dhe drejtor i shkollës françeskane në Shkodër. Si i pari drejtor shqiptar i kësaj shkolle, Fishta vendos në programin mësimor në vend të gjuhës italiane, gjuhën shqipe në të gjitha lëndët mësimore. Kujtojmë këtu se gjuha shqipe përdorej në këtë shkollë, por lëndët e tjera mësoheshin në gjuhën italiane, kjo për arsye të mungesës së teksteve në gjuhën shqipe. Ky akt, për kohën në të cilën flasim, ishte guxim i madh, madje një rrezik. Fishtës ju desh një punë jo e vogël që të hartonte tekste, të jepte mësimet me shënime duke i shumëfishuar me shkrim në orët mësimore. Mësues të shkollës kishte të njohurit Logoreci, Paluca, Kodheli etj. Më 1911 u festua 50-vjetori i hapjes së saj, dhe me këtë rast u bë një aktivitet kulturor, në të cilin nuk munguan me pjesëmarrjen e tyre autoritetet zyrtare, fetare, shërbimit diplomatik, (konsullatës austro-hungareze), dhe shumë anëtarë të bashkësive të tjera fetare myslimane dhe ortodokse. Programi i këtij aktiviteti ishte përgatitur prej vetë Fishtës.
E thirrur prej të gjithëve në Shkodër si shkollë kombëtare, me 24 mars 1912, Shkolla Françeskane u nderua nga qeveria turke, e cila duke parë përgatitjen e nxënësve të saj kërkoi sugjerime për mësues të rinj që kishin kryer këtë shkollë, çka ishte meritim i posaçëm i Fishtës. Në verën e vitit 1902, gjatë pushimeve të verës Fishta shkonte në Rrapshë të Hotit për të zëvendësuar famullitarin e atij fshati, Atë Leonard Gojanin, e aty frati do të njihej e të lidhte miqësi me atë që do të ishte një ndër protagonistët kryesorë të Lahutës së Malcisë, plakun Marash Uci. “Kënaqej poeti, tue veshtrue kallximet e kreshnikut të maleve mbi lufta, në të cilat ai vetë kishte pasë marrë pjesë si i ri. Përleshja te Ura e Rrzhanicës iu ngul Fishtës në tru dhe, pa u largue nga ambienti i ushtarëve me çakçirë e kapuç të bardhë në krye, u vu ta përshkruej, ashtu si e kishte ndigjue nga luftëtari.” Në vitin 1904 Atë Pashk Bardhi, ndërsa jepte mësimin e gjuhës shqipe në Borgo Erizzo (Zara, Dalmaci) (Kroaci) dhe ishte kthyer në Shkodër për pushime, merr prej Fishtës për të lexuar dorëshkrimin e disa këngëve dhe pasi dha pëlqimin për to, vendosi t’i botonte. Do të ishte Faik Konica, botuesi i revistës Albania dhe njëkohësisht miku i tyre i përbashkët, si dhe ndihma financiare e Ministrisë së Jashtme Austro-Hungareze, të cilët do të kontribuonin në botimin me titullin: Lahuta e Maltsiis-Kangë Popullore I -Marash Utsi. Do të ishte kjo sprova nismëtare, që do t’i jepte edhe famën Gjergj Fishtës. Edhe pse u botuan pa emër, Fishta mori urime e lavdërime nga shumë miq, intelektualë shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe nga albanologë të huaj.
Fishta tashmë ideonte një sipërmarrje kulturore, ku padyshim zërin kryesor do ta zinin Prengë Doçi, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjedja, Shtjefën Gjeçovi, Pashk Bardhi, Pal Dodaj, Aleksandër Xhuvani etj. Dinjiteti meshtarak dhe përvujtnia rregulltare nuk e penguan të luante rolin që duhej në skenën kulturore të kryeqendrës së Veriut, Shkodrës. Nuk ishte aspak e lehtë të përballonte tashmë xhelozitë, dhe Fishtës armiqtë dhe kundërshtarët për fatin e tij të keq, nuk i munguan as prej botës së jashtme, as prej klerit, as prej civilëve. Ky do të ishte shkak që Fishta të transferohej sërish në Gomsiqe.
