Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj tha sot se me synimin që jenë pjesë e paktit të NATO-së, Ushtria e Kosovës do të jetë aty përherë ku mbrohet jeta, dinjiteti dhe integriteti i njeriut.
Haradinaj në një postim në Facebook shkruan se edhe pak çaste na ndajnë nga votimi historik për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.
“Edhe pak çaste na ndajnë nga votimi historik për krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Sot, kur ne po vendosim në vend një të drejtë të natyrshme, zotohemi të shikojmë përpara në paqe, me të gjithë ata që jetojnë me ne, në shtëpinë tonë të përbashkët. Me synimin që të jemi pjesë e paktit të NATO-s, ushtria jonë do të jetë përherë aty ku mbrohet jeta, dinjiteti dhe integriteti i njeriut. Aty ku përkasim, përgjithmonë!”, shkruan Haradinaj.
Ndryshe, sot në ora 10:00 do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, ku deputetët do të votojnë projektligjet për transformimin e FSK-së në Ushtri.
Pak para votimit të Ushtrisë në Kuvend, ambasadori amerikan ka një mesazh
Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, përmes një mesazhi në Twitter ka thënë se derisa pritet të votohet për transformimin e FSK-së në Ushtri, duhet pasur parasysh edhe disa gjëra.
Në këtë drejtim, ai ka thënë se siguria e një vendi varet nga cilësia e marrëdhënieve të saj të sigurisë dhe marrëdhëniet paqësore, reciprokisht të dobishme me fqinjët e saj, po aq sa edhe forca dhe profesionalizmi i forcave të saj të armatosura.
“Derisa Kuvendi vepron sot, le të kujtojmë se siguria e një vendi varet nga cilësia e marrëdhënieve të saj të sigurisë dhe marrëdhëniet paqësore, reciprokisht të dobishme me fqinjët e saj, po aq sa edhe forca dhe profesionalizmi i forcave të saj të armatosura”, ka shkruar Kosnett në Twitter.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës sot në ora 10:00 do të mbajë seancë plenare ku do të votohen tri projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri, Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës si dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.