2017-04-12

Parathënia e vëllimit poetik ” Më pritni te baladat e gurit” të autorit Adem Zaplluzha


ligor-shyti
Nga: Ligor Shyti

Në vend të parathënies
Ja ku na vjen përsëri nga oaza e tij e pakufishme, kalorësi Adem Zaplluzha, me një cikël të ri poezish lirike që të depërtojnë në shpirt e të mbesin në mendje. Çdokujt që i bie në dorë ky vëllim poetik dhe do të shohë që në faqet e para të librit se parathënia e tij është shkruar nga një shkrimtar nga Jugu, për një poet shumëdimensional nga Prishtina, do t’i shkonte në mend historia e afërt dhe e largët. Do t’i shkonte ndërmend Lidhja e Prizrenit dhe vëllezërit Frashëri. Do t’i shkonte ndërmend ajo fije e dukshme dhe e pakëputshme shpirtërore që ekziston midis artereve të kombit tonë, midis Prishtinës dhe Përmetit.
Çdo lidhje ka një histori dhe çdo histori ka një çast të bukur që starton dhe s’ndalet kurrë. Edhe miqësia ime me poetin e mirënjohur Adem Zaplluzha, ka lindur aty, buzë Vjosës, kur një vit më parë poeti ishte protagonist i konkursit mbarëkombëtar “Në gjurmët Naimiane”. U mrekullova atëherë kur mësova se në arsenalin e madh të krijimtarisë së poetit janë regjistruar 140 vëllime me poezi dhe krijimtari letrare të gjinive të ndryshme. Pa e lexuar ende krijimtarinë e tij mendova se ai do të ishte, ose “i marrë”, që punonte ditë e natë për të nxjerrë çdo muaj nga një vepër letrare, ose do të jetë një gjeni që zoti i ka dhuruar mendjen e artë dhe talenti i tij nuk njeh kohë dhe kufij. U përpoqa të përmbahem e të prisja të lexoja disa nga veprat e tij, të cilat m’i dhuroi në takimin tonë të 25 majit 2015.
Nuk kaloi shumë kohë dhe veprat e tij letrare do të më shoqëronin ngado që shkoja. Në bibliotekën time, në tavolinën e punës, në makinën time me të cilën udhëtoj shpesh, është e pamundur të mos gjesh një vepër poetike të mikut dhe poetit tashmë të mirënjohur, Adem Zaplluzha. Pak kohë më parë se të më shkruante se kishte dëshirë të më kishte në librin e tij nëpërmjet parathënies së librit të tij më të ri “Më pritni te baladat e gurit”, ai më shprehte se koha po e impononte të ndërpriste punën krijuese dhe të rrinte i qetë në përditshmërinë e tij. E dëgjova me vëmendje dhe po mendoja nëse mund të ndodhte kjo me një poet kaq të talentuar, kaq punëtor, kaq prodhimtar sa është poeti ynë.
adem
Adem Zaplluzha
Duke pasur lejen e autorit për redaktimin dhe shkrimin e parathënies për këtë libër, mora kurajon dhe e pyeta mikun tim, nëse ishte i sigurt se do ta bënte këtë hap, për t’u shkëputur nga krijimtaria, por shumë shpejt do ta merrja përgjigjen që dëshiroja. Zoti Adem Zaplluzha është nga ata krijues legjendarë që preferojnë të vdesin në fushën e betejës. Makina e tij krijuese punon në perfeksion dhe penda e mendja e tij do të vazhdojnë të prodhojnë perla për letërsinë shqipe.
Ky poet, që frytet e pemës së tij nuk ja rrezikojnë asnjëherë kapriçot e stinëve, është poeti që të përditshmen e kthen në art dhe artin e përditëson me kohën që jeton ai dhe bashkëkohësit e tij. Përtej artit të tij të bukur dhe talentit që e karakterizon, është më së pari njeri dhe atdhedashës. Në krijimtarinë e tij, qysh prej fillimit dhe deri në fund, e karakterizon atdhedashuria. Bota rrotullohet rreth diellit kosovar, rreth diellit kombëtar, atij dielli që për shumë kohë u përpoqën të na e zënë të huajt, por nuk ja dolën:
“Më janë verbuar sytë, o njerëz,
Ma sillni këtu diellin e vjedhur të Kosovës!”
Pa dashur të bie në “kurthin” e njohur të poetëve, për të hyrë në labirintet e analizës së veprës letrare, gjë të cilën do ta bëjë lexuesi i veprave të z. Zaplluzha dhe kritika e mirëfilltë, më duhet të shpreh opinionin tim se lexuesi, në këtë vepër letrare, do të gjejë një mishërim të vlerave artistike-letrare si në planin estetik, ashtu edhe në planin shpirtëror. Një vepër e mirëfilltë letrare, nuk mund të kuptohet dhe të quhet e tillë, nëse ajo nuk i plotëson shijet estetike të lexuesit. Ajo, në tërësinë e saj ka për mision çlodhjen e lexuesit, argëtimin, meditimin, por jo vetëm. Në këtë vëllim poetik lexuesi do të gjejë vetveten. Do të gjejë detaje jetësorë të njeriut të thjeshtë, të ngritura në art. Do të gjejë koncepte të mirëfillta shkencore dhe intelektuale:
“Kur zbardhet mali,
E bora peshon si guri në shpirt,
Ne atëherë këndojmë
Pastoralen e gjashtë të Bethovenit.”
Në të lexuesi do të gjejë elemente të natyrës, gërshetuar me historinë e saj dhe të njerëzve që i dhanë frymë kësaj historie:
“Mos u befaso, moj nënë, mos!
Mes këtyre drurëve të egër,
Kaluan ushtarë dezertorë
Dhe murgjit të dehur me veladon të zi…”
Gjithmonë kam qenë dhe mbetem i mendimit se letërsia duhet të shkëputet nga emocionet e politikës, por asnjëherë nuk kam reshtur dhe nuk do të resht së thënë se poeti duhet të punojë për ndërgjegjësimin e njerëzve në misionin e vet të atdhedashurisë. Të duash atdheun nuk është mëkat, përkundrazi, është vlerë e lartë. Ashtu siç italianët punojnë pa u lodhur për ngritjen lart të emrit të Italisë dhe italianëve, ashtu si francezët punojnë dhe s’lënë rast pa shkruar për Francën dhe emrin e saj, ashtu bën edhe poeti ynë në krijimtarinë e tij. Dielli ynë është Kombi shqiptar dhe poeti na e bën shumë të qartë në krijimtarinë e tij.

