2018-12-15

Avokati Tomë Gashi: Disa politikanë morën premtime se s'do akuzoheshin




Avokati nga Kosova Tomë Gashi, pjesë e ekipeve të avokatëve mbrojtës për disa prej ish udhëheqësve, të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka deklaruar në emisionin "Ballkan Magazine" të gazetares Linda Karadaku se themelimi i Gjykatës Speciale të Kosovës u ngrit pasi ndërkombëtarët, SHBA dhe BE pretendojnë se Kosova nuk është një vend i sigurt për të marrë të tilla vendime. I pyetur nga gazetarja Karadaku se përse u arrit në krijimin e kësaj gjykate, Gashi tha se i gjithë problemi është i vullnetit politikë, të cilët raportin e Dick Maritit nuk e morën seriozisht. Jo vetëm kaq Gashi flet dhe për premtime të mundshme gojore që disa politikanë kosovarë kanë marrë prej të huajve se ata vetë nuk do të jenë të akuzuar. Gazetarja Linda Karadaku : Zoti Gashi, pse shkoi deri këtu, pse u arrit deri tek krijimi i një gjykatë të tillë speciale? Pse nuk u bë si pjesë e gjyqësorit të Kosovës që të hetoheshit, të shihej nëse kishte prova apo jo dhe të mbyllej kjo çështje nga vetë autoritetet e Kosovës? Tom Gashi, avokat nga Kosova : Problemi qëndron gjithnjë tek vullneti politik apo tek politikanët tanë të nivelit të lartë të cilët nuk e kanë kuptuar peshën e raportit të senatorit zviceran Dik Marti. Nuk është marrë në mënyrë serioze ai raportim, meqënëse aty ka pasur dhe deklarata për kinse transplantimin e organeve njerëzore, gjë që askush nuk i ka besuar për shumë arsye. Ideja ka qenë se nëse Carla del Ponte, në cilësinë e prokurores së Tribunalit të Hagës nuk ka mundur të vërtetëojë ato pretendime, sepse është hetuar nga hetuesit e Tribunalit të Hagës dhe në territorin e Shqipërisë, në territorin e famshëm të quajtur Shtëpia e Verdhë, dhe nuk është gjetur asgjë bindëse, dhe nuk është gjetur asgjë për të ngritur një akt-akuzë. Kjo është thënë në dokumentet zyrtare të Tribunalit të Hagës. Meqënëse Dick Marty është thirrur edhe në hetimet e Carla del Ponte, politikanët kosovarë kanë menduar se nuk ka fakte dhe e kanë injoruar tërësisht idenë e formimit të një dege të Gjykatave të Kosovës, që do të merret me krimet e luftës apo me pretendimet e Dick Marty, apo që të formohet një Gjykatë speciale sepse Kosovën askush nuk e ka ndalur, posaçërisht pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008 që formoi Gjykatën e specializuar që të merrej me pretendimet e krimeve të luftës e të gjitha palëve. Që do të thotë këtu kemi të vrarë rreth 15 mijë civilë. Më shumë se 90% të tyre janë shqiptarë. Dikush i ka vrarë ato dhe dihet që janë forcat okupuese, forcat ushtarake, paramilitare dhe policia serbe. Dhe atëherë kjo gjykatë do të ishte kompetente për të gjithë edhe për pjesëtarë të UÇK-së, mirëpo duket që ne nuk kemi një traditë shtetërore dhe kjo vjen me neglizhencë, deri sa faktori ndërkombëtar, BE dhe SHBA, duke e parë neglizhencën e insitucioneve të Kosovës duke pretenduar se ka dhe frikësim të dëshmitarëve duke pretenduar se Kosova nuk është vend i sigurtë për t'u mbajtur gjykime të atij niveli, kanë vendosur ta themelojnë një gjykatë të tillë që ka karakter ndërkombëtar dhe që selia do të jetë jashtë Kosove. Unë kam deklaruar në disa mediume që nuk ka qenë problemi i sigurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve por edhe i dëshmitarëve sepse ne kemi një kamp ushtarak amerikan tepër të madh dhe ku ka hapësira të mjaftueshme që nëse do duhej të formohej dhe në kuadër të atij kampi një ndërtesë e gjykatës së specializuar por do të ishte në territorin e Republikës së Kosovës. Askush nuk i ka marrë serioze këto deri vitin e kaluar kur faktikisht është votuar pro-formimit të kësaj gjykate dhe mendoj se një pjesë e politikanëve të cilët janë deklaruar haptas për formimin e kësaj gjykate ndoshta kanë marrë edhe premtime gojore prej të huajve se ata vetë nuk do të jenë të akuzuar dhe unë mendoj se nuk do të jetë ashtu edhe në rastin e serbëve të akuzuar për gjenocid, për rastin e Bosnjës, të Stebrenicës, udhëheqësi politik i tyre Karaxhixh është deklaruar se kinse SHBA i ka dhënë atij një imunitet për ndjekje penale, mirëpo gjykata ka deklaruar se ajo është e pamundur sepse askush nuk mund t'i japë imunitet dikujt për krimet e luftës dhe për gjenocid, por edhe sikur të kishte premtime gojore, gjykata nuk do t'i merrte parasysh. Është lëshim i politikës kosovare, që do ta dëmtonte Kosovën sepse do të ishte komplet ndryshe nëse bota e civilizuar do ta shihte se Kosova me vetë-iniciativë, pasi është bërë shtet i pavarur demokratik, që ka formuar një gjykatë në territorin e vet për hetimin e të gjitha krimeve qofshin serbe, qofshin shqiptare meqënëse ne e dimë kush ka qenë agresor. Sulmet e NATO-s kanë deklaruar se çfarë krimesh ka kryer Serbia në Kosovë por tani opinioni ndërkombëtar do t'i shohë të akuzuarit vetëm shqiptarët dhe kjo është shumë e dëmshme.

Gjykata Speciale si vazhdimësi e Tribunalit të Hagës



Institucionet e Kosovës kanë krijuar një grup punues për shqyrtimin e legjislacionit për formimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës. Ky grup punues përfshinë përfaqësues nga Presidenca, Qeveria, gjykatat dhe prokuroritë.

Ish zëdhënësi i presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu, ka thënë se të gjitha institucionet e Republikës se Kosovës ndajnë përgjegjësitë në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare, të miratuar me shumicë votash në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Takimi i parë i ekipit teknik ishte për të diskutuar ndryshimet legjislative, ka sqaruar Vllahiu.

Sipas tij, ekipi teknik do të diskutojë për disa ndryshime legjislative sipas marrëveshjes së ratifikuar në kuvend.

Ky ekip, ka vijuar Vllahiu në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, do të mbajë takime të rregullta edhe me ekipin e BE-së për themelimin e dhomave te posaçme, dhe do të paraqesë diskutimet tek bartësit e institucioneve gjegjësisht Presidentes, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe Zëvendëskryeministrit.


