2018-12-15

Shyqri Galica ndryshe ...



Rezultate imazhesh për shyqri galica

Shyqri Galica ka  lindur më 2 nëntor 1951, në Rashincë të Shtimes. Tetëvjeçaren e ka kryer në Muzeqinë, kurse shkollën e mesme, gjimnazin, në Ferizaj.

 Gjuhën dhe letërsinë shqipe e ka mbaruar më 1975, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku dhe ka kryer shkallën e tretë të studimeve. 

Më 1986 ka  magjistruar me temën “Poezia e Fatos Arapit”, kurse më 1997, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës ka mbrojtur tezën e doktoratës me titull “Faik Konica – eseist dhe kritik letrar”, të cilën e ka botuar po atë vit. 

Si student i vitit të tretë, më 1974, ka filluar të punoj si spiker (folës) në Radio Prishtinë, ndërsa nga viti 1978 derisa është mbyllur gazeta “Rilindja” e Prishtinës (2002) ka  punuar gazetar, redaktor e zëvendës kryeredaktor. 

Ndërkaq, në vitin akademik 1998- 1999 ka mbajtur lëndën fillet e gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, kurse më pas ka kaluar në Fakultetin e Arteve të UP-së.

 Në vitin 2000 është zgjedhur docent, më 2004 profesor i asocuar për lëndën histori e letërsisë, kurse më 2009 profesor i rregullt. 

Ka dhënë lëndët histori e letërsisë botërore, letërsi kombëtare I, II, letërsi I, II e III, si dhe dramatologji.

 Gjithashtu në Fakultetin e Edukimit të UP-së ka dhënë edhe shkrim akademik dhe kulturë gjuhe, si dhe lëndët bazat e gazetarisë dhe mediet dhe komunikimi publik. 

Në Universitetin Internacional të Prishtinës ka mbajtur lëndën shkrim akademik. 

Ka qenë shef i Katedrës së Dramaturgjisë të Fakultetit të Arteve të UP-së, kurse një mandat edhe anëtar i Senatit të UP-së. 

Aktualisht është kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. 

Ka botuar shkrime letrare – poezi e prozë, pastaj ka shkruar punime kritike për letërsinë e artin, ka publikuar artikuj studimorë, kumtesa e studime për letërsinë; ka  bërë biseda me personalitete të shkencës e të artit, ka  shkruar artikuj për kulturën, përkatësisht për librin, muzikën, radiotelevizionin, jetën teatrore e atë kulturore; për figurat historike dhe të kulturës kombëtare e të asaj botërore, si dhe shkrime për aspekte të ndryshme të shkencës, të letërsisë dhe të artit. 

Ka marrë pjesë me kumtesa në disa tubime letrare e shkencore në Kosovë dhe jashtë. 

Ka botuar këto vepra: 

1.Koha flet me brezni, poezi, 1979

2.Poezia e Fatos Arapit, studim monografik, 1990

 3.Amësia, tregime, 1991

4.Simbolika e sundimit, kritika dhe ese, 1995

 5.Konica – moderniteti, eseistika, kritika, studim monografik, 1997 

6.Mesazhi kritik, ese dhe kritika, 1999

7.Dashuria vdekërisht, roman, 2003

8.Identiteti artistik, kumtesa shkencore dhe vështrime kritike, 2005

9. Gazetarë dhe publicistë shqiptarë, fjalor enciklopedik (bashkautor), Tiranë, 2005

 10.Bota magjike e fëmijës, kritikë letrare, 2007

11.Mesazhi intelektual, studime, 2012 

Gjatë kësaj periudhe ka hartuar tridhjetë e gjashtë zëra nga fusha e letërsisë dhe e shtypit shqiptar për Fjalorin enciklopedik shqiptar (tri vëllime) të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë (tashmë ndodhet në qarkullim), si dhe rreth tridhjetë zëra për projektin e përbashkët Enciklopedia e artit shqiptar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Republikës së Kosovës.

