Ministria e Brendshme ka reaguar pas lajmit të publikuar në portalin “360 gradë” që drejtohet nga Artur Zheji për ekzistencën e një raporti i cili sipas portalit, është përpiluar nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHBÇA) dhe që vë në dukje problemin që ka vendi ynë në prodhimin e kanabisit.
Ministria e Brendshme hedh poshtë ekzistencën e këtij raporti, duke theksuar “se qëllimi i fabrikimit të këtij lajmi, fsheh interesa personale, politike, por që në thelb mbeten interesa të paligjshme e kriminale”.
Ndërkohë që Artur Zheji me qëndrimet e tij editoriale është mjaft pranë LSI-së.
Deklarata e plotë e Ministrisë së Punëve të Brendshme
Lidhur me lajmin e publikuar në median online “360grade.al” e më pas rimarrë edhe nga portale të tjera, mbi ekzistencën e një raporti sekret për kultivimin e drogës në Shqipëri, Ministria e Punëve të Brendshme bën me dije se ky lajm është tërësisht i pavërtetë. Ai që është cilësuar si raport sekret, është vetëm vazhdim i “dokumentave” të fabrikuara e të sajuara qëllimisht për të shpifur e hedhur baltë mbi punën e Policisë.
Raporte të tilla të ngjashme të fabrikuara më herët edhe nga redaksi të tjera lajmesh, dalin përtej misionit të medias për informim të publikut, pasi tentojnë të kthehen në “armë” me synim goditjen e policisë dhe punën e saj.
MPB deklaron me përgjegjësi edhe njëherë se një raport i tillë, botuar në median online, nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston.
Ministria e Punëve të Brendshme beson se qëllimi i fabrikimit të këtij lajmi, fsheh interesa personale, politike, por që në thelb mbeten interesa të paligjshme e kriminale.
MPB përsërit se rezultatet kundër drogës janë prova e vërtetë e vullnetit dhe punës së Policisë së Shtetit. Një tjetër provë e kësaj dëshmie, është besimi i palëkundur i partnerëve ndërkombëtarë.
Duke mbetur në dispozicion të medias për çdo informacion zyrtar që nevojitet për të përmbushur çdo standard për transparencë, MPB-ja i bën thirrje medias të verifikojë zyrtarisht informacionet përpara publikimit të tyre.
No comments:
Post a Comment