PËRSIATJE FILOZOFIKE NË NJE LIBËR TE VOGËL
Ismet Tahiraj: “Shenjtëresha Këmishëbardhë”, poezi, Prishtinë, 2018
Nga Tahir Bezhani
Në këtë rast, si rrallë te ndonjë poet tjetër, gjatë leximit të librit në fjalë, që në fillim hasim në fjalën Këmishëbardhë, imagjinuar si bashkudhëtare në pesëmbëdhjetë poezitë e këtij libri, ku trajtohen temat që dalin nga një shpirt i ndezur poeti me gjitha përplasjet e kohës së përjetuar. Një qasje poetike nga I-XV,poezitë, me te njëjtin titull, ku gërshetohet e trajtohet bukur tematika jetësore te përjetuar nga poeti, Ismet Tahiraj. Semantika e ndërtuar në këto vargje poetike, është një fuqi intelektuale, shumkuptimore e poetit me përvojë të pasur pune e jete,në këto hapësira tona...
Shkrimtari Ismet Tahiraj
Mbushja dhe zbrazja e katarsës poetike te poeti Isme Tahiraj,i ngjanë “kaskadave që shtrojnë vrullin e rrëmbyeshmërisë ndjesore”, kur shpirti kërkon lirim nga përplasjet e brendshme. Autori rrëmbehet nga tematikat e forta që krijojnë presion mbi intuitën e poetit. Dashuria e dhimbja janë shtylla kryesore të ndërtimit të vargut melankolik. Në poezinë “Këmishëbardha VII” lexojmë se sa rrjedhshëm e me pedanteri poetike shprehë dufin e tij, poeti:”Puth,puth/Se digjesh i etur/Tërë jetën/Dita e përcillte/Avullin e deteve/Drejt qiejve sovran”.
Një vend të veçantë e mjaft të spikatur në këtë libër zënë edhe redaktori-recensenti i këtij libri,zotëri Xheladin Çitaku,i cili me pedanterinë e tij,njohurinë që posedon për artin poetik,gjetjet shembullore të fjalëve adekuate për ta vlerësuar poezinë e autorin,me kanë lënë mbresa gjatë leximit të këtij vëllimi poetik. Përdorimi tepër racional i fjalëve,futja aty ku e do arsyeja dhe merita e poezive,janë të mirëpritura për lexuesit kohëve të fundit. Këto vlera redaktoriale,e bëjnë më atraktiv librin dhe vlerën e autorit.
Gjitha këto së bashku,librin “Shenjtëresha Këmishëbardhë”, me autorë Ismet Tahiraj,është edhe një botim i mirëseardhur për autorin dhe poezinë në tërësi,i cili libër, do jetë në raftet e bibliotekave shkollore e universitare.