Ndërkohë, profesori i të Drejtës Penale, Ismet Salihu, ka thënë për programin tonë se kjo do të jetë një Gjykatë Penale Ndërkombëtare me të gjitha atributet, ingerencat dhe juridiksionit që i kanë pasur edhe gjykatat e ngjashme si ajo e Hagës, Ruandës e tjera.

Kjo Gjykatë, ka vijuar profesori Salihu, do të trajtoj rastet e viteve 1998-99 e madje edhe ato të fazës së parë të pas luftës. Kurse mandati i saj pritet të jetë pesë vjeçar.

Statuti i kësaj gjykate, sipas Salihut, në fakt është ligj penal, ligj i procedurës penale dhe ligj për ekzekutimin e dënimeve.

"Kjo Gjykatë do të jetë jashtë kompetencave, pushtetit, juridiksionit të Kosovës. Kjo është gjykatë që do të ketë kompetenca sikurse edhe Tribunali i Hagës sepse do të punon sipas rregullativës juridike të vetën".

"Organet tona, eventualisht policia e prokuroria do të kenë për detyrë të ndërmarrin ndonjë veprim, vetëm ata (ndërkombëtarët) që e kërkojnë. Të gjithë gjykatësit e prokurorët do të jenë ndërkombëtar si edhe gjykimet do të bëhen jashtë territorit të Republikës së Kosovës", ka thënë Salihu.

Themelimi i një Gjykate të veçantë për krime lufte, është pasojë e dështimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, por një pjesë të madhe të fajit e bartin edhe ndërkombëtarët, ka deklaruar në vijim, profesori Ismet Salihu.

"Në këtë dështim të instalimit dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, një pjesë të madhe të fajit e kanë edhe ndërkombëtarët, për shkak se ata që nga çlirimi i Kosovës, pavarësisë së saj, por edhe më pas kanë pasur rolin kryesor në sajimin ndërtimin dhe konsolidimin e sistemit gjyqësor. Përveç kësaj, ata kanë pasur ingerenca, pushtet, juridiksion që çdo lloj krimi, sidomos këto të rëndat, t'i gjykojnë vet. Kështu që ky dështim është edhe i tyre dhe nuk është vetëm i kosovarëve", ka deklaruar Salihu.
Pas përgatitjes së infrastrukturës ligjore, Gjykata Speciale pritet të themelohet me vendimin e institucioneve, qeverisë dhe Kuvendit. Sfida më e madhe e themelimit të saj, parashihet pjesa që kërkon amandamentimin e Kushtetutës, për të cilën qeveria duhet të siguroj mbështetjen e të paktën 80 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Nga ana praktike, themelimi i kësaj gjykate cilësohet si një prej sfidave më të mëdha të vitit, pasi që ajo pritet të kthej sërish në gjykim raste të dyshuara të krimeve të luftës dhe gjykimin e tyre jashtë territorit të Kosovës.

Partitë opozitare tashmë janë pozicionuar kundër dhe kanë paralajmëruar se nuk do të votojnë për themelimin e saj.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Albulena Haxhiu,deputete e Lëvizjes Vetëvendosje ka paralajmëruar se jo vetëm që do të kundërshtohet me votë themelimi i kësaj Gjykate, por si kryetare e Komisionit nuk do të lejoj procedimin në Kuvend të propozimeve që do të binin ndesh me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

"Kjo (Gjykatë speciale) është jashtë rregullimit juridik të institucioneve tona dhe si rrjedhojë është edhe jo kushtetuese. Nëse ka pasur individ brenda Ushtrisë Çlirimtare të cilët paskan kryer, siç po thuhet krime, atëherë ata duhet të hetohen nga prokuroria vendore dhe jo nga Gjykata Speciale e cila po thuhet se duhet të themelohet", ka theksuar deputetja Haxhiu.

Ideja për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën që më vonë u quajt Gjykata e veçantë apo speciale, fillimisht ishte prezantuar se ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës, që si bazë kishin dyshimet e supozuara të zviceranit Dick Marty, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në bazë të këtyre supozimeve, prokurori amerikan Clint Williamson, ka zhvilluar edhe një hetim të gjerë.
E veçanta e funksionimit të kësaj Gjykate do të jetë roli i prokurorëve dhe gjykatësve ndërkombëtar dhe trajtimi i rasteve jashtë Kosovës, për të shmangur presionet dhe ndërhyrjet në punën e gjyqësorit.

Çka e dallon Tribunalin e Hagës me Gjykatën Speciale?


Arton Konushevci


Rastet e dyshuara për krime lufte në Kosovë, që nga viti 1999 e këndej janë trajtuar në formë të ndryshme nga organet e drejtësisë, kryesisht ato ndërkombëtare.

Fillimisht, me këto raste është marrë administrata e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, e cila kishte shtrirë pas luftës së fundit edhe sistemin e saj të drejtësisë në Kosovë, si dhe Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë të Holandës, e themeluar nga Kombet e Bashkuara.



Më pas, këto raste u trajtuan edhe nga drejtësia e Bashkimit Evropian, përmes misionit të EULEX-it.

Ndërkaq, aktualisht, këto raste i kanë marrë përsipër Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura ndryshe edhe si Gjykata Speciale.

Këto Dhoma të Veçanta apo kjo Gjykatë Speciale për krime lufte në Kosovë pritet të hetojë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që siç thuhet, ‘i kanë kryer ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve politikë nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000’, siç e ka përshkruar në raportin e tij për Këshillin Evropian senatori Dick Marty.

Risia e trajtimit të rasteve të dyshuara, tani qëndron te fakti se Dhomat e Specializuara edhe pse të përbëra nga gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë dhe me seli në Hagë, do të funksionojnë me Kodin Penal dhe ligjet e aplikueshme të Kosovës.

Zyrtarët e Gjykatës Speciale kanë deklaruar se puna është duke vazhduar në përputhje me mandatin e këtyre institucioneve gjyqësore të Kosovës.

Profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, duke folur për Radio Evropa e Lirë, thotë se ingerenca, kompetencat dhe juridiksioni i Gjykatës Speciale, në krahasim me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë është i njëjtë. Por, ka dallime vetëm forma e themelimit, qëe përcakton edhe me cilat ligje do të veprojë kjo gjykatë.

“Dallimi esencial, krucial, vendimtar, është se kjo gjykatë është themeluar nga Kuvendi i Kosovës me ligjin e Kosovës. Ky është dallimi i parë në krahasim me Tribunalin e mëhershëm. Kjo gjykatë do të gjykojë sipas ligjit të aprovuar dhe ligjeve penale që kanë qenë dhe që janë në fuqi në Kosovë. Përndryshe, të tjerat dallime janë se është e themeluar në Kosovë, por selinë e ka në Hagë. Kurse, kompetencat dhe juridiksioni është i njëjtë sikurse i asaj gjykatës së mëhershme të Tribunalit të Hagës”, shpjegon Salihu.

Ai thotë se edhe dënimet eventuale do të shqiptohen sipas ligjeve që kanë qenë në fuqi në kohën e kryerjes së krimeve eventuale.

