2016-11-13

Zija Çela (1946)



“Gjaku im i erret”, Botime “Ideart”, 72 faqe

Zija Çela eshte nje nga shkrimtaret me te njohur te letersise se sotme shqiptare. I lindur ne Shkoder, pas mbarimit te studimeve universitare ne Fakultetin e Gjuhe-Letersise, caktohet mesues ne rrethin e Kukesit. Ketu ai do te shkruaje mjaft tregime, te cilat i permblodhi ne vellimin e tij te pare i cili u prit shume mire nga lexuesi shqiptar.

Autori i tregimeve realiste e plot frymezim rinor, per aq sa mund te flitej per realizmin ne ate kohe kur arti e letersia kontrollohej rreptesisht, ne stilin e tij te vecante te tregimeve si “Ne jetojme ne Has” do te paraqitej para lexuesve me vellime te reja qe tregonin konsolidimin e tij si shkrimtar. Suksesi ne letersi e solli shkrimtarin Zija Çela nga jeta e humbur dhe e zymte e provinces, ne qendren e artit dhe letersise ne kryeqytet, Tirane, si drejtues i gazetes “Drita” per disa vjet me rradhe. Zija Çela eshte jo vetem tregimtar por edhe autor romanesh te suksesshme dhe nje nga autoret bashkekohore nder me prodhimtaret dhe te lexuar nga lexuesit shqiptar.

Vepra e tij me e fundit “Gjaku im i erret” eshte disi me ndryshe nga krijimtaria e meparshme. Autori ne kete veper abstragon mbi realitetin, eshte enderrues e plot fantazi qe e con nga nje ide ne nje tjeter, nga nje hapsire ne nje tjeter, madje nga Shqiperia e vogel buze Adriatikut, nga nje bllok parafabrikatesh prane mureve te Kinostudios Albafilm deri ne Argjentinen e larget, per te takuar (gjithnje ne menyre abstrakte) levruesit e artit te letersise ne kete vend te Amerikes Latine. Per mungese te faqeve te prozes te ketij autori te pergatitur per Internet lexuesve te Shkoder.net…, po u paraqesim recensen e Virgjil Muçit “E kush nuk ka qene ne Buenos!” botuar ne revisten “Klan” per librin me te ri te prozatorit te njohur shkodran, Zija Çela “Gjaku im i erret”.

— Kolec Traboini, Boston 2002

VENDLINDJA E PËRFOLUR

Pasi lëngoi në shtrat për disa vjet, më në fund u duk se i erdhi ora e vdekjes. Trupi i kishte mbaruar, ndërsa fryma vetëm sa linte shenjë në faqe të pasqyrës. Megjithatë, vdekja nuk po e merrte. Truri herë i binte në errësirë, herë i sillte rradhazi si në film ca pamje të paharueshme nga zabeli i Kalumit. Në një ditë behari, ai kishte parë një femër të re që i kishte farfuritur ndër sy veshur ashtu me tesha të lehta, përplot gufime në gjoks, teksa kapërcente gur më gur jazet e përroit, që lëshonin dritë si fije kllapodani dhe ia bënin më të zjarrtë nxitimin për të hyrë në zabe. Në këmbësoren përkundruall, duke pritur i etur, përshkohej hijshëm një mashkull i shëndetshëm me shogën ngjyrëshege në brez, jelek të qendisur e potina me gajtana.

I zënë në beft dhe pa e ditur përse, Cam Alcani e kishte kthyer kokën nga maja e kodrushës ku përndëriste kombanarja e kishës, pastaj në shpatin me luadhe, pastaj në dushk e në larushk, gjithandej ku ishin bardhokat e hënorët, sepse deshve e cjepëve që mbaheshin për ndërzim, në katundin e tyre s’u thoshin as përçakë e as përçorë, por hënorë. Pas një grime, atij iu bë se shkrepëtiu në të thatë, ca tafte flake që llapsën fluturimthi ia përcëlluan fytyrën dhe ai, i shushatur e me drithma në trup, mbuloi sytë me shuplaka. Sa zgjati? Pikërisht këtu i shuheshin pamjet dhe truri i binte përsëri në terr.

Grahma po zgjaste, askush nuk e kuptonte se në ç’pejzë e qenëz të fshehtë i qëndronte shpirti, prandaj provuan gjithçka që zakoni këshillonte për raste të tilla. Të parin propozuan shkalcin. Në bazë të një riti të vjetër, kush ishte për vdekje e nuk i dilte shpirti, e vinin me dyshek në shkalc dhe i bënin një shëtitje rretheqark, që të nxirrte mallin e fundit për visin ku kishte lindur.

Mirëpo, plaku u xhindos kur ia përmendën shkalcin. Atëherë, për t’ia lehtësuar vdekjen, njerëzit e familjes, e shoqja, djemtë e nuset, vajzat dhe dhëndurët i vajtën me radhë në dhomën e dergjës, u përkulën mbi kokën e tij dhe i thanë se çfarëdo gabimi apo faji të rëndë që në vitet e gjata të jetës mund të kishte bërë ndaj tyre, ata ia kishin falur. Si mbaruan njerëzit e oxhakut, ia dhanë hallallin edhe vëllezërit e motrat, që kishin lënë konakët e tyre për të ardhur pranë tij. Pastaj pritën që të vdiste. Por lala Cam prapë nuk dha shpirt. Atëherë e zgjeruan rrethin me kushërinj nga degët e gjakut të tamblit, por as përfalja e tyre nuk e ndihmoi për të shkuar në atë botë. S’u mbetej veçse të hapeshin akoma, duke grishur kumbarë, miq e dashamirë të largët, me shpresën se pengu që i kishte mbetur në zemër dhe nuk e lindte të vdiste, ndodhej te ndonjëri prej tyre. Por përseri asnjëri s’e ndihmoi për gjumin e përjetshëm. Për dreq, plaku diku kishte ngecur, mirëpo se në ç’gozhdë i varej shpirti aq keq, përsëri askujt s’i shkonte mendja. Ndërsa heka vazhdonte dhe bijtë ngulmonin te koka e tij, Cam Alcani arriti të nxirrte një fjalë. Për t’ia plotësuar dëshirën e fundit, ata vrapuan menjëherë në adresën që kishin dëgjuar. Por sapo njeriu i thirrur hyri në dhomë, hapi librin e lutjeve dhe nisi t’i këndonte La ilahe il-lallah, plaku përmblodhi veten e kundërshtoi:

– Jo hoxhën, por Hoshën!

Prej asaj kërkese të çuditshme gjithë sa u ndodhën në dhomë mbetën të mëruar, por kleriku i dijshëm u tha se njeriu atje ku ka syrin, ka edhe shpirtin. Si t’ia bënin tani, kush kishte sy e faqe që të shkonte te Radi i Zarishit dhe t’i thoshte se Hoshën, gruan e tij të bukur, më të bukurën në lagjen e katolikëve e për të cilën i shoqi, për ta marrë, dikur kishte kërcënuar se qiste pushkë, plaku i tyre e lakmonte në dhomë sidozot me kërkesën më të mbrapshtë:

– Vetëm për vetëm me Hoshën, – kishte mundur të shkonte zavalli, pas atij keqkuptimit qesharak.

Radi, burri kokëkrisur, e kishte bërë dasmën rreth nëntë vjet më parë dhe njerëzit e shtëpisë u kujtuan se tamam qysh prej asaj kohe, i mbërthyer nga një sëmundje pa emër, plaku Cam kishte zënë shtratin dhe s’e kishte kapërcyer më pragun e derës. Të gjithë e mbanin mend, gjithashtu, se në atë dasmë ai kishte kënduar për herë të fundit, sado që shumëkush s’ia kishte vënë veshin ose ishte mahitur me të. Kur Hoshën e bukur, veshur nuse, e kishin nxjerrë në oborr dhe trimat e shtruar në tryeza e kishin pushuar ahengun një copë herë, për t’ua lënë radhën grave dasmore, mes heshtjes dhe atij kundrimi të përgjithshëm kureshtar, befas ishte dëgjuar një zë burri. Të gjithë kishin kthyer kokën në drejtim dhe në atë drejtim të gjithë kishin parë lalën Cam, më këmbë, me shpatullat e rrasura në gurët e avllisë, duke çalltisur me dy duart për çiftelinë, ndërsa dhëmbët me kapsula platini i pranonin si fluturashka zjarri në gojën e hapur. Sipas këngës që sapo kishte zënë, Cami nuk ndodhej në obor; se ku ndodhej, kënga nuk e thoshte, thoshte vetëm se çfarë shihte ai:

Ooo,
kur po luanin cicat nën fustan,
ia bënin kumbonat drang e drang…
I mjeri unë, i mjeri!
Ooo,
kur po zgjidhej matanë shoka,
thashë nën këmbë po çahej toka…
I mjeri unë, i mjeri!
Ooo,
kur u ndezën vetëtimat,
vetëtimat me m’verbue,
cicat tuaja qenë zbulue…
I mjeri unë, i mjeri!
Ooo,
m’u mbush mendja veten me e mbytë
për qind vjet mos me t’i pa sytë…
Ooo – ooo – ooo,
I mjeri unë, i mjeri!…

Natyrisht, dasmorët patën shkaqe të ndryshme për t’u argëtuar, aq më tepër që ajo këngë ose ishte aq e vjetër, sa askush s’e sillte në hatër, ose ishte aq e re, sa askujt s’i mbeti në kujtesë. Megjithatë, njëri prej burrave që e kishte në krah dhe që e kishte dëgjuar plot kërshëri, pranoi se të gjitha fjalët e tjera i kishte kuptuar, por një gjë nuk ia rrokte truri: “Mirë, ai taravoli e vret veten nga dalldia, por asaj tjetrës si do t’ia shohë sytë mbas qind vjetësh?!” Lala Cam ia ktheu: “Brenda dheu është i errët dhe i plleshëm si barku i gruas, prandaj mbin fara aty. Jeta na ndan, kurse varri… “Filluan gradtë dhe s’pati qetësi për ta mbaruar përgjigjen, sepse dihet që grifshat në ferrë, pelat në lëmë e gratë në valle, nuk lodhen kurrë. Por proçka e plakut, ndonëse ato ditë u përfol, sidoqoftë u harrua.

– Lala Cam, – e pyeti më i madhi nga djemtë, – po ta sollëm Hoshën, e mban fjalën: vdes e shkon?
– Them se shkoj, – u hamend ai.
– Veçse po e lëndove gruan e huaj dhe na bën me turp, unë të vras me dorën time.
– Më vrit, – i dha leje ai të birit.

Bënë si bënë dhe nëpërmjet një kunate i çuan lajm Hoshës. Ajo tashmë po hynte në të tridhjetat, ishte bërë nënë, por bukurinë e ruante si në ditën e dasmës. I folën për dëshirën e pakthyeshme të plakut, e siguruan se, për të mos i lënë të shoqit ndonjë koritje ishin të gatshëm që gjakun ta bënin vetë, duke e ruajtur prapa derës me pushkë; dhe Hosha nuk kundërshtoi. Kur hyri, iu duk se plaku po flinte. Kur u afrua, pa se sytë i kishte kapak. Ndërmjet kapakëve notonte brymë e mjegull. Ajo e nxori nga mjegulla duke qeshur.

– Më ke kërkuar, teveleq?!
– Të kam kërkuar, Hoshë, dhe ta di për nder që erdhe. A jemi vetëm?
– Vetëm jemi, – tha gruaja, – derës i vura shulin.

– Ashtu, moj Hoxhë, – u kënaq plaku, – vetëm një derë nuk mbyllet kurrë: varri. Njerëzit jeta i ndan, kurse varri i përzien. Si thua, i përzien?

Hosha pranoi se vdekja është daulle për kokë dhe shtoi:

– Varri i bën bashkë. Mbas një qind vjetësh, ndoshta edhe andej kërcehet dërrasë më dërrasë, si me thënë gur më gur.
– Eee, – u kënaq edhe më plaku, – e mbake mend, gur më gur! As vesa s’paska rënë hala në fiqirin tënd, Hoshë.

Pastaj rënkoi, derisa u duk se humbi në jerm.

