2019-06-06

Gra, dashuroni sakatët e lavdishëm!


Shtëpia botuese “Ideart” sjell në shqip një nga librat më polemizues të kohës dhe në të tilla raste, ato quhen të suksesshme – ky është libri i futuristit në front, Filippo Tommaso Marinetti, “Si t’i joshim gratë”. Me titullin e origjinalit “Come si seducono le donne” doli në dritë në vitin 1916 dhe është konsideruar si një nga sukseset më të mëdha editoriale të Marinetti-t, është ribotuar dy herë në të gjallë të autorit dhe disa herë pas vdekjes. Teksti ka formën e një traktati autobiografik mbi artin dashuror, ku ironia dhe fryma groteske zbulojnë bëmat e këtij donzhuani futurist



Gra, ju keni nderin të jetoni në kohëra mashkullore dhe futuriste kombesh të fshira nga faqja e dheut, qytetesh të rrënuara, popujsh shtegtarë, formacionesh luftarake të fundosura, malesh të shpërthyera dhe ushtrish të zëna rob.

Në këtë kohë të mrekullueshme tradhtare, të shpejtë, joharmonike, asimetrike dhe të çekuilibruar, më në fund bie dhe jep shpirt harmonia idiote e trupit njerëzor.
Topi u ka prerë kokën statujave të bukurisë antike, statike e neutrale, të fshehura si vetë Greqia mes ullinjve frigaçë që u bëjnë hije brigjeve sofiste të kretinizmit helenik.
Nëndetëset kanë siluruar Tritonët e fundit. Deti i çliruar prej helenizmit profesorues dhe mitologjisë berlineze është bërë sot një det i fortë e i shëndetshëm, i kripur e jodizues me masë, ngarkuar me peshq të rrufeshëm, një det që përzgjat heroikisht valët e betejave të mëdha detare.
Gra, harrojeni Apolonin që sot quhet Apollo Gunaris, harrojeni Paridin që sot quhet Parid Skuludis(*)!
Asimetria dinamike e alpinit të gdhendur e të skalitur prej zjarrit duhet t’i imponohet zemrës suaj dhe shqisave tuaja novatore.
Gra, meshkujve të pacenuar e të dyshuar sadopak për burracakëri duhet t’u parapëlqeni sakatët e lavdishëm! Dashurojini me zjarr! Puthjet e tyre futuriste do t’ju falin bij çeliku, të prerë, të shpejtë, plot elektricitet qiellor, të frymëzuar si rrufeja që godet dhe rrëzon njerëzit, pemët dhe rrënojat arkeologjike.
Plumbi është si një baba i dytë për të plagosurin. I dikton karakterin e vet. I depërton në fibra një atavizëm të dhunës egërshane dhe shpejtësisë zjarrvënëse.
Lavdi lëkurës njerëzore torturuar nga mitralozi! Zbulojani shkëlqimin e vrazhdë!
Mësoni të admironi fytyrën ku ka shpërthyer një yll!…
S’ka gjë më të bukur se një mëngë e zbrazët që luhatet në gjoks, sepse prej aty brof idealisht gjesti që i jep sinjalin sulmit!
Gra, dashuroni heronjtë e verbër!
Sytë e tyre janë djegur sepse kanë parë diellin e papërballueshëm të fitores italiane! Përqafojini në rrugë! Përshëndetini me dashuri! Adhurojini! Ju takon juve, u takon buzëve tuaja t’i hyjnizojnë!
Lavdi të verbrit që ia ka falur sytë territ që Italia të ketë bij më rrezëllitës dhe më largpamës!
Lavdi sakatit që lëkundet kur ecën, thua është ngarkuar me copën e Italisë që ia shkëputi Austrisë. Pavarësisht se mund t’i duhet ta mbartë për gjithë jetën, plumb të rëndë, mbi shpinë!
Lavdi të gjymtuarve që mbajnë ekuilibrin mes dy patericave si të përbuznin ecjen e të donin të provonin fluturimin sublim!
Gra, bëni ç’është e mundur që çdo italian para nisjes të thotë: kur të kthehem dua t’i fal një plagë të bukur, të denjë për të!… Dua që beteja të ma plazmojë trupin për të!… Dua që granatat dhe bajonetat armike të më ndryshojnë për të!…
Gra, i gjymtuari që puthni kurrë s’do t’ju duket i ligështuar, i mundur, skeptik dhe i smuntë, sepse ai mban në vete shenjat e furishme dhe atmosferën e ndezur të përleshjes dhe në sy gëzimin ekzaltues të atij që i ka korrur austriakët me bajonetë.
Ky s’është Romantizëm që përçmon trupin në emër të një abstraksioni asketik. Ky është futurizëm që përlëvdon trupin e modifikuar dhe të zbukuruar nga lufta.
Ta shkallmojmë estetikën e vjetër simetrike. Lind sot estetika e re asimetrike dhe dinamike.
E pranojmë bashkëpunimin e luftës mekanike për të ngjyrosur heroizmin e njerëzimit të çngjyrosur nga paqja. Le t’i ndezim qytetet qetësore dhe paqësore me linja të dhunshme dhe të lëvizshme betejash skalitur në trupin njerëzor.
Kirurgjia ka nisur transformimin e madh. Me Alexis Carrel-in lufta kirurgjike ka kryer rrufeshëm revolucionin fiziologjik. Shkrihet Çeliku me Mishin. Humanizim i çelikut dhe metalizim i mishit tek njeriu i shumëfishuar. Trupi, motor me pjesë të ndërkëmbyeshme dhe të ndërrueshme: Pavdekësi e njeriut!…
Gra, dashuroni sakatët e lavdishëm! Imitojini duke marrë pjesë në luftë.
Në llogore!… Edhe ju në llogore! Po! Të paktën një milion gra në llogore, zgjedhur mes atyre që e përballojnë lodhjen, që s’merren me rritjen e fëmijëve apo me kultivimin e tokës! Kemi besim të plotë në forcën tuaj fizike dhe në guximin tuaj! Po, në llogore! është absurde, kafshërore, të qëndrosh me vite duke pritur e duke tradhtuar burrat që luftojnë!
T’i ekuilibrojmë kështu forcat e dy sekseve! Të gjitha përgjegjësitë edhe për ju, gra italiane: nëse doni të bëheni të denja për dashurinë e sakatëve të lavdishëm italianë!
*Dhimitër Gunaris dhe Stefan Skuludis ishin dy emra të njohur të politikës greke të kohës.