16443593_1361704453882000_1021832198_n
Më pritni te baladat e gurit
Në këndvështrimin e autorit mund të dallohet qartë qëndrimi i tij kritik ndaj deformimeve njerëzore, ndaj deformimeve të kohës, deformimeve të demokracisë që kanë për protagonistë njerëzit, ata, që për një çast, për disa kohë, kanë në dorë fatin e njerëzimit, fatin tonë, fatin e brezave. Revolta, ironia, kurajua me të cilën autori shkruan dhe nxjerr në pah këto deformime, ia ngritin lartë vlerat e tij si krijues, si qytetar dhe atdhetar:
“Më duket se dje ishim statuja
Njerëz prej dylli e çeliku
Nëpër shëtitore fotografonim
Autoportretin e ngjarjeve të luftë”
Poeti i këndon dashurisë dhe shpresës. Si qenie e ndjeshme njerëzore, ai nuk mund të jetë ndryshe, veçse një këndonjës i ndjenjës më të bukur njerëzore, dashurisë dhe shpresës për të ardhmen. Nuk mund të bëjë përjashtim nga kjo kategori filozofike dhe estetike, një poet që në arsenalin e tij poetik ka ngjyra nga më të ndryshmet jetësore, me përjashtim të urrejtjes. Poeti ynë ushqen dashurinë njerëzore, ashtu si zogu të vegjlit e tij në folenë e vet:
“Nuk di a thua, vallë të kujtohet,
Kur të premtova se një ditë
Ne do t’i përngjajmë kësaj peme?!
Luleve të saj kur çelin
Dhe i mbyllin sytë e kaltër të detit…”
ose:
“Jam shumë i sigurt
Se bota do të dukej e shëmtuar pa dashuri.
Pa njerëz ëndërrimtarë,
Do të dukej si një balon fluturues,
Pa jetë dhe gjallëri në brendinë e saj.”
Përtej figuracionit të dendur dhe gjetjeve artistike të veçanta, në poezinë e Adem Zaplluzhës, lexuesi do të gjejë mjetin më të mirë të argëtimit. Gjatë leximit të kësaj vepre letrare, koha ecën pa u kuptuar, shpirti relaksohet dhe ëndrrat fillojnë të zgjohen. Duke i uruar suksese autorit në krijimtari dhe njëkohësisht shëndet e lumturi në familjen e tij, do t’i këshilloja me kënaqësi lexuesit që ta kenë në bibliotekën e tyre dhe ta lexojnë këtë vëllim poetik pa dallim moshe.