Ishte shtrirë në shpinë dhe disa herë u rrek ta kthente kokën nga Hosha, por eshtrat e qafës nuk iu bindën. Nuk iu bindën as kur Hosha u përpoq t’ia kthente vetë. Ndoshta i kishte ngrirë tërë trupi. Jo, njëri krah po i lëvizte ngadalë. Pikërisht atë krah e shtriu drejt saj dhe, me mundim, arriti ta fuste dorën nën fustan. Gruaja u drodh. Për të mos nxjerrë zë, kafshoi buzët.

Pastaj, përballë ngërçeve të tij, pyeti:

– A po do që Hosha ta ngrejë fustanin?
– Jo, jo, – tha ai, – perdja po bie, nuk është duke u ngritur, Hoshë.

Pas një grime, dora e rreshkur vazhdoi të ngjitej përgjatë kofshëve të saj, pak e nga pak, derisa pëllëmba i preku barkun. Hosha prapë u drodh, por as thirri, as lëvizi. Edhe plaku, ndërkaq aty u ndal.

– Lala Cam, – bëzani ajo.

Ai u përgjigj me bulat e gishtërinjve. Në fillim nisi t’ia lëmonte kraterin e mbyllur të kërthizës, pastaj tërë hapësirën tjetër, faqe më faqe dhe kul më kulm. Kapakët e syve i qenë puthitur, nofullat po i nguroseshin, e nuhati edhe ngurosjen e krahut dhe deshi të thoshte diçka. Por u pajtau me të kundërtën: ishte më mirë t’i rrëshiqste dora, sesa goja. Dhe dora i rrëshqiti. I rrëshqiti pa jetë nëpër shpatin ballor të Kodrës së Venusit dhe arriti te pjerrina e lëmuar, lulëzuar me eshkë e krrela myshku.

– Hë? – u dëgjua të pyeste garanti, djali që kishte pritur me pushkën ngrehur pas derës.
– Vdiq, – i tha mandatën Hosha.
– Tha gjë, la amanet?

– Pleqtë nganjëherë kanë mendje fëmije. Para se të vdiste, u shmall pak me vendlindjen.

Varrimi u bë të nesërmen. Kësaj here, kur hapi librin e lutjeve për t’i kënduar talkinën, kleriku i dijshëm u ndie i sigurtë se ai zullumqari nuk do të kundërshtonte më.

E kush nuk ka qene në Buenos!

Ma do mendja se ka te drejte Zija Çela kur thote, diku ne librin e tij me te fundit “Gjaku im i erret” se, “Gjerat e trilluara, pra, ato qe nuk ekzistojne, jane te perjetshme”. Sigurisht, kur flet per trillimin, shkrimtari e ka fjalen per fikcionin, thene me shqip, per krijimin si formen me te larte te abstragimit te mendjes njerezore, i vetmi moment, kur ne, vdekataret e rendomte, mund te barabitemi me Perendine, krijuesin e pare e me te madhin deri ne amshim. Dhe nisur nga paradoksi i mesiperm do te merrja guximin te shtoja se, gjerat e trilluara jo vetem jane te perjetshme, por edhe te pernjemendta, madje edhe me fort se vete realiteti i prekshem qe na rrethon.

Le ta themi qe ne krye, pasi ta keni lecitur kete liber, mos u rrekni me kot ta etiketoni, klasifikoni, pra, me nje fjale, ta standartizoni, si ndonje punonjes i zellshem biblioteke, ne roman, novele apo ku ta di une se ne cfare tjeter, cka do te ishte nje kuturisje e marre dhe e pa vlere. Madje, me aq sa e njoh une krijimtarine e Zija Çeles, libri ne fjale perben nje dukuri sui generis, duke qene, paradoksalisht, vepra e tij me fikcionale dhe ne te njejten kohe edhe me autobiografike, vepra qe ne nje fare menyre mohon simotrat e saj per te ripohuar qenien supreme te autorit, ne rolin e demiurgut. Materia e tij letrare ngjizet dhe shkon e tirret ne nje dimension te papercaktuar, dicka qe varferisht mund ta perkufizojme, mes endrres dhe zhgjendrres.

Pikerisht ne mes te ketyre dy boteve ze fill ajo cka rendomtazi e quajme ngjarje; libri shkon e hapet me shkrimtarin, tok me te shoqen, duke u rropatur mes baltovinave te periferise se kryeqytetit ne kerkim te shtepise se dhene me qira nga shteti, rruga Aleksander Moisiu, nr. 38/19, e cila, me sa kuptojme nga fjalet e gruas, sikur eshte nje mallkim nga Zoti, dhe vjen e mbyllet me nje tjeter shtepi ne rrugen Juan Garay ne Buenos’in e larget qe Borges’i, dora vete, ia dhuron shkrimtarit. Atehere lind pyetja: Si ta kuptojme apo me mire te themi, si ta dekodifikojme kete metafore te shkrimtarit? E pra, ne kete pike, na vjen ne ndihme vete shkrimtari, i cili, terthorazi pohon se, pas te gjitha gjasave, krijuesi nuk eshte gje tjeter vecse nje alien ne boten e ketejme, thene ndryshe ne boten reale dhe, pasketaj, ne jemi te lire te deduktojme se, ky eksplorator i palodhur i botes se brendshme te njeriut, banon ne boten e letrave dhe banesa e tij e vertete eshte ne Biblioteken e Babilonit, tok me sivellezerit e tij.

Ky ishte kontrapunkti i pare, i dyti qe perploteson te parin eshte biseda e shkrimtarit ne vilen e zotni Ademit, biznesmenit te njohur te ndertimeve, oferten bujare te te cilit, shkrimtari e refuzon, sic na thote vete, per mos t’i zbardhur faqen tjetrit e nxire te veten; se shkrimtaret (per hir te se vertetes, lypset thene jo te gjithe) keta donkishote sa te lashte aq edhe moderne, jane ca kokekrisur dhe tejet namuzqare per pune te faqes dhe s’e kane per gje t’i bien te “mires” me shkelm edhe atehere kur hyne ne sherr me gjithe dynjane e jo me me grate e tyre.

Ne mes te Borges’it e shkrimtarit shqiptar (te cilit edhe pse autori nuk ia ze kund ngoje emrin, lexuesi e ka fort te lehte ta identifikoje) qendron nje tjeter shkrimtar i permendur, Ernesto Sabato, ne rrembat e te cilit rrjedh nje fije nga gjaku yne i shprishur e kesodore, kush me mire se ai mund te behej mblesi i kesaj krushqie te cuditshme mes shkrimtaresh, te gjalle e te vdekur. Fletorja misterioze qe shkrimtari i beson Sabato’s perben nyjen lidhese te kesaj trinitie te shenjte mes njerezish qe flasin te njejten gjuhe, ate Kozmosit te letrave, por jo vetem kaq, ndonese e ronitur, ajo na sherben si deshmi e asaj qe, metafizika nuk eshte gje tjeter vecse nje dege e letersise fantastike. Me kete veper, Zija Çela na deshmon se, sic thote Malraux’ja, “arti ngrihet mbi art”, ndaj mos u mundoni me kot te kerkoni dicka te kulluar ne ate qe eshte thjesht njerezore.

— nga Virgjil Muçi

E VEÇANTA E POEZISË SË GJEKË MARINAJT



Letërsia shqiptare trashëgon një fond të pasur vlerash nga krijuesit shkodranë. Që nga koha e Marin Barletit, në Rilindjen Kombëtare e deri pas Luftës së Dytë Botërore…



— nga Mujo Buçpapaj

Gjekë Marinaj është një poet universal ku dijenia e jetës dhe artit japin bashkë pamjen më të përkyer të krijimtarisë. Ai po sfidon emrat më të mëdhenj të poezisë bashkëkohore amerikane duke tronditur formalitetin poetik dhe format tradicionale të të shkruarit me librin e tij të fundit “Lutje në ditën e tetë të javës”.

Mujo Buçpapaj Marinaj bën atë që nuk e kanë bërë të tjerët para tij, duke bashkuar imazhe, legjenda, profile dhe filozofi të popujve, racave dhe kombeve me një lehtësi të rrallë që mund ta bëj vetëm një poet që vjen nga Ballkani, vend i poezisë, legjendave dhe miteve.

Marinaj, i cili provokoi në rininë e tij regjimin komunist me poezinë e tij “Kuajt”, tani provokon bibliotekën e poezisë botërore, pas shumë vuajtjesh njerëzore, në fillim si emigrant që ka kaluar telat me gjemba dhe pastaj si student i shkëlqyer dhe si pedagog i letërsisë bashkëkohore në Universitetin e Richlandit në Dallas të SHBA-ve.

Marinaj ka eksperimentuar me një guxim të qartë duke ndërtuar një kod të ri poetik të sofistikuar, i vlerësuar me shumë çmime letrare në Amerikë.

E përpunuar në laboratorin e poezisë amerikane, krijimtaria e Gjekë Marinjat është një majë e poezisë bashkëkohore, ku rifillimi i jetës zhvesh pamjen optimiste të poetit, prej ëndrrës mashtruese, pasi për atë ka gjithnjë një ditë të tetë, e cila mund të quhet dita e lutjes, mallkimit apo lumturisë së poetit.

Marinaj i përgjigjet me dinjitet nevojës për ndryshime në poezinë shqipe, duke sugjeruar një leksion të shkruari perfekt si një “autoportret i avancuar” i stilit të poetit dhe jetës së tij, mes imazhit të Atdheut të braktisur dhe gjykimit për dashurinë e botës së pafund.

Nëse Walt Whitmani i dha fund imitimit të shkollës evropiane të poezisë në Amerikë, duke krijuar vargun i tij biblik, origjinal edhe Marinaj me “Lutje në ditën e tetë javës” ka krijuar një civilizim të ri për poezinë shqipe, duke ndihmuar jo vetëm vendin e tij, por edhe poezinë evropiane.

Autoportret i avancuar

Lutje në ditën e tetë të javës Forma e poezisë së Gjekë Marinaj ndryshon nga njëri cikël poetik tek tjetri. Një shpërthim lëndësh universale ringrejnë mendimin shijues të poezisë së Marinjat në stade të reja, të frekuentuara nga motive filozofike dhe shpirti human që e dallon atë nga poetët e tjerë bashkëkohorë amerikan.

Poezia amerikane e shekullit të XXI përbehet nga një radhë poetësh të shquar që ecin në një garë me shumë korsi, pa patur akoma një lider. Siç vëren kritika vendase ndryshe nga Shek. XX, kur Amerika lindi një numër të madh poetësh si Wallace Stevens, Ezra Paund, T.S. Eliot (i lindur në Amerikë), William Carlos Williams etj, në shekullin e ri disa nga poetët më të shquar të saj janë amerikanë të natyralizuar, si Ferderik Turner, Eduard H. Gracia, Rainer Schulte etj. Në këtë grup bën pjesë edhe poeti me origjinë shqiptare Gjekë Marinaj, i cili me librin “Lutje në ditën e tetë të javës”, unifikon sipër botës dashurinë dhe dhimbjen, si një bashkë vuajtjes i vetëdijshëm i planetit.

Libri hapet me ciklin “Mesnatë pa kalendar”, i cili është një cikël filozofik i shkruar me një mençuri të skajshme. Është një cikël i sofistikuar, i shkruar për një elitë lexuesish. Poezia “Autoportret i avancuar” është një mini-poemë, një esencë e librit. Poezitë në librin “Lutje në ditën e tetë të javës” e ndihmojnë lexuesin të transformojë vizionin, të shqyrtojë vetveten dhe të arrijë përfundimet e duhura si jehonë e jetës e shndërruar shpesh në melankoli dhe dyshim. Ky cikël përbën një rifreskim fondamental të poezisë bashkëkohore, me një përkushtim subsencial të poetit, plot çiltërsi metafore dhe shpirt të gjerë komunikimi.

Ky cikël shënon një sfidë jo vetëm në karrierën poetike të Marinjat, por edhe për caqet që vë përpara poetëve bashkëkohorë amerikanë dhe evropianë. Të krahasuara me një stekë të ngritur lart për garë, ato dallojnë për strukturën, mënyrën e të shprehurit dhe imazhet e kërkuara mes dashurisë dhe dhimbjes që dalin prej demokracisë së shpirtit të tij dhe përsosjes morale dhe artistike. Poezia e tij ka fituar admirues të spikatur sidomos ata tek ai grupim, që është i dhënë pas poezisë filozofike. Ashtu si Gary Snyder, edhe Gjekë Marinaj sjell në poezinë bashkëkohore amerikane dhe shqiptare një prezencë të fuqishme autoriale.

