Tërmeti jo i rastësishëm i Bild, Tiede komenton vendimin e Metës
Ata që e njohin gazetarinë gjermane, e dinë se gazeta më e madhe europiane, Bild, dhe revista më e madhe europiane, Spiegel, nuk e preferojnë shumë njëra-tjetrën.
Megjithatë, gazeta në krahun e djathtë dhe revista në krahun e majtë, kanë prodhuar kaq shumë raportime të rëndësishme, investigime dhe analiza që kanë sjellë jo pak ‘tërmete’ në Gjermani dhe përtej.
Këtë herë ishte radha e gazetës Bild që me dy shkrime të saj, të shkaktonte tronditje në Shqipëri. Por Spiegel nga ana tjetër, në një shkrim ku thekson se demokracia është në krizë në Shqipëri, i jep meritat e duhura shkrimeve të Bild, madje poston një link për përgjimet.
Shkrimet janë meritë e Peter Tiede, gazetarit gjermanolindor, që u bë hero në Shqipëri, madje emri i tij shihej nëpër parullat e protestës së ditës së shtunë. Vetë Tiede reagoi pasi kreu i shtetit, Ilir Meta vendosi të anulojë zgjedhjet, ndërsa emri i gazetarit gjerman shihej në duart e protestuesve.
“Presidenti i Shqipërisë ka anuluar datën e zgjedhjeve (jo për shkakun tim… shpresoj). Dhe pastaj kjo. Jam i prekur- por ky është një nderim shumë i madh… Unë jam vetëm një gazetar. Faleminderit”, shkruan ai.
Për ata që dinë të lexojnë situatat, e dinë se ‘tërmeti’ që erdhi nga gazeta më e madhe gjermane, Bild, nuk është krejt i rastësishëm. Për më tepër, kur thuhet se tërmeti nuk di të ndalet pasi gazetari i saj, Peter Tiede ka paralajmëruar të tjera ‘bomba’.
Gjermanët janë njerëz që ecin vetëm me plan.
Peter Tiede
Ai komentoi edhe deklaratën e kryeministrit Edi Rama, i cili ka theksuar se gazeta gjermane është e stilit “bulevardeske”, që nuk thellohet në çështje, por gazetari shtoi se artikulli është i saktë dhe sipas tij, Rama më parë duhet të tregojë se pse nuk funksionojnë disa institucione në Shqipëri dhe jo të merret me median gjermane.
Ai tregoi se gjatë një vizite në Shqipëri ka parë me sytë e tij laborator heroine në vitin 2016, por pa treguar vendin se ku. Gazetari theksoi se ai po punon për një material, i cili do të flasë mbi mafien shqiptare.
“Ai ka të drejtë se ne jemi një media bulevardeske, por artikujt tonë janë të shkurtër sepse ky është stili i kësaj mediaje. Këto janë gazeta që citohen dhe iu referohen më shumë në Gjermani dhe në të gjithë botën. Sigurisht se zoti Rama duhet të përballet me argumentet se pse nuk funksionojnë Gjykata Kushtetuese dhe disa istitucione të tjera dhe a është e lirë media në Shqipëri.
****
Peter Tiede: Do publikoj materiale të tjera nga dosja 339/1
Peter Tiede, gazetari gjerman i “Bild”, që publikoi dje 6 përgjime të reja nga dosja 339/1, ku dëgjohet Astrit Avdylaj me zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste, mes tyre edhe kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako flet në emisionin “Të Paekspozuarit” në News 24. Ai tregon se ra në kontakt me materialin e publikuar falë kontakteve që ka pasur në Shqipëri.
“Unë kam pasur kontakte me hetues dhe policë shqiptarë, të detyruar të largohen nga Shqipëria, me hetues, oficerë të policisë gjyqësore”, tha Tiede.
Ai shtoi ndër të tjera se ka edhe materiale të tjera nga dosja 339/1 dhe se do t’i publikojë edhe ato.
Kurse gazetarja Klodjana Lala tha se e ka takuar gazetarin gjerman, Tiede një muaj e gjysmë përpara dhe për këtë deklaratë mban përgjegjësi të plotë.
Po kështu ajo u shpreh se Peter Tiede kishte kryer takime me prokurorë e zyrtarë të tjerë të Gjykatës së Krimeve të Rënda.
“Peter Tiede e kam takuar para gjykatës së krimeve të rëndë një muaj e gjysmë më përpara, ditën kur shqyrtoheshin ën gjykatë masat e sigurisë për protestuesit. Kam qendruar me të pasi ai kishte përfunduar disa takime me zyrtarë të gjykatës apo Prokurorisë së Krimeve të Rënda”, tha Lala.