 Në vëllimin Sovremenija albanistika: Dostizenija i perspektivi (që ishte konfirmuar nga prof. dr. Aleksandër Rusakov), është botuar studimi i tij  me titull Vetëdija kritike dhe eseistike e Konicës (Konica’s critical and esthetic awareness) (më 2012) në vëllimin e veçantë të punimeve të Institutit të Studimeve Gjuhësore të Akademisë së Shkencave të Rusisë.

 Gjithashtu ka paraqitur punime shkencore e letrare në tubime të ndryshme brenda e jashtë Republikës së Kosovës dhe ka botuar punime në revista e botime të ndryshme gjithashtu brenda e jashtë vendit. 

Disa punime të paraqitura në tubime të ndryshme shkencore e letrare brenda e jashtë vendit.

Është marrë konfirmimi nga prof. dr. Aleksandea Rusakov më 3.10. 2008 se studimi me titull Konica’s critical and esthetic awareness ka hyrë në planin e botimit për vitin 2009 (doli më 2012) në vëllimin e botimeve Sovremenija albanistika: Dostizenija i perspektivi të Institutit të Studimeve Gjuhësore të Akademisë së Shkencave të Rusisë. 

Shyqri Galica ka  paraqitur në tubime të ndryshme shkencore brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës, ndër të tjera, edhe këto punime: 

Konteksti historiko-dokumentar e artistik i romanit “Dashuria kuantike e filanit” të Adem Demaçit, paraqitur në Seminarin XXVIII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, në Prishtinë, më 17.08. 2009 deri 28.08.2009, në Seksionin shkencor të letërsisë me titull “Romani i sotëm shqiptar”.

 Për Fjalorin enciklopedik shqiptar, vëllimi 1, 2 e 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, ka hartuar 36 zëra për letërsinë dhe publicistikën shqiptare. 

Tridhjetë zëra për projektin e përbashkët Enciklopedia e artit shqiptar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Republikës së Kosovës, që është në proces të botimit.

 Konteksti evropian i poezisë së Fatos Arapit, kumtesë, Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë në Ohër, Universiteti Shtetëror i Tetovës, 26.09.2008. Botuar edhe në “Epokën e re”, Prishtinë, më 29 nëntor 2008.

 Kronika artistike e një kohe, vështrim kritik për vëllimin poetik “Kohë epileptike” të Sabile Keçmezit – Bashës (“Jeta e re”, Prishtinë, 1993), me rastin e përurimit të veprës së saj letrare, organizuar nga LSHK-ja, më 10. 10. 2008, Gjilan. 

Përjetësia, poezi, lexuar në manifestimin ndërkombëtar “Mbrëmjet poetike të Strugës”, më, 21-24 gusht 2008. 

Kosova dhe Agolli, kumtesë, sesioni shkencor i letërsisë “Kosova dhe letërsia shqipe”, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Universiteti i Prishtinës & Universiteti i Tiranës - Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë & Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Tiranë, 18-29.8.2008 (28. 8. 2008). Botuar në “Epokën e re”, Prishtinë, më 30 gusht 2008.

Tragjedia “Juda Makabe” e Gjergj Fishtës, kumtesë, paraqitur më 24 nëntor 2006, në sesionin shkencor “Gjergj Fishta, figurë madhore e letërsisë sonë”, Universiteti i Evropës Juglindore – Tetovë – Fakulteti Pedagogjik. 

Është botuar edhe me titullin “Juda Makabe” në kontekstin aktual” në gazetën “Pavarësia News”, Prishtinë, 30-31 dhjetor 2006 - 1-2 janar 2007. 

Ideali i lirisë dhe krijuesi, kumtesë, paraqitur në tryezën poetike “Ymer Elshani”, Drenas, më 17. 4. 2007, organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës. 