Hija qe ndjek e perndjek

Alfred Hickok 

Nuk ka dyshim se trapiantet e organeve kane rezultuar shume te nevojshme per njerezit. Megjithate, pyes veten nese mjeket i kane perllogaritur te gjitha efektet e mundshme anesore.
Dhe ja perse: disa kohe me pare, u njoha nga afer me nje prej ketyre efekteve dhe druaj qe mjeket te mund ta kishin parashikuar te ndodhte. Qe nje zbulim nga nje vizite, qe i bera nje mikut tim, Osmond Smythe, te cilit, per shkak te perdorimit te vazhdueshem dhe per nje kohe te gjate te alkoolit, i kishin hequr dhe zevendesuar nje veshke. Kur hyra ne dhomen e tij ne spital, vura re nje burre te paket, te moshuar, ulur ne nje qoshe, i heshtur, me nje veshtrim te mberthyer mbi Osmond Smythe-in. Kishte dicka sentimentale ne kete veshtrim te ngulitur, rrobat e tij ishin jashte mode dhe kishte mbathur cizme me qafa te larta e me kopsa. Mendimi i pare, qe me pershkoi, ishte se kisha te beja me nje te aferm te varfer te mikut tim. Gjate bisedes me Osmond Smythe-in (kembengula te vullneti i tij per te mos vene kurre me alkool ne goje), vura re se Osmond-i vazhdonte t?i hidhte veshtrime te shpeshta burrit te moshuar ne qoshe. U bera kureshtar dhe pyeta kush ishte ai.
– eshte babai i Harry-t, – me tregoi Osmond Smythe me ze te ulet. – Harry ka vdekur ne nje aksident dhe mua me kane dhene njeren nga veshkat e tij.
– Kuptoj, ky fakt ju ka lidhur midis jush.
Miku tundi kryet:
– Nuk e kam njohur kurre kete plak te marre. Nuk eshte ketu qe te kujdeset per mua, por per t?i bere nje vizite veshkes se te birit.
E po, mendova, perse jo! Nese plaku kishte deshire t?i jepte lamtumiren e fundit asaj cka i kishte mbetur nga i biri, miku im nuk kishte perse t?ia mohonte kete privilegj te vogel.
Muaj me vone, kur e pashe perseri Osmond Smythe-in, ai po kthehej nga fusha e golfit. E kush po ia mbante pajisjet, thoni ju, kush tjeter, vecse vete zoteria i moshuar me veshtrimin e trishte e cizmet me qafa te larta, ai qe kisha pare ne spital. Kjo, natyrisht, rizgjoi kureshtjen time.
– eshte nje histori qesharake, – me tha Osmond Smythe. Vura re se, megjithate, nuk qeshte. – Me ndjek kudo qe vete. Ne zyren tim, ai rri ne paradhome. Ne shtepi, eh, i kemi dhene dhomen e miqve. eshte halli i veshkes se Harry-t, kupton, dhe ai e ruan, duke u siguruar se une e kam nen kujdes.
– Tani e mora vesh perse te eshte bere caddie, – thashe per mbajtesin e pajisjeve. – Per lehtesi.
– Ne fakt, nese luaj golf, e bej per shkak te tij, – me shpjegoi Osmond Smythe. – Ai do qe une te merrem me kete sport, sepse i ben mire veshkes se Harry-t.
Kaluan dhe shume muaj te tjere, perpara se kjo lidhje e pazakonte te terhiqte serish vemendjen e kureshtjen time. Me foli per ta nje mik i mikut tim.
“Nuk do ta njihje”, me tregoi miku yne i perbashket per Osmond Smythe-in. “Fakti qe ka gjithnje nje hije nga pas, po e con ne nje ezauriment nervor. Dhe sa me teper keqesohet ai, aq me shume shqetesohet plaku e me shume i ngjitet pas. Po e detyron Osmond Smythe-in te marre doza te medha Vitamine E. Dhe nuk fle me ne dhomen e miqve. Shtron per te fjetur ne kembet e shtratit te Osmond Smythe-it.”
“Duket se eshte pikerisht plaku qe po ben te deshtoje misioni i tij”, thashe. Miku yne i perbashket ishte i nje mendjeje me mua. “Dhe cka eshte me tragjikja, kam frike se plaku po e shtyn Osmond Smythe-in t?ia filloje serish te pirit.”
Ishte nje frike profetike.
Disa jave me vone, ndersa hyja ne nje restorant per te drekuar, degjova papritur nje “psss”. Dukej se vinte nga nje palme e madhe ne vazo. Hodha veshtrimin dhe prapa saj zbulova Osmond Smythe-in. Nga ai qe njihja, kishte mbetur vec nje kujtim. Floket e tij ishin bere te bute si prej bore dhe syte te futur thelle ne zgavra.
“Shpetome”, peshperiti me nje pamje prej te deshperuari. “Duhet te pi dicka!” I thashe te provonte ne bar. “Porosit ti per mua”, m?u lut. “Kur baristi te vere goten ne banak, me bej nje shenje. Une do te futem me vrap.”
Frika e tij imagjinare ishte se mos hija e vet e moshuar ndodhej ne prite diku prane. Keshtu, per keqardhje e meshire, ndoqa sugjerimet e tij. Hyra ne bar dhe porosita pijen qe me kishte kerkuar. Kur e sollen ne banak, i bera shenje Osmond Smythe-it se po e priste shpetimi.
Ai u ngrit vrik prapa vazos se palmes dhe u drejtua nga banaku me galop. Por ndersa behej gati te rrokte goten, plaku u shfaq papritur pas banakut, si nje djall hakmarres. Ngriti bastunin e trashe, qe e mbante me vete dhe e beri cope-cope goten me pije qe kerkoi miku. Osmond Smythe-i uleriti nga tmerri dhe doli me vrap nga restoranti. Plakushi iu vu pas duke u lekundur ose, per te qene me te sakte, iu vu pas veshkes se Harry-t.
Historia, dhe kjo eshte me e pabesueshmja, do te kete se shpejti nje hapy end. Osmond Smythe eshte shtruar serish ne spital dhe plakushi i gjendet prane. Jane ne pritje. Kur te krijohet rasti dhe te behet me mire, miku im do t?i nenshtrohet nje trapianti tjeter. Veshken e Harry-i do t?ia heqin dhe do t?ia vene dikujt tjeter. Po presin nje dhurues qe t?i jape Osmond Smythe-it nje veshke, per te zevendesuar ate te Harry-t. Shtyrja e operaconit ka ardhur si rezultat i kembenguljes se mikut tim qe dhuruesi ne fjale te jete jetim.