Cikli i dytë “24 orë dashuri”, është një cikël i bukur, i shkruar për t’u kuptuar nga të gjithë. Poezitë janë ndërtuar duke përdorur një formë tradicionale, por një tekst të papërdorur më parë. Për shembull në poezinë “24 orë dashuri” sido e shkruar me një lojë fjalësh, teksti përsos kodet poetike të realizuara shumë dekada më parë nga poeti i shquar shqiptar Lasgush Poradeci.


Dhe u largua tinëzisht për ne duke folur uratë,
Natyrshëm, natyrisht bëmë dashuri në natyrë.

Dhe zbuluam buzëqeshjen më të re të universit
Natyrisht, bëmë dashuri në natyrë, natyrshëm.

Dhe muskujve të tokës u pëshpëriti një sekret
Bëmë dashuri në natyrë, natyrshëm natyrisht.

Siç shprehet edhe kritika “në pikëpamje të formës, lirika e Marinajt mbart në vete konceptin e përsosmërisë ritmike, një parim organizues simetrik, ku gradacioni poetik, aluzionet e vargjeve në përpikmëri gërshetohen mes përmbajtjes dhe formës.”

Rrëfimi i Rozafës

Gjekë Marinaj me librin “Lutje në ditën e tetë të javës” i vë vetës detyra të reja në lidhje më cilësinë e poezisë dhe këtë e ka arritur me një pasion të vërtetë. Dhuntia e imagjinatës së gjallë me plot nota prekëse ka bërë që Marinaj të unifikojë konceptet metaforike të duarve të nënës, pamjes së fshatit dhe shpresës së dritës në kodrat për rreth. Cikli “Në duart e nënës” përmbledh poezi për fshatin, vendlindjen, Nënën, poezi për pasuritë dhe varfëritë e fshatit etj. Cikli është ndërtuar për t’u kuptuar nga çdo lexues, i cili do të gjejë në këto poezi shumë pasazhe drithëruese, meditative. Në këto poezi njeriu qetëson shpirtin përmes imazhesh që lëvizin me lirshmëri, nga observime të pastra, nga skena jashtëzakonisht emocionuese dhe njerëzore. Në këtë cikël poeti ka shkruar me një stil të qartë, që është i përshtatshëm si për auditorin që e ka zgjedhur për t’ju drejtuar, ashtu edhe për vetën e tij si poet i klasit botëror. Risjellja e vlerave humane dhe e zemrës së tij lënë “në duart e nënës” krijojnë një pamje që mund ta zgjojnë vetëm poetë të thelbit poetik si Gjekë Marinaj, i cili ka fituar një famë të merituar në poezinë bashkëkohore Amerikane.

Ashtu si poeti i njohur, bashkohor amerikan Ted Kooser, edhe Marinaj në këtë cikël praktikon një universalizëm të gjuhës poetike të përshtatur për një lexues të thjeshtë, por me intuitë të mprehtë për të zbuluar vlerat. Kjo është diçka shumë pozitive pasi përmes detajesh konkrete merr një zhvillim abstrakt, por dhe të përbotshëm metafora e fshatit dhe e Nënës. Poezia e Gjekë Marinajt është e një niveli jashtëzakonisht të lartë. Krahasuar me dy vëllimet e tjera poetike “Mos më ik larg” (1995) dhe “Infinit”(2000), “Lutje në ditën e tetë të javës” shënon një kapërcim të paparë jo vetëm për krijimtarinë e tij, por edhe për nivelin e poezisë botërore në përgjithësi, të cilin Gjeka e shkund nga themelet.

Cikli “Rrëfimi i Rozafës”, përfshin poezi që Marinaj i ka kushtuar Shkodrës, Kosovës, Rozafës, Nënë Terezës, Skënderbeut etj. Poezitë konceptojnë dashurinë humane, jo erotike. Në këtë koncept ai ka pasqyruar çdo vuajtje nga Nënë Tereza deri tek Rozafa e murosur. Rrëfimi i Rozafës është më origjinali me këtë temë në poezinë shqipe. Marinaj e sheh Rozafën si Viktimë dhe jo si heroine:

Nën iluzionin se një grua vlen më pak se një burrë,
Më murosën mua.

Nën pretekstin se te gjithë patën të drejtë,
Edhe unë murosa brenda vetes fjalën “vrasje.”

(Rrëfimi i Rozafës)

Sugjerim me zë të ulët

Cikli “Sygjerim me zë të ulët”, mbart një trishtim të ndjeshëm, pasi Marinaj ka përfshirë në të poezi që kanë të bëjnë me disfatat njerëzore me humbjet dhe vështirësitë e njeriut në jetën tonë. Ato përcjellin sygjerimin për të përballuar sfidat e jetës të cilat shpesh bëjnë shkrumb e hi ëndrrat tona, prej nga na duhet t’ia rinisim nga e para. Megjithatë, ashtu si tek Maya Angelou një tjetër poete e shquar amerikane, edhe tek Marinaj ndjehet personaliteti human i poetit i cili para se gjithash i drejtohet me tone kritike vetvetes, duke ndihmuar pastaj lexuesit që të arrijnë në përfundimin e duhur. Marinaj në këtë cikël si një dëshmitar i zotit i bën gjërat të duken edhe nga fundi i dheut.

Përmes kontrastit të zymtësisë së pamjes së padëshiruar dhe humbjes, ai mjaftueshëm i ndez një kujtesë njeriut për të mos harruar jehonën vajtuese të atdheut të tij. Për shembull, poezia “Flluska mbi Adriatik”e cila trajton humbjen tragjike të njerëzve në anijen “4 i Radës” me 28 mars 1997 në detin Adriatik, të lë pa frymë. Ata humbën jetën duke mbetur në trajtën e flluskave mbi Adriatik. Në poezi ndjehet kontrasti dyfish i perëndimit si qytetërim, por edhe perëndimit si muzg, si mbrëmje kur ata fatkeqinj u nisën përmes detit në kërkim të lumturisë, ashtu siç ishte nisur vetëm 7-8 vjet më parë poeti Gjekë Marinaj, por vetëm zoti e kishte shpëtuar.

“Perëndimi në të dyja kuptimet e fjalës
Gravitet specifik ekstrem,
Kripë dhe shqiptarë,
Uji dhe vdekje.”
(Flluska mbi Adriatik)

Ailuropoja në gjygjin e fjalës

Në një botë të kërcënuar nga shpërbërja e zjarrit të urrejtjes, rrënimi tronditës ndalet vetëm nga poetët, thotë Gjekë Marinaj. Ai vëren se graviteti i javës e tërheq poetin në vertikalitetin e intuitës njerëzore gjatë shtatë ditëve, ndërsa të hënën poeti e rifillon përsëri nga e para, e kështu si një mallkim i përjetshëm, duke shënuar ditën e tetë të javës. Siç ka vërejtur kritika, “ky vëllim poetik që në titull implikon nivelin e leximit intertekstual të poezisë, që këtu nënkupton kontekstin e shtatë ditëve të krijimit biblik. Kjo lojë poetike përveçse reflekton koncepsionet për krijimin, këtë akt të magjishëm, e sforcon aktin krijues deri në kod kulturologjik universal e të përjetme. Poeti Marinaj i shton krijimit hyjnor një ditë për vete (dhe krijuesit), nga shtatë ditë të krijimit biblik, ngase kësisoj përmbushet plotsia e universit apo “engjëjt të zbresin nga parajsa dhe të bëhen poetë”, “Lutje në ditën e tëtë të javës.”

Vokacioni i vuajtjes për racën e poetëve është i pashmangshëm edhe në librin “Lutje në ditën e tetë të javës” e shkruar nga një penë dytehëshe e Marinajt, si vetë jeta e poetëve të mëdhenj që njohin njëkohësisht edhe lavdinë edhe përbuzjen. Ky cikël pasuron me tej shumëllojshmërinë stilistike të “Lutje në ditën e tetë të javës”, ku dallon intelekti i një profesori letërsie dhe studiues pasoinant të poezisë botërore si Marinaj.

Cikli “Ailuropoja” në gjyqin e fjalës, u është kushtuar poetëve që kanë jetuar në një realitete të ndryshme vuajtjesh apo lavdie, si Fishta i mohuar për 50 vjet dhe i ripranuar përsëri, Emili Dikindonin, apo tragjizmi i poetit Frederik Reshpja, i cili vdiq i vetmuar.

“Poetit i pati humbur me kohë harmonia e trupit
Me ndjenjën. Koordinimi i shpirtit me vargun jo.“

Cili ka poezi interesante si “me Nerudën pranë Atlantikut”, poeti shkruan se “sa herë që jep shpirt një poet diçka vdes brenda meje.” Apo poezia “Nëna e poetit Luigj Çekaj dha shpirt”, siç thotë ai “nëna e cilitdo poeti është nëna e të gjithë poetëve.”

“Ailuropoja në gjyqin e fjalës” i është kushtuar poetëve Blloshmi dhe Leka, të pushkatuar nga regjimi komunist.

Labirinthet e mendimeve të Tanugunit

Këto janë poezi që e trajtojnë botën si pjesë e qenies njerëzore të të gjithë shoqërisë poetike. Cikli fillon me malin e Fuxhit që e pat shkatrruar Tokion, prej nga u desh të krijohej një e re, sepse Vullkani mbuloi qytetin.

Një tjetër poezi është për arkitekturën e New Yorkut, ku Marinaj ndjek traditën e shumë poetëve të shquar amerikanë dhe botërore që kanë shkruar për qytetin gjigand.

Një tjetër poezi interesante është “Labirinthet e mendimeve të Tanugunit”. E bazuar në mitologjinë koreane, Marinaj “na del më specifik se kushdo në komunitetin tonë letrar, i pakrahasueshëm me format dhe mënyrën si e organizon materien poetike, si e koncepton temën e si i mishëron vargjet me figura dhe sistemin e brendshëm të rimimit dhe ritmit.” Në këtë poezi janë marrë kafshë si tigri, arusha etj., të cilat implikojnë koncepsione universale. Poezitë përcjellin idenë se çfarëdo përpjekje që të bëjë njeriu në jetë, n.q.s kanë rezultatin zero, ti nuk ke bërë asgjë. Poezia është kundër famës dhe meritave fallco.

Tjetër poezi interesante është ajo për Kullën “Eifel.” Ajo përcjell një mesazh interesant, siç thotë poeti “një peizazh i humbur në përkthim.”

* * *
Vëllimi i Gjekë Marinajt shënon një pikë kthese në poezinë shqipe.

Ajo është një lëndë universale plot trazim shpirtëror, dijesh, kulturash dhe emocioneve të thella. Ato kanë një dendësi artistike, forcë dhe imazhe që shkojnë nga ato të drejtpërdrejtat deri tek surrealistet. Siç ka vlerësuar kritika “poeti në cilësinë e orakullit evokon me gjuhën e së bukurës dhe sublimes perceptimet për jetën dhe universin. Këto përçmime dhe observime poetike i gjejmë të sintetizuara në librin me poezi të Gjekë Marinajt “Lutje në ditën e tetë të javës.” Njohuritë e fituara nga studimet e gjata dhe komplekse reflektohen në një eksperiment të suksesshëm letrar, si një bazament i ri shkencor për formën poetike në poezinë bashkëkohore, por edhe si një koncept universal human. Poezia e Marinajt mbart në vetvete inteligjencë, pasion, ndjeshmëri dhe spontanitet.

“Lutje në ditën e tetë të javës” është një dëshmi poetike për njerëzimin, i cili ka akoma shumë sfida dhe punë për të bërë, duke mbartur ideale të forta të jetës dhe lirisë.

Nga Dashnor Kaloçi. : “Si e vodhën dhe e falsifikuan jetën e veprën e Migjenit”





Agjencioni "Floripress"  publikon kujtimet e panjohura të Profesor Skënder Luarasit lidhur me marrëdhëniet e kontraditat me kolegët shkrimtarë dhe udhëheqjen e Byrosë Politike ,shkruar nga publicisti i mirënjohur shqiptar Dashnor Kaloçi.