Në vitin 1906 Luigj Gurakuqi do t’ia kushtonte Fishtës veprën e vet Vargnimin n’ gjuhë Shcype, e cila është metrika e parë në gjuhën shqipe. Dy vjet më pas, më 15 shkurt 1907, së bashku me Shtjefën Gjeçovin, themeloi të parën bibliotekë shkollore në Shqipni, duke grumbulluar gjithfarë librash. Po këtë vit pranë shkollës fretnore ngre një trupë teatrale amatore, në të cilën së pari do të vërë në skenë pjesët e veta dramatike, si dhe përshtatjet nga gjuhët e huaja, duke vënë kështu një tjetër gur themeltar në kulturën kombëtare. Po këtë vit ai arriti të botojë pjesën e dytë të Lahutës me titullin Vranina, në të cilën protagonisti ishte sivëllai i Marash Utsit, Oso Kuka.
Në vjeshtën e atij dimri Fishta hap kurset e natës për të rritur, për të mësuar shkrim e këndim dhe më pas krijon një shoqëri bamirësie për fëmijët e varfër, për të cilët siguron ndihma të ndryshme ushqimore dhe veshmbathje. Ky do të ishte një nga shembujt e dashurisë së krishterë të të varfërit të Shën Françeskut në mision. Po këtë vit arrin të botojë në Sarajevë përmbledhjen satirike Anzat e Parrnasit, të cilën Fishta ua kushton “mikrobeve të Kombit” asaj frotës së shqiptarëve të shitur, pa ndërgjegje e moral mbi të cilët Fishat lëshon pa mëshirë ironinë dhe sarkazmin e tij gjegjës e therës. Po këtë vit, publicistika e tij do të shënojë një hop tjetër të tij me “Komsija e Kleri Katolik”. Një përgjigje drejtuar Hilë Mosit, i cili në një fletore të kohës kishte botuar një artikull në të cilin polemizonte me Klerin Katolik dhe veçanërisht me françeskanët.
Në nëntor 1908 mblidhet Kongresi i Manastirit. Fishta së bashku me Luigj Gurakuqin mori pjesë atje si përfaqësues i Shoqërisë Bashkimi, ku dhe mbajti ligjëratën “Për alfabetin latin”, që i dha udhëzgjidhje marrëveshjes për alfabetin. Aty “Fjala plot kuptim, logjika dhe oratoria e françeskanit të Shkodrës, që e bante Fishtën të dallohej ndër të tjerë, edhe në këtë mjes bani që nga 52 anëtarë të Kongresit të fitonte për vete 49 zaje posi kryetar i komisionit, të ngarkuem për studim të alfabetit. Qe një triumf për fratin e përvujtë“. Sipas Karl Gurakuqit: “kongresi e pau t’udhës të caktonte poetin kombëtar Gjergj Fishtën ma fort në shenj nderimi dhe çmimi për veprat poetike që i pat falë popullit“, ndërsa për Tomor Osmanin përveç kësaj ishte ai u zgjodh edhe për: “erudicionin e thellë, kulturën e gjërë, forcën e fjalës, mendjen e mprehtë dhe logjikën e fortë“. Ditën e dytë të Kongresit të Manastirit Gjergj Fishta mbajti një fjalim të zjarrtë për vetitë e mira të shqiptarëve dhe për nevojat e tyre. Fjala e Fishtës në Kongres sipas shtypit të kohës bëri për vete të gjithë delagatët, mjafton të sjellim këtu një letër të Pashk Bardhit dërguar Shtjefën Gjeçovit, në të cilën i shkruan se fjalimi i Fishtës “kishte ba me qa shumë kongresista dhe mbas fjalimit nji hoxhë toskë e ka marrë në grykë me lot për faqe“.
Fishta tashmë ishte bërë një personalitet publik i veçantë në jetët e qytetit të Shkodrës, por edhe të të gjithë Shqipërisë, përmes njohjes dhe bashkëpunimit me intelektualët më të njohur, predikimeve, konferencave, fjalimeve publike etj. Jeta publike kishte bërë që ai të merret e të trajtojë edhe çështje politike. Në të gjitha qeveritë shqiptare prej vitit 1912 e deri sa vdiq, ai qe përfaqësuesi i vërtetë i shqiptarit dhe i etnisë, kampion i mbrojtjes së të drejtave të popullit të vet. Françeskanizmi shqiptar falë kontributit të Fishtës do të ishte ai që njihet. Ai ishte ndër patriarkët e riorganizimit të Provincës. Në cilindo pozicion pune, famullitar, drejtor shkolle, bibliotekar, botues, sekretar province, guardian, definitor, kustod, e Ministër Provincial ai ishte shembulli i njeriut të përkushtuar, “…një avokat i përbetuar i integrimit të Shqipërisë në kulturën perëndimore të krishterë.”