Poeti që nuk e përsëriti asnjëherë vetveten


( Parathënia e vëllimit poetik ”  Kësaj nuk i them dot liri ” të autorit Adem Zaplluzha ) 

images
Nga: Prof. Kopi Kyçyku

Duke lëçitur me vëmendjen e merituar këtë vëllim të Adem Zaplluzhës, të përforcohet bindja se ky poet tejet prodhimtar është i aftë të mos e përsëritë vetveten as atëherë kur i rikthehet së njëjtës temë. Kjo e fundit nuk është vetëm një. Fjala është për një larmi subjektesh që nisin me ndjenjat më intime të njeriut të dashuruar e vazhdojnë me shpërthimet e vrullshme atmëmëdhetare, për të mos u shterur kurrë trajtesat e aspekteve të ndryshme të jetës e të veprimtarisë shoqërore.

adem
Adem Zaplluzha

Këndvështrimet e Ademit janë sa ylberore, aq edhe të befta. Në shumicën e rasteve mbyllja nuk hamendësohet as nga titulli e as nga zbërthimi i përmbajtjes në vargje. Më tej: befasia nuk bëhet qëllim në vetvete, por, krahas thyerjes së monotonisë që haset rrallë në mjaft autorë të tjerë, gjendemi përballë shpalosjes së një realiteti që, shumë-shumë e kemi ëndërruar, por nuk e kemi prekur as me shqisa e as me përfytyrimet tona. Gjithaq me rëndësi është të vëmë në dukje se vargu i Ademit rrjedh si uji i burimit, figuracioni është me sens mase, larg sensacioneve apo efekteve të bujshëm e të sipërfaqshëm.

14281535_1216031081782672_1489374888_n

Elementët stilistikë dhe artistikë janë në varësi të idesë që kumtojnë, nuk i rrinë përsipër kësaj të fundit, por as i kundërvihen. Ata mbeten brenda rolit që kanë, pra si mjete për të shpalosur sa më këndshëm mendimet. Tipar themelor i poezisë së Adem Zaplluzhës, do të thosha gjenetik, është dashuria për të parët e vet, për trojet shqiptare, brenda ose përkohësisht jashtë kufijve shtetërorë të dy shteteve kombëtare dhe optimizmi për një të ardhme të ndritur të shqiptarisë.

Parathënia e vëllimit poetik “SA SHUMË ETHE PAT DIMRI SIVJET” i autorit Adem Zaplluzha.

NUANCA FIGURATIVE TË NJË VARGËZIMI POETIK

Parathënia e vëllimit poetik  “SA SHUMË ETHE  PAT DIMRI SIVJET” i autorit Adem Zaplluzha.


halil
Nga Halil Haxhosaj

Poeti Adem Zaplluzha del para lexuesit për të 136-tën herë me veprën poetike më të re “Sa shumë ethe pat dimri sivjet” që një njëfarë mënyre e stabilizon, por edhe e ngjesh formën krijuese artistike të poetikës së vet. Poezitë e përfshira në këtë vëllim janë sublime, të ndërtuara e të latuara artistikisht në formë e strukturim dhe e grishin lexuesin e çfarëdo moshe që t’u qaset ashtu siç duhet dhe siç i nevojitet. Poeti Adem Zaplluzha, mbase, tashmë e ka lexuesin, pse jo edhe zgjon interesimin me poetikën e vet, sepse ajo ka tipare që në një mënyrë e ka krijuar peizazhin e artistikes.
Duke vështruar në qasje paksa më të thellë me qëllim njohje të kësaj poetike, patjetër vështrimi përqendrohet në gamën kundruall strukturimit, figuracionit dhe nuancimit figurativ të gërshetimit të vargëzimi të poetit Adem Zaplluzha në përgjithësi dhe të këtij të kësaj vepre, në veçanti. Vetëm atëherë gjenden anët e kësaj qasje, e cila është paksa specifike, e pse jo edhe e veçantë e këtij poeti. Kjo veçanti nuk ka peshë vetëm në bagazhin dhe volumin e madh të veprave të botuara nga ky poet, por ajo shtrihet nëpër të gjitha format, strukturat, figuracionin dhe në gërshetimet e tjera. Andaj pa hezitim mund të konstatohet se ky poet është ndër krijuesit më interesant si për nga numri i veprave të botuara në letërsinë bashkëkohore shqipe dhe si për nga strukturimi dhe figuracioni i vargëzimit të tij poetik. Kjo konstatohet nga bibliografia e tij, sepse gjatë vitit 2014 botoi hiç më pak se 24 vepra, por ende nuk dihet sa do t’i botojë më 2015 dhe pse deri tash i ka botuar 13 vepra, ndërkaq për vitin 2016 e ka të hartuar e të shtruar planin e botimeve prej disa dhjetëra vëllimesh. Kjo mori kaq voluminoze e kësaj veprimtarie qëndron si një kala në vete, e cila mbetet ende unikate në letërsinë bashkëkohore shqiptare.
Vepra “Sa shumë ethe pat dimri sivjet” ngërthen në volumin e saj një strukturim, që në njëfarë mase e përmbush synimin, idenë artistike dhe inspiruese të poetit. Andaj vepra ka në strukturimin e vet tri njësi përbërëse, pra tre qerthuj poetikë që janë: 1. “Sa shumë ethe pat dimri sivjet”, 2. “Si një kor i shthurur këndon deti” dhe 3. “Zëri i shiut brenda meje”. Nga vet emërtimet e qerthujve dalin e depërtojnë figurat, madje tematika e të tjera forma të vargëzimit, që në tërësi krijojnë poetikën që del nga frymëzimi i krijuesit, pra nga poeti, në këtë rast me rolin e autorit të veprës.


