2018-12-09

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg: Pasoja, nëse krijon ushtrinë!



Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e paralajmëroi Prishtinën zyrtare se do të “përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës”.

Sipas Stoltenbergut, ky proces po udhëhiqet “në një moment mjaft të papërshtatshëm, pa u respektuar procedurat”.

Këto deklarata, kreu i Aleancës Veriatlantike i bëri në fund të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, ku është diskutuar për gjendjen në Ballkanin Perëndimor. “Kjo shkon përtej këshillimeve të shumë zyrtarëve të NATO-s dhe mund të ketë pasoja serioze për integrimin e ardhshëm të Kosovës në proceset euroatlantike”, tha Stoltenberg.

Autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri përmes tri ligjeve që pritet të miratohen në Kuvend më 14 dhjetor 2018.

Ambasadori amerikan: Evoluimi i FSK-së në Forca të Armatosura hap pozitiv për Kosovën
Lidhur me këto synime, kreu i NATO-s tërhoqi vërejtjen se nëse një gjë e tilë ndodh, atëherë “NATO-ja do ta shqyrtojë angazhimin e saj rreth Kosovës”. I pyetur se për çfarë pasojash bëhet fjalë, Stoltenberg tha se vendimet i takojnë Këshillit të Aleancës Veriatlantike, si organi më i lartë i NATO-s.

Kreu i Aleancës së NATO-s konfirmoi se në takimin ministror është folur edhe në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarifës doganore prej 100 për qind ndaj prodhimeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

“Hapa të tillë e rëndojnë edhe më shumë dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Por, dialogu është mënyra e vetme që të arrihet një paqe e qëndrueshme në rajon. U bëjmë thirrje si Prishtinës ashtu edhe Beogradit që të përmbahen nga provokimet dhe t’i arrijnë kompromiset e nevojshme në mënyrë që të ecin kah një e ardhme më e mirë”, tha Jens Stoltenberg.



Daniel Serwer kritikon NATO-n për qëndrimin ndaj krijimit të Ushtrisë së Kosovës

Daniel Serwer kritikon NATO-n për qëndrimin ndaj krijimit të Ushtrisë së Kosovës


Analisti amerikan, Daniel Serwer, ka deklaruar se NATO është duke e mbështetur Beogradin, pasi po kundërshton krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Në një shkrim autorial, Serwer thotë se Serbia po kërcënon me ndërhyrje në Kosovë nëse Kuvendi i Kosovës voton për të krijuar ushtrinë.



“Kosova nuk ka ushtri që nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 që e shpëtoi atë nga përpjekjet e presidentit Millosheviç për të reduktuar popullsinë e saj shqiptare me forcë dhe shpalljen e pavarësisë së saj në 2008. NATO ka siguruar mbrojtjen territoriale të vendit, edhe pse ajo qeveris vetë dhe është njohur si shtet sovran nga rreth 110 vende”, thotë ai.

Amerikani Serwer shton se Prishtina tani dëshiron të konvertojë forcat e saj të sigurisë, të cilat janë të armatosura lehtë, në një ushtri.

“SHBA, Britania e Madhe dhe NATO janë konsultuar tërësisht. Procesi do të zgjasë 10 vjet ose më shumë. Nëse forcat e NATO-s ndonjëherë do të largohen nga Kosova dhe do të dërgohen në misionet me prioritet të lartë, vendi do të duhet të ketë mjetet për të mbrojtur veten të paktën për disa ditë. NATO duhet të mbështesë ata që duan të lehtësojnë barrën e saj, jo ata që kërcënojnë agresionin”, vlerëson analisti.

Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins, thotë se Ushtria e Kosovës nuk ka të bëjë me kërcënim për të ardhmen në rajon.

“Ajo që Serbia po përpiqet të bëjë është që të privojë Prishtinën nga një prej elementeve vitale të sovranitetit. Po përpiqet gjithashtu të gjejë një justifikim për të ndërhyrë dhe për të pushtuar pjesën me shumicë serbe të veriut të Kosovës, ku figurojnë figura të krimit të organizuar në përputhje me autoritetet qeverisëse të Beogradit”, thotë ai.

Serwer e quan gabim serioz mbështetjen që sipas tij, NATO-ja po ia jep agjendës së Beogradit.



Amerikani është shfaqur kritik edhe ndaj BE-së për shtyrjen e afatit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Megjithatë, Serwer e cilëson si gabim vendimin e Qeverisë së Kosovë për t’i vënë taksë produkteve të Serbisë.

“Tarifat prej 100% që kohët e fundit që iu imponuan importeve të Serbisë janë shkelje e detyrimeve të saj ndërkombëtare sipas Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), Por ky gabim do të korrigjohet përmes procesit normal të CEFTA-s”, tha ai.

Sipas analistit, Kosova po aq sa Serbia ka nevojë për perspektiva euro-atlantike nëse të dy vendet do t’i shpëtojnë spirales negative në të cilën janë mbyllur.

Analisti amerikan Daniel Serwer, një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë” në shtator të këtij viti, kishte kundërshtuar ashpër idenë e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjimin e kufirit”.



****


Ambasadori amerikan: Evoluimi i FSK-së në Forca të Armatosura hap pozitiv për Kosovën



Ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë sot se evoluimi i FSK-së në Forca të Armatosura është hap pozitiv dhe është mese e natyrshme për Kosovën si vend sovran dhe i pavarur, që të ketë aftësi vetëmbrojtëse.

Ambasadori i ri amerikan tha në një intervistë për RTK-në se ‘liderët kosovarë kanë folur se si Forcat e Armatosura do të mund të merrnin pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë shtetit, që Kosova e ka arritur pikën që në vend se të jetë vetëm konsumuese e sigurisë ndërkombëtare, mund edhe t’i kontribuoj asaj dhe se e tërë kjo është e mirëseardhur.

Ambasadori, flet edhe për taksën prej 100 për qind ndaj produkteve serbe, për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë dhe nëse ajo mund të prek çështjen e kufirit.

Kosnett rithekson se Kosova vazhdon të mbetet lartë në prioritetet e politikës së jashtme amerikane.


Serbia nuk mund të ndryshojë qëndrimin e Amerikës, për të cilën pavarësia e Kosovës është gjë e kryer


Ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk është i lumtur me deklaratat e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, se formimi i ushtrisë së Kosovës është hap pozitiv.

Megjithatë, tha Vuçiq, ai është i vetëdijshëm se Serbia nuk mund të ndryshojë qëndrimin e Amerikës, për të cilën pavarësia e Kosovës është gjë e kryer.


Vuçiq tha se “shqiptarët nuk bëjnë asgjë vetëm” dhe se “pas tyre qëndron gjithmonë SHBA-ja”.

“Këtë nuk mund ta themi gjithmonë hapur. Shqiptarët kanë edhe aleatë të tjerë në Evropë”, tha Vuçiq, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Të enjten, ambasadori amerikan, Kosnett, ka thënë se Uashingtoni e mbështet transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë me kapacitete ushtarake.

Deklarata është bërë pasi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar pasoja për Kosovën nëse formon ushtrinë.

Autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar se, më 14 dhjetor, në Kuvendin e Kosovës do të votohen projektligjet që e transformojnë FSK-në në ushtri.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...