Nga Hamdi Jupe
Ka ardhur koha e udhëheqjeve të reja në skenën politike. Njerëzit nuk i durojnë dot gjatë politikanët në krye të vendit. Këtë e tregojnë disa shembuj kuptimplotë të kohëve të fundit në Europë e në botë, në politikë e në sektorë të tjerë të jetës. Le të sjellim disa prej tyre.
Në Kinë përfundoi këto ditë ndryshimi i brezave në udhëheqjen e lartë partiake dhe shtetërore të shtetit më të madh të botës, prej 1,3 miliardë njerëzish. Kongresi popullor kinez (institucioni legjislativ i vendit) votoi si kryeministër të ri zotin Li Keqiang. Ish-zëvendëskryeministri 57 vjeçar u votua si pasardhës i Wen Jiabao, i cili e ka mbajtur këtë post për dhjetë vjet radhazi.
Një ditë më parë ishte zgjedhur edhe Xi Jinping si presidenti i ri i vendit. Ky pason presidentin Hu Jintao, i cili u tërhoq gjithashtu pas dhjetë vjetësh në krye të vendit komunist. Komiteti i Përhershëm, struktura më e lartë udhëheqëse e partisë, përbëhet prej nëntë anëtarësh dhe konsiderohet si institucioni kryesor i vendimmarrjes në Kinë. Me zgjedhjen e udhëheqësve të rinj, bëhet edhe ndryshimi i plotë i gjeneratës politike në parti dhe pushtet.
Lufta kundër korrupsionit ishte temë kryesore e fjalimit të presidentit të sapozgjedhur Xi, i cili e vuri këtë temë në krye të agjendës. Në tremujorin e fundit disa dhjetëra zyrtarë të lartë kinezë kanë humbur vendet e tyre të punës, si pasojë e luftës kundër korrupsionit.
Presidenti i ri ka premtuar se lidershipi i tij do të punojë për “një rilindje të madhe të popullit kinez” dhe të “kauzës së socializmit me karakteristika kineze”. Socializmi me “karakteristika kineze” është një sistem politik i kombinuar i ekonomisë së tregut, me ekonominë shtetërore, i kontrolluar nga shteti njëpartiak. Në Kinë qeveris një parti e vetme e quajtur “komuniste” me 80 milionë anëtarë, por që ndërton kapitalizmin, (ose “socializmin me karakteristika kineze”) në vendin që është tani fuqi e dytë ekonomike botërore, pas asaj të SHBA-së. Rritja mesatare ekonomike vjetore është rreth 10 përqind, ose më e larta në botë. Udhëheqja e partisë ndërrohet njëkohësisht me udhëheqjen e shtetit.
Çdo dhjetë vjet lidershipi i lartë zëvendësohet dhe për këtë janë vendosur rregulla strikte për moshën e politikanëve. Kështu, në kongresin e partisë në vitin 2007, në Komitetin Qendror janë përfshirë vetëm ata, të cilët kanë lindur pas vitit 1940, d.m.th që ishin më pak se 67 vjeç. Në kongresin e rinovimit, shtatë, nga nëntë postet e Komitetit të Përhershëm, u zunë nga persona të rinj.
Kina ka zgjedhur këtë formë të rotacionit të pushtetit, në kushtet kur atje ekziston sistemi njëpartiak. Kjo është një mënyrë për të hequr nga skena “politikanët e përjetshëm” dhe për të shmangur pakënaqësitë e grupeve të caktuara politike, edhe pse vendi vazhdon të jetë nën kontrollin e një partie të vetme.
Pak kohë më parë “tërmeti” politik ndodhi në Italinë fqinje. Zgjedhjet parlamentare të fundshkurtit të 2013-s atje u karakterizuan nga fenomeni “Grillo”. Komediani i viteve 70 –80 të shekullit të kaluar, e ka formuar partinë e tij populiste, “Lëvizja pesë yjet” më 2009. “Ndershmëria do të jetë në modë”, ka shkruar Grillo në faqen e tij në web gjatë fushatës. Rezultatet e zgjedhjeve italiane ishin surprizë jo vetëm për Grillon. Ai ka arritur të fusë në Parlament forcën e tretë politike në vend, me rreth 25 përqind të votave. Eshtë hera e parë që nga koha e hyrjes në politikë të Silvio Berluskonit, rreth 20 vjet më parë, që një politikan i ri ka shkaktuar këtë lloj elektriciteti përpara zgjedhjeve të përgjithshme italiane.
Grillo ka përfaqësuar në këto zgjedhje “politikanin e pastër”, pa implikime të mëparshme në politikë dhe ka përfituar nga zbulimi dhe denoncimi i një sërë skandalesh politike dhe korruptive në partitë e mëdha italiane. Pjesa më e madhe e deputeteve të partisë së Grillos, janë të rinj në politikë. Kjo mendohet se është çelësi i suksesit të tij në zgjedhje.