adem
Adem Zaplluzha

Poeti Adem Zaplluzha në këtë vepër me poezi qëllimisht gërsheton çaste të jetës dhe të sferave të saj pa marrë parasysh kohën edhe pse hapësira dihet, por duke e veshur idenë e vet poetike me ngjyrime bashkëkohore të tri kohëve: të djeshmes, të sotmes dhe të nesërmes. Ky gërshetim nuk është statik, nuk është i ngurtë, madje nuk është as deklarativ, por gërshetohet me stade të vargëzimit specifik bashkëkohor duke depërtuar nëpër atomet e një ngjyrimi artistik modern e figurativ. Dhe më në fund kjo formë e vargëzimit poetik e fiton të drejtën të quhet stil i poetit Adem Zaplluzha.

Strukturimi dhe gërshetimi tematik modern

Në këtë përmbledhje poetike lexuesi, por edhe kritika do të takohen në radhë të parë me strukturimin dhe tematikën e këtij vargëzimi. Që nga titulli “Sa shumë ethe pat dimri sivjet”shihet qëllimi i ndërtimit, pra strukturimit tematik e artistik të kësaj vepre nga pena e autorit Adem Zaplluzha.
Dallimet e hartimit tematik nuk ndahen në formë të prerë e as s’janë aq shumë të dukshme, por shtrihen kënaqshëm dhe harmonishëm nëpër të gjitha poret e këtij organizimi. Dhe atëherë të gjitha indet e tij, të gjitha gjymtyrët, organet e figuracionit metaforik e të tjera krijojnë një harmoni që tingëllon dhe gurgullon mirë artistikisht, duke u veshur me timbrin e figuracionit, që në një formë nuk mëton të jetë i ngathët, por as formalist. Kjo haset që në poezinë e parë të shkruar në Përmet, më 26 maj 2015, në manifestimin poetik kushtuar poetit të madh kombëtar, Naim Frashërit, ku thotë:

Atje lartë te mjegulla
Mbi një gur
Si perëndi rinte ulur Naimi
Dhe në mendjen e tij të ndritur- nur
Qëndiste një flamur

Në këto vargje shihen madhështia dhe qëndresa e shqiptarëve me shekuj, duke mos u gjunjëzuar kurrsesi e as duke mos e harruar historinë e vet, të atdheut dhe të gjuhës shqipe, të cilën e kishin ndaluar pushtuesit e të gjitha kohëve me ligje e dekrete okupuese të tyre. Andaj autori në këtë vepër përveç poezive lirike, e disave  edhe satirike ka edhe poezi përkushtuese siç është kjo, por edhe të tjera.


14054873_1199348733450907_1422916442_n
SA SHUMË ETHE  PAT DIMRI SIVJET

Poezia “Sa shumë ethe pat dimri sivjet” është nyje e cila lidh anët e komunikimit figurativ e artistik të këtij vargëzimi. Edhe titulli i kësaj poezie është titull i veprës, sepse përkon me realitetin e muzës së poetit me këtë rast. Kjo është poezi e cila sa mban pak pjesë të realitetit po aq edhe kombinohet me një mesazh dhe meditacion filozofik, që buron nga realiteti i bashkëkohësisë me nuancat e pranishme të të sotmes:

Disa njerëz me kapela prej letre
Po mbledhin nëpër shkurret e djegura
Parathëniet e pemëve

Për të vazhduar menjëherë:

Sa shumë ethe pat dimri sivjet
Sa që mezi arriti
T’i shërojë plagët e lisave

Shpërfaqja e situatave të tilla nuk rrjedh zorshëm, madje as njëtrajtshëm, por gurgullon poetikish mbi figurat që dalin nga frymëzimi i poetit dhe zbresin nëpër poret e përjetimit që ndihet më shumë në absorbimin që do ta bëjë lexuesi. Stina e dimrit kushtimisht është një stad i vështirësive të jetës së njeriut, sepse jeta në këtë stinë vetëm merr dhe asgjë nuk jep. Prandaj shpesh dimrat janë të sëmurë, kanë lëngime nga epidemi të ndryshme, por të pamëshirshëm janë edhe kur kanë ethe shumë.
Kështu, në këtë vëllim poetik ka edhe elemente, motive dhe tematikë të bollshme, madje aktuale që janë frymëzim i penës së këtij poeti, duke i përjetësuar në nuanca figurative të vargëzimit.