“Sipas atyre ligjeve, me një kusht, nëse janë më të buta këto ligjet tona ose më të favorshme do të gjykohen sipas ligjeve të Kosovës, por nuk janë më të buta. Janë njësoj bile ato të mëparshme kanë qenë më të buta se sa tash”, konsideron Salihu.

*Video nga arkivi: Faktografi e krimeve të luftës në Kosovë

Kurse, profesori i Çështjeve Kushtetuese – Juridike, Riza Smaka, konsideron se dallimet midis këtyre dy gjykatave asaj Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe kësaj që e kanë themeluar institucionet e Kosovës, janë të mëdha dhe të papërputhshme e të papara.

Sipas tij, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, i ka trajtuar të gjitha rastet e dyshuara për gjithë territorin e ish-Jugosllavisë, kurse Dhomat e Specializuara të tashme, do të trajtojnë kryesisht vetëm rastet e supozuara të krimeve të luftës të kryera në Kosovë.

“Te rasti ynë, te këto kolegjet gjyqësore dhe Prokuroria, është se këtu i referohet territorit të Kosovës, ama është një klauzolë, e cila nuk përkon as me parimet fondamentale të së Drejtës Penale Ndërkombëtare e as me doktrinën, judikaturën, do të thotë me aktet ligjore në fuqi. Këtu një ligj që është akt juridik i përgjithshme u është referuar vetëm pjesëtarëve shqiptarë të Kosovës, por jo edhe të tjerëve, për shembull të serbëve e të tjerë që është rast i paparë”, vlerëson Smaka.

Profesori Smaka nuk e sheh fare si pozitive që një gjykatë e tillë zbatohet vetëm për një territor të caktuar.

“Është joparimore dhe ka kolizione me doktrinën juridike penale sa i takon kësaj gjykatës penale që i referohet trajtimit të rasteve të përmendura”, thotë Smaka.

Ai thekson se Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar, janë vonuar për të hyrë në funksionim e tyre.

“Çdo vonesë mund të ketë implikim te parashkrimet e mundshme si për ngritjen edhe posedimin e çështjeve juridike penale të rasteve konkrete”, shton ai.

*Video nga arkivi: Sa persona janë vrarë në luftën e Kosovës?

Ndërkaq, ish-kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Rexhep Haxhimusa, konsideron se nuk ka dallime të mëdha ndërmjet Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Dhomave të Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar.

“Unë nuk e di sa ka dallime aty. Proceduara nëse duhet të zhvillohet me legjislacionin e Kosovës, ai është i njëjtë. I gjithë legjislacioni që është ndërtuar [në Kosovë] është ndërtuar sipas normave ndërkombëtare dhe ato raste kanë mundur të trajtohen edhe këtu. Por, po shkojnë atje, tash ku është kompetenca ku është zhvilluar ngjarja. Ata i kanë marrë ato rastet e veçanta më herët, por i kanë pasur edhe normat që i kanë nxjerrë”, thotë Haxhimusa.

Ndryshimet ndërmjet Gjykatës Speciale dhe asaj të Tribunalit Ndërkombëtar për Krime në Territorin e ish-Jugosllavinë, kanë të bëjnë edhe me strukturën. Gjykata për ish-Jugosllavinë ka qenë me tri dhoma, Gjykatën, Apelin dhe Organin e Akuzës.

Gjykata e Kosovës ka dy institucione, Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar.

Dhomat janë pjesë e sistemit kosovar të drejtësisë dhe i bashkëngjiten Gjykatës Themelore, Gjykatës së Apelit, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Në to punojnë gjykatës të emëruar nga EULEX-i.

Gjykata Speciale, pritet të trajtojë raste të dyshuara të krimeve të luftës, si dhe ato të fazës së parë të pasluftës.

Themelimi i kësaj Gjykate nga ekspertët e çështjeve penale – juridike është konsideruar si dështim jo vetëm i organeve vendore, por edhe autoriteteve ndërkombëtare që për këta 18 vjetët e fundit kanë punuar në fushën e sistemi të drejtësisë në Kosovë.

Aktualisht, Zyra e Prokurorit Special u ka dërguar ftesat e para për intervista disa personave, kryesisht ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, në këto ftesa nuk është sqaruar se në çfarë cilësie janë ftuar ata për intervistim.

Edi Rama : “Ju do i pini lëngun kërkesave, pasi në universitet jeni njerëz që s’ju llogarit njeri”.

Kryeministri Edi Rama ishte përballë studentëve në emisionin Top Show, në një diskutim të “nxehtë” me ta për 8 kërkesat e shtruara.

Në debat e sipër kreu i qeverisë teksa i përgjigjej pyetjeve të disa prej studentëve që e pyetën tha: “Ju do i pini lëngun kërkesave, pasi në universitet jeni njerëz që s’ju llogarit njeri”.



Je i gatshëm për plotësimin e pikave?- pyeti një studente.

Ndërkohë kryeministri tha se “jam i gatshëm dhe për më shumë se kaq. Ju jeni sot në protestë, kalojën tre ditë dhe do ikni, e pastaj do vazhdojnë ata që djegin goma. Prandaj dua që ju të vazhdoni, por jo ato 3 strukturat e tjera.

Tavani i pagesës e dini pse është vënë? Sepse kur u vendosën çmimet nga rektorët e dekanët, qeveria i tha jo, e keni shumë lart,” tha Rama

Vera e re në fuçinë e vjetër

Ç’po sjell protesta e studentëve, nuk rrezikohen vetëm ministrat, anija është duke u mbytur






Nga Roland Qafoku



Kur mendohej se kësaj rinie i ishte mpirë truri; Kur mendohej se kësaj rinie i shkonte më mirë blerja e biletës për në Rinas se sa përballja me realitetin; Kur mendohej se kësaj rinie i ishte mbushur mendja top se vetmja bibliotekë ishte kafeneja e lagjes; Kur mendohej se për këto arsye shpresa në këtë vend kishte vdekur, ndodhi ajo që s’pritej: Tashmë studentët nuk janë thjeshtë në një protestë për t’i hequr pagesën e lëndëve të mbartura. Protesta ka marrë pamjen e një uragani për të cilin askush nuk di dhe nuk mund të japë kohëzgjatjen, goditjen që do marrë qeveria, por edhe ndryshimet që pritet të sjellë në jetën politike dhe sociale. Nga kjo lëvizje, më e madhja që pas vitit 1997, dalin disa konkluzione që së pari tregojnë situatën që është duke kaluar Shqipëria dhe së dyti, se ky është një reagim masiv popullor ku studentët shërbejnë si pikënisje. Kjo u tregua edhe kur studentët nuk lejuan që protesta të politizohej teksa përzunë një pedagog që sipas tyre ishte pjesë e forumeve të Partisë Socialiste.


