2019-06-09

CIKËL POETIK NGA LIGOR SHYTI NGA PËRMETI ...

Rezultate imazhesh për LIGOR SHYTI
Ligor Shyti u lind në Përmet me 29/12/1957. Pas përfundimit të shkollës së mesme dhe shërbimit ushtarak, iu përkushtua karierës ushtarake, prej së cilës u shkëput prej një aksidenti të rëndë automobilistik, që e bëri të jetojë mbi një karrige me rrota. Pas korrikut të vitit 1991 i është kushtuar artit dhe letërsisë.

Në pranverën e vitit 2000 doli në qarkullim libri i tij i parë i titulluar: “Çmimi i Faljes”, roman dhe më pas, në vitin 2003, doli libri i dytë “Letër nga Ferri”, roman; “Françi, mbesa e kapitenit”, roman (2007); “Në aerodromin e ëndrrave të mia”, lirika, 2009; “Ishte Eliana”, roman, 2012.

Ka marrë pjesë në konkurse të ndryshme lokale, kombëtare të poezisë dhe fabulës dhe është vlerësuar me çmime të ndryshme si brenda vendit dhe në Itali e Greqi. Romani “Letër nga Ferri” është shpallur nga Lidhja ndërkombëtare e krijuesve “Pegasi”, me qendër ne Gjirokastër, si vepra më e arrirë e vitit 2005. Pjesë nga krijimtaria e tij janë botuar në shtypin e përditshëm lokal dhe atë kombëtar, si dhe në Kosovë, Sh.B.A. dhe Italinë e jugut. Kohët e fundit është paraqitur në shtyp edhe si përkthyes i gjuhës italiane. Tregime: “Detektivi”,tetor, 2006; “Kuqoja”, qershor, 2008; “Ledia”, maj 2009, “Shkruar për Rozën” qershor 2013.



Publicistikë:



“Në qendër të të gjitha gjërave qëndron Mirësia”, maj, 2000

“Kosina dhe kosinaret në vite”, shkurt, 2007.

“Bastioni” i socialistëve në Përmet, u shkërmoq”, janar, 2007.



Botime në gjuhë të huaja:



Romani “Françi, mbesa e kapitenit”, përkthyer dhe botuar në Greqisht, italisht.

Cikël me poezi, botuar ne revistën italiane “Artisti a Confronto”në qytetin e Motolas (TA). “Në qendër të të gjithave qëndron mirësia”, botuar në anglisht, revista “Mirësia”(2000).



Rolin e tij në letrat shqipe dhe vlerësimin kombëtar për të;

Është një zë i njohur në letërsinë shqipe dhe më tej. Prezantimi i krijimtarisë së tij në shtypin mbarëshqiptar me veprat e tij në prozë: 


“Çmimi i Faljes”, 
“Letër nga Ferri”, 
“Françi, mbesa e kapitenit” 
dhe “Ishte Eliana”,
 poezi: “Në aerodromin e ëndrrave të mia”,
 si dhe publikimi i vazhdueshëm në tregun mediativ të cikleve me poezi dhe tregimeve ne shtypin letrar shqiptar si:
 Tregime:


“Detektivi”,tetor, 2006.




“Kuqoja”, qershor, 2008.




“Ledia”, maj 2009,




“Shkruar për Rozën” qershor 2013




NJËQIND VJET PA GJUMË

Tani, mund të fle gjumë pafund

Nën flladin e erës shqiptare

që shpirtin më përkund.

Vitet që ikën…

ma prishën ëndrrën.

Njëqind vjet luftëra, vrasje,

copëtime dhimbjesh të kota.

Dhe krahu i prerë që s’e harrova kurrë.

Tani, krahët i kam njëlloj, si dikur,

Fluturoj si një shqiponjë e re,

edhe pse jam tepër e vjetër,

sa vetë bota.

Njëqind vjet dashuri pa dashuri.

Njëqind vjet liri pa liri.

Njëqind vjet ëndrra pa gjumë.

Tani, do të fle,

do të shoh ëndrra më shumë.

Ëndrra, liri, dashuri, kudo anembanë,

nga Shkupi, në Prishtinë, gjer në Tiranë.

