Arrestimi dhe paraburgimi 48 orësh i Gafurr Dugollit, drejtor i Zyrës së Protokollit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, me pretekst “Për të verifikuar e konfirmuar identitetin e tij”, gjason në rastin e pilotit nga Kosova me banim në Zarë, Sinan Vitia i cili poashtu është ndalua në aeroportin e Shkupit më 28 nëntor të vitit 1993 dhe nga ajo ditë i humbet çdo gjurmë, shkruan sot ina.
Në këtë rast, sipas informacioneve, Gafurr Dugolli është arrestua ditën e premte nga policia maqedonase në bazë të një urdhërarresti të INTERPOL-it, me kërkesë të Policisë së Serbisë, si i kërkuar për krime lufte gjatë kohës kur ka qenë pjesëtar i UÇK-së dhe i është shqiptuar masa e arrestit 48 orësh, në pritje që Prokuroria Publike në Shkup të vendosë nëse do të lirohet apo do ti shqiptohet paraburgim ekstradimi të tij në Serbi, vendim që ate përfundimtar duhet ta nënshkruajë ministri i drejtësisë së RM-së, e në rastin konkret ministri aktual Adnan Jashari, kuadër partnerit të koalicionit qeveritar të BDI-së.
Për arrestimin e Gafurr Dugollit ka reaguar edhe përfaqsuesit e Qeverisë së Kosovës, me kërkesë për lirimin e menjëhershëm të Gafurr Dugollit, kërkesë që në një mënyrë është “injoruar” ose së paku nuk është komentuar nga asnjë zyrtar kompetent, por as zyrtarët shqiptar. Poashtu nuk ka njoftime ose prononcime apo informacione për ndonjë reagim të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup.
Përderisa për Gafurr Dugollin së paku janë njoftuar organet qeveritare të Kosovës, por e kanë trajtuar edhe pothuajse të gjitha mediumet, rasti i pilotit shqiptar Sinan Vtia, (1.05.1961) nga Konjuhi i Lipjanit, me banim në Zarë, që është arrestuar poashtu nga policia maqedonase më 28 nëntor të vitit 1993 në aeroportin “Petrovec” (sot Aleksandri i Madh) në Shkup, mbetet arrestim dhe “zhdukje” enigmatike!
Piloti shqiptar Sinan Vitia është arrestuar nga policia mqedonase në aeroportin e Shkupit, që është pohuar edhe në formë të shkruar nga ish ministri i brendshëm Tomisllav Çokrevski, dhe sipas tij, ai “pasi është konstatuar se pasaporta e tij ka qënë e falsifikuar dhe pas verifikimit të shtetësisë, ai është dëbuar nga Maqedonia”. Mirëpo, nuk ka asnjë dëshmi të dokumentuar se ku është deportuar ai, nuk ka asnjë vendim zyrtar të Gjykatës përkatëse ose të Gjykatës për kundravajtje e sa për vendim të Ministrisë së drejtësisë as që flitet. Nga pohimi i ministrit Çokrevski, nuk ka vend për ndonjë dilemë se ai është dorëzuar organeve policore serbo-jugosllave pa asnjë procedurë dhe asnjë vendim valid, të mbështetur në konventat ndërkombëtare, ose në dispozitat ligjore në fuqi në Maqedoni, ose duke iu referuar marrëveshjeve ose konventave bilaterale me Serbinë.
Sinan Vitia, ka qënë pilot në Zarë dhe ka pas fillimit të luftërave të trojet e ish Jugosllavisë, braktisur ushtrinë vrastare dhe i është bashkangjitur forcave çlirimtare të Kroacisë, duke iu bashkangjitur Gardës kroate për mbrojtjen e Zarës. Për këtë dëshmon edhe “Deklarata solemne” që është dhënë pranë Shtabit të Krizës, në fshatin Përkos, më datë 11.02.1992.
“Faji” i pilotit Sinan Vitia ka konsistuar se ai ka braktisur ushtrinë vrastare serbo-jugosllave dhe i është bashkangjitur forcave mbrojtëse të Zarës dhe për këtë ka qënë në evidencë dhe në listën e oficerëve shqiptar të kërkuar nga organet ushtarake dhe policore serbe si shumë oficer dhe ushtar të tjerë shqiptar.
Prandaj, rasti i Gafurr Dugollit mos e dhashtë i Madhi Zot, mund të jetë i ngjashëm me rastin e Sinan Vitisë.