Kodra ka theksuar se në ditën e sotme u zyrtarizua jo vetëm ushtria e Kosovës, por edhe realiteti i përjetshëm mes Kosovës dhe Amerikës.
“Jam i lumtur që sot në prag të festave të fundvitit u zyrtarizua Ushtria më e re në glob . E di që edhe për juve si ushtarë të Republikës së Kosovës, për ne dhe për shtetin tonë kësaj radhe festat e fundvitit janë më të veçanta. E di që ju ushtarë të Kosovës së nderuar këtë vit po e përjetoni më ndryshe dhe me emocione.., me mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për kohë të gjatë keni punuar për themelimin e ushtrisë tonë”, ka thënë Akademik Skënder Kodra, në telegramin e tij dërguar Gjeneral Shtabit të Ushtrisë së Kosovës.
“Është meritë e juaja, e çdo qytetari të Kosovës, prandaj sot çdo qytetar i vendit duhet të ndihet krenar. Jam me ju , në mesin tuaj që t’ju falënderoj në emër të Akademikëve Shqiptaro-Amerikanë dhe institucioneve Akademike të ASHASHA në New York,Tiranë, Prishtinë dhe Shkup . Kosovë urime ushtria…”, shkroi në telegramin e tij Skendër Kodra.
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Prof.Dr.Skendër Kodra theksoi se nga ky muaj këta djem dhe vajza do të kenë mandat të ri, mision të ri si Ushtria e Kosovës.
“Do të shërbeni dhe do të mbroni me dinjitet e krenari pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Zhvillimi i ushtrisë së Kosovës është i veçantë dhe i ndryshëm nga ushtritë e shumë shteteve të tjera. Populli ynë e krijoi ushtrinë para se të fitojë lirinë, pavarësinë dhe shtetin. Ushtria e Kosovës do jetë ushtri multietnike,dhe sot , nesër dhe përgjithmonë i tërë populli i Kosovës shikon nga ju”, tha Kodra.
Ai ka thënë se ky ishte një proces me hapa të gjatë dhe të mundimshëm, por gjithmonë i orientuar drejt arritjes së një qëllimi të qartë, në dobi të të gjithë qytetarëve të vendit tonë.
“Së pari, statusi i saj i përjetshëm strategjik – ushtarak në raport me U.S.A-të. Së dyti, U.S.A dhe Kosova e kanë tashmë ushtrinë në kufirin Perëndim-Lindje të Evropës Juglindore. Së treti, Kosova së bashku me zyrtarizimin e ushtrisë e ka zyrtarizuar edhe statusin e popullit special në raport me U.S.A -në të cilin e ka vetëm populli hebre. Se katërti, me krijimin e ushtrisë BE-ja e ka humbur shansin e saj përfundimtar për të qenë në një rend të interesave shqiptare me U.S.A-të”, ka theksuar profesor Kodra.
Ai në fund thotë se, ushtria e ka hedhur këmbën e mbarë se Kosova nuk do të mund të shantazhohet më nga Serbia,BE-ja sado e padenjë qoftë klasa e saj politike me ose pa gjykata.
Akademik Prof.dr.Skendër Kodra
Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Shqiptaro-Amerikane
New York,14.12.2018
*********
(Prof. Dr. Skënder Kodra u lind më 13.05.1946 në Istog të Kosovës, ku kreu shkollën fillore. Shkollën e mesme e vazhdoi në Gjakovë dhe Pejë. Autoritetet qeveritare serbe e burgosen për motive patriotike. Në shumë raste kaloi nëpër burgjet e Prishtinës, Gjakovës, Ferizajt, Suharekës në Ce Zene e Beogradit dhe veçanërisht në burgun e Pejës.
Më 1969 emigroi në Itali e pas një viti në SHBA, ku edhe mori statusin e refugjatit politik. Në SHBA më 1980 mbaron shkollën e mesme.
Më 1986 përfundon shkëlqyeshëm studimet e larta në Universitetin “Mercy College”, në degën e psikologjisë dhe pas një viti kreu studimet pasuniversitare në “Long Island University” dhe laureohet me titullin Master degry.
Në vitin 1991 mbron doktoraturën me temën “Shkaqet që çojnë në skizofreni” dhe merr titullin më të lartë shkencor në SHBA PH.D. Më tej u specializua në një profil më të ngushtë në fushën e Psikologjisë Klinike.