Nuancat figurative të vargëzimit

Nuancat e vargëzimit të figurave të bollshme e pasurojnë shumë edhe shprehjen poetike të këtij poeti. Nëpër këto nuanca rrjedh gjithçka që është aromë përjetësie, ëmbëlsi jete, dashuri për njeriun dhe jetën, e të tjera. Këto synime që kurorëzohen në vargjet poetike veshin rrobat e inspirimit dhe dalin krenare në kurorën e figuracionit metaforik, sepse këtë e synon poeti.
Kjo shihet qartë ne poezitë që ua kushton miqve, trimave të historisë, por edhe trevave të njohura të atdheut si dhe figurave të njohura nga historia, letërsia e të tjera. Kështu në poezi historia kombëtare bashkëdyzohet me krenarinë kombëtare dhe merr epitete që janë dëshmi të lavdisë dhe krenarisë sonë. Në poezinë me titull “Në Hasin e Gurit”, poeti shpalos artistikisht krenarinë, burrërinë dhe të mirat e Hasit, por këtë e bën duke e përmendur figurën e njohur të traditës sonë kombëtare Shtjefën Gjeçovin, i cili është shembull i qëndresës dhe pasqyrë e traditave autoktone kombëtare.

Kaloi një kohë e trishtë
Lumëbardhi me pamje të ngrysur
Përcjellë rrjedhën e Drinit të Bardhë
Kurse në Hasin e Gurit
Pas një shekulli zhvarroset ditari i Gjeçovit

Shumë trima e mendimtarë marshuan nëpër rrënjët e kombit që ato sa më shumë të forcohen, të shumohen dhe sa më shumë lisa të rrisin shtatin. Nga këto rrënjë u mësuan shumë gjera, madje edhe arti i përkryer i qëndresës.

Atdhedashuria koncept poetik

Nëpër këto nuanca depërtojnë edhe vargje që përjetësojnë vetminë si ves bashkëkohor i njerëzimit, madje lakminë, smirën, mëdyshjen e të tjera anë të kësaj jete që sot po na shoqëron. Duke parë normimin e këtyre aspekteve, poeti mëton t’i shtrijë në shtratin e përjetësimit, por kjo arrihet duke depërtuar nëpër hallkën filozofike të jetës si koncept bashkëkohor. Andaj shpesh vrazhdësitë dalin si figura dhe disi përfaqësohen me to. Këtë e arrin me sukses poeti Adem Zaplluzha me krijimin e poetikës së vet.
Konceptimi filozofik i jetëvdekjes pasqyrohet në figurat e vargjeve. Ka koncept nuk është i ngurtë, madje as i pakalueshëm, por kërkon shumë mund e sidomos sakrificë dhe mençuri. Gërshetimi i këtyre patjetër se ka edhe viktimat e veta që i ka të njohura historia për ne. Andaj kur nuk ka kohë për të mbjellë asnjë pemë, madje as manaferra, ndodh:

As nëpër fushat e gjëra të mëllenjave
S’qitem asnjë kokërr farë
Domosdo do t’i japim llogari dikujt
Ku ishim dje dhe çfarë bëmë sot për nesër

Me këto vargje të poezisë “Ku ishin dje dhe çfarë bëmë sot për nesër”, që është poezia e fundit me të cilën përmbyllet kjo vepër, poeti Adem Zaplluzha, me magjinë e fjalës dhe të shprehjes lirike, herë reale e herë imagjinatave, pikturon me penë kuptimin filozofik të jetës që është një proces dhe një konceptim i pazëvendësueshëm i njerëzimit.
Edhe tema e motive të tjera defilojnë në vargjet e këtij vëllimi poetik, që fatmirësisht pajtohen mirë dhe integrohen suksesshëm edhe në gurrën e figurave metofarike. Të gjitha përjetimet e muzës së poetit defilojnë nëpër vargjet plot me aromë të shijshme dhe me qëndrime triumfuese. Dhe kështu kjo poezi ka frymëmarrje të bollshme dhe kurorëzohet me piedestalin e krenarisë kombëtare dhe të flamurit, sepse:

Nga kjo pemë e shenjtë
Një njeri mësoi shijen e qeshjes
I mësoi edhe karakteristikat
E ngjyrës së gjakut
Dhe që atëherë mendoi për flamurin

Kundrimet e këtilla, por edhe të tjera e bëjnë të madhërishme, pse jo edhe të pakontestueshme sakrificën për liri e pavarësi nëpër të gjitha epokat e historisë me flamurin kombëtar kuq e zi në ballë, i cili ka ngjyrën e gjakut. Bashkëdyzimet artistike të këtyre figurave bëhen legura që krijojnë dashtë e pa dashtë elemente të rrjedhës artistike, të muzës poetike e të penës krijuese të poetit Adem Zaplluzha.
Poezia dhe vargjet poetike të vëllimit “Sa shumë ethe pat dimri sivjet” kanë edhe shumë nuanca, motive, tema, inspirime, muza dhe figura të tjera, por patjetër ato kështu mirë të organizuara, mirë të shtruara dhe mirë të shpërfaqura fitojnë indikacionet që shprehin anën e veçantë të penës së poetit Adem Zaplluzha. Duke i lexuar këto vargje, lexuesi do të hasë në një gjuhë metaforike e poetike të mbështetur me sukses në normat letrare e gramatikore të gjuhës së sotme letrare shqipe. Edhe kjo është një anë shkëlqyese e këtij vëllimi poetik.