Thotë At Anton Harapi, një prej kulturologëve më të shkëlqyer shqiptar, në artikullin “Shqiptari i Madh”, në rastin e një botimi përkujtimor mbi jetën dhe veprën e Fishtës, më 1943: “Kam ndollë vetë aty, kur nji ditë, nji shqyptar këthefit të vjetër, tue ankue për do shpërdorime të nierëzve të Shtetit me A. Gjergjin, dote disi me përfundue, se së ka Shqypni. Fishta don t’ia spjegojë punën, se njerzt e Shtetit nuk janë Shqypnija, edhe plaku, per me i diftue se kishte mbetë i bindun, i thotë: Po na se kemi dijtë, more zotni…veç prej jush e kemi xanë shka asht Shqypnija!”
Po këtë vit ai nis të lexojë dhe njëkohësisht të studiojë me kujdes e vëmendje veprat e Shekspirit e Molierit. Vitin pararendës ai kishte ngritur një teatër të vogël, i cili vijonte ashtu që me nismën e De Martinos. Kështu ai vë në skenë: Gjokë Tarçuku ase mjek përdhuni, I ligu për mend, Dredhitë e Patukut, përshtatur sipas Molierit. Lexon Heinrich Heine (1797-1856).
Fishta pati bashkëpunim me motrat Stigmatine, të cilat kishin ardhur në Shqipëri në vitin 1879. Ato pasi kishin hapur në Shkodër shkollën e tyre për vajza (1876), arritën që më 1925 ta kthejnë në shkollën e tyre (e cila mori emrin Normalja e Stigmatineve), ortake të denjë të gjimnazit Illyricum, e cila do të edukonte të rejat e të tre besimeve. Duhet të merret me mend roli i françeskanëve dhe i motrave stigmatine në këtë nismë, ngaqë dihej gjendja e rëndë e femrës shqiptare, e cila lindej, martohej, lindte fëmijë, punonte e vdiste si qenie e dorës së dytë në krahasim me burrin. Ajo ishte e përjashtuar nga jeta publike, sepse ndikimi i presionit politiko-kulturor përgjatë shekujve të pushtimit osman, kishte lënë gjurmët e tij. Në këtë kuptim ndihmesa e bijve dhe bijave të Shën Françeskut ishte e madhe. Gjithashtu në vitet 1908-1909 shkruan melodramat Sh’ Françesku i Asizit, e cila u shfaq me rastin e 700-vjetorit të Urdhërit Françeskan (1209-1909), e që u botua në vitin 1912, Odisea, Ifigenija n’Aulli dhe Kryepremja e Shën Gjonit.