Letërsia dhe interpretimi, kumtesë, sesioni shkencor “Letërsia në shkolla dhe fakultete”, Instituti Albanologjik i Prishtinës, 14 dhjetor 2007. Botuar edhe në gazetën “Lajm”, Prishtinë, më 22 dhjetor 2007. 

Ikja si shpëtim (vështrim kritik për librin “Zhurma e kujtimeve” të Shpend Osmanit, “Era”, Prishtinë, 2006), mbajtur në tribunën e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë, 2006; botuar në gazetën “Epoka e re”, Prishtinë, 2 shtator 2006.

 Një shkrimtar i lënë në harresë, portreti letrar i shkrimtarit Ramadan Rexhepi, “Koha ditore”, Prishtinë, 4 mars 2006.

 Zëri modern poetik i Fatos Arapit, kumtesë, sesioni shkencor i letërsisë “Letërsia shqipe dhe moderniteti”, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Universiteti i Prishtinës & Universiteti i Tiranës – Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë & Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Tiranë, 2005; botuar në vëllimin “Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare”, Prishtinë, 2005, nr. 24/2, f. 289.

 Ndihma si preokupim i luftës për liri, paraqitur në përurimin e librit “Ndihma e madhe e jetës“ të dr. Emin Kabashit (“Çlirimi”, Prishtinë, 2005), organizuar nga LShK, më 7. 6. 2005, Prishtinë. 

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në poezinë e sotme shqipe, kumtesë, paraqitur në konferencën shkencore ndërkombëtare “Skënderbeu dhe Evropa”, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë – Instituti i Historisë, Tiranë (9-10 dhjetor 2005), botuar në vëllimin “Skënderbeu dhe Evropa” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë – Instituti i Historisë, Tiranë, 2006, f. 445.

Me titull Skënderbeu – krijues dhe frymëzues i historisë është botuar në “Epokën e re”, Prishtinë, më 22. 4. 2006.

 Jeta komplekse e një atdhetari, vështrim – në vend të parathënies, në librin “Dhembja krenare” të Azem Beqirit, LSHK, 2006. Botuar edhe në gazetën “Epoka e re”, Prishtinë, 9 dhjetor 2006.

 Sinteza e jetës sonë nëpër kohë, vështrim kritik për vëllimin poetik “Dhe vazhdoj...” të Ali M. Ahmetit, “Focus”, Prishtinë, 2006, botuar në gazetat “Focus”, Prishtinë, më 8 dhjetor 2006 dhe atë “Koha ditore”, Prishtinë, më 23 dhjetor 2006. 

Midis poetësh – ku artikulohet mesazhi artistik, kumtesë, Festivali Ndërkombëtar i Poezisë, Paris, tetor 2013 (është botuar edhe në gazetë). Përjetësia, poezi, Festivali Ndërkombëtar i Poezisë, Paris, tetor 2013. Vepra letrare e Adem Demaçit, kumtesë, në disa tubime në Austri (2012), Maqedoni (2012), Zvicër (2013), në Republikën e Shqipërisë (2013) dhe në Prishtinë (2013). 

Proza e shkurtër e Migjenit, kumtesë, Java e Albanologjisë – Instituti Albanologjik i Prishtinës (21-23.10.2013). Etj. 


*****

Prof. Dr. Shyqri Galica: Krimet monstruoze serbe kundër shqiptarëve në syrin e kamerës


Kohë më parë  ka dalë nga shtypi edhe një album fotografish me legjenda për krimet e bëra nga policia dhe ushtria serbe në Kosovë në periudhën e pushtimit serb dhe të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Autori i librit të parë për luftën e lavdishme të UÇK-së, Zeqir Bekolli, të cilin e publikoi në një kohë të tensionuar, në kohë lufte, me titull “Drenica në stinët e UÇK-së” (1998), që pa dyshim do të ndikonte në sensibilizimin e opinionit publik dhe të rritjes së radhëve të UÇK-së, duke sjellë të dhëna të pakontestueshme për heroizmin e Adem Jasharit dhe të familjes e të bashkëluftëtarëve të tij, që po sfidonin terrorin e barbarinë serbe si Mic Sokola modernë.