Perktheu Vjollca Lisi

Kuteli i keqkuptuar

Behar Gjoka

Thelbi i rimarrjes, megjithatë dhe veçmas si përkujtesë librore, përftoi dhe lartoi praktikën shkrimore Borgesiane. Një përvojë shkrimi, që ka joshur me dhjetëra shkrimtarë të shquar të letërsisë botërore, duke u bërë një dukuri estetike e përveçme, madje hartografia letrare, gjithëkohore dhe gjithëhapësinore, gjithnjë e më shumë dëshmon se realizmit magjik nuk i përket vetëm ngjyra amerikano-latine. Shkrimtarë të tillë si Chingiz Aitmatov, Umberto Eco, Sally Gearhardt, Herman Hesse, Peter Hoeg, Janette Hospital, Herbert Read etj., gjithnjë sipas studimeve letrare (Evelyn C. Leeper, kritik amerikan i kësaj kohe), kanë të shkruar dhe ligjëruar së paku nga një libër me tonet dhe ngjyrat e realizmit magjik. Listës së gjatë, të shkrimtarëve të këtij modeli letërsishkrimor, mjaft interesant, natyrshëm u rri pranë edhe Franz Kafka me “Metamorphosis”. Esenca letrare, veçmas ajo e trilluar në tregimtari, ngjashëm me formulimin gjasime kujtesash, siç e pati përcaktuar Borges-i, si një përftesë autoriale dhe domethënëse e formatimit të shkrimit të prozës, ku noton pjesa më e madhe e prozës së Kutelit, njëherit fsheh dhe zbulon prani arketipale, të cilat integrohen edhe në materien e prekshme fantastike dhe magjike, pra më shumë si një dysi letrare, e ngjeshur në ngjyrimet fantastike dhe magjike. Megjithëse, pranëvënia kaq ndërliqshëm dhe fuqishëm nga ana letrare e universit (real) të çuditshëm me Universin (imagjinar) të mrekullishëm, siç e sugjeron Plasari, mbetet në gjendje të pezullt dhe që pret të lexohet dhe zbulohet pambarimisht. Në thelbin e shprehësisë letrare trillimnaja e imagjinares e presupozon fantastiken dhe, madje edhe mundësohet si realitet letrar nëpërmjet kozmogonisë së saj, aq të bukur dhe të larmishme. Pra, në përpjekjen e suksesshme për ta larguar vargonjësh të leximit sociologjik, e ngushtojnë krejt pakuptueshëm rrethin e shqyrtimit dhe të verifikimit të prozës kuteliane, duke i vënë ca më tepër dhe vetëm mëgojëzën e formatit fantastik.

Ndërsa në prozën e mirëfilltë autoriale, tregimet dhe novelat e tij, por edhe rrëfimet dhe rrëfenjat, pjesa më e madhe e tyre, padyshim që përqarkëzohen edhe nga principet fantastike, si dhe pikëpërkimet e tyre rastësore me realizmin magjik. Prozat e këtilla si: “Vjeshta e Xheladin Beut”, “E madhe është gjëma e mëkatit”, novela të qarta këto, “Qysh e gjeti Ago Jakupi udhën e Zotit”, “Fshati im e pi rakinë”, “Lumi i madh”, “Xha Brahua i Shkumbanores”, tregime të pastra, si dhe rrëfenja “Rinë-Katerinëza” e ndonjë tjetër, në shpalimin e ndodhive dhe të shprehësisë letrare, i përkasin në njëfarë mënyre edhe ngjyrimeve të realizmit magjik. Ato, përgjithësisht dhe veçmas, ofrojnë një botë reale të përvijuar mjeshtërisht nga shkrimtari, personazhe realiste si Xheladin Beu, Ago Jakupi, Xha Brahua, Kalia etj. Gjithashtu, po aty, vërejnë se mesazhet që përcillen në tekstet e këtyre krijimeve, bartin gjurmë të një moraliteti të paqartë dhe të mjegulltë, si dhe pasqyrohen dhe përndriten edhe konflikte të brendshme personale, si dhe ndërpersonale. Shenjë tjetër, që bartin tregimet dhe novelat, rrëfimet dhe rrëfenjat e shkrimtarit, por edhe teksti romanor, është edhe margjinalizimi dhe portretimi i pasioneve vigane. Burimësia e prozës së shkrimtarit, nga ana e leximeve dhe studimtarisë së shqipes, me shpeshti kërkohet:

– Në krijimtarinë gojore, aq e larme në letrat shqipe.

– Në pasazhet biblike, më të prekshme sidomos në tekstin e novelës mbi mëkatin e trupit.

– Në shfrytëzimin e teksteve biblike, tashmë të përkthyera, nga Kristoforidhi dhe Noli.

– Në fitimin e përvojës shkrimore të këtij tipi shkrimor dhe patjetër edhe të nivelit artikulues dhe letrar, nga më të dalluarit në letrat shqipe, sidomos pas përkthimit të Gogolit etj.

– Në shfrytëzimin e një përvoje të dyfishtë dhe të dyzuar, edhe mitike, pra sipas mitit rumun, edhe librore, kryesisht simbas romanit “Drakula” të Braun Stoker etj.

Gjer më tani, nga ata që e kanë studiuar dhe pranuar vlershmërinë e paratekstit, gjithnjë në marrëdhënie me tekstin parak, pra me tekstin pasardhës dhe madje edhe me situatën e hipertekstuaslitetit, pra të situatës së plotë të një rrjete të pranishme tekstuale, në trajtesat teorike ose shqyrtime analitike, të kryera me këtë rast, nuk ka ngjarë ende, në asnjë kohë dhe rrethanë, në asnjë letërsi dhe autor, të madhe apo të vogël, që ky i fundit, pra parateksti hipotetik ose edhe i argumentuar, si ndërlidhni dhe prejardhje, të përmbysë dhe të përzërë tekstin autorial. Nëse mund të ngjasë, atëherë do të duhej konsideruar Letërsia si Histori e Parateksteve, pra do të duhej të shembej ngrehina e Historisë së Letërsisë Botërore, e po ashtu edhe çdofarë Histori Letërsie e tjetërsojshme, dhe të niste procesi i shqyrtimit dhe i shkrimit të Historisë së Parateksteve Letrarë. Sugjerimi i hedhur kohë më parë rreth kësaj çështjeje të mirëfilltë teorike, por po kaq edhe praktike, nga Northrop Fraj në librin “Anatomia e Kritikës”, teksa shprehet: …përpjekjet për ta krahasuar Banionin dhe Spenserin pa iu referuar Biblës, ose për të gjurmuar ngjashmëritë e tyre në një origjinë të përbashkët me romancën laike janë disi të pavend…(1990: 264), përndrit jo pak prej humbellave të pranishme. Si me çdo fushë tjetër, edhe në marrëdhënie me letraren dhe verifikimin e saj, edhe në shekullin e njëzet e një, ne vijojmë të dëshmojmë vonesën e fazës, në kapjen dhe trajtimin e kësaj dukurie me mjaft vlerë. Në periudhën pasmoderne, mënyra e verifikimit krahasimtar, paraqitet si një optikë më tepër në tërheqje e sipër, se sa në fushëveprim, prandaj vrundullimat e fundme i ngjajnë më shumë një suferine pas tufanit ose revolucionit të vonuar në një gotë uji. Vepra e letrare e shkrimtari ka kaluar në tri periudha pranie dhe mospranie:

A – Të shkëlqimit, si shkrimtar dhe intelektual i dorës së parë, me veprimtari të gjerë botuese dhe studimore, që përfshin një periudhë të ndritur të historisë së ekzistencës së kombit shqiptar, si dhe të letërsisë së viteve ‘30 dhe ulet sipari i saj në nëntor të vitit 1944.