Po në vitin 1909 boton në Zara Pika voeset, Shtypshkroja Vitalini, një përmbledhje lirikash fetare, vepër së cilës më vonë do t’ia ndryshojë titullin në Vallja e Parrizit, por që kështu në botimin e parë ia kushton Luigj Gurakuqit. Disa prej këtyre poezive, origjinale si dhe përkthimeve, qenë publikuar në revistën e etërve jezuitë Elçija e Zemrës t’Jesu Krishtit. Në vitin 1911, më 19 dhjetor, me rastin e 50 vjetorit të hapjes së shkollës françeskane nis të shkruajë dramën Juda Makabe, të cilën e përfundon vetëm pas tre vjetësh, por këtu në këtë përvjetor u shfaq melodrama Shqyptari i qytetnuem, prej së cilës dilte mesazhi i Shqipërisë së lirë, çka shkaktoi entuziazëm e brohoritje tek të ftuarit. Justin Rrota kujton se “N’atë rasë, nepër dritën e llampavet, prej korit së kangtorìs pàsh, ke burra me mustakë e pleqë me thìja, të përmalluesm, kjajshin si fëmija. Po këtë vit falë autoritetit që kishte dërgohet nga qeveria turke në Podgoricë së bashku me Imzot Jak Serreqin dhe Dom Luigj Bumçin (1872-1945), (më vonë u bë ipeshkëv i Lezhës), si ndërmjetës për arritjen e marrëveshjes së paqes midis Portës së Lartë të Stambollit dhe malësorëve kryengritës të Malsisë së Madhe dhe të Mbishkodrës që u ngritën kundër xhonturqve. Më këtë rast një vit më pas dekorohet nga Sulltani me dekoratën Mearif për shërbime paqeje dhe humaniteti. Më 28 janar 1912, Klubi Gjuha Shqype në pallatin ipeshkvor në praninë e Imzot Jak Serreqit, përmes kryetarit të saj Ndoc Çobës, i cili më këtë rast mbajti edhe një ligjëratë mbi veprimtarinë e tij, i dhuroi Fishtës një kurorë argjendi për merita në krijimtarinë letrare dhe po këtë vit ai dekorohet dhe nga Mbretëria Austro-Hungareze me medaljen Ritterkreuz (1912), për kontributin kulturor në Shqipëri, sikurse e përmendëm nga Turqia u dekorua me dekoratën Mearif (1912), qyteti i Beratit i dërgoi një pupël ari (pendë) (1913), Piu XI Medaglia di Benemerenza (1925), Urdhëri françeskan Lector Jubilatus (1929), Greqia Phoenix (1931); qeveria italiane e bëri anëtar të saj, Academico d’Italia më 1939.
Miqtë e tij të ngushtë do të ishin Imzot Prengë Doçi, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, At Pashk Bardhi, At Anton Zanoni S.J, At Pal Dodaj etj. Nga tetori 1912 deri në fund të prillit 1913, kohë kur Shqipëria gjendej në prehër të pavarësisë së saj, dhe kur Imzot Nikoll Kaçorri dhe Luigj Gurakuqi mbanin në kontakt gjithë zhvillimin e ngjarjeve, për rreth shtatë muaj Shkodra u rrethua nga ushtria malazeze dhe kështu Fishta me Imzot Jak Serreqin arqipeshkvin e Shkodrës, Ndre Mjedën, Bernardin Shllakun ipeshkvin e Pultit e të tjerë u strehuan në Kuvendin e Arrës së Madhe. Më 12 qershor Fishta ngre flamurin kombëtar në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, që dëshmon se edhe Shkodra u bashkua me Shqipërinë pas muajve të gjatë të rrethimit malazez.
Në tetor të vitit 1913 në prag të përvjetorit të parë të Pavarësisë, Fishta themelon të përkohshmen Hylli i dritës një nga revistat me të mira në historinë e shtypit shqiptar. Ja si shkruhej në editorialin e parë të saj “Perlimi ase programi i së përkohshmjes sonë, s’àsht tjetër veç t’torvatunt për lulzim t’Fesë e t’Atdheut, për t’marë t’Familjes e të zhdrivillimit t’Dijes në Shqypni, shka àsht njà për njà si me thànë për gjytetni e përparim të vërtetë t’komit Shqyptar”. Këtu tek kjo revistë Fishta do të tregojë një tjetër cilësi të formimit të tij kulturor; publicistikën e tij. Do të jenë me dhjetëra artikujt letrarë, politikë, pedagogjikë e polemikë që do t’i japin një tjetër përmasë personalitetit të tij. Hylli i dritës pas numrit të saj të dhjetë, kur Fishta botoi artikullin e famshëm “Nji komedi e pandershme e XX-ës qindvjetë”, në korrik 