Gjakovë,3 korrik 201
Halil Haxhosaj, poet

Parathënia e vëllimit poetik “Të dielave në qytetin tim” të autorit Adem Zaplluzha

te dielave ne qytetin tim

POEZI ME FIGURSHMËRI BEFASUESE DHE FUNKSIONALE

 Parathënia e vëllimit poetik “Të dielave në qytetin tim” të autorit Adem Zaplluzha.

Nga Avdyl Sulaj;  poet, studiues, publicist

Udhëtimi në universin e magjishëm të letërsisë e të artit kërkon vënien në lëvizje, me motorin e frymëzimit hyjnor, të të gjithë botës shpirtërore të krijuesit: përjetimin e perceptimeve të realitetit, ndërthurjen e ndjenjave e të emocioneve me intuitën e meditimin, fluturimin me krahët e fantazisë deri te yjet e galaktikat; shkëputjen prej realitetit  të përditshëm, abstraktimin  e trillimin imagjinar të tipave, figurave e të realiteteve të reja, duke flijuar shpesh qetësinë, gjumin dhe të mirat jetësore. Ky udhëtim i mundimshëm që në pikënisje është dhe aventurë. Mjaft poetë e prozatorë dështojnë shpejt. Disa lodhen e mbeten në mes të rrugës. Disa të tjerë vijojnë kërkimin për të jetësuar ëndrrat e idealet e tyre letrare e artistike.
Poeti Adem Zaplluzha ka 58  vjet që ecën përpara në këtë udhë. Ka 58  vjet që ka paralajmëruar lexuesit për këtë rrugëtim me poezinë e tij të parë për fëmijë, të  botuar në revistën Pionieri, Prishtinë, 1957.  Dhe tash libri Të dielave në qyteti tim, që lexuesi merr në dorë, është guri i 123-të i kilometrazhit të tij në këtë rrugëtim të gjatë. Kësisoj, ky autor arrin rekordin, arrin numrin më të lartë të botimit të librave në gjuhën shqipe.


adem
Adem Zaplluzha

Duke shfletuar këtë  libër, lexuesi përjeton kënaqësi të thellë estetike. Kjo, në radhë të parë, falë tropeve e figurave të gjetura me fantazi krijuese, të përdorura  me mjeshtëri.  Poeti i ka ndërthurur bukur e natyrshëm ato në tema e motive të ndryshme, duke arritur t’i japë lexuesit imazhe, refleksione  e portrete të gjalla nga bota e tij shpirtërore, mjediset shoqërore dhe kombëtare ku jeton, natyra e atdheu.
Këso dore, vjershat e këtij vëllimi, në vështrim të parë abstrakte, madje disa sosh dhe të zakonshme, përftojnë lëndë poetike, marrin jetë e konkretësi, marrin kontekst të gjerë, shpesh me theksa dhe nota universale.
Ndryshimet dhe zhvillimet demografike në botën shqiptare dhjetëvjeçarët e fundit janë shoqëruar dhe me dukuri  të dhimbshme: braktisjen e vendbanimeve fshatare nga banorët e tyre e largimin në qytete apo në shtete të tjera. Kjo dukuri trazon thellë shpirtin e poetit Zaplluzha, e bën atë të meditojë, të reflektojë e ta përshkruajë poetikisht:
Nëpër qoshet e një shtëpie boshe/ Nuk dëgjohen më zëzëllima fëmijësh/ Ka kohë që janë braktisur pragjet/ Nga kjo shtëpi ikën diku njerëzit/ Ikën edhe kanjushat/ Era i mbylli portat e bardha/ I mbylli me dry të heshtjes/ Njeriu i fundit që banonte këtu/ Para  disa ditëve/ Te varret e qytetit gjeti një adresë të re (Asnjë flutur e humbur).

Me ndjeshmëri të lartë njerëzore dhe estetike shfaqet autori ndaj kultit të nënës, e cila për  çdo njeri është hyjneshë tokësore. Ajo edhe në botën tjetër ka fuqi, ndikim e pushtet të magjishëm për poetin:

Dora e jote si krah fluture
Në ballin tim
Sa herë që më zë ofshama
Ti zbret nga qielli
Dhe m’i lehtëson dhembjet (Preke zjarrin e mallit tim).