B – Periudha e dyzuar, e heshtjes së gjatë dhe vrastare të emrit, figurës dhe veprës së gjerë letrare, një heshtje tronditëse dhe shkatërrimtare.

C – Rizbulimi i Dhimitër Paskos, në të gjitha përmasat përfaqësuese, si intelektual dhe shkrimtar, e sidomos i krijimtarisë dhe kontributeve të vyera të tij.

Shqyrtimi krahasimtar, kryer me jo pak ngut, u bë rishtas shkas për të evidentuar edhe prirjet kryesore në trajtimin e krijimtarisë, në ndërkohësi:

Së pari: Një lexim sociologjik dhe i metodës letrare që në fakt, pa shumë zhurmë ka arritur që ta zbehë veprën e tij letrare

Së dyti: Leximi i përqasjes së veprës së autorit, përgjithësisht me letraren librore. Burimet, kryesore dhe të dëshmuara, varësisht mënyrave të leximit dhe shqyrtimeve, janë kundruar në disa pamje:

– Si një përvojë e huamarrë nga krijimtaria gojore, kryesisht e popullit shqiptar, së paku po të nisesh nga pohimet e vet shkrimtarit, i cili ka përndjekur dhe parapëlqyer krijimtarinë gojore.

– Si një huamarrje që lidhet, dukshëm dhe qartësisht me artin libror, ku edhe tentohet të shpërfaqet alternativa e përqasjes, qoftë me Biblën, librin e shenjtë, por edhe me letraren autoriale, qysh me Gogolin, Tolstoin, Borgesin, Markesin, Kristoforidhin, Nolin etj.

– Së fundi dhe kryesisht rasti i novelës “E madhe është gjëma e mëkatit”, siç është lënë që të kuptohet se paskërka ndikesa të dyfishta, edhe librore, posaçërisht me romanin “Drakula” të shkrimtarit irlandez, Braun Stoker, botuar në vitin 1847, si dhe orale, pra nga miti rumun mbi drakulën.

Fakti i novelës “E madhe është gjëma e mëkatit”, veçmas kjo e fundit, që Kuteli, e shkruan dhe e pohon vet qartazi se është mbështetur vetëm në gojëdhënat e vendlindjes së tij, pra të Pogradecit, e ndërlikon jo pak situatën e trajtimit dhe verifikimit të atij teksti, të krahasimit me tekstin parak të mitit rumun, e mandej edhe me tekstin e romanit të Stokerit, gati të pagjasshëm në tekstin e novelës, (Në mos qoftë si qëllim parak që në fillim të lidhet novela me mitin rumun, e mandej jeta dhe origjina e vet shkrimtarit me rumunët, çka ditën për diell ka ngjarë me Migjenin duke rrëmihur në gjurmë të pa baza lidhur me origjinën e tij serbe, me pa të drejtë dhe pa asnjë argument shkencor), kryesisht në kuptimin e një hamendjeje, përgjithësisht po hipotekë përqasjeje, të artikuluar si krahasim:

– Si shenjë e padiskutueshme e shtrirjes dhe pranisë së mitit edhe në folklorin shqiptar.

– Si dëshmi e rishkrimit të saj nga ana e shkrimtarit, çka në fakt gati e pamundëson përputhjen e mitit, si mit i pastër rumun apo i përpunuar në romanin e Braun Stoker.

– Si detaj ndërlidhës i nevojshëm dhe i pashmangshëm, pra ku shfaqet dhe shpërfaqet elementi që lëviz nga njëri popull te tjetri.

– Si lodrim qëllimor dhe funksional i autorit, natyrisht një lojë e dyfishtë dhe e dyzuar.

Fillesat e diskutimit të dhënie-marrjes të kërkohen qysh me “Epin e Gilgameshit” dhe sidomos mjaft të prekshme me veprën poetike të Homerit, e cila është mbështetur në mitet dhe mitologjinë e lashtë greke përmbi Luftën e Trojës. Në këtë kuptim, krejt të ngushtë dhe vetëm shqyrtues dhe verifikues, poemat homerike, pra “Iliada” dhe “Odisea”, kanë si paratekste mitin e Trojës dhe padyshim edhe dhjetëra mite të tjera të antikitetit. Po ashtu, moria e teksteve të tragjedianëve të antikës greke (Eskili, Sofokliu, Euripidi, por edhe komediani Aristofani), kanë si paratekst veprat fondamentale të Homerit, si dhe mitologjinë e lashtë greke. Mjaft interesante dhe domethënëse paraqitet gjurmimi i parateksteve të veprave shekspiriane, të cilat natyrshëm të çojnë, në kuptimin e mjeteve dhe frymës dramatike, tek tekstet e Eskilit, sidomos tek gojëdhënat anglike dhe padyshim edhe te gjeneza Biblike. Prapë Shekspiri mbetet Shekspir. Për të kërkuar paratekstet e pamënjanueshme ndihmon edhe sugjerimi i dhënë prej Erich Fromm: Edhe pse është e vërtetë që përmbajtja e mendimeve tona, kur jemi zgjuar, nuk i nënshtrohet kufizimeve të hapësirës dhe të kohës, kategoritë e mendimit logjik janë ato të hapësirës e të kohës. (1998: 23), tek libri “Gjuha e harruar”, diç sqaron dhe kthjellon nga makthi përjetues i përqasjeve të burimësisë paratekstuale dhe të teksteve origjinare dhe të origjinës. Këtij rregulli të prianshëm të ekzistencës dhe evoluimit të letrares, ose siç e sugjeron Teodorov tek “Poetika e prozës”, ndërsa nënvizon: Ligji i mospërsëritjes (sado e vështirë që të jetë për t‘u besuar se mund të imagjinohet një ligj i tillë estetik); një tekst autentik nuk ka përsëritje.(2000: 16), nuk ka shanse t‘u shpëtojë as ligjërimi letrar i shqipes, i çdo hapësire dhe kohe. Mjaft domethënëse në pikëpamje të tekstit dhe paratekstit, të vlerës dhe situatës që ngërthen tekefundit situata tekstologjike është ideja e U. Ecos: …teksti është një makinë e keqe që kërkon nga lexuesi shumë vëmendje dhe bashkëpunim.(1997: 66), e hedhur në librin “Gjashtë udhëtime nëpër pyjet narrative”. Situata e teksteve që mbindërtohen si paratekste, nuk prek ase tanon tekstin kutelian:

Së pari: Dyfishimi mbindërtues, si tekst i mbivënë apo si një mbishtresim i pashmangshëm, është kapilari i pandërprerë i letërsisë si univers i mëvetësishëm dhe i vetvetishëm.