Migjeni Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, emri i babait tim, Skënder Luarasit dhe vepra e tij krijuese, u lanë në heshtje dhe ai për fije të perit i shpëtoi burgut, ndoshta dhe për faktin se babai i tij, Petro Nini Luarasi, kishte hapur të parën shkollë shqipe në Shqipëri. Por është e krejt e pamoralshme që ai qëndrim i mbajtur ndaj tij në periudhën e regjimit komunist, të vazhdohet të mbahet edhe sot nga instanca të ndryshme të zyrtare apo të fushës së letrave shqipe, siç është rasti i gazetës “Drita” të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, e cila me anë të një artikulli spekullativ të datës 13 prill 2003, ka shtrembëruar e fallsifikuar të vërtetën në lidhje me zbulimin e botimin e “Vargjeve të lira” të Migjenit.

Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për “Gazetën”, është 40-vjeçari Petro Luarasi, djali i vetëm i profesorit të famshëm, i cili proteston në lidhje me fallsifikimet që vazhdojnë t’i bëhen jetës e veprës së babait të tij, Skënder Luarasit. Po kush ishte Prof. Luarasi, cila ishte e kaluara e tij dhe çfarë marrëdhëniesh e kontraditash pati ai me kolegët e tij shkrimtarë, si: Mitrush Kuteli, Dhimitër Shuteriqi, Vehbi Bala, Gjovalin Luka, Andrea Varfin, Drago e Llazar Siliqi, Aleksandër Xhuvani, Qemal Draçini e deri tek Ismail Kadareja? Si u manipulua vepra dhe jeta e Migjenit duke e paraqitur atë se frymëzohej nga idetë komuniste të shokëve të tij, Qemal Stafa, Vojo Kushi etj. dhe si protestoi për këtë fallsifikim Skënder Luarasi? Si deshën ta dënonin Luarasin dy kolegët e tij shkrimtarë, për çfarë e akuzuan ata dhe si shpëtoi ai pas ballafaqimit me Ramiz Alinë? Çfarë thuhet në kujtimet e Skënder Luarasit në lidhje me nëpërkëmbjen që u bëhej shkrimtarëve të njohur Mitrush Kuteli, Andrea Varfi e Qemal Draçini nga kolegët që drejtonin Lidhjen e Shkrimtarëve dhe si u vidhej vepra e tyre pasi ata kishin përfunduar burgjeve?

Cilat ishin kontraditat e Skënder Luarasit me Enver Hoxhën në lidhje me Luftën e Spanjës dhe çfarë i kërkoi Luarasi Mehmet Shehut për Petro Markon? Për të gjitha këto mistere e plot fakte të tjera nga jeta e Skënder Luarasit, na njeh i biri i tij, Petro Luarasi, nëpërmjet kujtimeve të babait të tij dhe arshivës së familjes që përbëhet prej qindra fletësh, me letra, dokumente zyrtare, kujtime, protesta, replika, diskutime, korespodenca, fotografi e shënime të ndryshme, ku bëhet fjalë për lidhjet e marrëdhëniet e tij me kolegët shkrimtarë e artistë e deri tek personalitetet e larta të udhëheqjes komuniste si Mehmet Sheheu, Ramiz Alia, Fadil Paçrami Manush Myftiu, Hysni Kapo etj. Pas një përzgjedhje të këtyre materialëve dokumentare që na dorëzoi zoti Petro Luarasi, duke u nisur nga ideja e vetme e ndriçimit të së vërtetës, ne e pamë të udhës botimin e një pjesë të tyre, të cilat pa dyshim mendojmë se i shërbejnë dhe qëllimit që i kemi vënë vetes për këto faqe special në dossierin e rubrikës historike.

Njohja e Luarasit me Migjenin

Lidhur me njohjen dhe takimin e parë me Migjenin, të cilin si shumë letrarë të tjerë të viteve ’30 që e kishin si idhull, prof. Skënder Luarasi ka lënë shumë kujtime të shkruara me dorën e tij. Atë afeksion që kishte për Migjenin, prof. Luarasi e tregoi edhe me martesën që ai bëri disa vjet më vonë, me të motrën e tij, Ollgën, martesë nga e cila ata patën tre vajza. Në kujtimet e tij për shkrimtarin e madh, i njohur si “Poeti i mjerimit”, i cili u nda nga kjo botë në moshë fare të re, prof. Skënder Luarasi në mes të tjerash ka shkruar: “Një rasti e mbarë e solli që ta njoh personalisht Migjenin, transferimi im në gjimnazin e Shkodrës në vjeshtën e 1934. Ishin kohë të vështira se në rradhë të parë, në asnjë qytet të Shqipërisë nuk ziente përçarja fetare me aq fanatizëm sa në Shkodër. Të dielën e parë time në atë qytet, kur dolla nga zyra e konviktit të piqesha me një nga miqtë e mij shkodranë, vura re kujdestarin e konviktit tek po i ndante nxënësit në dysh. E pyeta se ç’po bënte dhe më tha se ata në rradhë do t’i shpinte në kishë. Ndërkohë miku im erdhi dhe duallëm të shëtisim: kur iu afruam kafe “Parkut” ndaloi te rruga kryq, ku po afrohej një djalosh, e më foli: “Do të njohë me një koleg të ri, mësues në Vrakë, shumë i mirë… ortodoks”.

Takimi im i parë me Migjenin ish i shkurtër, por më gëzoi se gjeta në këtë djalosh një njeri që qëndronte mbi dasitë fetare. Më vonë u binda se Migjeni kish të drejtë se përbindëshi mund të rrëzohej vetëm me një goditje të fuqishme si ato që dha Migjeni vetë. Ato ditë e dëgjova për herë të parë emrin e Migjenit, por edhe pseudonimi i tij ato ditë nisi të më bëhej më familjar”. Kështu e përshkruan Skënder Luarasi në kujtimet e tij takimin e parë me poetin e famshëm, Migjenin, (Millosh Gjergj Nikollën) të cilin ai, ndonëse e takoi edhe vetëm tre herë të tjera, lidhi një miqësi të ngushtë. Lidhur me takimin e fundit që pati Skënderi me Migjenin, në kujtimet e tij ka shkruar: “Më parë se t’i linim shëndenë njeri-tjetrit, Migjeni dhe unë bëmë një shëtitje në Fushën e Shtojit. Duke qenë se Migjeni më ish imponuar si personalitet i fortë, si talent i fuqishëm, u bëra një nga admiruesit më të zjarrtë të poetit. Këtu për herë të parë ia çfaqa mendimin tim të fundit për vlerën e madhe të veprës së tij dhe e këshillova të mblidhte poezitë që kish botuar në revistat e ndryshme dhe t’i përmblidhte në një numër.

Dhe Migjeni ma pranoi idenë por shtoi se kishte vështirësi të ndryshme për botimin e tyre, duke u nisur që nga ana financiare. Para se të ndaheshim, unë i premtova se do të mundohesha të bëja diçka për botimin e veprës së tij”, ka shkruar Luarasi në lidhje me takimin e fundit që pati ai me Migjenin, të cilit i sugjeroi që të botonte në një libër më vete “Vargjet e lira” dhe ndihmën që do i jepte ai për atë gjë. Aty nga viti 1936, Skënder Luarasi bisedoi me një nga botuesit e asaj kohe duke paguar dhe kaparin për botimin e “Vargjeve të lira”. Por ai nuk mundi që ta çonte deri në fund përpjekjen e tij për botimin e atij libri, pasi në dhjetorin e vitit 1936, ai iku për të luftur në Spanjë dhe ai libër nuk e pa dritën e botimit edhe si rezultat i çensurës që erdhi nga ndryshimi i qeverive në Tiranë. Por një pjesë e tyre që ishte shtypur, i shpëtoi censurës e ra në duar të rinjsh, që e daktilografuan në mijra kopje.

Kush ishte Profesor Skënder Luarasi

Skënder Luarasi u lind më 19 prill të vitit 1900 në fshatin Luaras të Kolonjës prej nga është dhe origjina e familjes së tij, e cila para viteve 1850, ka qenë e njohur me mbiemërin Kostallari. Babai i Skënderit, Petro Nini Luarasi, është i njohur si mësuesi që hapi të parën shkollë shqipe në Shqipëri që në 7 marsin e vitin 1872, ditë e cila është simbolizuar më festën e mësuesit. Nëna e Skënderit quhej Lino Sevo dhe nga martesa me Petro Ninin ata patën gjashtë fëmijë: Thomaidha, Shega, Dhimitri, Skënderi, Pirro dhe një vajzë e cila vdiq shumë e vogël. Nga pesë fëmijët e Petro Ninit, vetëm tre patën fatin të jetonin gjatë, pasi Thomaidha e Pirro vdiqën fare të vegjël.

Petro Nin ia vuri emrin Skënder djalit të tij, për nder të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit dhe kumbari i tij ka qenë poeti i madh Naim Frashëri, i cili kur mësoi lindjen e djalit të mikut të tij, u shpreh: “Rroftë 100 vjet dhe i ngjaftë të tet”. Mësimet e para, Skënderi i mori nga i jati i tij, në qytetin e Korçës në vitin 1909 dhe në fshatin Negovan në vitin 1911. Kur kisha ortodokse dhe shovinistët greke e helmuan Petro Ninin dhe e mallkuan publikisht atë, Skënderi i vogël u dërgua për të studiuar në “Robert Kolezh” të Stambollit. Në vitin 1914, Skënderi shkoi në SHBA dhe u regjistrua në “Easton Akademi” të cilën e përfundoi në vitin 1916 dhe po atë vit ai ndoqi “Amerikan Internacional Kolezh Spring-field. Mass”, të cilin e përfundoi në vitin 1918. Gjatë asaj kohe që ishte në atë kolegj, ai themeloi dhe u zgjodh kryetar i Lidhjes së Studentëve shqiptarë dhe editor i gazetës “Studenti”.

Kur u kthye në Shqipëri, në vitet 1920-1922, ai punoi si mësues në Qarkun e Elbasanit në shkollat që u hapën nga Kryqi i Kuq amerikan. Në vitet 1922-1926, Skënderi studioi dhe u diplomua në gjimnazin klasik të Freishtadt të Austrisë dhe në vitet 1926-1930, ai u diplomua në fakultetin e Filozofisë së universitetit të Vjenës. Gjatë asaj periudhe, ai ishte kryetar i shoqërisë “Albania” dhe editor i revistës “Djalëria”. Nga viti 1930 e deri në 1936, Skënderi punoi si mësues në shkollën teknike të Tiranës, në Institutin Tregtar të Vlorës dhe në atë të Shkodrës. Gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, për shkak të pikpamjeve të tija antimonarkiste, Skënder Luarasi u përndoq dhe u burgos tre herë. Në vitin 1936 ai ishte i pari shqiptar që shkoi për të luftuar në brigadat internacionaliste të Spanjës, ku kreu disa detyra si: përgjegjës për vullnetarët shqiptarë pranë Shtabit, përgjegjës i propagandës e censurës, botues i gazetës “Vullnetari i Lirisë” në gjuhën shqipe etj.

Po kështu në atë kohë ai përgatiti dhe drejtoi disa emisione radiofonike në gjuhën shqipe, nga Radio-Madridi e Barcelona. Nga viti 1939 e deri në vitin 1944, Skënder Luarasi vuajti nëpër kampet e përqëndrimit në St, Cyprien, Gurs, Vernet e Bordo dhe në qershorin e vitit 1945 ai u kthye në Shqipëri ku u zgjodh si deputet i Kolonjës në Kuvendin Popullor. Ai qëndroi vetëm një legjislaturë si deputet, pasi pikpamjet e tij liberal-demokrate binin ndesh me politikën e regjimit komunist në fuqi dhe për shkak të tyre ai u dërgua për të punuar si mësues në shkollat fillore, por nuk pranoi dhe pas shumë përpjekjesh, u lejua të punonte si mësues i shkollave të mesme dhe në punë të tjera. Nga viti 1946 e deri në vitin 1967 kur e nxorrën në pension, Skënder Luarasi punoi si mësues e historian, në komisionin pedagogjik, në gjimnazin “Qemal Stafa”, në Ndërrmarjen e Botimeve e Institutin e Shkencave, në shkollën Pedagogjike, në Liceun Arstistik “Jordan Misja” dhe në Fakultetin e Histori-Gjuhësisë, ku hapi për herë të parë degën e anglishtes.

Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, deri kur ndërroi jetë në vitin 1982, për shkak të natyrës së tij jokonformiste, Skënder Luarasi pati shumë probleme e peripecira të ndryshme dhe shpëtoi për fije nga burgu. Të gjitha ato i erdhën vetëm për shkak të shpirtit të tij rebel dhe mos pajtimit me vijën politike që ndiqej nga regjimi në fuqi, sidomos në arte, letërsi e histori, ku ai shpesh pati konfrontime dhe debate të ashpëra me kolegët e funksionarët e lartë të udhëheqjes, nga lufta që zhvillonte për mbrojtjen e tyre nga shtrëmbërimet e fallsifikimet që u bëheshin. Që nga viti 1917 kur filloi veprimtarinë letrare, e gjatë gjithë jetës së tij, Skënder Luarasi pati një krijimtari të gjerë, duke lënë të shkruara dhe të botuara me dhjetra libra, në fushën e historisë, poezisë, prozës, romanit, novelës, e përkthimeve të ndryshme nga kryeveprat e letërsisë botërore. Por e gjithë ajo punë krijuese e Prof. Luarasit, u la në heshtje dhe emri i tij nuk figoronte as në Fjalorin Enciklopedik që doli në vitin 1972 dhe as në Historinë e Letërsisë Shqipe.

Nga fundi i viteve ’70, Enver Hoxha e atakoi me emër Skënder Luarasin në veprat e tij dhe ajo gjë u bë shkak që karshi tij të mbahej një qëndrim i ashpër nga instancat zyrtare të regjimit. Kjo gjë u reflektua edhe në vdekjen e professor Luarasit në 27 janarin e vitit 1982, ku në varrimin e tij nuk mori pjesë asnjë nga udhëheqja e lartë, ndonëse shumicën e tyre ai i kishte pasur nxënës. Po kështu për të penguar ardhjen e shumë njerëzve në funeralin e Skënder Luarasit, organet kopetente e urdhëruan familjen e tij që ta bënte varrimin e tij, vetëm pak orë pas vdekjes, ashtu siç dhe u bë në realitet. Vetëm pas viteve ’90 me shëmbjen e komunizmit në Shqipëri, pati një rivlersim të figurës së Prof. Luarasit dhe veprës së tij, duke e nderuar veç të tjerave (në vitin 1996) edhe me titullin më të lartë “Nderi i Kombit”.

Migjeni në shtratin e Prokrustit

Flet Petro Luarasi, biri i prof.Skënder Luarasi, përse vendosi të botojë dorëshkrimet e të atit, një vepër për polemikat mbi Migjenin

“Nuk merrem me hesape të trashëguara, por do të botoj gjithë ç’kam ruajtur nga im atë Skënder Luarasi”. Kështu Petro Luarasi, trashëgimtari i intelektualit të njohur prof.Luarasit, i nxitur nga polemikat në media Luarasi-Shuteriqi, për veprën e Migjenit, konflikt që zuri fill në vitin ’48, mes njërit, autor i monografisë së poetit dhe tjetrit, ish- kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve në atë kohë. Petro Luarasi përgatitet për botimin e dorëshkrimeve të të atit “Migjeni në shtratin e Prokrustit”, mbi atë çfarë përfaqësonte Migjeni për Luarasin, si e ka njohur, si ndodhi botimi i “Vargjeve të lira” më 1936, ç’mendonte në vitin ’48 kur paraqiti veprën për Migjenin në Lidhje, kujt ia dorëzoi materialet dhe si u bënë makinacionet.

Në këtë botim përfshihen letrat që Luarasi ia ka dërguar instancave të larta. “Migjeni në shtratin e Prokrustit”, është një material i gjerë, janë disa letra letërkëmbimi me Krist Malokin në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me Migjenin, dy letra të Bojkës, të dashurës së Migjenit, për të cilat Petro Luarasi thotë se dy vjet më parë media ka spekulluar. Eshtë gati një vepër 140 faqe, ku Petro mendon të përfshijë artikuj të Skënder Luarasit, studime mbi Historinë e Shqipërisë dhe debate mbi disa figura madhore, përshi edhe atin e gjuhës shqipe Kristoforidhin, se si “në disa aspekte përzihen interesat personale me interesat madhore kombëtare”.

Pse pikërisht tani po botoni këto dorëshkrime?

Sepse tani e shikoj më qartë që nëpërmjet organeve të shtypit të përditshëm nuk është e mundur të bëhet transparenca e kësaj periudhe. Përmendja e personave me identitet të plotë u bë vetëm për një pasqyrim të saktë të dokumenteve që ruaj. Nuk është çështja për të sulmuar persona të caktuar, ashtu sikur nuk pretendoj se Skënder Luarasi ka pasur të drejtë, por duke ballafaquar faktet shpresoj që edhe të tjerë të japin argumentet e tyre, për të hedhur dritë si ka qenë e vërteta. Ndërkohë që im atë kishte çuar për botim në Lidhjen e Shkrimtarëve veprën e tij për Migjenin në vitin ‘48, kjo vepër u pengua dhe në vitin ’53 del një vepër e botuar nga Gjovalin Luka ku thuhet se materialet janë marrë nga Skënder Luarasi.

Ishte ky akt plagjiaturë për Skënder Luarasin?

Plagjiaturë jo, por thënë ndryshe “e kam marrë” për ta botuar.

Si lindi ky debat?

Ime motër Angjelina Ceka ka botuar së fundi “Jeta dhe vepra e Migjenit”, mbledhur dhe redaktuar nga Skënder Luarasi. Angjelina për një arsye a për një tjetër nuk i ka botuar të plota materialet e viteve ‘57-‘61. Ajo ka lënë jashtë anën esenciale, konfliktuale, historinë e “Vargjeve të lira”, problemet që ka patur ky vëllim për botim.

Cila ka qenë arsyeja që u bë një botim i cunguar?

Që të mos ketë qejfmbetje nga të tjerët dhe të mos ketë debate. Por kjo bëri të flasin gojët e liga. Dhe tani që u hap ky debat del ndokush dhe thotë se nuk është ashtu siç ka thënë Skënder Luarasi. Përse nuk iu përgjigjën atëherë Luarasit, në ’61, kur u bë botimi zyrtar dhe kur Dhimitër Shuteriqi mbante përgjegjësi si kryetar i Lidhjes që ishte?

Çfarë argumentesh të Shuteriqit ju shqetësojnë në një shkrim të fundit në një të përditshme?

Ai bën të paditurin për veprën e Skënder Luarasit dhe thotë se duhet të shikoni botimin e Gjovalin Lukës, mbledhur dhe redaktuar nga Gjovalin Luka. Veç kësaj bën të paditurin në lidhje me disa saktësime të Skënder Luarasit në botimet e vitit ‘57-’61. Ndërsa përgjigjen prof.Shuteriqit unë do t’ia jap me një botim të dorëshkrimit të veprës së tim eti ku flet për mendësitë e Shuteriqit, me qëndrimet karshi Migjenit. Janë në “Kujtimet” në gjashtë vëllime të Luarasit shkruar nga viti ‘70-’81.

Kush janë sipas Luarasit “Prokrustët” e Migjenit?

Janë pikëpamje të ndryshme dhe individë të ndryshëm. Në botimin e afërt do të citoj se ç’kanë thënë ata në veprat e tyre. Mund të përmend Karl Gurakuqin, Dhimitër Shuteriqin, çfarë ka thënë Arshi Pipa në dy raste në vitin ’44 dhe në ’45. Robert Elsie, gjithashtu, një studiues skrupuloz, por në këtë rast ka shkelur në dërrasë të kalbur, duke e cilësuar Migjenin me prejardhje serbe dhe se nuk e ka ditur gjuhën shqipe.

Dritë-hijet e Shuteriqit

Fakte “të harruara” nga Shuteriqi në polemikën: “Ja e vërteta e akuzave të Luarasit” (“Gazeta Shqiptare” 17 maj 2003). Gazeta Shqiptare, dt.15.4-20.4.2003, botoi disa fragmente nga libri i kujtimeve të prof. Skënder Luarasit “Ç’kam pare e ç’kam dëgjuar” ku, ndër të tjera, mbi bazën e dokumenteve, tregoheshin shkurtimisht peripecitë e botimit të librit të tij për jetën e veprën e Migjenit. Atje përmendej edhe prof. Dh. Shuteriqi i cili ka bërë një replikë…

Publikohen disa fragmente nga dorëshkrimi i Skënder Luarasit “Migjeni në shtratin e Prokrustit”, ku prof.Luarasi analizon disa pikëpamje “tabu” të prof.Dhimitër Shuteriqit mbi Migjenin.Ky material është ofruar nga trashëgimtari Petro Skënder Luarasi, i ngacmuar nga artikulli i akademikut Shuteriqi, botuar në një të përditshme me titull “Ja të vërteta e akuzave të Luarasit” , duke iu kundërpërgjigjur një artikulli të mëparshëm, fragment nga libri i kujtimeve të prof.Skënder Luarasit “Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar” ku ndër të tjera, mbi bazën e dokumenteve tregoheshin shkurtimisht peripecitë e botimit të librit të tij për jetën e veprën e Migjenit.

Shuteriqi

Në monografinë e tij “Migjeni”, botuar në revistën “Literatura Jonë”, viti 1948, prof.Dhimitër Shuteriqi shkruan:
-“Migjeni vdiq më 28 Gusht 1938. Ishte plot 28 vjeç. (Lindi në Shkodër më 30 shtator 1910)…”

-Gjithë shkrimet e tij – merren me vuajtjen fizike të poetit, vuajtje që nuk do parë e shkëputur nga varfëria e tuberkulozi i tij.”

-Influenca të ndryshme kryqëzoheshin në vent tonë. Kështu ndërsa njëri s’kish flakur mirë Baudelaire-in, tjetri nuk shkëputej akoma nga Leopardi, një i tretë nga d’Annunzio, një i katërt Migjeni – nga Dostojevski, dhe ndoshta, nga Niezsche.

-Le të kthehemi edhe një herë tek mosqartësia e Migjenit, karakteristikë e rinisë përparimtare të kohës…. Trajta e mbinjeriut “Dithyramb Nietzsche-an” është një gabim që ridhte nga paqartësia e tij ideologjike.

-Çaste të paqartësisë janë edhe çastet e tij pesimiste, të pazakonshme, të Migjenit i cili zakonisht është optimist…Në çaste të tilla në prag të vdekjes, poeti ka mundur të shkruajë një vjershë si ajo që mban titullin “Nën flamujt e melankolisë”, vjersha e fundit e librit të tij ku ai shket, dhe përpjekjet e tij e të shokëve e krahason dhimbshëm me atë të malit që polli një mi.

-Nuk mund të thohet me siguri se Migjeni e pat njohur historinë e letërsisë shqipe. Eshtë e vështirë të gjesh te ai gjurmat e një influence brënda përbrënda kufijve tona.

-Migjeni si poet s’ka arritur ta njohë mirë teknikën e prozodisë shqiptare. Kur erdhi në Shqipëri(v.1933) ai e kishte harruar shumë shqipen dhe letërsinë e saj duhet ta njihte tepër pak, që të mos thomi aspak.

-Le të shënojmë gjithashtu se, prej familjes orthodhokse shkodrane, ai kishte si gjuhë të shtëpisë sërbishten.
-Veprat që kemi të botuara prej tij, janë të viteve 1934-1937. Në to, ndihet që Migjeni nuk e zotëron mirë shqipen, me gjithë që nuk ka dobësi të tepruara, që do ta dëmtonin tepër artin e tij.

Skënder Luarasi tek “Migjeni në shtratin e Prokrustit” sqaron:

Megjithëse Migjeni ka rrojtur e ka punuar në kohën tonë dhe shumë prej nesh e kanë njohur e kanë folur personalisht me të, në sa është shkruar për të, janë thënë edhe gjëra që nuk i përgjigjen së vërtetës. Për të dëftyer se të ç’natyre janë këto gabime, të cilat na bie për barrë t’i ndreqim, po e nisim me datëlindjen e Migjenit.