Qëndresa dhe sakrifica e jashtëzakonshme për lirinë e atdheut



Si publicist e krijues, Zeqir Bekolli do të shkruajë dhe dy monografi për dëshmorët tanë, Gani Helshani e Bejtë Rexhepi, pastaj dramën “Krismat e lirisë”, romanin “Fatet tragjike” dhe librin publicistik “Të pathënat për luftën e Kosovës”.

 Po të shikohen në ritmin e kohës, të rrethanave dhe të ngjarjeve të zhvilluara, këto vepra japin një kronologji të jetës sonë nën pushtim, të artikuluar nëpërmjet disa zhanreve historiko-dokumentare e letrare në kontekst të të gjitha përpjekjeve për lirinë e bashkimin e trojeve të këtij vendi. 

Mirëpo, me veprën më të re, albumin e dëshmive me fotografi, në shqip e anglisht, Dëshmi për krimin serb në Kosovë, Zeqir Bekolli ka arritur të paraqesë dhe një anë tjetër të realitetit tepër të hidhur të historisë sonë të re, qëndresën dhe sakrificën e jashtëzakonshme për lirinë e atdheut, duke filluar nga gjërat më elementare deri te larja e tokës shqiptare me gjakun e njomë të bijve dhe të bijave më të shtrenjta të atdheut. 

Pos një hyrjeje fare të shkurtër, i tërë albumi përbëhet nga fotografi, ku pjesa dërrmuese janë origjinale, janë bërë nga dora e autorit.

 Ndërkaq, legjendat japin sqarimet elementare, njoftime për vendin, personat dhe ngjarjet, të cilat e konkretizojnë mesazhin që del nga albumi, e bëjnë më funksional dhe më të qartë për receptuesin.

 Në këtë kontekst duhet kuptuar dhe lufta e fuqishme e UÇK-së, luftëtarët e së cilës po përballeshin me një ushtri e polici që nuk po zgjidhte asnjë mjet për ta nënshtruar e poshtëruar këtë popullatë.


Pasojat e luftës edhe sot ndihen shpirtërisht e fizikisht midis nesh

Albumi “Dëshmi për krimin serb në Kosovë” është realizuar në katër pjesë: “Mbijetesa”, “Masakrat”, “Rrënojat” dhe “Cremoni varrimi”. 

Të gjitha këto zhvillime barbare janë zënë me syrin e kamerës në kohën aktuale, që autori ka arritur t’i aktualizojë edhe pas kaq kohësh me përkushtimin dhe dashurinë për të paraqitur shumëçka, madje për herë të parë, sepse një pjesë e njerëzve tanë as kanë kaluar nëpër këto katrahura të Drenicës e as kanë dëgjuar deri në detaje.

 Por ky album edhe njëherë do t’ua bëjë të njohur njerëzve të botës që sot ngjarjet tragjike të Kosovës i trajtojnë si ngjarje ndoshta të rëndomta, pasojat e të cilave edhe sot ndihen shpirtërisht e fizikisht midis nesh.

 Kjo pasqyrë dinjitoze e sakrificave dhe e dashurisë për lirinë, të cilën vazhdimisht autori Zeqir Begolli e ka paraqitur nëpërmjet shkrimeve publicistike e dokumentare, pra, është dhe një fakt tjetër që flet për qëndresën, mundin dhe përkushtimin e popullit të Kosovës dhe të Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të saj.

Albumi me fotografi e legjenda përkatëse është dhe rrjedhë e punës së autorit për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë edhe aktualisht për të diskredituar akuzat që dalin nga qarqet serbe e të botës, por dhe një përkujtues për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhej populli i Kosovës. 

Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe bijtë e saj më të mirë na e sollën këtë ditë që të kujtojmë fitoret e lavdishme dhe të jetojmë të lirë.

Përgatiti: Flori Bruqi

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...