Së dyti: Sprova letrare, e çdo letërsie, pra edhe e letrave shqipe, përtej kohore dhe hapësinore.

Së treti: Si ligjësori e brendshme, pavarësisht gjuhës, pavarësisht hapësirës dhe kohës, e magjisë letrare, e cila nuk mund të kuptohet, pa praninë e mbindërtimit të zanafillës.

Prandaj, që të shmanget ajo çka paralajmëronte më herët tek Leksione Amerikane Italo Calvino: …se sa shokantë, janë ata që mendojnë ta anatemizojnë tekstin, ata që e teprojnë me close reading (1997:37), si për të shpëtuar nga makthi i kërkimtarisë së tepruar, i kërkimtarisë së pambarueshme dhe madje të pambërritshme të letrares, të artit që i tejkalon zakonisht përmasat e matshme. Dija teorike i qaset tekstit, pa harruar se: Fjala poetike i shpjegon gjërat, por asgjë s‘mund ta shpjegojë fjalën poetike dhe fjalën në përgjithësi.(1996: 22), siç e sugjeron U. Eco te libri “Struktura e Papranishme”. Tekembramja materia poetike, së pari do parë në raport me vetveten, ose siç e formulon Xhonatan Culler: …se kuptimi i tekstit është përvoja e lexuesit (një përvojë që përfshin mëdyshjet, hamendjet dhe vetëndreqjet).(2001: 71), në librin “Teori Letrare”. Teksti letrar, pra proza e Kutelit, nuk ka gjasa t‘u mëshihet dy situatave:

– Kontekstit shkrimor, të fiksuar dhe ta pandryshueshëm, që bart vulën reale dhe mbetet e palëvizshme.

– Kontekstit receptiv (marrës), po aq i rëndësishëm.

Ngjashmëria formale apo më gjerë se sa kaq, shpërfillet qysh prej lashtësie, nga Aristoteli kur thosh: Kështu, Sofokliu nga një anë është imitonjës i ngjashëm me Homerin, se që të dy imitojnë personazhe me karakter më të mirë, por ai nga ana tjetër është i ngjashëm edhe me Aristofanin…(1998: 54), duke e parë kështu ngjashmërinë si ndërlidhje dhe marrëdhënie e pashmangshme.

Marrë nga libri “Kuteli dhe letrarja”, ende në proces botimi

Ashtu si dashuria, libri nuk vdes kurrë



Umberto Eko 

Ditë më parë, duke punuar rraskapitshëm, ndesha në një kanal, ku po transmetohej një farë spoti i gjatë, apo lajmërimi për diç që gatitej të vinte. Kam përshtypjen si ishte te Katra apo Pesa, por s’jam fort i sigurt (dhe thënë këtë, siç theksoja në një Zarf të shkuar, sa shumë qenka i pambrojtur ideologjikisht telespektatori krahasuar me lexuesin e gazetave, e cili e di me siguri se kush po i flet). Qenë duke u reklamuar çudanet Cd-rom, disqet që mund të na ofrojnë të njëvlershmen e një enciklopedie të tërë, me ngjyra, tinguj dhe mundësisht me lidhje të menjëhershme nga argumenti në argument. Meqenëse po krijoj një farë përvoje në këtë fushë, e pra e njoh argumentin, po e ndiqja ngulazi. Derisa, në një farë pike, dëgjova emrin tim: po thuhej se unë do ta pranoja se këto disqe do të zëvendësojnë përfundimisht librat.
Askush, nëse nuk është paranojak, s’mund të mëtojë që të tjerët të lexojnë gjithçka që ai shkruan, por të paktën mund të shpresojë që mos t’i thonë të kundërtën, sidomos nëse po e përdorin, paligjshëm, si dëshmitar të diçkaje. Në të vërtetë po e përsëris fort e më fort se Cd-rom “nuk” mund të zëvendësojë librin. Ose ai që e ka shtriqur atë tekst është një i marrë, ose është një gënjeshtar. Nuk ka mundësi të tjera. Në çdo rast, lipsej që të sterilizoheshin prindërit e tij prej kohësh, pse tashmë dëmi është bërë.
Ka dy lloje librash. Ato për t’u konsultuar dhe ato për t’u lexuar
Të parët (prototip është lista telefonike, por mund të shkohet deri te fjalorët dhe enciklopeditë) zënë shumë vend në shtëpi, janë të vështirë për t’u manovruar dhe janë të kushtueshëm. Ata mund të zëvendësohen nga disqet multi-medial, kështu lirohet hapësirë, në shtëpi në biblioteka publike, për librat për të lexuar (që shkojnë nga “Komedia hyjnore” te romani i verdhë më i vonë).
Librat për t’u lexuar nuk mund të zëvendësohen nga asnjë gjësend elektronik.
Janë bërë për t’u mbajtur në dorë, edhe në shtrat, edhe në barkë, edhe atje ku nuk ka spina elektrike, edhe atje ku e kur çfarëdo lloj baterie shkarkohet, mund të nënvizohen, të përballojnë libërshënues, mund të bien në tokë, apo të braktisen hapur në dysheme, apo në gjunjë kur na merr gjumi, rrinë në xhep, rrëgjohen, marrin një trajtë vetanake sipas intensitetit dhe rregullsisë së leximeve tona, na kujtojnë (nëse na shfaqen shumë të freskët dhe të paprekur) se ende nuk i kemi lexuar, lexohen duke mbajtur kokën si të duam ne, pa na detyruar të rrimë e të lexojmë të çimentuar në ekranin e kompjuterit, miqësor në gjithçka përveçse me cervikalen. Provoni të lexoni gjithë “Komedinë hyjnore”, edhe vetëm me nga një orë në ditë në kompjuter dhe pastaj më bëni me dije.
Libri për t’u lexuar i përket atyre mrekullive të teknologjisë së përjetshme, ku bëjnë pjesë rrota, thika, luga, çekiçi, kutia, biçikleta. Thika u shpik shumë shpejt, biçikleta shumë më vonë. Po le të mundohen sa të duan dizenjatorët, duke modifikuar ndonjë pjesë, thelbi i thikës mbetet gjithnjë i njëjtë. Ka makina që e zëvendësojnë çekiçin, por për disa gjëra do të lypet ngaherë nevoja e diçkaje që ngjason me çekiçin e parë, që s’është gjetur kurrë në koren e tokës. Mund të shpikni një sistem kambjoje shumë të sofistikuar, por biçikleta mbetet ajo që është, dy rrota, një shalë dhe pedalet. Përndryshe quhet motor dhe është tjetër gjë.
Njerëzimi ka shkuar përpara nëpër shekuj duke lexuar dhe duke shkruar fillimisht në gurë, pastaj në rrasa, pastaj në rrotulla, por ishte një mund i madh. Kur zbuloi se fletët mund të lidheshin mes syresh, edhe pse ende dorëshkrime, lëshoi një ofshamë lehtësimi. Dhe kurrë nuk mund të heqë më dorë nga ky mjet i mrekullueshëm.
Forma-libër është e përcaktuar nga anatomia jonë. Mund të jenë të stërmëdhenj, por së shumti ata kanë funksionin e dokumentit apo zbukurimit; libri standard nuk duhet të jetë më i vogël se një paketë cigare, apo më i madh se “Espresso”. Varet nga përmasat e dorës sonë, dhe këto – të paktën tash për tash – nuk kanë ndryshuar, me paqtimin e Bill Gates-it. Është e vërtetë që teknologjia na premton makina, me të cilat mund të eksplorojmë përmjet kompjuterit bibliotekat e gjithë botës, të përzgjedhim tekstet që na interesojnë, t’i shtypim në shtëpi në pak sekonda, me germat që dëshirojmë – ashtu siç na e lyp miopia, apo siç na e ka ënda nga ana estetike – teksa e njëjta fotokopje na i lidh kopjet, në atë mënyrë që secili prej nesh të jetë në gjendje të krijojë vepra personale. Po pastaj? Do të zhduken krijuesit, tipografitë, libërlidhjet tradicionale, por do kemi ndër duar, ende dhe ngaherë, një libër.