-E bazuar nuk e di se në ç’dokument, “Literatura Jonë”, viti 1948, jep motin 1910. Sipas librit të shtëpisë, në të cilin janë shënuar ngjarjet kryesore të gjithë familjarëvet, gjejmë datën e vërtetë të lindjes së Migjenit: 13 tetor 1911- me stilin e ri kalendarik (30 shtator 1911, me stilin e vjetër); dhe u nda nga jeta në moshën 27-vjeçare më 26 gusht 1938 (me stilin e ri).

-Më tej në librin e cituar S.Luarasi në mënyrë të hollësishme dëshmon gjakun shqiptar të Migjenit: I gjyshi i Migjenit, Nikolla Dibrani – quhej me këtë mbiemër gjenerik se familja e kishte origjinën nga Dibra e Madhe, nga fshatrat ortodokse shqiptare të Rekës (andej ka qenë edhe poeti patriot Josif Jovan Bagëri) – qe shpërngulur në Shkodër nga mezi i shekullit të 19-të. Kemi plot këso familje të shpërngulura në këtë qytet të Veriut:
Gjergaj, Trimçev, Siliqi, Banushi, Kadiqi, Dibra,etj. Kur shkonte si murator nëpër katundet e ndryshme, në Mal të Zi, Nikolla u njoh dhe u martua me Stakë Milanin nga Kuçi, e cila edhe ajo si gjithë banorët e asaj krahine, kishte shqipen për gjuhë amëtare. Ata lindën dy djem: Gjergjin(Gjokën) dhe Kriston. Gjergji, tregtar më 17 shtator 1900 u martua me Sofi Anastas Kokoshin. Nga këta prindër shqiptarë lindi Millosh Gjergj Nikolla, nga familja dibrane e Nikollave dhe ajo shkodrane e Kokoshëve.

– Skënder Luarasi pasi analizon në detaje veprën e Migjenit thekson:

Por gjithë këto trajta e shumë të tjera të përdorura drejt prej Migjenit që janë ndryshuar pa ndonjë kriter dhe janë ”përdhunuar”në botimin e tashëm ( botim i Gj.Lukës në vitit 1954): dëshmojnë se Migjeni më 1935 ka patur kuptim më të drejtë për gjuhën shqipe se shumë shkrimtarë shqiptarë më 1954 , megjithëse Migjeni i bëri mësimet në shkollë të huaj, larg atdheut.

-Jo vetëm në mendimin, por edhe në formën me të cilën e vesh mendimin Migjeni është më i përparuari nga të gjithë shkrimtarët shkodranë bashkëkohës, me tendencën e tij centripetale në lëmën e gjuhës shqipe.
-Që të kuptohet madhështia e veprës së Migjenit, duhet së pari të njihen mirë rrethanat në të cilat shkroi e punoi Migjeni. Fare pak qenë të rinjtë të cilët që më 1935 u bënë ballë këtyre çorbaxhinjve në lëmin e letrave…të rinj si: Andrea Varfi, Petro Marko,Aleks Çaçi,Kristaq Tutulani, etj. të cilët na bënin pak fllad në atë zagushi mendore. Të tjerët qitnin në dritë xhinde. Kur luhej komedia e 25-vjetorit të indipendencës shqiptare në Tiranë, nja 75 poetastra shqiptare (midis tyre edhe Dh.Shuteriqi me pseudonym ”Shpati’’) i thurnin himne dinastisë së Zogut dhe ”mbarsnin malin”.

Shuteriqi ose nuk e ka njohur fare Migjenin, ose nuk ka dashur ta njohë, dhe ka qëlluar të ç’orientojë gjithë rininë tonë kur shkroi në “Përpjekja shqiptare”, në maj 1937 fjalët e shëmtuara: “Vetëm Koliqi qëndron përmbi shokët me ato novela që na japin disa anë të shpirtit shqiptar. Koliqi ka zotësi të shohë andej…”
– Çudi se me çfarë indulgjence e sheh Shuteriqi letërsinë tonë të atëhershme! Dënon Ernest Koliqin ( dikur idhullin e tij ) se shkruante “Rranishten e Durrësit”, dënon vetveten se nuk e flaku mirë influencën e Baudelair-it (të cilit i dedikon ‘’Kangët Tragji-komike’’ në ‘’Kangët e rinisë së parë) dhe shkruan për Migjenin: “Po, Migjeni pa kundërshtim, ishte më i pjekuri dhe më i qarti nga të gjithë, ai që u shkëput që në fillim, megjithëse jo i tëri, nga influencat e huaja dekadente.”

– Po zgjatem shumë për gjëra të pa nevojshme. Dhe unë i atij mendimi jam, po ja që të këtilla gjëra të pa nevojshme na shtron Dhimitër Shuteriqi në monografinë e tij mbi Migjenin, mirëpo këto gjëra, pasi shkruhen keq ,duhen ndrequr. Për botimin e veprës së Migjenit iu afrova Lidhjes së Shkrimtarëve që më 1948; po mbasi ata kanë vendosur që Skënder Luarasit të mos i lëshohet vënd në “Literatura Jonë”, do t’i shtyp si ti lutem ndonjë instance që qëndron mbi Lidhjen e Shkrimtarëve.

Analiza e Astrit Patozit për sulmin e kryeministrit shqiptar Edi Ramës ndaj Donald Trump


Analiza e Astrit Patozit për sulmin e Ramës ndaj Trump/ Se shpëtojnë justifikimet, inkoherent dhe ekstremist. Në vitet ‘90 kërkoi që PS të nxirrej jashtë ligjitImage result for edi rama

Astrit Patozi në një intervistë të tij analizon qëndrimet e kryeministrit Rama ndaj presidentit të SHBA-ve Donanld Trump, pasojat që mund të ketë Shqipëria, shfajësimin, por edhe mundësinë e një rezolute parlamentare kundër qëndrimeve te kryeministrit. Patozi flet edhe për kohën kur Rama kërkoi të nxirrte jashtë ligjit Partinë Socialiste, inkoherencën e tij dhe agresivitetin politik.

Ju keni mbajtur një qëndrim edhe mbi debatin e fundit, zgjedhjet amerikane dhe pozicionimi i kryeministrit shqiptar ndërkohë që ishte kandidat presidenti aktual i zgjedhur Donald Trump. Si e patë këtë deklaratë dhe a duhet të kemi një ndjesë?

Gjëja më e mirë që mund të bënte Rama, nuk do ishte ndjesa sepse besoj unë sepse do ishte hipokrite. Po të isha në vendin e tij do heshtja. Sepse cdo shpjegim që mund të jepet vetëm sa e rëndon më shumë pozicionin e tij dhe kështu ka ndodhur. Këto dy ditët e fundit, Rama ngjante si një ilustrim i K.TH Spirit, bam me këmbë e bam me duar, sepse është një varg që e ka shumë qejf ta përdori. Rama dje ishte njeriu më në vështirësi në planet sipas meje, sepse po korrte atë që kishte mbjellë. Pra, kishte bërë një gafë shumë të rëndë, jo thjeshtë diplomatike, por që tregon mungesën e seriozitetit dhe ishte në një farë mënyre i ekspozuar përpara shqiptarëve dhe cdo faktori ndërkombëtar si njeri jo serioz në minimumin e vet. Pra, unë nuk besoj se Edi Rama duhet të kërkonte ndjesë, por ajo që duhet të bënte ishte heshtja.

Sipas jush pas akuzave kryeministri duhet të heshte?

Të heshte për një gjë që tek e fundit tregoi se Rama është një politikan me probleme shumë të rënda me personalitetin. Që do të thotë se inkoherenca dhe eksentrizmi është gjëja e parë që bie në sy tek ai. Po marr një shembull. Edi Rama, në vitet 91-92 ishte ekstremist kundër Partisë Socialiste, për shkak se i ati ishte ish-hierark i regjimit, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Atëherë, Rama kërkonte ta atëherë që ta nxirrte të jashtë ligjshme Partinë Socialiste, pikërisht partinë që sot e udhëheq. Pas shumë vitesh, ai është një pozicion shumë më të largët, shumë më të avancuar si dogmatik apo si nostalgjik i ligaturës dhe kapërcen edhe Vito Kapon, bile edhe vetë Enver Hoxhën sepse unë nuk e mbaj mend Hoxhën që ta konsideronte Ballin Kombëtar si një organizatë që vetëm kishte ngrënë pula. Kjo është vetëm një reminishencë e filmave të kinostudios. Edi Rama nuk e ka për gjë për ti ndryshuar qëndrimet e veta në mënyrë ekstreme. Ky ishte një ilustrim i kësaj gjëje, por mbi të gjitha edhe i keqpërdorimit i pozicionit publik për arsye politike.

Ka akuza se Rama është keqpërdorur në favor të njërës palë në zgjedhjet amerikane?

Në rast se do të jetë e vërtetë akuza se ai është keqpërdorur në favor të njërës palë në zgjedhjet amerikane, unë mendoj se Edi Ramën nuk ka jo avokat, por as psikiatër që ta marrë në dorëzim sepse do të ishte tejkalim i cdo caku. Unë uroj që kjo të mos ketë ndodhur, por kjo prapë nuk e shpëton.

Cilat janë pasojat për Shqipërinë nga qëndrimi i Ramës?

Edhe me aq sa ka bërë, edhe sikur të ishte shpërthim i tij personal ajo histeri kundër Trump, sërish është i pambrojtshëm sepse Rama, sipas meje, gjatë këtyre viteve që drejton qeverinë, kërkon të bind ndërkombëtarët, sepse me ne e ka të vështirë, që Shqipëria është një vend i vogël, por që drejtohet nga një kryeministër i madh dhe sa herë që e bën këtë punë rezulton që Shqipëria është një vend i vogël dhe normal, por që ka një kryeministër anormal. Sepse, e para nuk mund të shfajësohesh me deklaratat e udhëheqësve të tjerë politikë, që në rastin më të keq kanë qenë shumë më të përmbajtura se histeria e Edi Ramës. Ajo që ka më shumë rëndësi është që ne jemi një vend shumë i vogël dhe nuk mund të bëjmë vezë të madhe. Pra, në rast se Presidentit francez i lejohet të thotë ndonjë fjalë, ne, për peshën që kemi duhet të jemi shumë më të përmbajtur. Zgjedhjet amerikane nuk janë njësoj sikur të vendosësh bast.

Çfarë nevoje ka kryeministri i Shqipërisë të flasë për fushatën e presidentit amerikan?

Këtu nuk bëhet fjalë për një ndeshje futbolli ku po luan Bajerni i Mynihut dhe Reali i Madridit dhe ti mund të bësh një parashikim. Është një gjë shumë serioze për të cilën nuk ka asnjë nevojë për tu shprehur. Por, edhe në rast se do shprehesh, nuk mund ta shtysh dhe të jesh agresiv si Edi Rama, sepse shfajësimi kryesor i tij është që Rama e ka konsideruar Trump-in si një kandidat për President dhe jo si president. Po pse, për kandidatin mund të flasësh çfarë të duash? Po e zëmë se zgjedhjet do ti fitonte Clinton, sërish do të ishte po kaq rëndë sepse edhe si kandidat i nominuar i amerikanëve ai përfaqësonte gjysmën e amerikanëve dhe s’mund të fyesh gjysmën e Amerikës duke i konsideruar që përfaqësuesi i tyre ishte fatëkeqsi për amerikën dhe botën. Kjo është ajo që mendoj për Edi Ramën dhe për pozicionin e tij krejtësisht komik në zgjedhjet amerikane.

A duhet të investohet parlamenti apo komisioni i jashtëm në këtë çështje? Ka pasur një propozim nga ana e z.Blushi psh që të ketë një rezolutë?

Unë mendoj që e gjithë ajo që bëri Rama ishte një eksagjerim dhe ne nuk kemi pse të bëjmë ekzagjerimet tona. Unë mendoj që në rast se politikanët ndëshkohen për qëndrimet e tyre, Rama e ka marrë ndëshkimin. Jo nga vota e amerikanëve, por nga mënyra se si ai u ekspozua përpara shqiptarëve dhe përpara faktorit ndërkombëtar, si një kryeministër jo serioz. Çdo gjë tjetër është e panevojshme, por edhe e tepërt.