SITUATA NË VEND, MË KEQ SE KUR ISHTE KEQ


A ju kujtohet se si nisi revolucioni i dhjetorit 1990? Në qytetin Studenti ikën dritat dhe studentët dolën në rrugë. Kërkuan drita, por vetëm 24 orë më pas kërkuan rrëzimin e komunizmit. A ju kujtohet se si nisi reagimi popullor në 1997? Vetëm 200 kreditorë në sheshin e Flamurit në Vlorë kërkuan kthimin e parave, por vetëm 2 javë më pas një masë e madhe njerëzish kërkuan rënien e qeverisë dhe shteti u rrëzua si të ishte një pirg rëre. Mjaftojnë këta shembuj për të treguar se protesta e studentëve nuk është vetëm për rritjen e tarifës për lëndët e mbetura. Nuk është as për reformën në arsimin e lartë. Është një reagim qytetar që i kapërcen protestën e “mbetësve”. Është një reagim masiv ndaj situatës së rëndë që ndodhet vendi. Pamundësia ekonomike ka prekur një masë të madhe të popullsisë, 330 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria në 7 vitet e fundit sipas INSTAT, rrjedhimisht kemi një rini studentore që ka kuptuar dhe ndjerë qartë situatën e jetesës së prindërve dhe të vetes së tyre. Është një zhgënjim nga ajo pritshmëri e madhe në 2013 kur të majtët morën pushtetin dhe me vete nuk kishin thjesht 1 milion vota, por një shpresë që nuk ishte parë në asnjë moment tjetër në këto 28 vjet në Shqipëri.


ARROGANCA QEVERITARE DHE TURKU NË MENDJE


Kryeministri Edi Rama ishte i kthjellët ende në 8 gusht 2015 kur në një letër të gjatë u drejtohej ministrave të vetë se me arrogancën që tregonin kishin turkun në vete. Tashmë që kanë kaluar 4 vjet e 3 muaj qeverisje natyrisht që ministrat e tij nuk janë shndërruar nga turq në amerikanë, anglezë apo gjermanë. Arroganca është shtuar. Ajo është vertikale dhe është shpërndarë masivisht. Nis natyrisht që nga vetë kryeministri, te ministrat, te drejtorët e mëdhenj e të vegjël, te kryebashkiakët e mëdhenj dhe të vegjël që imitojnë shefin e tyre, e deri te roja i godinës së kryeministrisë. Këtë e kanë kuptuar dhe ndjerë edhe studentët. E kanë ndjerë në fakultete, në punët e prindërve, në institucionet e shërbimit dhe kanë kuptuar se shumica e zyrtarëve nuk funksionojnë sikur aty janë të përkohshëm, por për ta jo vetëm detyra që kanë, por edhe vetë jeta e tyre është e përhershme. E pavarësisht kthjelltësisë së Ramës në 2015 dhe zbulimit të arrogancës te të tijtë, kjo cilësi jo vetëm nuk u zhduk, por u shtua. Askush nuk u ndëshkua prej ministrave apo drejtorëve arrogantë. Dhe ata nuk mund të ndëshkohen më. Aktualisht është vonë për Ramën t’i largojë. Tashmë nuk rrezikohen ministrat, por e gjithë anija. “Jeni prekur nga arroganca me njëri-tjetrin dhe me njerëzit…, ose mbyteni turkun brenda jush, ose përgatituni për të lënë anijen”, – u shpreh Rama më 8 gusht. E derisa nuk i largoi nga anija, tani vetë anija është duke u mbytur.


PD SI ZJARRFIKËSE


Studentët thonë se protesta është zonë e ndaluar për politikanët. Ironia shkon në ekstrem kur më shumë se impenjimi dhe mbështetja e PD në këtë protestë një pjesë e njerëzve pyesin: A do ta shuajë edhe këtë protestë Partia Demokratike siç bëri me protestën e Kukësit? Pyetja me frikë dha një lloj përgjigje të shtunën kur në përvjetorin e 27-të të lëvizjes së 8 dhjetorit 1990, kryetari Lulzim Basha nuk arriti të mbledhë më shumë se 200 mbështetës në qytetin “Studenti”. E pra, një nga arsyet e uraganit studentor është edhe opozita. Studentët kanë kuptuar qartë se qeveria është problemi dhe PD nuk është zgjidhja. Vetëm ish-kryetari historik i PD, Sali Berisha, tha se protesta e banorëve të Kukësit në fillim të këtij vitit e gjeti Partinë Demokratike të papërgatitur. E pra kur një forcë opozitare gjendet e papërgatitur do të thotë që ajo forcë ka shumë probleme. Se si një opozitë është e papërgatitur, këtë vetëm kryetari i saj Basha mund t’i japë përgjigje. Kur nuk mbështet fort ata që protestojnë. Kur largon nga partia potencialet e saj, kur bën selektime me gazetarë dhe media të veçanta dhe më e rëndësishmja kur nuk krijon besim, masa e njerëzve kanë të drejtë të pyesin: A do ta shuajë edhe këtë protestë Partia Demokratike?


POLITIKË JASHTË REALITETIT


Çudia është se kjo ndodh në të dy kampet, si në qeveri por edhe në opozitë. Nëse marrim në shqyrtim vetëm dy politikane deputete që partitë respektive PD dhe PS i mbajnë si ikonat e vlerësimit të tyre kuptohet qartë se partitë kanë humbur lidhjen me realitetin. Çlidhje ka me realitetin që ndodh në Shqipëri Grida Duma e PD-së dhe Blerina Gjylameti e PS-së? Nuk besojmë se ka ndonjë naiv që beson se Grida Dumës i qan zemra për jetën e vështirë që po kalojnë këto ditë banorët e Unazës së madhe dhe se dalja e tyre në rrugë është përjetim i madh i saj. Nuk besojmë se ka ndonjë naiv që beson se Grida Dumën nuk e zë gjumi për tarifat e larta të studentëve. Dhe nuk besojmë që ka ndonjë naiv që beson që Grida Duma mezi pret të jetë në pushtet që të ndryshojë gjendjen e Shqipërisë.


E dyta Blerina Gjylameti, kryetare e degës së Tiranës në PS, deputete në këtë zonë që nuk ka shkuar një herë të vetme aty. Zhaneta Haxhia, një studente, banore e kësaj zone, i kërkoi publikisht Gjylametit të shkonte të takonte banorët. Por ajo jo vetëm nuk ka shkuar atje edhe pas ditës së 20-të, por nuk ka bërë përpjekjen më të vogël as për të kontaktuar qoftë edhe një banor të vetëm. Sot kjo studente është pjesëmarrëse në të dyja protestat, edhe atë të unazës së re si banore që preket direkt dhe si pjesë e protestës së studentëve.


E pra, Duma dhe Gjylameti, janë simbolikat se si një politikan nuk jeton me realitetin, nuk ka lidhje me të, jeton një kohë tjetër dhe nuk e percepton punën në politikë si shërbim duke qenë atje. Por ndërsa e para duke reklamuar veshjet e shtrenjta dhe e dyta me statusin e një gruaje të mirë nuk kanë lidhje me këtë punë.


E pra, zoti Rama dhe zoti Basha nuk bëhet politikë me personazhe jashtë realitetit. Për të mos shtuar këtu sidomos ata ta mazhorancës që të qenit jashtë realitetit e tregojnë hapur ditën e seancës së Parlamentit.