Përktheu: Eldon Gjikaj

Tueini për gazetarinë dhe çështje të tjera



Kur isha trembëdhjetë vjeç, më dukej vetja se isha fëmijë i zgjuar, jashtëzakonisht i zgjuar. Pikërisht në këtë kohë, shkarravita shkrimin e parë për gazetën dhe, për çudinë time, ai bëri një përshtypje të mirë ndër lexuesit.

Për këtë e ndjeva veten kryelartë. Mua më pëlqenin shumë shkrimet dhe ma kishte qejfi të shkruaja edhe vetë. Im ungj më mbante në redaksinë e gazetës së tij, “Gazeta e përjavshme e Hannibalit”, e cila kishte gjithsej nja pesëqind pajtimtarë, që parapaguanin dy dollarë në vit dhe këto i lanin me dru zjarri, lakra dhe rrepa që nuk shiteshin në pazar; një ditë të bukur vere, ai u largua nga qyteti dhe më pyeti mua nëse do të isha i zoti të nxirrja vetë një numër të mirë të gazetës.

Ah, sikur s’desha unë ta provoja! Hixhinsi ishte kryeredaktor i një gazete kundërshtare. Ai ishte pushuar nga puna dhe, një natë, një shoku i tij i gjeti një pusullë mbi shtrat, ku Hixhinsi shkruante se nuk e duronte dot jetën, prandaj po shkonte të mbytej në gjirin e lumit Ber.

Shoku i tij rendi menjëherë atje dhe e gjeti Hixhinsin duke dalë nga lumi. Kishte vendosur të mos mbytej. I tërë qyteti e mbajti nëpër gojë këtë çështje për shumë ditë, po Hixhinsi nuk e dinte. Unë mendova se kjo ishte një temë e mirë për të shkruar.

Shkarravita pra një shkrim si mos më keq dhe e ilustrova me karikatura, një nga të cilat tregonte Hixhinsin me këmishë, më këmbë në mes të lumit, duke dalë jashtë tij; në dorë kishte një fener dhe një shkop për të provuar thellësinë e ujit. M’u duk për të qeshur dhe as që më vajti mendja se mund të kishte ndonjë farë morali.
Mendimi im ishte se goditja e kryeredaktorit të një gazete fqinje me një shkrim të tillë plot thumba, që ta bënte atë “të përpëlitej”, do të ishte i bukur e tërheqës.
E botova duke e vënë në formë parodie me “Varrimin e Sër Xhon Mur-it” dhe doli një parodi vërtet e goditur.
Pastaj shkrova një vjershë, me anën e së cilës satirizoja në mënyrë të pamëshirshme dy qytetarë të shquar, – jo se kishin bërë ndonjë faj që ta meritonin një gjë të tillë, po vetëm sepse mendova se kisha për detyrë ta bëja gazetën tërheqëse.
Pas këtyre, preka lehtë një të porsaardhur, heroin e ditës, një rrobaqepës të pashëm nga Kuinsi. Ai ishte një nopran e sqimatar i dorës së parë, dhe vishej me disa lloje rrobash që binte në sy më tepër se kushdo tjetër.

Ai ishte një gjahtar i regjur i grave. Çdo javë shkruante vjersha “përçart” për gazetën lidhur me fitoret e tij të reja. Vjersha që dërgoi këtë javë titullohej “Maries në H…l”, që do të thoshte, natyrisht, “Maries në Hanibal”.

Kur e këndova këtë pjesë, më përshkoi një e rrëqethur nga koka gjer te këmbët, tek më shkrepi një ide që m’u duk si një rrufe humoristike dhe e dërgova në shtyp me këtë shënim thumbonjës:
“Po e botojmë këtë pjesë, – po vetëm këtë, duke e uruar z. J. Gordon Ranels ta kuptojë mirë që ne durojmë shumë, po herë tjetër, kur t’u drejtohet miqve të tij në H…l, të gjejë ndonjë ndërmjetës tjetër e jo kolonat e kësaj gazete”.
Kur doli gazeta, nuk më shkonte nga mendja kurrë që këto shakara të vogla të tërhiqnin aq shumë vëmendjen e lexuesve.
Për herë të parë kërkohej “Gazeta e përjavshme e Hanibalit” nga lexuesit gjë që s’kishte ngjarë kurrë. Në të gjithë qytetin bëri bujë. Hixhinsi çatisi në zyrë në orët e para të pasdrekes me automatik në dorë.

