Në numrin më të ri të saj, revista letrare boshnjake ‘Sarajevske Sveske’ një hapësirë të konsiderueshme e ka ndarë për prezantimin e letërsisë së re të Kosovës. Në këtë numër janë prezantuar Gëzim Aliu, Arben Idrizi dhe Blerina Rogova-Gaxha, ndërsa studiuesi Ag Apolloni ka bërë një vështrim mbi këta autorë.
Shpeshherë kur flitet për letërsinë e re të Kosovës përmenden emra që krijimtarinë e tyre e kanë filluar në vitet e tetëdhjeta. Këta tashmë janë mbi dyzetë apo mbi pesëdhjetë vjeçarë dhe t’i vlerësosh si shkrimtarë të rinj nuk është aq e përshtatshme. Por cilët janë shkrimtarët e rinj të Kosovës dhe çfarë vlerash të reja i kanë sjellë kësaj letërsie? Si për ironi, duket se këtë pyetje e kanë shtruar të tjerët.
Në numrin e saj më të ri, revista letrare ‘Sarajevske Sveske’ (Fletoret e Sarajevës), e cila botohet në Bosnjë dhe Hercegovinë, i ka kushtuar një hapësirë të konsiderueshme letërsisë së re që krijohet në Kosovë. Në këtë revistë janë paraqitur Gëzim Aliu, Arben Idrizi dhe Blerina Rogova-Gaxha, ndërsa studiuesi Ag Apolloni është paraqitur me një vështrim sinoptik që flet për letërsinë e re. Përkthimin e krijimtarisë se tyre nga shqipja në gjuhën boshnjake e ka bërë Naile Imami.
Në vështrimin e tij me titull “Letërsia e re në shtetin e ri”, Apolloni, i cili e ka bërë përzgjedhjen e autorëve që janë prezantuar në këtë revistë, flet për problemet me të cilat ballafaqohen shkrimtarët, në veçanti shkrimtarët e rinj, pastaj mungesën e stimulimit të tyre nga ana e institucioneve, kushtet e vështira të botimit të librave etj. Në këtë vështrim ai po ashtu sjell profilin letrar të tre autorëve të prezantuar në revistën ‘Sarajevske Sveske’. Sipas Apollonit, disa nga arsyet e ngecjes dhe moszhvillimit të letërsisë së re janë kriza e leximit, mungesa e festivaleve të poezisë, simpoziumeve letrare, pastaj mosstimulimi i tyre nga Lidhja e Shkrimtarëve, të cilën shkrimtarët e rinj e shohin më shumë si ‘shtëpi pleqsh’, si dhe financimi modest për botimin e librave nga ana e Ministrisë së Kulturës.
Ai konstaton se krijuesit e rinj më shumë preferojnë ta studiojnë letërsinë sesa ta krijojnë atë. “Duke u nisur nga botimi i librave të pasluftës, mund të konsatohet se letrarët e rinj të Kosovës më shumë e studiojnë letërsinë sesa e krijojnë atë. Këtë shembull e japin të gjithë ata që tash për tash janë më aktivët në jetën kulturore, duke u imponuar në radhë të parë me ese, recensione e kritika letrare, qoftë me libra të veçantë, qoftë me tekste nëpër gazetat dhe revistat kosovare”, ka shkruar Apolloni, sipas të cilit numri i atyre që merren me shkrime fiksionale është shumë më i vogël.
Prej tre autorëve të prezantuar në revistën ‘Sarajevske Sveske’, Apolloni ka përzgjedhur një prozator dhe dy poetë. Sa i përket gjinisë së dramës, Apolloni vlerëson se ato tekste të autorëve të rinj që janë botuar e inskenuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, janë në nivelin e dramës edukative të ‘workshop’-ve e, ndonjëherë, kanë edhe influenca të pavetëdijshme nga realizmi socialist, ku prifti gjithmonë është personazh negativ.
“Shkaqet për ngecje të dramës mund të jenë edhe të natyrës politike, e cila ende ka diktat të plotë mbi kulturën, veçmas mbi teatrin, pasi që ngarkimet dhe shkarkimet e drejtorëve të teatrit varen nga tekat e politikanëve. Pa një autonomi të institucionit të teatrit është iluzion të mendohet zhvillimi i mirëfilltë i dramës”, shprehet Apolloni në vështrimin e tij.
Duke folur për letërsinë e re, Apolloni thekson se bie në sy një përpjekje e autorëve për t’u çliruar nga tradita e letërsisë shqipe dhe për t’u bërë individualitete letrare. “Ndër shkrimtarët e tillë, që veçohen në letërsinë më të re të Kosovës, janë: Gëzim Aliu me romanin Në Klubin e të shëmtuarve, Arben Idrizi me përmbledhjen poetike Heqakeq, Blerina Rogova-Gaxha me librin poetik Gorgonë dhe ndonjë autor tjetër”.
Apolloni ka thënë për Express se kriter përzgjedhës ka qenë shija e tij dhe, natyrisht, që si çdo shije qe është subjektive, edhe kjo mund të diskutohet. Por, ai e vlerëson faktin që karshi letërsive tjera ballkanike (letërsia serbe, boshnjake, maqedonase e kroate), letërsia e Kosovës është paraqitur dinjitetshëm.
Duke qenë i vetëdijshëm që ky është prezantimi i parë që i bëhet letërsisë më të re të Kosovës, Apolloni tekstin e tij më shumë e konsideron problematizues sesa vlerësues. “Natyrisht, jo të gjithë emrat qe i kam përmendur aty, do ta përfaqësojnë letërsinë e Kosovës. Rruga e letërsisë është e gjatë, disa mund të lodhen e të ndalen, kurse të tjerë mund të shfaqen rrugës. Prandaj konstatimet që i sjell unë aty mund të jenë relative. Gjithçka është relative në shkencat ekzakte, thoshte Ajnshtajni. E si mund të jemi të saktë në letërsi, do të pyesja unë”, është shprehur Apolloni.