Zoti kryeministër, ju mjafton të shikoni setin e fotografive të fotografit të Kuvendit, Agim Rama për të parë se si deputetkat e tua bëjnë paradë mode, bëjnë garë deri ku mund të shkojë stili aristokrat shqiptar dhe si kopjojnë deri mbretëreshën e Mbretërisë së Bashkua me kapele në kokë, por që në vlera intelektuale konkurrojnë me personazhin Linda Morina.


Të enjten më shumë kemi një garë veshjesh, garë look-u e jo garë diskutimesh, idesh e ballafaqimesh. Më shumë bëjnë paradë mode se sa mendojnë se çfarë diskutojnë. Më shumë mendojnë se ç’model flokësh do mbajnë këtë herë se çfarë replike do bëjnë. Epo kjo mënyrë ngjall irritim te publiku. Aq më tepër te studentët që krahasojnë gratë e parlamentit me mamatë e tyre që jo vetëm nuk mund të kenë në trup veshje Armani, Gucci, Versace, por nuk arrijnë të sigurojnë paratë që fëmijët e tyre të ndjekin studimet.


PËRPJEKJA E POLITIKËS PËR ZGJIDHJE POLITIKE


Duket qartë që kryeministri Edi Rama më të lehtë e ka ta zgjidhë politikisht këtë protestë se sa në një ballafaqim me studentët. Mjeshtëria e tij dhe përvoja bëjnë që mezi pret që në lojë të futet opozita sepse me atë e ka më të lehtë. Nëse vihet re ligjërimi politik i Ramës, por edhe analizat komente e mbështetësve të tij në mend vihet re një impenjim që protesta të kanalizohet si politike. Nëse kjo do të ndodhte, këtu Rama do të ndodhej në habitatin e vet. Zgjidhja spektakolare që ai i dha protestës së çadrës në pranverën e vitit të shkuar është akoma në mendjen e shqiptarëve. Prandaj çdo zgjidhje politike me dy palë, qeverinë dhe opozitën, do të sjellë fitoren e Ramës. Në të kundërt qeveria do të vihet seriozisht në vështirësi. Për këtë arsye politizimi i protestës shikohet nga njëra anë manovër e forcave politike dhe nga ana tjetër, një kundërshtim i hapur nga ana e studentëve.



*****



Roland Qafoku ka lindur më 7 gusht 1968. Ai është drejtues i emisionit politiko shoqëror "Debati në Channel One" në televizionin "Channel One" që nga 17 janari i vitit 2013. Ai është diplomuar në shkollën e lartë ushtarake në Tiranë si dhe për gjuhë dhe letërsi shqipe në universitetin e Tiranës. Pas një karriere në gazetën Koha Jonë nga reporter deri në zëvendëskryeredaktor, Roland Qafoku ka drejtuar gazetën më të madhe në Shqipëri Panorama dhe ka qenë bashkëthemelues dhe drejtues i gazetës Tirana Observer. Roland Qafoku si dhe ka qenë drejtor i Informacionit në televizionin gjeneralist Koha si dhe drejtor informacioni në televizionin informativ Ora Neës. Që nga viti 2011 Roland Qafoku drejton emisionin politik. Është pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit që nga viti 2008.

Karriera në mediat e shkruara

Gazeta Koha Jonë, reporter i kronikës së zezë, redaktor, zëvendëskryeredaktor 1997-2003.

Televizioni Koha, Drejtor i Informacionit, 2001.

Gazeta Panorama, kryeredaktor drejtues 2003-2005.

Gazeta Tirana Observer, kryeredaktor drejtues 2005-2009.

Karriera në median elektronike

Televizioni Ora Neës, Drejtor i Informacioni 2009-2011. Drejtues i emisionit Intervista e edicionit të orës 20.00, drejtues i emisonit Periskop.

Televizioni Planet, drejtues i emisionit Intervista nga Roland Qafoku dhe drejtues i emisionit Arena, 2011-2012.

Televizioni Channel One, drejtues i emisionit Debati në Channel one, 2013 e në vazhdim.

Debati në Channel One

Është një emision politiko-shoqëror, i ideuar, i përgatitur dhe që drejtohet nga gazetari Roland Qafoku. I startuar më 17 janar të vitit 2013 ky emision ruan një pjesë të rëndësishme në tortën e emisioneve politike të këtij lloji në Shqipëri. Ai është emisioni qendror politik dhe më i rëndësishmi në televizionin gjeneralist “Channel One” dhe ruan në mënyrë të qëndrueshme konkurueshmërinë me emisionet analoge.

 Emisioni në fjalë ka karakter politiko-shoqëror dhe rrek temat e ditës më të rëndësishme dhe më të debatuara në vend por edhe të zhvillimeve në rajon dhe botë. Një emision që gjithnjë ka synuar të krijojë veçanti si në temat e zgjedhura dhe në personazhet e ftuar duke mos pasur pjesë të emisionit persona që shkojnë në ekrane të tjerë. 

Politikanët më të rëndësishëm në vend kanë qenë dhe do të jenë pjesë e këtij emisioni duke pasur një shikueshmëri gjithnjë në rritje. Specifika e emisionit është së pari debati në studio mes personazheve të ftuar në stilin hard talk dhe insertet e veçanta në rubrikën e përhershme “50 fakte dhe foto”.

 I ftuari dhe tema kalojnë në insert me të gjitha të dhënat që përbëjnë historinë e tij dhe të temës që trajtohet. Përveç politikanëve dhe analistëve, në emision ftohen edhe historianë, personazhe të historisë si dhe personalitete të rralla që kanë impakt te teleshikuesit.

Botime: 

1. Libri "Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë, nga Ismail Qemali te Edi Rama", 2015, shtëpia botuese "Onufri", Tiranë 2015.

2. Libri "100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017", shtëpia botuese "West Print", Tiranw 2017.

Vlerësime

16 dhjetor 2014, vlerësuar me çmim special për dokumentarin “Shqiptarët e Luftës së Dytë Botërore” të transmetuar si pjesë e emisionit “DEBATI NË CHANNEL ONE”, dhënë nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë.

15 nëntor 2013, dokumentari “Ismail Qemali që nuk kemi njohur”, me autor Roland Qafoku, nominohet për çmimin “Dokumentari më i mirë në 100 vjetorin e pavarësisë” nga Akademia “Kult”.
nëntor 2012. 

Në 100 vjetorin e Pavarësisë, vlerësim nga media e shkruar për dokumentarin tim "Ismail Qemali qe nuk kemi njohur".

Qershor 2009, (si drejtor i Informacionit ne ORA NEWS) Bordi i Monitorimit te Medias vlereson ORA NEWS TV si nje nga televizionet më të balancuara gjate pasqyrimit te fushates elektorale te partive ne zgjedhjet parlamnetare.

Maj 2011, (Si drejtor i infomacionit ne ORA NEWS). Bordi i Monitorimit te Medias i ngritur nga KQZ, vlereson RTV ORA NEËS si televizionin më të balancuar, i cili i dha partive politike kohën e përcaktuar me ligj.