“Shqipëtarët prap do t’humbasin, se jemi komb i ftoht, ku sicilido menton për veten e tija…”




Artikulli që po ribotojmë sot në Agjencionin Floripress(huazuar nga  www.bota.al ) me titull “Shqipëria dhe turbullirat e Ballkanit”, është botuar në gazetën e të madhit Faik Konica, “Albania”, në qershor të vitit 2013. Eshtë një analizë brilante, një përpjekje për të parashikuar atë që pritet të ndodhë – sipas tij së afërmi – në Ballkan: një luftë mes Bullgarisë, të mbështetur nga Mali i Zi dhe Serbia nga njëra anë, dhe Turqisë nga ana tjetër.

Lufta e Parë Ballkanike në fakt do të shpërthente 9 vjet më vonë, në po atë vit kur Shqipëria shpallte pavarësinë e saj. Ashtu si e kishte parashikuar Faik Konica në këtë artikull, shkaku i shpërthimit të luftës ishte dëbimi i Perandorisë Osmane, nga ana e një aleance të shteteve të Ballkanit, Serbisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Dhe ekzaktësisht si e parashikon Konica i madh në artikullin e tij të pothuaj një dekade më herët, plani i radhës për këtë aleancë ishte ndarja e Maqedonisë dhe Shqipërisë. Gjë që ndodhi…

“Edreneja e dhënë Bullgarisë, s’na prish aq punë”, shkruan Konica. “Po Bullgaria në Monastir, Sërbia në Prizren, Mali i Zi në Shkodrë, Greqia e ardhur e mbetur në Janinë për ndihmë të Turqisë – ç’i mbeti Shqipërisë?” 


Lexoni më poshtë tre skenarit që parashikonte Konica për atë që do të merrte emrin Lufta e Parë Ballkanike. 

Kush të dojë mundet edhe ta bëjë pjesë të argumentave të debatit shterpë që ka shpërthyer, mbi atë se sa kombe shqiptarë ka në Ballkan … 


“Shqipëtarët prap do t’humbasin, se jemi komb i ftoht, ku sicilido menton për veten e tija…”

Nga Faik Konica“Shqipëria dhe turbullimet e Ballkanit 
(Albania, qershor 1903)

Turbullimet ditë për ditë më të dëndura në Ballkan na shtrëngojnë ta lëmë për më pastaj kryeartikullin që kishim nër mënt të shkruajmë përmi Papën e math qi vdiq, e të flasim për punët më të tanishme e më të ziarrta të vëndit t’onë.

Lufta në mes të Turqisë e të Bullgarisë duket se do të kërcasë, e, kur të bierë ky numër i “Albanies” nënë syt’ e këndonjëtorëve, munt të ketë krisur. Po munt edhe t’a ndalojn fuqit’ e mbëdha. Në e ndalofshin, punët po thua do të mbeten si janë, veç qi do të ketë ca Bullgarë më pakë, liri më tepër për Bullgarët e mbetur e robëri e shtrëngim më të fortë për Shqipëtarët të cilëve, ç’do që në ngjaftë në Turqi, u ngarkohet kurdoherë faji. Po, si ka më tepër të ngjarë, lufta do të kërcasë, e ahere ç’do humbasë, ç’do t’fitojë Shqipëria? Këtë duam të rrëfejmë këtu në pakë fialë.

Tri punë munt të ngjasin në u-bëftë kio luftë. E para është që Turqia, e ndodhur balla-ballës me Bullgarinë vetëm, do t’a muntjë në tri a katër javë. Shqipëtarët, n’atë të ngjarë, do të vriten disa mijëra; tepërimet e ushtërisë së tërë, do t’u ngarkohen atyreve vetëm, si kurdoherë; edhe fuqit’ e mbëdha do t’i thonë Turqisë: “Tani që e munde Bullgarinë edhe q’u hoq reziku i kryeqities, mëso mënt edhe ji e dreqtë. Dreqtësia është t’u lësh Bullgarëve liri të hapin disa shkolla të tiera, nga ana e Elbasanit dhe e Tetovës (që t’i qasen, sa më tepër, detit), edhe t’u marrsh Shqipëtarëve gjer më të vogëlën thikë (çdo Shqipëtar e di sepse)”.

E dyta e ngjarë është që, për ndihmë të Bullgarisë, munt t’i çfaqin luftë Turqisë edhe Sërbia me Malin-e-Zi. Se kush i di udhët e errëta, lidhiet e mpshehta të Pansllavismit? Punë në të cilat s’i vete mëntja njeriut, munt të dalin sheshit nesër. Turqia, me ushëtarët e saj të pakënaqur nga uria, me zbrazien e thesarit, e më tepër me tradhësin’ e qeveritarëve të kryeushëtarëve të Turqisë të cilët, nëndë për dhietë, janë shërbëtorët e Pansllavismit (si e thotë me arësye atdhetari Naço), ka të ngjarë të mundet për gjysmë – sa do që Bullgarët e Principatit janë të paktë, shumë më të paktë pakë Malëzestë, Sërbët ngordhanikë më të zotërit për të vrarë gra pa armë se për të dalë në fushë, e sa do që kryeqitësit s’kanë miaft armë e përmbushie.

Edreneja e dhënë Bullgarisë, s’na prish aq punë”, shkruan Konica. “Po Bullgaria në Monastir, Sërbia në Prizren, Mali i Zi në Shkodrë, Greqia e ardhur e mbetur në Janinë për ndihmë të Turqisë – ç’i mbeti Shqipërisë? Një pun’ aq’ e rëndë me të vështirë munt të ngjasë, vërtet; Turqia rrëfeu në luft të fundit me Rusinë se ka edhe forcë, e më në funt ka edhe disa fuqi të mbëdha qi munt të mos e lënë aqë leht të vënët e këmbës sllave afër anëve t’Adriatikut. Po Historia është plot me të ngjara të pa-pritura; sa punë duken të çuditëshme e të rënda më parë se të mbarohen, e, kur u-mbaruan, i duron sicilido duke thënë “u-bë tani, le t’a durojmë” – “s’incliner devant le fait accompli” thotë frëngu.

Përandaj, sido që në qoftë, prapë Shqipëtarët do t’humbasin, se jemi një komb i ftohtë, ku sicilido menton për veten e tija, e në një të tillë komb s’munt të lidhen ay bashkim e ajo marrë-vesh ku sicilido punon për të mirën e të gjithëve e të gjithë punojnë për të mirën e sicilitdo e janë gati për t’i bërë ballë me udhë (me methudhë do me thënë) rrezikut. Ata Shqipëtarët për të cilët bota thotë se janë t’egër, Shqipëtarët e maleve e të pyjeve, ata s’janë të ftohtë, për kundrë janë Shqipëtarë të mirë e do t’ishin atdhetarë sikur të kishin njerës t’u jipjin të kuptojin. Po të tillë njërës janë të paktë e të shtrënguar, pa bërë dot gjë, të shikojnë me zëmrë të shtrydhur se si humbet nji komb.

Eshtë nji e tretë e ngjarë qi munt të pritet. Turqia, e zonjë e Bullgarisë e gati t’u shtierë prush në shalë “Maqedhonasve” qi janë shkakëtorët e gjithë turbullimeve, munt t’i forcojë fuqit’ e mbëdha të hedhin disa mijëra ushtarë në Turqi t’Evropës. Kio ushtëri e huaj, si të lidhë në hekura gjithë qenat e tërbuar, do të përpiqet të ngrehë një shtetësi të vërtetë t’atyre vëndeve. Ahere, ndofta do t’na jipen edhe neve aqë (nukë duam më tepër) të dreqta sa edhe kombeve të tierë të Turqisë. E ja pse kio e ngjara e tretë është më e mira për ne.

“Albania”, qershor 1903

***********************

Nga Agjencioni Floripress:


Faik Konica, lindi më 15 mars të vitit 1875 në Konicë dhe vdiq më 15 dhjetor të vitit 1942 në Uashington. Ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

Faik Konica ,rrjedh nga një familje e vjetër feudale, dera e Zenelbejllinjëve të Konicës, kurse e ëma vinte nga dera e bejlerëve të Delvinës. Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Mësoi në Shkodër në Kolegjin Saverian, Mbas dy vjetësh ai la Shkodrën dhe shkoi për të vijuar studimet në shkollën e Gallatasarait në Stamboll, të cilën e kreu më 1890-n, kur ishte 15 vjeç. Në këtë shkollë ai u njoh me djaloshin tiranas Murat bej Toptanin, me të cilin e lidhën bindjet atdhetare. Studimet e plota i kreu në Francë (ku edhe ndërroi fé, u pagëzua i krishterë) dhe ShBA.
Ishte bir i derës së famshme të bejlerëve të Konicës. Nga e ëma binte gjak me Ali Pashë Tepelenën edhe pse vetë kurrë nuk e ka pohuar. Fliste një frëngjishte të kulluar. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris. Ku u konvertua në besimin e krishterë katolik me emrin Faik Domenik Konica. Kjo ngjarje ndodhi në verën e vitit 1895, kur ai sapo kishte mbaruar studimet e larta në Dizhon (Dijon) të Francës për Gjuhësi Romane dhe Filozofi. Pagëzimin e Faik Konicës me emrin Domenik e dëshmojnë edhe disa letra të viteve 1895-‘97 dërguar shqiptarëve të Bukureshtit, ku ai ka firmosur me emrin e ri Faik Domenik Konica. Këto letra ruhen edhe sot në dosjen e tij në Arkivin Qendror të Shtetit shqiptar. Pas vitit 1895, ai nuk e mohoi kurrë faktin se ishte konvertuar në i krishterë, edhe pse emrin Domenik nuk e përdori gjatë në shkrimet e tij. Shtysat kryesore që e nxitën këtë djalosh, pinjoll të një familjeje të shquar myslimane, të pagëzohej si i krishterë, mendojmë se duhen kërkuar në formimin e tij kulturor e shkencor në shkolla katolike, si dhe në përkushtimin atdhetar, në tolerancën fetare dhe në intuitën e tij. Si 21 vjeçar nxori numrin e parë të revistës “Albania”, ndër revistat më të mira shqiptare, që u botua deri më 1909 në Bruksel e Londër, me ndihmën e Austro-Hungarisë, e cila nxiste lëvizjen kombëtare shqiptare për të penguar shtrirjen e sllavëve në Ballkan. Duket se Faiku e shihte zgjedhën osmane si një tjetërsim të karakterit europian të popullit shqiptar, prandaj ai mendonte se për të arritur çlirimin kombëtar duhej kryer së pari afrimi shpirtëror me Europën e krishterë. Me fjalë të tjera ai sugjeronte një evoluim të mendësisë fetare, shkëputje prej mendësisë myslimane përmes konvertimit në fenë e të parëve, në fenë e krishterë, në fenë e përbashkët të shqiptarëve me kontinentin mëmë të kohës së para pushtimit osman. Pra, sipas tij, shteti i pavarur shqiptar duhej të ishte i njëjtë për nga përkatësia fetare me shtetin e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Tërthorazi kuptohet se ai e lidhte procesin e çlirimit kombëtar nga zgjedha osmane edhe me një proces katarsi të pjesës myslimane të popullit tonë, e cila duhej të pendohej për braktisjen që i kishte bërë fesë së të parëve nën trysninë e rrethanave gjatë pushtuesit osman. Në rikrishterizimin e shqiptarëve myslimanë ky rilindës shihte një nga faktorët kryesorë për forcimin e unitetit kombëtar të kombit tonë. Ndasia fetare e popullit shqiptar në të krishterë e myslimanë, e krijuar gjatë pushtimit osman, sipas tij, nuk i shërbente unitetit, por përçarjes kombëtare, pra vonimit të proceseve çlirimtare. Këtë mendim e ka shprehur dhe atdhetari Mustafa Kruja disa dekada më vonë. Pas pagëzimit, Faiku i propozoi mikut të tij të ngushtë, Murat bej Toptanit, të pagëzohej edhe ai e të dy së bashku të nxisnin miq e shokë të tjerë për t’u pagëzuar dhe ata. Mirëpo Murati iu përgjigj se nuk mund ta bënte një hap të tillë, pasi vëllezërit Frashëri, te të cilët ai ishte dhëndër, do ta dëbonin nga shtëpia. Murati pra i dha të kuptonte Faikut se pagëzimi në të krishterë i shqiptarëve myslimanë që jetonin brenda Perandorisë Osmane, ishte një veprim që nuk mund të kryhej, prandaj ky nuk nguli më këmbë për këtë problem. Djaloshi tiranas pati të drejtë, atmosfera shoqërore dhe ajo fetare në trojet shqiptare të perandorisë nuk mund ta lejonte një kapërcim aq të madh në ndërgjegjen e shqiptarëve myslimanë, të cilët kishin disa breza ose shekuj që jetonin si myslimanë.[1] Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SHBA me medalje ari, ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij si "biblioteka lëvizëse". Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare.