Po kur pa se kishte të bënte me një çilimi (siç më quajti ai) që ia kish bërë atë të keqe, më shkuli veshët dhe u largua. Qysh atë natë, ai hoqi dorë nga kjo çështje, sepse u largua fare nga qyteti.

Rrobaqepësi më erdhi me hekur e me gërshërë; po edhe ai më përçmoi dhe u largua për në jug qysh atë natë. Të dy qytetarët e vënë në lojë erdhën me kërcënime e të shara dhe u larguan akoma më të egërsuar kur panë se kishin të bënin me një njeri të parëndësishëm.

Të nesërmen më erdhi kryeredaktori i gazetës krahinore duke bërtitur, i etur për gjak. Po edhe ai më fali me gjithë zemër dhe u mjaftua të më shpjerë deri në farmaci ku mori hakun, në një mënyrë shumë miqësore, duke më dhënë një vaj recini.

Kjo ishte shakaja e tij. Im ungj ishte shumë i zemëruar kur u kthye, – doemos pa arsye, mendoja unë, duke marrë parasysh bujën që kishte bërë gazeta dhe sidomos mirënjohjen që duhej të kishte ai ndaj meje, sepse duke e zëvendësuar unë, ai shpëtoi çuditërisht nga sharjet, copëtimi, sakavitja e vdekja e sigurt.

Po ai u zbut kur u hodhi një sy llogarive dhe pa se ish regjistruar një numër i madh prej tridhjetë e tre pajtimtarësh, gjë të cilën e tregonin edhe perimet, drutë, lakrat, fasulet dhe rrepat e pashitura, të cilat mjaftonin ta mbanin familjen tonë për dy vjet!

Dashuria e pamundur e Franz Kafkës



Shkrimtari i madh, Franz Kafka, ndërroi jetë më 3 qershor të vitit 1924. Sot mbushen 85 vjet nga vdekja e njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit XX

Ajo banon në Berlin, ai në Pragë. Jetojnë 800 kilometra larg njëri-tjetrit dhe në pesë vite fejesë, do të shihen vetëm për pak ditë bashkë… megjithatë, dashuria e tyre është përshkruar në qindra letra. Ai, Franz Kafka, një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit XX, e përjetoi kështu dashurinë e tij me Felice Baur. Një lidhje dashurie mes letrash të dërguara e të marra, të cilat përtej të gjithave, ishin stimuluese e kësaj largësie të kërkuar prej tij… Në të vërtetë, më shumë se gjithçka ai dashuronte letërsinë! Me Felicen, për herë të parë takohen në gushtin e vitit 1912 në shtëpinë e mikut Max Brod. Kafka fillimisht i përshkruan asaj defektet fizike: dhëmbët e shëmtuar, fytyrën këndore, dukjen e saj të pakuptimtë. Por me këtë grua të re, aspak tërheqëse ai dashurohet dhe nis në këtë mënyrë një korrespondencë epistolare me një stil dhe me imagjinatë të ngjashme, në mos më të lartë se prodhimtaria e tij e famshme letrare. Letrat i lejojnë që shpirti të jetë më i hapur edhe ndaj ndjenjave më sekrete dhe në të njëjtën kohë të mos impenjohet në një marrëdhënie materiale që e tremb. Shpesh është i dyzuar mes dëshirës për t‘u martuar me të dhe bindjes se kjo lidhje do të jetë shkatërrimi dhe një pengesë për të shkruar. Takimi me Felicen çliroi forcën krijuese të Kafkës. Kur u takuan në shtëpinë e Max Brod, ai ishte 29 vjeç dhe ajo 25. Dashuria e tyre është e gjatë dhe torturuese – fejohen, ndahen, ribashkohen deri në lamtumirën përfundimtare. Pasi zbulon se është i sëmurë me tuberkuloz, Kafka vendos ndarjen e dhimbshme nga gruaja që vërtet e dashuroi. Siç tregon miku i tij, Brod kjo është edhe hera e fundit që e pa Kafkën të qajë. Pas kësaj, ai kaloi të tjera dashuri derisa ndërron jetë më 3 qershor të vitit 1924 duke lënë pas një krijimtari të dashur plot me tematika filozofike.

Felice Bauer 27 maj 1913

Jemi kështu drejt fundit, Felice, me këtë heshtje më largon dhe e thyen shpresën time për të vetmen lumturi që më është e mundur mbi dhe. Por përse kjo heshtje e tmerrshme, përse asnjë fjalë e dëlirë, përse e torturon veten për javë të tëra për mua, dukshëm, në mënyrë kaq të hapur? Kjo nuk është më dhembshuri nga ana jote, sepse nëse do të isha për ty edhe burri më pak i njohur dhe i afërt, në një farë mënyre gjithsesi do e kishe kuptuar se sa vuaj për shkak të kësaj paqartësie, vuaj deri në atë pikë sa e humbas dritën e arsyes, dhe nuk mund të jetë dhembshuri gjithçka që përfundon me të tillë heshtje. Natyra vazhdon rrugën e vet, nuk ka më kthim, sa më shumë të njihja, aq më shumë të doja, sa më shumë ti më njihje mua aq më shumë të jam bërë i padurueshëm. Sikur ta kisha kuptuar të paktën, sikur të kisha folur hapur, nuk do të kisha pritur kaq shumë derisa të të gjeja në pamundësinë për ta bërë, deri kur të mos mundesh të gjej më mundësinë për të shkruar një fjalë të vetme nga një udhëtim prej pesë ditësh, apo deri kur t‘u përgjigjesh me një rresht letrave në të cilat të kërkoj një vendim, për t‘u ngushëlluar të paktën në këtë mënyrë me faktin që për një kohë të gjatë nuk ka marrë vesh asgjë për ty në kaq kohë. Edhe dje, kur të telefonova, kuptoja shumë pak, sepse nga gëzimi që po dëgjoja zërin tënd më gumëzhinin veshët. Më the se më kishe shkruar të dielën në mbrëmje dhe se të martën, do të mbërrinte letra në shtëpinë time. Jo, nuk ka asgjë, ti nuk ke shkruar të dielën e madje as të hënën pas telefonatës, nuk mund të shkruash, por nuk mundesh as të thuash se nuk mund të shkruash. Tani mendoj se e vetmja gjë e jotja; autonome, personale që kishe për të më thënë dje ishte: truri im po shpërbëhet, kështu nuk mund të jetoj më. Ndoshta nuk duhet të të detyroj ta bësh, por pavarësisht kësaj të lutem shprehimisht, mos më shkruaj më, as një fjalë, bëj si të thotë zemra. Edhe unë nuk do të shkruaj, nuk do të dëgjosh më qortime, nuk do të shqetësohesh më, të lutem vetëm të kujtosh, për aq sa do të zgjatë heshtja jote, se unë të përkas, sot dhe gjithmonë.

