2018-12-15

Avokati Tomë Gashi: Disa politikanë morën premtime se s'do akuzoheshin




Avokati nga Kosova Tomë Gashi, pjesë e ekipeve të avokatëve mbrojtës për disa prej ish udhëheqësve, të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka deklaruar në emisionin "Ballkan Magazine" të gazetares Linda Karadaku se themelimi i Gjykatës Speciale të Kosovës u ngrit pasi ndërkombëtarët, SHBA dhe BE pretendojnë se Kosova nuk është një vend i sigurt për të marrë të tilla vendime. I pyetur nga gazetarja Karadaku se përse u arrit në krijimin e kësaj gjykate, Gashi tha se i gjithë problemi është i vullnetit politikë, të cilët raportin e Dick Maritit nuk e morën seriozisht. Jo vetëm kaq Gashi flet dhe për premtime të mundshme gojore që disa politikanë kosovarë kanë marrë prej të huajve se ata vetë nuk do të jenë të akuzuar. Gazetarja Linda Karadaku : Zoti Gashi, pse shkoi deri këtu, pse u arrit deri tek krijimi i një gjykatë të tillë speciale? Pse nuk u bë si pjesë e gjyqësorit të Kosovës që të hetoheshit, të shihej nëse kishte prova apo jo dhe të mbyllej kjo çështje nga vetë autoritetet e Kosovës? Tom Gashi, avokat nga Kosova : Problemi qëndron gjithnjë tek vullneti politik apo tek politikanët tanë të nivelit të lartë të cilët nuk e kanë kuptuar peshën e raportit të senatorit zviceran Dik Marti. Nuk është marrë në mënyrë serioze ai raportim, meqënëse aty ka pasur dhe deklarata për kinse transplantimin e organeve njerëzore, gjë që askush nuk i ka besuar për shumë arsye. Ideja ka qenë se nëse Carla del Ponte, në cilësinë e prokurores së Tribunalit të Hagës nuk ka mundur të vërtetëojë ato pretendime, sepse është hetuar nga hetuesit e Tribunalit të Hagës dhe në territorin e Shqipërisë, në territorin e famshëm të quajtur Shtëpia e Verdhë, dhe nuk është gjetur asgjë bindëse, dhe nuk është gjetur asgjë për të ngritur një akt-akuzë. Kjo është thënë në dokumentet zyrtare të Tribunalit të Hagës. Meqënëse Dick Marty është thirrur edhe në hetimet e Carla del Ponte, politikanët kosovarë kanë menduar se nuk ka fakte dhe e kanë injoruar tërësisht idenë e formimit të një dege të Gjykatave të Kosovës, që do të merret me krimet e luftës apo me pretendimet e Dick Marty, apo që të formohet një Gjykatë speciale sepse Kosovën askush nuk e ka ndalur, posaçërisht pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008 që formoi Gjykatën e specializuar që të merrej me pretendimet e krimeve të luftës e të gjitha palëve. Që do të thotë këtu kemi të vrarë rreth 15 mijë civilë. Më shumë se 90% të tyre janë shqiptarë. Dikush i ka vrarë ato dhe dihet që janë forcat okupuese, forcat ushtarake, paramilitare dhe policia serbe. Dhe atëherë kjo gjykatë do të ishte kompetente për të gjithë edhe për pjesëtarë të UÇK-së, mirëpo duket që ne nuk kemi një traditë shtetërore dhe kjo vjen me neglizhencë, deri sa faktori ndërkombëtar, BE dhe SHBA, duke e parë neglizhencën e insitucioneve të Kosovës duke pretenduar se ka dhe frikësim të dëshmitarëve duke pretenduar se Kosova nuk është vend i sigurtë për t'u mbajtur gjykime të atij niveli, kanë vendosur ta themelojnë një gjykatë të tillë që ka karakter ndërkombëtar dhe që selia do të jetë jashtë Kosove. Unë kam deklaruar në disa mediume që nuk ka qenë problemi i sigurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve por edhe i dëshmitarëve sepse ne kemi një kamp ushtarak amerikan tepër të madh dhe ku ka hapësira të mjaftueshme që nëse do duhej të formohej dhe në kuadër të atij kampi një ndërtesë e gjykatës së specializuar por do të ishte në territorin e Republikës së Kosovës. Askush nuk i ka marrë serioze këto deri vitin e kaluar kur faktikisht është votuar pro-formimit të kësaj gjykate dhe mendoj se një pjesë e politikanëve të cilët janë deklaruar haptas për formimin e kësaj gjykate ndoshta kanë marrë edhe premtime gojore prej të huajve se ata vetë nuk do të jenë të akuzuar dhe unë mendoj se nuk do të jetë ashtu edhe në rastin e serbëve të akuzuar për gjenocid, për rastin e Bosnjës, të Stebrenicës, udhëheqësi politik i tyre Karaxhixh është deklaruar se kinse SHBA i ka dhënë atij një imunitet për ndjekje penale, mirëpo gjykata ka deklaruar se ajo është e pamundur sepse askush nuk mund t'i japë imunitet dikujt për krimet e luftës dhe për gjenocid, por edhe sikur të kishte premtime gojore, gjykata nuk do t'i merrte parasysh. Është lëshim i politikës kosovare, që do ta dëmtonte Kosovën sepse do të ishte komplet ndryshe nëse bota e civilizuar do ta shihte se Kosova me vetë-iniciativë, pasi është bërë shtet i pavarur demokratik, që ka formuar një gjykatë në territorin e vet për hetimin e të gjitha krimeve qofshin serbe, qofshin shqiptare meqënëse ne e dimë kush ka qenë agresor. Sulmet e NATO-s kanë deklaruar se çfarë krimesh ka kryer Serbia në Kosovë por tani opinioni ndërkombëtar do t'i shohë të akuzuarit vetëm shqiptarët dhe kjo është shumë e dëmshme.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...