Nënën ai  e portretizon dhe si mëkuese të dashurisë për lirinë e atdheut në kohët e errëta e të acarta të pushtimit serbo-sllav. Ato“endnin nëpër ëndrrat e tyre/ Një pëlhurë prej shprese/ Që mos t’i zërë peng acari/ Lastarët e lirisë (Nënat këtu nuk kanë lot).
Por për poetin Adem Zaplluzha, drama kombëtare shqiptare shkroi kapituj tronditës edhe në shekullin e njëzetë, sidomos në Kosovë:
Pa mëshirë troket ky korb i natës së zezë/ Njëqind vjet dëgjohen trokitjet/ Në shpirtin e lënduar të atdheut  (Nuk guxoj t’i hap). Dhe, me gjithë fitoren e pavarësisë nga Kosova, poeti vë në pah se rreziku i shovinizmave fqinje ende s’ka marrë fund:


Acari ende pret pas një shkurre
Për ta befasuar prenë
E dimrat e Ballkanit kafshojnë njëri-tjetrin (Nga syri i verdhë i hënës).

Apo:

Atje te sukat e blerta
Presin lukunitë e tërbuara

Fëmijëria mbetet motiv mjaft i pëlqyer dhe mbresëlënës edhe për poetin A. Zaplluzha. Nëpërmjet pak vargjeve, ai sjell imazhin e jetuar të saj të trishtë e të mjerë si rrjedhojë e varfërisë së kohës:

Mbi një mullar të kalbur sane
Për çdo menatë
Na zgjonte nga ëndrrat tona
Zëri i trishtueshëm i skamjes.

Ndërkaq në atë sfond ai poetizon, me simbolin e gjelbërimit, dhe jetën e romantikën e saj:

Mes këtyre murishtave të rrënuara
Rritej një bar i gjelbër
I cili ngjante
Me koralet e fëmijërisë
Që mbështilleshin për belin e hënës

(Bisedonin pleqtë e kërrusur).
Në vjershën “Nëpër rrugët e Prishtinës”, syri i poetit ka rrokur një dukuri trishtuese shoqërore që bie në sy në shoqërinë shqiptare të sotme: individualizmin dhe indiferentizmin e skajshëm:

Nëpër rrugët e zbrazëta të Prishtinës
Njerëzit ngjajnë me hijet që s’janë hije
Askush me askënd nuk bisedon
Secili nën kapelë e fsheh kokën e vet
Ose vetëm kapelat e shqyera bredhin rrugëve

Këtë mund ta vëresh dhe në Tiranë e në qytete të tjera shqiptare, çka vjen si reagim ndaj kolektivizmit të skajshëm socialist të kohës së perënduar, por dhe nga mungesa e konsolodimit dhe zhvillimit të shëndetshëm të rendit të ri demokratik.  Ndaj “Sterra këtu nëpër çdo skutë/ I lëshon vezët e dyshimta të korbave”.
Për kriminalitetin ndër shqiptarët, populli ka krijuar një fjalë të përbërë: vëllavrasje. Një fjalë kuptimplote dhe mbresëlënëse, sepse të gjithë shqiptarët jemi vëllezër të një gjaku. Autorët prej Kosove kanë krijuar një traditë të çmuar në krijimtarinë letrare me këtë temë. Kujtojmë romanin “Gjarpërinjtë e gjakut” të Adem Demaçit me kumtin lapidar:

Jo atyre që janë trima, me shtri dorën e krimit.
Po atyre që janë trima, me shtri dorën e pajtimit.

Këtë temë, mjerisht edhe sot plagë shoqërore dramatike ndër shqiptarët, poeti e shtjellon bukur, me një kumt mjaft emancipues dhe emocionues në vjershën

As për hasmin tim:
Bëni çfarë të doni me mua/ Pasha një Zot/ Pasha këtë tokë e qiell/ Për vëlla/ Nuk kam kobure dot/ Bëni çfarë të doni me ashtin tim/ Hidhjani cerberëve/ Në secilën arenë…/ Për vëlla pushkë nuk kam/ Më përbuzni deri në asgjësim/ Por… s’do të kem kurrë urrejtje/ As për hasmin tim

Vjershat e këtij vëllimi janë ndarë në tre cikle:
* Ikja e zogjve ndodhi edhe sivjet.
* Të dielave në qytetin tim.
* I ngjan një loje pagane.
Ato janë endur me një stil të thjeshtë e lirizëm të këndshëm, me frymëzim e ndjenjë nga autori, janë estetizuar me metafora të bukura, që krijojnë befasi në kuadrin e vjershave që vendosen. Kështu, për të ndryshuar atmosferën disi të zymtë të natës dhe për ta bërë atë romantike e tërheqëse, Ademi gjen vargjet:

Një hënë e dashuruar
I kreh flokët e mjegullave.