Partitë e mëdha kanë qenë mjaft të shqetësuara prej tij, prandaj ato u hodhën në akuza të ashpra kundër Grillos. “Ne zbuluam se 80 për qind e tyre janë anëtarë të ekstremit të majtë”, tha Berluskoni gjatë një tubimi në Torino gjatë fushatës. Ndërsa kreu i qendrës së majtë, Bersani, ka deklaruar se të gjitha lëvizjet populiste “në mënyrë të paevitueshme anojnë nga e djathta”. Sidoqoftë, ata tani janë në parlament dhe kjo është një sfidë e madhe për politikën italiane. Një nga pikat kyçe të suksesit të tij elektoral ishte shkëputja totale nga politika tradicionale.
Se sa do të jetë në gjendje kjo lëvizje të kthehet në forcë qeverisëse në të ardhmen në Itali, kjo ende mbetet të shikohet. Kryetari i saj, që nuk është deputet, sepse ka patur një aksident me makinë dhe është i dënuar, ka ambiciet e tij herë - herë ekstravagante dhe kontroverse. Sidoqoftë, një gjë është e sigurt: Ai i ka sjellë kokëçarje të madhe politikës tradicionale italiane.
Sfida italiane e “fytyrave të reja” në politikë, nuk mbaroi me kaq. Ajo u reflektua edhe në zgjedhjen e drejtuesit të vetë parlamentit (Dhoma e përfaqësuesve) nga deputetët e rinj. “Tym i zi mbi parlament”, njoftuan stacionet televizive italiane ditën e parë të përpjekjeve të dështuara për të zgjedhur një kryetar të “Cameras”. Pas dështimit të ditës së parë, erdhi surpriza. Laura Boldrini u zgjodh presidente e Dhomës së Deputetëve, me 327 vota pro, të marra nga të gjitha anët e spektrit politik, në parlamentin e fragmentarizuar italian.
Boldrini është e njohur për karrierën e saj si gazetare në RAI. Pastaj ka punuar si zëdhënëse e UNHCR-së, (Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët). E lindur më 1961, u diplomua për juridik në vitin 1985. Ka punuar gjithmonë në sektorë jofitimprurës dhe ka kryer shumë misione për çështjet sociale e humanitare në vende të ndryshme si Iraku, Afganistani, Gjeorgjia, Kosova etj. Ka marrë disa urdhra dhe medalje kombëtare dhe ndërkombëtare. Por ka qenë jashtë politikës tradicionale italiane dhe ky ishte edhe “çelësi i suksesit” të saj gjatë votimit në Parlament.
Pak kohë më parë, tërmeti politik ndodhi në Greqi. Dy herë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të zhvilluara atje, partitë tradicionale humbën terren në mënyrë të frikshme, duke ua lënë atë partive të reja. “Syriza”, parti majtiste, dy herë doli si parti e dytë në zgjedhje në vend dhe vazhdon të mbetet e tillë edhe sipas sondazheve të fundit. E ngjashme me të për nga mbështetja surprizë e grekëve, ishte dhe mbetet edhe partia e ekstremit të djathtë, “Agimi i artë”.
Këto dy parti nuk sillnin ndonjë alternativë të besueshme pozitive qeverisëse për zgjedhësit grekë, po ashtu siç bëri edhe partia e Grillos në Itali. Por suksesi i tyre elektoral erdhi dhe vazhdon të mbetet si votë e protestës së qytetarëve ndaj partive tradicionale, që kishin qeverisur atje prej shumë vitesh. Natyrisht, në këtë drejtim ndikoi edhe kriza e njohur e ekonomisë greke. Dhe kjo krizë, që është prezente gjithandej, jo vetëm në Greqi, i ka përgjegjësit te klasa e vjetër politike, e cila nuk shkulet nga pushteti, veçse me zgjedhje.
Shqipëria është në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare. Spektri politik i ka të gjitha tiparet e atij të vendeve fqinje. Ka në të parti tradicionale dhe të reja. Ka parti që janë në pushtet prej tetë vitesh, por ka edhe parti që kanë po kaq vite në opozitë. Ka parti që pretendojnë se kanë programe zhvillimi, por ka edhe parti vetëm të protestës ndaj gjendjes ekzistuese. Si do të përkthehet kjo situatë politike në vota në ditën e votimit? Është e vështirë të thuhet. Megjithatë, nga këto zhvillime politike në botë ka çfarë të mësojë edhe politika shqiptare, për të mos rënë viktimë e rezultateve surprizë,si ato që u përmendën më lart.