2007, Vlerësuar me çmim special për essenë më të mirë të botuar në gazetë në konkursin e organizuar për rolin e gruas në shoqërinë shqiptare. Çmimi u dha për essenë me titull “E imja Shota”, të botuar në gazetën “Tirana Observer”.)

Sa për kujtesë lëvizjes studentore


Rezultate imazhesh për eshref ymeri

Akademik Prof.dr. Eshref Ymeri,Ph.D



E kam ndjekur dhe po vazhdoj ta ndjekë me shumë kujdes lëvizjen studentore, e cila, në pamje të parë, nisur nga pjesëmarrja e madhe e studentëve në të, të kujton ngjarjet e dhjetorit të vitit 1990. Mes thirrjeve të studentëve, më bëri përshtypje të veçantë pikërisht ajo e dhjetorit të asaj kohe të stuhishme:
“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”
       Si njëri nga përfaqësuesit e mirënjohur të diasporës shqiptare në Kanada, zotëria Ajet Nuro shprehte me shumë të drejtë shqetësimin e vet intelektual për gjendjen e demokracisë në Shqipëri gjatë atyre 25 vjetëve. Është e vërtetë se në Shqipëri qenë bërë shumë ndryshime, por megjithatë ne ishim ende shumë larg standardeve demokratike në ndërtimin dhe në funksionimin e shtetit ligjor. 
Ndaj analizës së zotërisë Ajet Nuro unë reagova asokohe në internet me një artikull me titull “Kush ta bëjë demokratizimin e dytë?”, të botuar po në portalin në fjalë dhe në  disa portale të tjera më datën 12 tetor 2015. Ndër të tjera, theksoja:
       Mirë do të ishte vërtet që të kishim një valë të dytë demokratizimi. Por problemi është se kush duhet ta ngrejë një valë të tillë. Normalisht, në rastet e nxjerrjes së çdo vendi nga amullia politike, rolin kryesor e merr dhe duhet ta marrë përsipër inteligjencia, sidomos inteligjencia dhe rinia universitare. Në vendin tonë inteligjencia dhe rinia universitare vazhdojnë të bëjnë një gjumë të rëndë letargjik, duke i lejuar klanet politike të tallen me fatet e popullit si t’ua dojë mideja”.
       Studentët e lëvizjes së dhjetorit të vitit 1990, tani janë në një moshëtë tillë që po u afrohet të pesëdhjetave. Çuditërisht, pas asaj lëvizjeje studentore të atij viti të largët kur u bë ndërrimi i sistemit komunist me një sistem neokomunist, kur pushtetin e morën në dorë neokomunistë apo trashëgimtarë të veteranëve të komunizmit, brezat pasardhës të rinisë universitare ranë në një letargji të paimagjinueshme. Gjatë këtyre 28 vjetëve, në vendin tonë klanet politike që e kanë ndërruar pushtetin sipas radhës, kanë bërë prapësira shumë të rënda në dëm të interesave tona kombëtare dhe për varfërimin e pandalshëm të pjesës dërrmuese të popullit shqiptar. Por ndonjë lëvizje studentore nuk është ndier absolutisht për e gjallë, pa folur për inteligjencien universitare, e cila ka qenë përherë një servile shembullore e klaneve politike në pushtet dhe as që e ka çarë kokën fare për varfërimin e pandalshëm të shtresave të gjëra të popullsisë qëiështë imponuar gjatë gjithë kësaj periudhe nga klanet në fjalë. Madje pranohet haptas se pedagogë të universiteteve publike notojnë në batakun e korrupsionit. Ky është një turp kaq i rëndë, saqë nuk e ngre as dheu as qielli Në një material, të bërë publik para do kohësh, thuhet:
“Studentët në universitetet publike pranojnë se korrupsioni është një plagë e përhapur mes stafit akademik ku ata studiojnë, ndërsa janë të shqetësuar se ky fenomen sjell mungesë merite dhe i dekurajon ata nga studimet” (Citohet sipas:Studimi: Studentët “nën presion” nga korrupsioni në universitete”. Faqja e internetit“Reporter.al”. 10 janar 2018).
        Unë i përkas brezit të pedagogëve veteranë të universitetit, të cilët nuk mund ta imagjinojnë dot absolutisht se si është e mundur që të ketë sot pedagogë të tillë të degjeneruar deri në atë shkallë, saqë të marrin para nga studentët!!!
       Rinia studentore e universiteteve publike, e cila tani është hedhur në një lëvizje mbresëlënëse në mbrojtje të të drejtave të veta, gjatë këtyre 28 vjetëve ka pasur shumë raste për t’u ngritur në protesta të fuqishme kundër qeverisjes së vendit, e cila, sidomos gjatë këtyre më shumë se pesë vjetëve të fundit, e ka katandisur varfërimin e popullit shqiptar deri në atë shkallë, saqë një numër i konsiderueshëm njerëzish të të gjitha moshave, që llogariten në mijëra e mijëra, janë detyruar të braktisin vendin dhe të marrin rrugët e Evropës.
       Rinia studentore ka heshtur kur Tirana zyrtare i ka bërë lëshime pas lëshimesh shtetit grek, lëshime këto që bien era tradhti kombëtare dhe e kanë ulur autoritetin e vendit tonë deri në nivele të pabesueshme.
       Rinia studentore ka heshtur kur Tirana zyrtare iu nënshtrua shtetit grek në një mënyrë poshtëruese dhe lejoi që kisha ortodokse fanoliane të pushtohet nga një kryepeshkop grek. Kjo është fyerja më e rëndë që u është bërë personaliteteve të shquara të ortodoksisë shqiptare, duke filluar nga papa Kristo Negovani, Naum Veqil Harxhi, Koto Hoxhi, Anastas Kullurioti, Petro Nini Luarasi, Atë Stath Melani, etj., të cilët na i vrau helmi, thika dhe pushka e kishës shoviniste greke.
       Rinia studentore ka heshtur kur Tirana zyrtare lejoi që Janullatosi të shndërrohej në Shqipëri në një guvernator faktik të kishës shoviniste greke dhe të shtetit shovinist grek, duke urdhëruar që të bëheshin zhvarrime të eshtrave të shqiptarëve të vdekur në varrezën e fshatit Kosinë të Përmetit, me qëllim që eshtrat e tyre t’i reklamonte si eshtra ushtarësh grekë, të vrarë gjatë luftës italo-greke.
       Rinia studentore ka heshtur kur Tirana zyrtare kreu një akt tradhtie të lartë në kohën që e lejoi kishën shoviniste greke dhe shtetin shovinist grek të ngrejë në Shqipërinë e Jugut varreza, memoriale, dhe përmendore në nderim të ushtarëve agresorë grekë, të cilët patën hyrë në territorin shqiptar si pushtues dhe shumë objekte kulti na i patën shndërruar në stalla kuajsh.
       Rinia studentore ka heshtur kur Janullatosi, në rolin e guvernatorit grek në vendin tonë, pati pushtuar Shtëpinë e Kulturës “Naim Frashëri” në Përmet dhe Tirana zyrtare zvarritej para tij, pa guxuar të zbatonte vendimin e të trija shkallëve të gjyqësorit për kthimin e saj qytetarëve të Përmetit.
Rinia studentore ka heshtur kur Janullatosi, për çdo problem që i lindte në Shqipëri, siç ishte rasti i zhvarrimeve në Përmet apo i prishjes së kishë-gërmadhës në Dhërmi, nisej urgjent për në Athinë për t’u konsultuar me kryeministrat grekë, duke injoruar tërësisht kryeministrat shqiptarë.
Rinia studentore ka heshtur kur Presidenti Ilir Meta i dha shtetësinë shqiptare Janullatosit me një dekret të posaçëm të datës 24 janar 2017, pikërisht në atë datë kur 100 vjet më parë, më 24 janar 1917, kisha shoviniste greke na masakroi një figurë të shquar të ortodoksisë shqiptare dhe të nacionalizmit shqiptar, Atë Stath Melanin. Ky dekret ishte një fyerje e rëndë jo vetëm  për këtë atdhetar të madh, por edhe për të gjithë martirët e lartpërmendur të ortodoksisë shqiptare, për Fan Nolin, si themeluesin e pavarësisë së kishës sonë ortodokse, dhe kryepeshkopët Visarion Xhuvani dhe Kristofor Kisi, të persekutuar nga terrori komunist i kriminelit Enver Hoxha.
Rinia studentore ka heshtur për qëndrimin antikombëtar të Tiranës zyrtare ndaj Çështjes Kombëtare të Çamërisë, duke iu nënshtruar tërësisht diktatit të shtetit grek, i cili ka deklaruar dhe vazhdon të deklarojë pambarimisht se Çështja Çame nuk ekziston!!!
       Rinia studentore ka heshtur, duke soditur me gjakftohtësi ardhjen nga Greqiatë më shumë se 150 arkivoleve me kufoma shqiptarësh të vrarë në territorin e saj.
       Rinia studentore ka heshtur kur rreth 1000 grekë organizuan skenat e Bularatit, duke valëvitur qindra e qindra flamuj të tyre, me të vetmin qëllim poshtërimin  publik të shtetit tonë, ndërkohë që Tirana zyrtare kishte rënë në bark para egërsisë shoviniste greke, çka dëshmonte më së miri se Shqipëria është katandisur në një vend pa zot.
