2018-12-09

Të jesh grua!




Nga Elisa Gjerani



Ka kohë që kalendari që rri varur në një prej mureve të dhomës sime, e ka ndjerë veten të tensionuar…

Ka disa muaj…që të konvertuara në shikime bëjnë shumë…

E kam shigjetuar qindra herë nga i njëjti shikim… zhbirues dhe pyetës njëkohësisht.

Më është dukur sikur ditët kanë kaluar me ritme më të ngadalta. Sikur shikimet e mia kërkuese për një ditë-datë të shënuar ta kishin dembelosur në thelb të gjithë mekanizmin kalendarik.

Dhe ja ku mbërriti dhe data 8 Mars, “Dita e Gruas”. Siç edhe dihet fillimisht më 8 mars 1875 në ndërmarrjen e tekstilit në Nju Jork gratë u ngritën në protestë kundër kushteve çnjerëzore të punës, orarit të gjatë dhe pagave të ulëta.

Padurimi dhe frustrimi që i kam bërë kalendarit tim të dashur ka pasur lidhje me këtë ditë, dilema e të cilës qëndron në të trajtuarit e saj, si ditë protestë apo ditë festë?

Paçka se shoqëria shqiptare gjithnjë kësaj date i ka dhënë trajtat e një feste.

Shumë gra kanë pritur ashtu sikurse unë…por ndryshe nga unë, që jam kurioze se ç’do të bëhet këtë vit.

Nuk i vë faj grave, të cilat në shumicën e rasteve mezi e presin këtë ditë, për të dalë për disa orë me mikeshat e tyre, për të pirë kafen e mallit dhe të hallit, për të harruar për pak orë problemet e shumta familjare, për të lënë brenda mureve të shtëpisë detyrat e angazhimet si shtëpiake…

Skonto të papara në dyqane e qendra tregtare për 8 Marsit, oferta për udhëtime brenda dhe jashtë Shqipërisë, lokale ku mund të prenotohet, ku janë të ftuar Filani e Fisteku, të gjitha këto mbart kjo ditë, ku në fakt gratë duhet të ishin në shesh për të protestuar për të drejtat e tyre të nëpërkëmbura. Është njësoj si në kohët e para kur femrat partizane luftonin për çlirimin e vendit të tyre.

Më vjen gjithnjë shumë mirë, kur shikoj që disa nga personazhet aktiv të shoqërisë civile organizojnë gjithnjë aktivitete të shumta për këtë ditë, për të nxitur sensin e kërkimit të të drejtave.

Por të jesh grua në Shqipëri, çfarë do të thotë?

Të jesh grua sot në Shqipëri është e vështirë. Në rrugëtimin drejt sakrificave të shumta që duhet të bëj sot një grua, i duhet të duroj edhe peshën e madhe të paragjykimit,diskriminimit, dhunës.

Hedh sytë në rrugë e shoh gra të mira, gra të cilat nuk janë veçse një shembull i mirë për familjen, si nëna e bashkëshorte të devotshme, por edhe për gjithë shoqërinë.

Me sytë e mendjes vizatoj një grua të zbërthyer nga të gjitha paragjykimet, nga kornizat e kalbëzuara, një grua të lirë për të zgjedhur e për tu zgjedhur.

Ja se për çfarë duhet të shërbej 8 Marsi për të nxjerr përfytyrimin e gruas së vizatuar brenda nesh dhe për ta kërkuar atë në rrethin tonë shoqëror… për ta krijuar, kultivuar e latuar, për ta sjell në trajtat e asaj çka shkon më afër vizatimit tonë mendësor.

Një grua protestuese… për një jetë më të mirë, për plotësimin e disa të drejtave më shumë, për të kërkuar barazi gjinore, për të bërë të mundur që askush të mos ngrejë dorë mbi to.

Hedh sërish shikimin këtë herë më ngultaz, e shoh vështrime të trishtuara. Është gruaja shqiptare, imazhi i së cilës është përdhosur si mos më keq këto kohët e fundit.