1914, u ndërpre nga autoritetet ndërkombëtare (Komisioni i Kontrollit) sepse Fishta e dënoncoi hapur për pandershmëri dhe pabesi hipokrizinë dhe intrigat diplomatike që bëheshin në kurriz të shqiptarëve. Për pasojë drejtori i saj u padit në Romë prej qeverisë ndërkombëtare si njeri i rrezikshëm për qetësinë e vendit dhe u dënua nga koloneli anglez G. Philipps me 20 muaj burgim në Maltë. Fishta iku fshehtas në Gomsiqe, tek Atë Shtjefën Gjeçovi, më pas në Vig, ku ishte Atë Pashk Bardhi e më në fund në Troshan, ku shërbente Atë Pal Dodaj, sepse vetëm atje mund të ishte jashtë juridiksionit të ndërkombëtarëve, të cilët administronin vetëm Shkodrën. Për fatin e Fishtës shpërtheu Lufta I Botërore dhe ai doli jashtë vëmendjes. Më 28 Nëntor 1913 u kremtua festa kombëtare, natë në të cilën u lidhën simbolikisht me drita kandilash, minarja e xhamisë së Fushë-Çelës me kambanoren e kishës së Gjuhadolit. Gjatë kësaj kohe u desh ndërmjetësia e Imzot Serreqit, Imzot Bumçit e Imzot Kolecit që internimi të pezullohej. Filloi edhe Lufta e Parë Botërore dhe çështja e Fishtës sikur u harrua, sepse ndërkombëtarëve u desh të merreshin me të tjera gjëra më të rëndësishme. Janari i vitit 1916 e gjen Shkodrën sërish të pushtuar, kësaj here nga austro-hungarezët, tashmë jo për ndonjë përfitim territorial, por më tepër për justifikim strategjik. Ky vit do të shënojë tre ngjarje të rëndësishme për Fishtën: Themelimin e revistës Posta e Shqipënisë, instalimin e shtypshkronjës françeskane, si dhe krijimin e Komisisë Letrare të Shkodrës.
Më 3 gusht 1916 Luigj Gurakuqi së bashku me Rajko Nachtigall, Gjergj Pekmezin etj, themelon Komisinë Letrare qëllimi i së cilës ishte zhvillimi i arsimit dhe i literaturës së gjuhës shqipe, e që kjo e pjekun, të bahej gjuhë e përbashkët”. Komisia Letrare e Shkodrës hodhi bazat e drejtshkrimit bazuar mbi të dy dialektet e shqipes, si dhe punoi për një terminologji të re për administratën shqiptare. Këtij institucioni ia shtonin vlerat personalitete të tilla si: Ndre Mjedja, Mati Logoreci, Hilë Mosi, Aleksandër Xhuvani, Karl Gurakuqi, Ambroz Marlaskaj, Vinçenc Prennushi etj. Po këtë vit më 5 dhjetor 1916 del numri i parë i gazetës Posta e shqypnis shqip – gjermanisht, e cila doli dy herë në javë për dy vjet me radhë deri më 23 nëntor 1918 (gjithsej 89 numra), dhe punën e drejtorit për pjesën shqipe e kreu Atë Gjergji, i cili botoi aty afro 37 artikuj. Gazeta sipas Fishtës ishte “themelue për Kombin Shqyptar; veç po, artikuj kanë me u botue edhe gjermanisht, qi edhe dheu i jashtëm të dijë do punë tona, për të cilat Kombi mundet me pasë interesë…”. Theksojmë se sikurse Hylli i dritës, edhe Posta e Shqypnisë u mbyll nga ana administratorit francez të Shkodrës vetëm 5 ditë përpara se të kremtohej Festa Kombëtare e Pavarësisë, për shkak të disa artikujve polemikë të Atë Gjergj Fishtës. Sidoqoftë françeskanët organizuan një protestë në mbrojtje të trojeve shqiptare të mbetura jashtë kufijve politikë shtetërorë. Në vitin 1916 Fishta sjell në Shkodër shtypshkronjën, e cila do të marrë emrin Shtypshkroja Françeskane, pra françeskanët tash e mbas do të kenë shtëpinë e tyre botuese. Kujtojmë këtu se botimet e deritashme u bënë në shtypshkronjën “Nikaj”. Më 1917 Kryeipeshkvi i Shkodrës e merr Fishtën së bashku me Imzot Bumçin si pjestar të grupit negociator mes qeverisë dhe malësorëve. Në vitin 1918 qyteti i Beratit i dërgon poetit një pendë ari, në shenjë mirënjohje për ndihmesën e tij në kulturën letrare shqiptare. Me përfundimin e Luftës së Parë Botërore, ushtria austro-hungareze tërhiqet nga Shqipëria dhe sërish del në pah çështja e kufijve territorialë. Kryetari i qeverisë së Durrësit Turhan Pashë Përmeti kryeson delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris në prill të vitit 1919, në përbërje të të cilit janë edhe Imzot Luigj Bumçi, Luigj Gurakuqi, Mehdi Bej Frashëri, Dhimitër Berati, Mehmet Konica, Mustafa Kruja dhe Dr. Turtulli. Turhan Pashë Përmeti në kushtet e paraqitjes në diplomacinë e regjur europiane, duke njohur deri diku pazotësinë e tij të komunikimit në gjuhën shqipe, si dhe këshillimet e miqve të tjerë, sidomos të Faik Konicës, emëron me zgjuarsi e taktikë diplomatike Imzot Bumçin kryetar delegacioni ndërsa Fishta është sekretar. Gjatë rrugës për në Paris Fishta ndalet edhe në Romë së bashku me Imzot Bumçin, ku edhe u pritën në një audiencë nga Papa Benedikti i XV. Materialin në konferencë të mbajtur në Universitetin e Parisit të shkruar në frëngjisht nga Fishta e lexoi Imzot Bumçi. Bie në sy në këtë studim përgatitja e gjithanshme historike, kulturore, etnografike, ndërtimi stilistikor në pikëpamje letrare gjë që mbetet ende edhe sot një model i ndërtimit të një esejeje apo shembull oratorie. Kështu në saj të aktivitetit diplomatik të Imzot Bumçit dhe At Gjergj Fishtës më 30 gusht 1919 Shqipërisë i njihej Pavarësia dhe më 19 dhjetor 1920 Shqipëria më së fundi pranohet anëtare në Lidhjen e Kombeve. Provinça Françeskane falë një brezi intelektualësh të Urdhërit me emra të tillë si: Atë Pashk Bardhi, Atë Shtjefën Gjeçovi, Atë Gjergj Fishta, Atë Vinçenc Prennushi, Atë Anton Harapi, Atë Marin Sirdani, Atë Pal Doda, Atë Ambroz Marlaskaj, Atë Martin Gjoka, Atë Justin Rrota arrin më 5 shkurt 1920 të zgjedhë të parin Provinçial shqiptar, Atë Pal Dodën.
Duke qenë se Austro-Hungaria kishte hequr dorë nga Protektorati Kulturor mbi katolikët, Selia e Shenjtë mori në duar tashmë vetë katolicizmin në Shqipëri. Kështu Papa Benedikti XV, më 12 nëntor 1920, emëron Ernesto Cozzi-n Delegat Apostolik për Shqipërinë, 35 ditë përpara se se Lidhja e Kombeve ta njihte Shqipërinë si shtet sovran, që do të thotë se Vatikani realizoi i pari njohjohen diplomatike de facto të vendit tonë. Më 1921 ridel pas 7 vitesh revista Hylli i Dritës në rrugën e ndërprerë, ndërkohë që aktivitetin e tij botues, qoftë letrar, qoftë publicistik, Fishta e zhvillon në revistën Zani i Shna Ndout dhe sikurse e cekëm edhe mëparë tek gazeta Posta e Shqypnies. Ndërkohë shkolla publike ishte një projekt i ri që Fishta me shokë e kishin gjithnjë në mendje. Niveli i deritashëm nuk ishte i mjaftueshëm prandaj duhej një shkollë një gjimnaz klasik. Duheshin siguruar ndërtesa, orenditë, paisjet dhe mjetet didaktike shkollore, personeli i duhur, leja prej autoriteteve kishtare e zyrtare. Fishta së bashku me Provinçialin e ri shkojnë në Romë dhe takojnë Kryetarin e Urdhërit dhe priten për të dytën herë në audiencë nga Papa Benedikti XV, i cili u dha një shumë prej 100 000 liretash, ndërsa Kuria Gjenerale u jep një hua me lehtësi shlyerjeje, ndihma të cilat i ndihmuan për hapjen e shkollës publike me emrin tashmë të njohur Illyricum me nxënës të të tre besimeve, katolikë, myslimanë dhe ortodoksë. Ndërtesa e blerë u bekua ditën e Shën Françeskut më 4 tetor dhe mësimin e filloi më 10 tetor të vitit 1921. Në 64 vitet të jetës së saj fillestare, ndër të cilat 22 vite si gjimnaz, duke i hequr periudhën 3 vjeçare 1933-1936 të pezullimit, kjo shkollë i ka dhënë Kishës 4 ipeshvinj, 110 meshtarë, 10 provincialë, 125 fretër. Më 6 qershor 1921 në zgjedhjet e para demokratike Shkodrën e përfaqësojnë në Parlamentin e parë shqiptarë si deputetë Ndre Mjedja, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi e Hilë Mosi. Fishta në fillim zgjidhet anëtar e më vonë kryetar i komisionit të buxhetit, anëtar i komisionit të arsimit dhe në gusht të atij viti zgjidhet nënkryetar i Parlamentit. Fishta