Shtëpia botuese “Ideart” sjell në shqip një nga librat më polemizues të kohës dhe në të tilla raste, ato quhen të suksesshme – ky është libri i futuristit në front, Filippo Tommaso Marinetti, “Si t’i joshim gratë”. Me titullin e origjinalit “Come si seducono le donne” doli në dritë në vitin 1916 dhe është konsideruar si një nga sukseset më të mëdha editoriale të Marinetti-t, është ribotuar dy herë në të gjallë të autorit dhe disa herë pas vdekjes. Teksti ka formën e një traktati autobiografik mbi artin dashuror, ku ironia dhe fryma groteske zbulojnë bëmat e këtij donzhuani futurist
Gra, ju keni nderin të jetoni në kohëra mashkullore dhe futuriste kombesh të fshira nga faqja e dheut, qytetesh të rrënuara, popujsh shtegtarë, formacionesh luftarake të fundosura, malesh të shpërthyera dhe ushtrish të zëna rob.
Në këtë kohë të mrekullueshme tradhtare, të shpejtë, joharmonike, asimetrike dhe të çekuilibruar, më në fund bie dhe jep shpirt harmonia idiote e trupit njerëzor.
Topi u ka prerë kokën statujave të bukurisë antike, statike e neutrale, të fshehura si vetë Greqia mes ullinjve frigaçë që u bëjnë hije brigjeve sofiste të kretinizmit helenik.
Nëndetëset kanë siluruar Tritonët e fundit. Deti i çliruar prej helenizmit profesorues dhe mitologjisë berlineze është bërë sot një det i fortë e i shëndetshëm, i kripur e jodizues me masë, ngarkuar me peshq të rrufeshëm, një det që përzgjat heroikisht valët e betejave të mëdha detare.
Gra, harrojeni Apolonin që sot quhet Apollo Gunaris, harrojeni Paridin që sot quhet Parid Skuludis(*)!
Asimetria dinamike e alpinit të gdhendur e të skalitur prej zjarrit duhet t’i imponohet zemrës suaj dhe shqisave tuaja novatore.
Gra, meshkujve të pacenuar e të dyshuar sadopak për burracakëri duhet t’u parapëlqeni sakatët e lavdishëm! Dashurojini me zjarr! Puthjet e tyre futuriste do t’ju falin bij çeliku, të prerë, të shpejtë, plot elektricitet qiellor, të frymëzuar si rrufeja që godet dhe rrëzon njerëzit, pemët dhe rrënojat arkeologjike.
Plumbi është si një baba i dytë për të plagosurin. I dikton karakterin e vet. I depërton në fibra një atavizëm të dhunës egërshane dhe shpejtësisë zjarrvënëse.
Lavdi lëkurës njerëzore torturuar nga mitralozi! Zbulojani shkëlqimin e vrazhdë!
Mësoni të admironi fytyrën ku ka shpërthyer një yll!…
S’ka gjë më të bukur se një mëngë e zbrazët që luhatet në gjoks, sepse prej aty brof idealisht gjesti që i jep sinjalin sulmit!
Gra, dashuroni heronjtë e verbër!
Sytë e tyre janë djegur sepse kanë parë diellin e papërballueshëm të fitores italiane! Përqafojini në rrugë! Përshëndetini me dashuri! Adhurojini! Ju takon juve, u takon buzëve tuaja t’i hyjnizojnë!
Lavdi të verbrit që ia ka falur sytë territ që Italia të ketë bij më rrezëllitës dhe më largpamës!
Lavdi sakatit që lëkundet kur ecën, thua është ngarkuar me copën e Italisë që ia shkëputi Austrisë. Pavarësisht se mund t’i duhet ta mbartë për gjithë jetën, plumb të rëndë, mbi shpinë!
Lavdi të gjymtuarve që mbajnë ekuilibrin mes dy patericave si të përbuznin ecjen e të donin të provonin fluturimin sublim!
Gra, bëni ç’është e mundur që çdo italian para nisjes të thotë: kur të kthehem dua t’i fal një plagë të bukur, të denjë për të!… Dua që beteja të ma plazmojë trupin për të!… Dua që granatat dhe bajonetat armike të më ndryshojnë për të!…
Gra, i gjymtuari që puthni kurrë s’do t’ju duket i ligështuar, i mundur, skeptik dhe i smuntë, sepse ai mban në vete shenjat e furishme dhe atmosferën e ndezur të përleshjes dhe në sy gëzimin ekzaltues të atij që i ka korrur austriakët me bajonetë.
Ky s’është Romantizëm që përçmon trupin në emër të një abstraksioni asketik. Ky është futurizëm që përlëvdon trupin e modifikuar dhe të zbukuruar nga lufta.
Ta shkallmojmë estetikën e vjetër simetrike. Lind sot estetika e re asimetrike dhe dinamike.
E pranojmë bashkëpunimin e luftës mekanike për të ngjyrosur heroizmin e njerëzimit të çngjyrosur nga paqja. Le t’i ndezim qytetet qetësore dhe paqësore me linja të dhunshme dhe të lëvizshme betejash skalitur në trupin njerëzor.
Kirurgjia ka nisur transformimin e madh. Me Alexis Carrel-in lufta kirurgjike ka kryer rrufeshëm revolucionin fiziologjik. Shkrihet Çeliku me Mishin. Humanizim i çelikut dhe metalizim i mishit tek njeriu i shumëfishuar. Trupi, motor me pjesë të ndërkëmbyeshme dhe të ndërrueshme: Pavdekësi e njeriut!…
Gra, dashuroni sakatët e lavdishëm! Imitojini duke marrë pjesë në luftë.
Në llogore!… Edhe ju në llogore! Po! Të paktën një milion gra në llogore, zgjedhur mes atyre që e përballojnë lodhjen, që s’merren me rritjen e fëmijëve apo me kultivimin e tokës! Kemi besim të plotë në forcën tuaj fizike dhe në guximin tuaj! Po, në llogore! është absurde, kafshërore, të qëndrosh me vite duke pritur e duke tradhtuar burrat që luftojnë!
T’i ekuilibrojmë kështu forcat e dy sekseve! Të gjitha përgjegjësitë edhe për ju, gra italiane: nëse doni të bëheni të denja për dashurinë e sakatëve të lavdishëm italianë!
*Dhimitër Gunaris dhe Stefan Skuludis ishin dy emra të njohur të politikës greke të kohës.