Veprimtaria e tij është e larmishme si profesor, psikolog e shkencëtar. Ligjëron në tri universitete me studentë nga e gjithë bota.
Ai ka një veprimtari të begatë veçanërisht në Psikologjinë klinike, të cilën e ka pasuruar dhe me përvojën e madhe në spitalet ushtarake të psikiatrisë në New York, ku punoi për dhjetë vjet me pacientë të Luftës së Dytë Botërore dhe të Luftës së Vietnamit.
Diturinë dhe përvojën e tij si psikolog dhe shkencëtar, Prof. Dr. Skënder Kodra e ka përcjellë në tetë libra si: Evoluimi i Trurit Dje, Sot dhe Nesër Library of Congress (June 11. 2001) Definition of personality. Tiranë (Library of Congress (2003) Drugs and its Impact. Tirane Library of Congress (June, 11.2004) Road Map Opportunities in Cilinical Psychology, Tiranë Library of Congress (June 12.2006) Library of Congress 101 Independence Ave, S.E. Uashington D.C. 20559-6000.
I brumosur me ndjenja të larta atdhedashurie dhe si intelektual i përgatitur në SHBA, Skënder Kodra ka dhënë një kontribut të çmuar dhe për popullin shqiptar.
Në vitin 1995 ai themeloi Akademinë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve me qendër në New York dhe vazhdon të jetë aktiv si kryetar i kësaj Akademie.
Me ndryshimet demokratike në Shqipëri, Prof. Dr. Skënder Kodra vazhdoi të kontribuoj edhe në dheun amë.
Ai punoi dy vjet në Tiranë si klinicist pranë Klinikës psikiatrike të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, ku përgatiti dhe ligjëroi leksione të ndryshme.
Me kënaqësi ai i dhuroi kësaj klinike një bibliotekë të pasur me literaturë masive të psikiatrisë klinike amerikane. Gjatë kësaj kohe në Radio Tirana ai mbajti një rubrikë të përjavshme me temë nga psikiatria.
Në këtë periudhë Prof. Dr. Skënder Kodra viziton sërish vendlindjen e tij Kosovën, ku zhvillon një veprimtari të dendur shkencore dhe patriotike, aq sa siç thoshin dhe vendasit, klinika e tij u kthye në një istikam lufte.
Pushtuesit serb ia bastisën klinikën dhe e arrestuan për ta detyruar të pajisej me dokumente serbe. Zoti Skënder Kodra nuk pranon dhe largohet i detyruar nga atdheu i tij.
Në verën e vitit të Luftës në Kosovë, Prof. Dr. Skënder Kodra shkoi në ndihmë të të dëbuarve kosovarë, në kampet e shumta në Shqipëri, si dhe në spitalin Ushtarak në Tiranë.
Djali i tij Isai ushtarak dhe i lindur në SHBA, u radhit në radhët e UÇK-së në Kosovë, ashtu si dhe shumë të tjerë nga të afërmit e familjes Kodra.
Personaliteti i Prof. Dr. Skënder Kodra është i njohur në SHBA, në vende të ndryshme të Evropës dhe në të gjitha trojet shqiptare.
Ai ka qenë këshilltar pranë Ministrisë së Shëndetësisë në Shtetin e New Yorkut, është anëtar i Shoqatës së Doktorëve në Shtetin e New Yorkut, Anëtar i Shoqatës të sëmundjeve psikike “Sigmund Frojd” të Austrisë, nënkryetar i Akademisë së Intelektualëve Shqiptarë të Shkencës dhe Artit në Kosovë, anëtar i Shoqatës së Psikiatërve në Shqipëri, etj.
Prof. Dr. Skënder Kodra vazhdon të jetë aktiv si mjek, si pedagog, si shkencëtar.
Ai vazhdon të publikojë libra dhe studime shkencore në revistën “Dituria”, organ i Akademisë Shqiptaro_Amerikane me qendër në New York, Akadmi të cilën e drejton me pasion dhe profesionalizëm, si dhe në shumë revista e gazeta prestigjioze në SHBA dhe Shqipëri.
Figura poliedrike e Prof. Dr. Skënder Kodra, është kthyer në një simbol për komunitetin shqiptar në SHBA, Kosovë dhe Shqipëri, si një njeri me energji të pashtershme humane e patriotike.)
Flori Bruqi
(Drejtor i Departamentit për mardhënie më publikun pranë ASHSHA-së)