sipas Ernest Koliqit: “Si françeskan nuk pati kurrë ndonji previlegj vetiak dhe as nuk pranoi me pasë ndonji përfitim për aktivitetin e tij në shërbim të çështjes kombëtare. Rroba fetare e përjashtonte prej çdolloj trajtimi të veçantë apo pjesmarrje në pushtet. Pasi niset në fund të shkurtit 1922 nga Liverpuli, Fishta pas një udhëtimi 12 ditor me anije, arrin më 8 mars në New York në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vizitë të cilën ai na e përshkruan mjaft bukur nga New-Yorku në një letër drejtuar At Jutin Rrotës, e cila mban datën 11 mars 1922. Duhet theksuar se Fishta nuk ishte i ngarkuar aspak prej qeverisë shqiptare për këtë mision, por intelektuali i këtij formati sikurse ishte ai, e shihte si detyrim qytetar të shenjtë të interesohej për fatin dhe dinjitetin e kombit të tij. Kështu senatorët katolikë pas takimit me Fishtën më 8 maj, me ndikimin e tyre në senat, mbështeten njohjen zyrtare të Shqipërisë. Për këtë na vjen në ndihmë një letër që Fishta i dërgoi sivëllait të tij At Pal Dodës “Ndërkaq vizita eme në Washington ka pasë si përfundim njohjen e Shqypnisë prej anës së Shteteve të Bashkueme të Amerikës. Të gjitha përpjekjet e maparshme të Qeverisë sonë, si ato të “Vatrës”, s’kanë pasë sukseç…Qenë Senatorët katolikë, të cilëve ua paçë paraqitë çashtjen sidomos në pikëpamje fetare, ata qi me ndërhimje të veta xuerën njohjen zyrtare të Shqypnisë nga Qeverija amerikane”. Faik Konica në përgjigje të një letre që Fishta i kishte dërguar, i shkruan nga Bostoni këtij të fundit: “Ju falem nderit për letrën e bukur që më dërguat. Kini lënë nër Shqipëtarët e këtushëmë nji kujtim lartësie dhe drite, që kà shuar gjithë moskuptimiet e shkuara”. Ndërkaq duke u kthyer nga Amerika, Fishta i shkruan At Pal Dodës se është duke shkruar një poemë satirike. Është fjala për poemën Gomari i Babatasit, vepër e cila u botua në dhjetor 1923, me të cilën shënoi pjekurinë e tij të plotë artistike. Po këtë vit del gazeta Ora e Maleve, që u bë shkolla e gazetarisë shqiptare, në të cilën kontribuan oratoria e Dom Lazër Shantojës, mençuria e Luigj Gurakuqit, pena ledhatuese dhe e ëmbël e Vinçenc Prennushit, studimet e holla të Anton Harapit, Nush Topalli, Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi, Bernardin Palaj etj. Për këtë gazetë Ernest Koliqi shkruan: “Dihet se Ora e Maleve, e nisun ma s’forti me qellime kulturore, pat menjiherë nji zgjanim të papritun politik edhe u ba organi i nji grupi qi përfshinte në gjinin e vet fuqit fetare, shoqërore dhe ekonomike të Shkodrës unji dhe krejt krahinës së saj. Grupin e kryesonte Luigj Gurakuqi. Shkodra nuk njofti kurr stinë ma të lulzueshme me mugullime qellimesh e vullnetesh për nji përparim të njimendtë qytetnuer. Shkodranët pa dallim besimesh, klasash shoqnore, kulturash, me lagje të qytetit e me katunde e me male kreshnike,,, mblidheshin tok rreth Gurakuqit, -Bashkqytetarit zemër-madh e mende-ndritun, qi dinte me pajtue në shkrime në sjellje e në veprimtari ndertuese tharme jetike të traditave të shëndosha me nevojët e kohës moderne. Ai kalonte udhës i përsjellun gjithkund nga nji tubë djelmoshash e grat nga dyert e oborreve me fëmij në krah e reshëshin me nji breshën bekimesh. Kalonte si profet i rrethuem nga nderimi dashunuer i mbarë nji populli.” dhe vijon: “Prej frymzuesavet qi ishin Emzot Mjedja, Gurakuqi, Patër Gjergji, prej bashkëpuntorvet të shquem si At Antoni, Shuk Gurakuqi, Kolë Kamsi, At Bernardin Palaj, prej redaktuesavet të rendomtë qi ishim Dom Lazri dhe unë e deri ke shtypshkruesat me Gjon Shqipnin ne krye e Tom Laca, shpërdas e shitës i fletores, kjo njehej si nji gja qi ishte pjesë e sejcilit prej nesh, pjesë e shpirtit dhe e jetës s’onë.”