       Rinia studentore ka heshtur kur Partia Socialiste, në kuadrin e premtimeve në fushatën zgjedhore të vitit 2013, pati hedhur në qarkullim një fletëpalosje me disa premtime, në njërin pret të cilëve thuhej se taksa e vlerës së shtuar për energjinë elektrike do të zbriste nga 20% në 06%. Por qeveria Rama mashtroi hapur fare, këtë premtim nuk e mbajti. E la po 20%. Madje qeveria Rama, më 01 shkurt të vitit 2015, taksën e energjisë elektrike e ngriti nga 7,5 lekë në 9,5 lekë për kw, duke hequr edhe tavanin prej 300 kw me një çmim më të reduktuar.
       Rinia studentore ka heshtur për shtrenjtimin e çmimit të karburantit, i cili është më i lartë se në vendet e rajonit rreth nesh dhe në vendet e tjera evropiane. Qeveria është bërë palë me oligarkët e tregtimit të karburantit, me qëllim që të vjelë shuma të majme parash nga qytetarët shqiptarë. Lëvizja studentore le të nxjerrë mësim nga protestat e fuqishme të qytetarëve francezë kundër ngritjes së çmimit të karburantit vetëm me disa centë.
       Rinia studentore e kryeqytetit ka heshtur kur kryebashkiaku Veliaj, me lloj-lloj marifetesh, e ngriti 40% çmimin e ujit për qytetin e Tiranës, duke përkeqësuar rëndë nivelin ekonomik të familjeve të varfëra tiranase dhe sidomos të pensionistëve.
       Jeta e rinisë studentore, për vetë natyrën e moshës së saj, është dhe duhet të jetë dinamike, në lëvizje të vazhdueshme.Albert Ajnshtajni (Albert Einstein - 1879-1955) thotë:
       “Jeta është si puna e biçikletës. Për të ruajtur drejtpeshimin, njeriu duhet të jetë në lëvizje të përhershme”.
Rinia studentore është shpresa më frymëzuese e një vendi në jetën e përditshme dhe në perspektivë. Ajo është e pastër si uji që gurgullon në burim. Ajo është e tanishmja dhe e ardhmja e vendit. Por, fatkeqësisht, brezat pasardhës të rinisë universitare, pas dhjetorit të vitit 1990, i pushtoi amullia kokë e këmbë. Rinia universitare ra në një qetësi të formatit letargjik, duke mos u interesuar absolutisht për pasojat e rënda të politikës antikombëtare që Tirana zyrtare ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë në marrëdhënhiet me fqinjët dhe sidomos me fqinjin jugor, në raport me  shumicën dërrmuese të qytetarëve të vendit, të cilët i ka çuar në zgrip të varfërisë. Në vend të jetës dinamike dhe të interesimit të drejtpërdrejtë për fatet e vendit, ajo zgjodhi qetësinë tërësore. Personaliteti i shquar francez Blez Paskal (Blaise Pascal - 1623-1662)u ka lënë bashkëkombasve të vet një aforizëm të shkëlqyer:
“Thelbin e natyrës njerëzore e përbën lëvizja. Qetësia e plotë paralajmëron vdekjen”.
Një aforizëm po kaq të shkëlqyer, me të njëjtën përmbajtje, ka lënë një shekull më pas edhe Volteri (François Marie ArouetVoltaire - 1694-1778):
Njeriu është krijuar për të vepruar. Të mos veprosh dhe të mos ekzistosh është e njëjta gjë”.
Në lëvizjen e tanishme studentore janë dëgjuar thirrje, si kjo:
“Qeverisja dhe politika qëndrojnë më poshtë se populli”.
Një thirrje e tillë bëhet publike për shkak të qeverisjes skandaloze të klasës politike në pushtet, qeverisje kjo, e cila e ka katandisur rininë studentore në një derexhe të tillë, saqë ajo është detyruar të ngrihet në një lëvizje të fuqishme kundër saj. Por këtu lind një pyetje mjaft domethënëse:
Rinia studentore organizuaka protesta masive kundër qeverisjes së keqe të vendit vetëm atëherë kur asaj i preken interesat e veta ekonomike dhe kushtet e jetesës nëpër konvikte? Me sa duket, po, përderisa, siç u theksua më lart, gjatë këtyre 28 vjetëve rinia studentore ka heshtur plotësisht për prapësitë e qeverisjes së vendit. Pra, rinia studentore e ditëve tona udhëhiqet nga parimi:
“Të mos preket gardhi im, kurse matanë gardhit tim le të bëhet kiameti”.
Një qëndrim i tillë nxjerr në pah një dukuri tepër tragjike në historinë shumëshekullore të kombit shqiptar, duke filluar që nga pararendësit tanëpellazgoilir - përçarjen fatale. Pikërisht kjo përçarje fatale ka qenë arsyeja kryesore që Shqipëria, e populluar me popullin më të vjetër të kontinentit tonë, me popullsinë më të madhe të gadishullit tonë, të katandiset në njëterritor gati sa një “fushë tenisi”.
Lëvizjes së tanishme studentore nuk i pëlqen të ketë politikanë në radhët e veta. Por çudia në këtë mes qëndron në arsyen se studentët janë viktimë pikërisht e politikës. Prandaj e kam të vështirë ta kuptoj lëvizjen studentore, e cila nuk ka dëshirë të ketë të bëjë me politikën. Unë mendoj se pikërisht politika qeverisëse e partisë socialiste është fajtorja kryesore për gjendjen ku janë katandisur studentët e universiteteve publike. Kjo lëvizje jo vetëm që duhet të merret seriozisht me qeverisjen antikombëtare të partisë socialiste, por ajo duhet të ngulë këmbë për krijimin e një qeverie teknike, deri në zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Nëse lëvizja studentore e shikon veten jashtë kësaj kërkese, atëherë mua më lind dyshimi se kjo lëvizje është e organizuar nga vetë partia socialiste dhe personalisht nga kryeministri Rama, me qëllim largimin e vëmendjes së opinionit publik nga protestat e banorëve të unazës së re dhe çfaktorizimin përfundimtar të opozitës, prej së cilës atij nuk i bëhet vonë fare, sepse kryetarin e saj Lulzim Basha ai e ka rekrutuar për interesat e veta që në takimin e fshehtë prej pesë orësh që zhvilloi me të më 18 maj 2017 dhe që, pas atij takimi, të dy, nuk i thanë asgjë opinionit publik. Partinë Demokratike,si partia kryesore e opozitës, e çfaktorizoi i pari vetë Lulzim Basha, i cili, në Çadrën e famshme të pranverës së vitit 2017, bëri teatër për tre muaj rresht me simpatizantët e sajpër të ngritur aksionet e vetvetes dhe pastaj i preu në besë: në Çadër deklaronte se nuk shkojmë në zgjedhje me Ramën kryeministër, mandej, pas takimit të fshehtë me Ramën, u tërhoq si lepuri në ferrë, shtroi kurrizin dhe pranoi ta çonte në zgjedhje partinë, çka solli si pasojë një “zbaticë politike” të paimagjinueshme të elektoratit të saj, të shoqëruar me humbjen e më shumë se 200 mijë votave në zgjedhjet e 25 qershorit.
Unë, si një qytetar i thjeshtë i Republikës së Shqipërisë, si ish-pegagog i Universitetit të Tiranës dhe pensionist që prej 01 shtatorit të vitit 2003, i rekomandoj lëvizjes studentore të mos tërhiqet absolutisht nga kërkesat e veta: të kërkojë arsim publik falas, shkurtimin në maksimum të të gjitha trifave për studentët, krijimin e një qeverie teknike, sepse me Ramën kryeministër studentët përsëri kanë për të rënë pre e mashtrimit të zakonshëm të tij dhe shtimin në perspektivë të buxhetit të shtetit për arsimin deri në 20%. Për dijeninë e lëvizjes studentore, dëshiroj të theksoj se katër gjigantët e Azisë (Malajzia, Singapori, Tajvani dhe Koreja e Jugut) u bënë modele të zhvillimit ekonomik pikërisht në saje të buxhetit të lartë për arsimin, i cili arrinte në shifrën 40%.
Në mbyllje dëshiroj që lëvizja studentore të ketë parasysh dy gjëra të rëndësishme për ruajtjen e dinjitetit të vet.
Së pari:
“Studentët janë dhe duhet të jetë përherë shpuza e kombit dhe nuk duhet t’i lejojnë vetes të mbulohen nga hiri i politikës”.
Së dyti:
Studentët duhet të zotërojnë përherë artin e vetorganizimit dhe të mos pranojnë kurrë të bien pre e bajraktarëve të politikës”.
Lëvizja studentore duhet të jetë e vetëdijshme se protestat duhet të zhvillohen para Kryeministrisë, jo para ministrisë së arsimit. Kjo për arsye se ministrja Lindita Nikolla është thjesht një rrip transmisioni i kryeministrit Rama, i cili, që kur ka hipur në këtë post, është bërë vetë zot vetë shkop, se anëtarët e qeverisë i konsideron thjesht si gurë shahu në tryezë dhe vetë ka vendosur të bëjë shiun dhe diellin.
Pedagogët e universiteteve duhet që, krahas mësimdhënies, të përpiqen me të gjitha mundësitë që studentët t’i edukojnë me vetëdije të lartë kombëtare. Sepse pikërisht studentët me vetëdije të lartë kombëtare do të bëhen mbartës të saj deri në ndërgjegjen e mbarë popullit tonë.
Tiranë, 07 dhjetor 2018
-------------------------
                Reagime