Apo më tej:

Flenë drurët në kopsht
Portreti i mjegullave sonte përkundet
Nën pjergullën e vjetër

Një punë të përgëzueshme ka bërë autori me gjuhën, duke gjetur një fjalor të larmishëm poetik me fjalë burimore shqipe, duke përdorur një sintaksë të çlirët e të kristaltë, çka i bëjnë tërheqës leximin dhe perceptimin estetik të teksteve.

Avdyl Sulaj, poet, studiues, publicist
Qyteti “Bajram Curri”, 16 shkurt 2015

Parathënia e vëllimit poetik ” Te ullishtat e vjetra” të autorit Adem Zaplluzha


252942_1787653450483_249658_n
Nga: Esat Loshaj, redaktor 
E nise këtë vështrim timin me një thënie të GETES ….Ju na fusni në jetë, ju lejoni fatkeqin të behet fajtor….. E nderuara audiencë, miq të artit letrar, duke e vlerësuar drejtë këtë libër poetik, sikur më lindi një ide, se poeti Adem Zaplluzha, është i lidhur ngushte me dashurinë ndaj atdheut, gjeografisë së tij, historisë, dhe artit deri në klithmë dhimbjeje. Unë dua sot në këtë takim promovues, të kujtoj e të vlerësoj, dhe me respekt te jap konsideratën time dhe falënderimin tim, që përpara nesh kemi sot një libër me vlera të qëndrueshme ideo-artistike dhe përmbajtësore, një libër sa të veçantë për nga struktura poetike, me një leksik të pasur, me qëndisma fjalësh poetike, ku shprehet gjithë dashuria për një angazhim fund e maje poetik. Adem Zaplluzha, ky emër i njohur në letrat shqipe, na vjen sot përpara nesh me një libër poetik , që vërtetë na zgjon mall për poezinë e angazhuar, që me aq mjeshtri dhe përkushtim, na sjell një botë të re në letërsinë shqipe.
adem
Adem Zaplluzha
*….Fjala në përgjithësi i takon njeriut, ndërsa shkrimi i takon pikërisht njeriut të kulturës. Shkrimi është simbol i madh i largësisë, jo vetëm asaj hapësinore, por para së gjithash , largësisë kohore. Të folurit dhe të dëgjuarit është një akt që ndodh në afërsi dhe në kohën e sotme, ndërsa përmes shkrimit u flasim njerëzve të të cilët asnjëherë nuk i kemi parë ose te cilët ende nuk kanë lindur. Përmes shkrimit, zëri i njeriut dëgjohet shekuj me radhë edhe pas vdekjes se tij….* ( Osvald Spengler). Kjo përmbledhje me poezi është një lirikë e bukur, një lirikë e drejtpërdrejtë , është një këngë e kënduar me shumë dashuri. Adem Zaplluzha , e mbarsë me një leksik shumë të begatshëm fjalësh që vërtetë rrallë i ndeshim në librat e krijuesve letrar. Lidhja kësaj radhe është Prishtinë Sarandë, ku kryefjale është pema e fisnikëruar, ulliri, kjo pemë që flet shumë , që ka vlerë  shumë dimensionale , por pa i anashkaluar figurat metaforike si, lulet, detin, zogjtë, shiun, gurët, anijet….po thahen edhe gurët, luftërat e zeza, ullinjtë e atdheut tim, lehin edhe shirat etj. Në këtë libër, larmia e temave që trajton poeti Zaplluzha, që rrokë syri i mprehte i poetit, është e pafund, veç të duket se përpos temës së bukurisë dhe dashurisë, qe shkurt shpjeguam me larte , poeti merret detyrimisht edhe me temën e atdheut.
16507105_1364540483598397_2058923057_n
Te ullishtat e vjetra
Këtu shpreh kujdesin më të madh , sikur kërkon të thotë atë që të tjerët s’kanë arritur ta thonë. Zaplluzha, ka preformuar t’i kushtohet i tëri këtij atdheu, dhe nuk ndjen vetëm detyrimin qytetar por diçka më shumë , detyrim poetik. Në këtë moment , kur edhe një ulli merr të tillë vlerë , nuk ka se si të mbesin jashtë vëmendjes , impresione të shkëputura , që së bashku përbejnë të tërën. Adem Zaplluzha, sikur me këtë libër , sjell porosinë me shumë se kushdo intelektuali, më shumë se çdo intelektual, artisti, e me shumë se çdo artist, ndoshta poeti, është ai qe e do deri në fund deri në skutat më të imta lirinë.
Dhe, për fund : është e çuditshme , poetet mund të jenë nga çdo pikëpamje , shumë larg njëri tjetrit, dhe përsëri , në çdo gjë që thonë kanë nj lloj të drejtë. Unë u kënaqa me një libër kaq të mirë, besoj që edhe lexuesit do ta kenë këtë kënaqësi! Urime autorit, shëndet dhe suksese në librat e radhës…..

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...