Kur do të reshtin së qari këto krijesa sa të brishta aq edhe të forta…?

Kur do të reshtin së përdhunuari, së keqtrajtuari, së rrahuri…?

Kur do të reshtin së vrari, nga dora e meshkujve të tyre , që përveçse i kanë besuar trupin, i kanë dhuruar edhe fëmijë…?

Askush përveç zotit nuk mund të vendosi afate ekzistencash. Burra kuptojeni njëherë e mirë, dreqi ta hajë, nuk jeni ju zotërit e grave tuaja.

Gratë janë qeniet më të mrekullueshme, ato falin e dhurojnë dashuri pa limite, pa frikë harxhueshmërie, pa afate skadencash…

Ato prej kohësh kanë shërbyer si muza frymëzimi…Të ëmblat dhe të kuptueshmet, besniket dhe të bukurat, ato që dashurojnë pafund, me gjithë qenien e tyre, këto janë gratë…

Ato dashurojnë, dashurojnë dhe përsëri dashurojnë. Jeta e tyre është gjithnjë si nëpër ato filmat, ku regjisori shkon larg e më larg me imagjinatën e tij. A mos ndoshta është faji ynë dhe jo vetëm faj por edhe padije dashurore, që përfshihemi shpesh në disa gjëra që na bëjnë konfuze? Që na bëjnë të mos e thithim aq lehtë ajrin pastërtor që qëndron pezull?

Mos ndoshta ne e sforcojmë veten dhe shpesh zhgënjehemi se kemi më shumë pritshmëri se sa duhet të kishim për një ngjarje a dashuri që vjen papritur në jetën tonë e ne i hapim dyert ?
Ja këto janë gratë, që mendojnë për çdo detaj, që kërkojnë shkaqe dhe pasoja. Të gjitha vajzat edhe ato që së largu të lënë përshtypjen e femrave të hekurta janë në pritje të princit të tyre të kaltër. Dikush mund edhe të ketë reshtur së kërkuari, disa të tjera mund edhe të kanë gjetur disa cilësi e duke menduar se individi në fjalë do të arrij një shkallë më të madhe prefeksionizmi, e kanë pranuar atë ashtu siç është, disa të tjera, ato që kanë disi më shumë prendime se këto dy kategori të fundit nuk besojnë në përralla me princër e princesha.

E trajtojmë keq veten ne femrat, idealizojmë e më pas lëndohemi. Por përsëri dashurojmë më të gjithë fuqinë e shpirtit. Dashurojmë dhe kujdesemi deri në detaje për dashurinë tonë, duke e kërkuar shpesh fajin edhe tek vetja për shkak të disa zënkave që herë pas herë lindin në çift. Dashurojmë duke justifikuar e përligjur edhe tradhëti të mëdha e të vogla. E shkreta grua! Ajo ka rolin e saj në shoqëri, në familje, është një nënë shumë e mirë dhe një bashkëshorte e shkëlqyer ndaj përligj gjithnjë, për të pretenduar sadopak lumturi. Për të qenë gjithnjë e adhurueshme për sytë e bashkëshortit të saj dhe fëmijëve. Për tu dashur, e për të dashur, sepse është e drejta e liria themelore e njeriut, është kauza e madhe që mban gjallë zemrat tona, që na bën të zgjohemi në mëngjes edhe kur nuk ekziston dëshira, që na bën të shkojmë para pasqyrës dhe ti harrojmë rrathët e syve, që të rregullohemi e mbahemi se çdo ditë është e veçantë, për të qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes, dhe jo për të pritur 8 Marsin për të bërë grim, e për të veshur rrobat e reja që dergjen në gardërobën tonë.

Çdo ditë është e veçantë kur është e mbushur me dashuri. Mundohuni të shijoni çdo ditë ne kalendarin tuaj, pa trysni negative, por me nuanca respekti. Ndaj dashuroni sa më shumë, për të përftuar grimca lumturie, çdo ditë e nga pak, çdo ditë e më shumë!

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...