Ndërsa At Zef Pllumi kujton nga At Anton Harapi: “Kur kam nxjerrë “Orën e Maleve”, përveç kolegut tim Dom Lazër Shantojës, nuk kam pasë asnji njeri që të më përkrahë e të më japë ndihmë. Po, edhe miku im Nush Topalli, më ka pague shpenzimet për botimin e tre numrave të parë“.
Në votimet për Kuvendin Kushtetues në dhjetor të vitit 1923, Fishta së bashku me Fan Nolin dhe Luigj Gurakuqin përfaqëson Opozitën, por nuk qe e thënë sepse qeveria nuk zgjati as një vit, për shkak se Ahmet Zogu përmes Partisë Popullore vjen në pushtet më 24 dhjetor 1924. Burgosen Ndre Mjedja, Lazër Shantoja, Anton Harapi, Bernardin Palaj, Klement Miraj; Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi detyrohen të largohen nga Shqipëria dhe Fishta për të njëjtat arsye largohet gjithashtu në Itali, ku qëndron pranë Urdhërit Françeskan, ku pas kurimit me kujdes të ekspozimit në pavionin shqiptar në Romë më 1925, u dekorua nga Papa Piu XII, e jo sikurse është shkruar në ndonjë rast për shërbime klerikale. Hylli i dritës preu frymën përdhunshëm edhe një herë tjetër pas ndalimit të vitit 1914. Por, penda e poetit nuk heshti. Më 1924 botohet për së dyti Mrizi i Zanave dhe në vitin 1925 Vallja e Parrizit (botimi i dytë), Ifigjinia n’Aulli, Sh. Luigj Gonzaga (1927), Shqyptarja e gjytetnueme, e cila u shfaq në vitin 1929, dhe në revistën Leka, Mojs Golemi i Dibrës e Deli Cena. Në janar 1930 (këtu incidenti me Portland Cementi (142, 159, 164, 165), nis sërish pas një ndërprerje prej pesë vjetësh, Hylli i dritës, drejtimin e së cilës Fishta ua besoi sivëllezërve të tij. Po më 1930 emërohet nga Urdhëri Françeskan Lector Iubilatus honoris causa. Në vitet 1930 Fishta përfaqëson Shqipërinë në Konferencat Ballkanike në Athinë, (1930), në Stamboll, (1931), ku ai është anëtar i delegacionit së bashku me Mehmet Konicën dhe më 1932 në Bukuresht. Më 1930 ftohet dhe pranohet anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar të Poetëve në Nju Jork, në të cilin merrnin pjesë shkrimtarë nga rreth 60 shtete të ndryshme të botës.
Poezi:
Përhumbje, (poezi), Camaj-Pipa, Shkodër 2000.
Studime letrare:
Kritika dhe studimet letrare shqiptare në revistën “Hylli i dritës„ (1913-1944), (studim), Camaj-Pipa, Shkodër, 2000.
Studime historike:
1. Arsimi në Gallatë, Chaminade, Lezhë, 2005.
2. Kishat e Kurbinit. (Kishat dhe organizimi kishtar në Kurbin), Geer, Tiranë, 2008.
No comments:
Post a Comment