---------- Forwarded message ---------
From: Vilhelme Haxhiraj <haxhirajvilhelme@gmail.com>
Date: Tue, Dec 11, 2018 at 8:06 AM
Subject: Re: Sa për kujtesë lëvizjes studentore
To: Eshref Ymeri
ymerieshref@gmail.com

Profesor, sot lexova shkrimin tuaj analitik dhe këshillimor Sa për kujtesë lëvizjes studentore”. Ju përgëzojmë si unë dhe Fitimi. Sa keq që nuk jeni Ju,  Zotëri i Nderuar, Kryetar i Akademisë së Shkencave në Shqipëri. Mbase do më bëhej ndonjë analizë  e njërit prej librave të mi që i kam punuar me aq kujdes dhe me dashuri. Por ajo punë e lodhshme do të trokasë në portë të shurdhët.
I bëni të fala Havasë!
Natën e mirë!
Vilhelme e Fitim
Vlorë, 11 dhjetor 2018

---------- Forwarded message ---------
From: Eshref Ymeri <ymerieshref@gmail.com>
Date: Wed, Dec 12, 2018 at 10:08 AM
Subject: Re: Sa për kujtesë lëvizjes studentore
To: Vilhelme Haxhiraj <haxhirajvilhelme@gmail.com>

E Nderuar dhe e Respektuar Zonjë,
    Ju keni të drejtë të ëndërroni, por, ju lutem, me ëndërrimet tuaja mos shkoni deri në cakun e të pamundurës. Sepse sikur të kisha qenë unë kryetar akedemie, ju do të ishit jo vetëm deputete, por, më e pakta, edhe Kryetare e Kuvendit. Kriminelët komunistë, me kryekriminelin Enver Hoxha në krye, ua varrosën ëndrrat atyre që prejardhjen e kanë nga familje të nderuara fisnike. Dhe, domosdo, të njëjtin qëndrim mbajnë ndaj tyre edhe neokomunistët, trashëgimtarët e bëmave të atij krimineli.
      Ju uroj shëndet dhe mbarësi familjare. 
      Eshrefi
      Tiranë, 12 dhjetor 2018



Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...