Franz

Pragë, 20 shtator 1912

E nderuar zonjë,

Do të ishte një rastësi e lumtur nëse do të kujtoheshit qoftë edhe minimalisht për mua, megjithatë po ju prezantohem edhe një herë: më quajnë Franz Kafka dhe jam ai që herën e parë ju përshëndeti në Pragë atë mbrëmje në shtëpinë e drejtorit Brod, pastaj ju vendosa nga njëra anë e tavolinës në tjetrën fotografi të një udhëtimi nga Talia, njërën pas tjetrën, dhe në fund, me këto duar që tani rrahin tastierën, mbajti dorën Tuaj me të cilën Ju konfirmuat premtimin për të bërë me të një udhëtim në Palestinë vitin e ardhshëm. Nëse akoma jeni me idenë për të ndërmarrë atë udhëtim.

Ju thatë atëherë se nuk keni një karakter të ndryshueshëm, e madje as unë nuk e vura re një gjë të tillë te Ju, mendoj se është jo vetëm oportune, por edhe absolutisht e nevojshme që të mundohemi të kuptohemi qysh në fillim në lidhje me këtë udhëtim. Do të na duhet në fakt të shfrytëzojmë deri në fund pushimet tona, tepër të shkurtra për një udhëtim në Palestinë, dhe do të mund ta bëjmë vetëm nëse do të jemi përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe nëse do të jemi gati për të gjitha përgatitjet. Duhet vetëm t‘ju rrëfej diçka, pavarësisht nëse do të tingëllojë keq dhe kjo e keqe të përshtatet në sa kam shkruar: unë nuk jam i përpiktë në të shkruar letra. Përkundrazi do të ishte më keq nga sa është tani, nëse nuk do të kisha një makinë shkrimi; në fakt, nëse ndonjëherë humori im nuk do të ishte i mjaftueshëm për një letër, janë majat e gishtave ato që mund të shkruajnë. Në këmbim, nuk pres asnjëherë që letrat të më vijnë të përpikta; madje edhe kur e pres një të tillë me ankth, çdo ditë të re, nuk mbetem i zhgënjyer nëse ajo nuk vjen dhe kur më në fund vjen, ndodh të tronditem lehtësisht. Vendosja e letrave të njohura është ndoshta më e vështirë nga sa mund të duket. Mirë të më bëhet nëse do të kisha bërë këtë gabim: në fakt, përse nis të shkruaj këtë letër, pasi kam qëndruar për gjashtë orë në zyrë dhe me një makinë me të cilën nuk jam shumë i mësuar? E megjithatë, megjithatë është i vetmi dizavantazh i të shkruarit me makinë është se më lejon të thyhem kështu – edhe nëse do të kishte dyshime, dyshime praktike e kam fjalën, për të ndërmarrë një udhëtim si shoqërues, udhërrëfyes… dhe gjithë sa mund të jem akoma, pavarësisht se jam ende në korrespondencë (dhe vetëm për këtë bëhet fjalë për momentin), nuk besoj se do të ketë asnjë kundërshtim dhe Ju mund të tentoni me mua.

I juaji përzemërsisht dhe me devotshmëri!

Dr. Franz Kafka

Përgatiti A. Hekurani

E mundur apo e pamundur?

George STEINER 

Në filozofinë e gjuhës mund të shtrohen dhe janë mbrojtur dy pikëpamje radikalisht të kundërta. 

Njëra thotë se struktura e nëndheshme e gjuhës është universale dhe e përbashkët për gjithë njerëzit.

 Ndryshimet ndërmjet të folurave njerëzore, në esencë, janë të sipërfaqshme.

Përkthimi është i mundur pikërisht se këta universalë të thellë, gjenetikë, historikë, shoqërorë, prej të cilëve rrjedhin të gjitha gramatikat, mund të përcaktohen e të njihen si veprues në çdo idiomë njerëzore, sado origjinale ose të çuditshme qofshin format e saj sipërfaqësore.

Të përkthesh do të thotë të zbresësh në pabarazitë e jashtme të dy gjuhëve, për të sjellë në lojën e jetës parimet e qenies së tyre, që janë ananaloge e madje në thelb të përbashkëta. 

Këtu pozicioni universalist lidhet ngushtë me intuitën mistike për një një gjuhë primare të humbur, apo paradigmatike.

Pikëpamja e kundërt mund të emërtohet “monadiste”.
Ajo mbron tezën se strukturat e thella universale ose nuk mund të arrihen nëpërmjet studimeve logjike a psikologjike, ose janë aq abstrakte e të përgjithshme, sa të bëhen pothuaj trivale.

Që të gjithë njerëzit që njohim, e përdorin gjuhën në ndonjë formë, që të gjitha gjuhët që njihen janë në gjendje të emërtojnë objektet e përceptuara dhe veprimet, këto janë të vërteta të pakundërshtueshme.

Por, meqë këto të vërteta i përkasin “klasës”, “të gjithë anëtarët e një lloji kërkojnë oksigjen për të jetuar”, ato nuk na ndriçojnë veçse në kuptimin abstrakt formal, për natyrën e vërtetë të të folurit njerëzor. 

Kjo natyrë është kaq e larmishme, historia e zhvillit të saj centrifugal është aq çuditërisht e ndërlikuar, ajo shtron aq shumë probleme kokëforte të llojit ekonomik e social, sa në rastin më të mirë modelet universale janë të padobishme, ndërsa në rastin më të keq të rreme.

Pozicioni i skajshëm “monadist” – ka poetë të mëdhenj që e mbrojnë – të çon logjikisht në bindjen se përkthimi real është i pamundur.

Ai që quajnë përkthim, është vetëm konvencion analogjish të përafruara, një ngjashmëri e trashë, vështirësisht e tolerueshme edhe kur dy kultura të rëndësishme kanë lidhje, por krejtësisht çorientuese kur bëhet fjalë për gjuhë pa ndonjë afërsi e për ndjeshmëri krejtësisht të ndryshme.

Mes këtyre poleve mund të vendosen mjaft pikëpamje ndërmjetëse, cilësore.

Asnjë prej pozicioneve të mësipërme nuk është mbrojtur me rigorozitet absolut. 

Ka hije të karakterit relativ në gramatikat universaliste të Roger Bacon-it, te specialistët e gramatikës së Port Royal-it dhe, madje, në gramatikën gjenerative transformuese të Chmosky-t.

Nabokovi, i cili pothuaj të gjitha përkthimet ndërgjuhësore i konsideron mashtrime dhe evitime mendjelehta të pamundësive radikale, vetë është mjeshtër i përkthimit ndërgjuhësor.

Përktheu Lluka Qafoku

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...