Pasi botoi broshurën "Shqipëria dhe turqit" (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel të (Belgjikës), ku nxjerr revistën "Albania", kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë 1897-1909 programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë. Faiku kishte marrë thu ndaj anëtarëve të Kongresit të Manastirit, sepse sipas tij me vonesë të madhe ia kishin dërguar një telegram për të marr pjesë në këtë kongres vendimtar për alfabetin e gjuhës shqipe. Ndërsa delegatët e Kongresit thonë se ia kanë dërguar dy telegrame për pjesëmarrje, pasi që Faiku në të parën nuk ju kishte përgjigjur. Në anën tjetër Faiku këmbëngulë se të parin telegram nuk e kishte pranuar, dhe mu për këtë shkak pason hidhërimi dhe revolta e tij ndaj tyre. Faiku në jetën e tij familjare ishte i pa fat apo ndoshta edhe vetë ashtu e kishte zgjedhur. Ca thonë se kishte qenë i martuar me një farë Sophie Annette Hygo me të cilin i kishte lindur një djalë me emrin Henrik. Edhe Apolineri të cilin e cekëm më lartë thotë se Faiku kishte qen i martuar, por të dhëna tjera për familjen e tij nuk ofron.

Më 1909 Konica, si u mbyll revista "Albania" në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SHBA ku drejton gazetën "Dielli" edhe më pas gazetën "Trumpeta e Krujës". Me themelimin e Federatës "Vatra", më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan Noli[2], duke qenë udhëheqësit kryesor të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA, do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në Sent Luis (1897) nxori të përkohshmen “Trumbeta e Krujës”, ndërkaq në Boston, së bashku me Nolin, themeloi Federatën Panshqiptare “Vatra”, që mbronte pavarësinë e shtetin shqiptar, të sapoformuar. U zgjodh sekretar dhe kryeredaktor i "Diellit", që u bë organ i saj. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Nuk e duronte dot Ismail Qemalin, kryetarin e përkohshëm të shtetit. Mbase edhe për inatin e tij, më 1913 e lë Vlorën dhe i bashkohet në Durrës forcave të Esat Toptanit, që ndonëse e urrente e ndihmoi të formonte qeverinë e ndarë shqiptare. Mbretin Zog herë e lavdëronte, herë e shante. Megjithatë, më shumë se sa ambasador i Zogut, ai ishte ambasador i vendit të tij; dhe Zogun e respektonte si kryetar shteti por personalisht nuk e vlerësonte. Polemizoi edhe me Fan Nolin, ku me raste e quajti edhe bolshevik dhe mbërriti deri aty derisa sa i kërkoi departamentit amerikan që të mos lejohej më hyrja e atij komunisti në ShBA, por nuk e humbi respektin për aftësitë e këtij të fundit. Noli do ta quante veten nxënës të tij. “Mësova se në shkrimet e Konicës ne e kishim atë që na duhej: letërsinë e mirë shqipe”, thotë Noli, i cili me këshillat e Konicës kishte përkthyer disa vepra nga Shekspiri, Ibseni, Edgar Alan Poe dhe Don Kishotin e Servantesit. Konica ishte mik me poetin e njohur francez, Gijom Apolinerin, që kritiku letrar Luan Starova, do ta quante një miqësi evropiane. Shkrimtari Zhyl lë Metrë do të thoshte për Konicën: “Ky i huaj që e shkruan kaq mirë gjuhën tonë”. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë. Ishte delegat i “Vatrës” në Konferencën e Ambasadorëve në Londër për krijimin e shtetit shqiptar. Në 1921 u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës "Vatra", po ndërkaq në vitet '20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës "Dielli" dhe "Shqiptari i Amerikës". Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e Ahmet Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA. Ministër i oborrit mbretëror në SHBA (përfaqësues i Shqipërisë), Konica ishte një pianist i shkëlqyer dhe një shkrimtar gjenial. Ai mbahet si krijuesi i prozës moderne shqipe. Çdo krijues i letërsisë shqiptare që vjen pas tij mund vetëm të quhet nxënës i tij.



Faiku vdiq në Uashington i vetmuar, pranë të cilit gjendej një mikesh e tij zonja G. A. Graham nga e cila na ofrohen çastet e fundit të jetës së Faik bej Konicës. Ja si i përshkruan z. Graham ato momente: “...Faik bej Konica u përmend përsëri diku nga ora nëntë e pesëdhjetë. Më kërkoi dhe foli pak. Humbi në kllapi dhe hera e fundit kur u përmend ishte më vonë. Kishte nevojë për një gotë ujë, por iu luta që të pres. Ai sikur u pajtua dhe e ktheu kokën. Kjo ishte njëherazi edhe hera e fundit që bisedova me z. Konica...”. Më 1914 ishte Konsull i përgjithshëm i Shqipërisë në Uashington.
Në vitin 1926 Ahmet Zogu e emëroi Konicën ministër fuqiplotë në SHBA, post që e ushtroi deri në vitin 1939, kur Italia e pushtoi Shqipërinë. Pas kësaj u shfuqizua nga Qeveria Amerikane ngaqë delegata e diplomacisë shqiptare ishte zhytur në borxhe. Prish raportet përfundimisht me Ahmet Zogun, që i ristabilizon më 1942 në verë për çështjen shqiptare nën okupacionin italian. Vdiq më 15 dhjetor 1942 në Uashington, nga një hemorragji cerebrale. Trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit nën tingujt e kompozitorit të famshëm Vagnerit, që aq shumë e kish adhuruar.

“Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar më qartë në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë menjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri”, thuhet në testamentin e Konicës.
Sistemi komunist për pesëdhjetë vjet e ndaloi kthimin e eshtrave të tij në tokën shqiptare. Noli dhe Lamja i vogël (Sejfulla Maleshova) nuk mund të bënin asgjë. Më 4 mars 1946 Noli i shkruante Lames që të ndikonte tek autoritetet shqiptare të plotësohej amaneti i Konicës. Pasi Malëshova nuk mundi të bënte gjë, ndërhyri vet tek autoritetet shqiptare dhe fatkeqësisht, për arsye politike, nuk gjeti mirëkuptim. Eshtrat e tij u kthyen në atdhe, në një ditë maji të vitit 1995 dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri. Kështu u plotësua amaneti i Konicës, të anatemuarit, njeriut “që hodhi baltë mbi letërsinë shqiptare” , “shkrimtarit reaksionar”, sikurse u quajt paturpësisht, i cili u letua nga letrat shqipe për motive politike. Në këtë turp morën pjesë edhe shkrimtarët e kritikët letrarë, të cilët kurrë nuk do të kenë forcë, përmes kritereve estetike, ta zhvendosin nga maja e kulturës shqiptare. Atje është i përgjithmonshëm. I veçanti, tekanjozi – Faik Konica. Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.

Veprat :

Ç’është liria
Dr. Gjilpëra
Shqipëria si m'u duk
Përalla e tregtarit dhe e xhindit
Lopa dhe bajganmb

Burime :

^ Nga Dr. Thanas L. Gjika
^ Noli: Si e kam njohur Faik Konicën
^ Mbi Konicën

Kronologjia e jetës - Faik Konica<https://sq.wikibooks.org/wiki/Vitviteja/Faik_Konica>

Luaje macë ,kryet e buallit?!

Kryeministri Edi Rama, i ftuar në televizionin Klan Kosova përballë gazetarit Baton Haxhiu, u shpreh se gjatë vizitës së tij në Serbi, ai u etiketua si tradhtar dhe pas deklaratave për mbështetjen e pavarësisë së Kosovës dhe pranimit të saj si një realitet, ai u shndërrua në hero.

Rama komenton vizitën në Serbi/ Shkova si tradhtar dhe u ktheva si hero
“Shkova si tradhtar dhe u ktheva si hero. Unë nuk e ndjej veten as tradhtar e as hero. Thjesht bëra detyrën time”, tha Rama gjatë emisionit...

Artur Bushi pronari i 1.2 ton droge te kapur nga SHISH dhe Prokuroria

....Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka reaguar me nje fjali akuze pas lajmit per  kapjen e 1.2 ton kanabis në nja magazinë në Derven të Fushë Krujës. Sipas kreut të PD-së, droga e kapur i përket kryetarit të bashkisë së Krujës Artur Bushi.
“1.2 ton droge te Artur Bushit u kapen sot fale punes se përbashkët të SHISH dhe Prokurorisë. Përgëzoj dhe falënderoj punonjësit me integritet dhe kurajë te këtyre dy institucioneve”, shkruan Basha.

Ramën e lëshojnë nervat/ Censuron fansin e tij në FacebookImage result for sali berisha

....Ish-kryeministri Sali Berisha, ka postuar denoncimin e një qytetari, sipas të cilit kryeministri Edi Rama e ka censuruar në faqen e tij në Facebook.
Në denoncimin e tij të publikuar nga Berisha, qytetari shprehet si ka komentuar në faqen personale të kryeministrit duke e kritikuar për rrugën e kombit, por pas disa minutash atij i është bllokuar e drejta për të komentuar.
Postimi i Berishës dhe denoncimi i qytetarit
Ramen e kane leshuar nervat!
-Ja pse e bllokoi, censuroi fansin ne FB e tij!
Lexojeni vet! sb
“Mbr zoti berisha.sapo i bera nje koment kryeministrit.dhe me beri bllok.nuk pranon asnje fjale ja qfar i shkruajta.ik pusho se jeni i lodhur nga rruga e kombit ju ka lene pa fjale se thjeshte na duhen 100 te miljone euro.flij flij😂😂😂shof mbas 3 minutash ishte fshire komenti dhe bllok.”

Fitorja e Donald Trump/ Andi Bejtja- Edi Ramës: Kujdes çfarë flet ose lere Kryeministrinë


Fitorja e Trump/ Bejtja-Ramës: Kujdes çfarë flet ose lere Kryeministrinë

Pas deklaratave të mëparshme të kryeministrit Edi Rama, ku sulmonte ashpër presidentin e sapozgjedhur të SHBA-ve Donald Trump, ka reaguar analisti Andi Bejtja.

Sipas tij, kreu i qeverisë shqiptare duhet të respektojë disa protokolle, të mos përzihet në çështjet e shteteve të mëdha pasi ne jemi një vend i vogël.

Bejtja i kujton kryeministrit Rama edhe qëndrimet publike të krerëve të qeverive të tjera europiane, të cilat nuk u përfshinë në deklarata të tilla publike.

Ja çfarë shkruan Andi Bejtja:

“RAMA QENKA NDJERE I PREKUR NGA DEKLARATAT E TRUMP! NUK KA FAJ

Po lexoj reagimin e Kryeministrit, ku thote se jam shprehur kunder per Trump se e kane prekur si qytetar dhe kryeminister deklaratat e tij per Kosoven, myslimanet dhe emigrantet. Po mo po, te gjithe u prekem, por nuk pame ndonje lider europian t’i thoshte ato fjale qe the publikisht, anglisht dhe shqip dhe ne Amerike dhe ketu. Kujtohu nganjehere qe je Kryeminsiter, qe duhet te respektosh ca rregulla protokolle, e mos perzihesh publikisht ne punet e nje vendi tjeter…Per me teper kujtohu sa te vegjel jemi dhe ku po perzihesh, ku i fute hundet…Kujtohu ose perndryshe lere Kryeministrine dhe behu drejtor i Galerise se Arteve dhe fol cte duash….Nejse, nga ana tjeter respekte per Kryeministrin tone, se dhe nga gomarlleqet prape do te nxjerre vota….Nuk eshte cudi t’i bjere prape Greqise neser ne Parlament”.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...