Tani, do të fle gjumë si dikur,

shqiponja ime dykrenare

do të fluturojë kudo… lart, larg,

me të sajin flamur.

DUKE PRITUR AGIMIN

Kisha kohë pa e pritur agimin në prill

Dhe zërin e bilbilit s’e dëgjoja

Një qyqe më zuri papritmas gafil

Më ftoi të dilja… me të të lodroja

Një hënëz e vetmuar mes yjesh që ndrijnë,

yjet…

dashuria ime e parë,

e dinë, që çmendem pas saj,

me njeri-tjetrin pëshpërijnë:

Ky qenka i marrë!

Prej kohësh… as shiu rrobat s’mi lag

që rrezes së diellit t’i nder për t’u tharë

se fati, s’më deshi as mua, as hënën,

prandaj në prill na gjen duke qarë.

Me lotët që rrjedhin si pika e vesës

Agimeve të mia mëngjesesh prilli

Do shkruaj një këngë pa vargje, pa rreshta,

Kënduar në maj duke pritur agimin.


KËRKOJ NJË EMËR…!

Një emër dua t’i vë qenies sime,

por nuk mundem.

Kërkoj rreth meje, jashtë meje,

brenda meje,

por… përsëri s’e gjej dot.

Jam një trup pa emër, pa qenie.

Të paktën kohën dua ta di,

epokën time,

por… s’mundem.

Jam një qenie pa kohë,

që kërkon të dijë kur lind dhe perëndon Dielli im?

Por… nuk mundem.

Nuk ka Diell.

Ka vetëm errësirë

me pak dritë hëne që s’të ngroh.

Jam një trup me pamje të ashpër

dhe shpirt të brishtë,

që thyhem atëherë kur s’duhet,

dhe qëndroj stoik kur betejën e kam humbur.

I tillë jam unë,

që kërkoj një emër të ri,

për një kohë tjetër,

për një Botë tjetër.

ME SYTË E TU

Me sytë e tu,

Mund të pikturoj qiellin pa re

Me sytë e tu,

mund të pikturoj detin pa valë

Me sytë e tu,

mund të rri orë, ditë, muaj,

pa thënë asnjë fjalë.

VETËM PËR TY

Vetëm për ty do këndoja si bilbili,

Do udhëtoja gjatë për tek ti,

Por, nëse për ty do të bëja gjithçka,

Mos më kërko, që vetëm për ty të shkruaj poezi.

Më kërko, për ty të shkoj dhe në Hënë,

Me not do të kaloja edhe detin,

Por, nëse për ty, do të rrotulloja edhe Globin,

Mos më kërko, që për ty të nis kurbetin.

Më kërko të të fal dashuri

Dhe dhimbje të marr prej dhimbjes tënde,

Por, nëse do që vetëm për ty të flas,

Mos më dërgo n’ato kuvende.

Poet i mirë, apo i keq

Ti mund të thuash çfarë të duash

Por, nëse për ty un veç do shkruaj

Për poezinë, jam i huaj.

Të shkojmë një ditë të festojmë,

Në fushë, në det, apo në mal

Një shishe verë, një laps dhe letër

Vetëm për ty, nuk shkruaj tjetër.



Vetëm për ty pranë një burimi

Në një lëndinë me lule shumë

Ditlindjen tënde do festojmë

Vetëm për ty do shkruaj unë.

NË KALTËRSINË E DETIT TËND

Në kaltërsinë e detit tënd
seç shoh një ngjyrë bluergjënt
një hënë e bukur,
ca sy të shkruar,
një formë zemre me gurë të çmuar.
Në kaltërsinë e detit tënd,
një zë,
një emër,
bluergjënd.
Në kaltërsinë e detit tënd
një lulerozë, gonxhe e vaditur,
ku vijnë ca zogj për ta soditur.
Në kaltërsinë e detit tënd,
nuk kam më fjalë,
…ngelem pa mend.

***


Unë jam një puthje ere

që vij sa herë ka ndryshime stinësh.
Jam fllad pranvere pas një nate dimri.
Aromë trendafilash
që shfaqem papritur 
pas stinës së nxehtë.
Jam simfoni bilbilash
që jap koncerte edhe në vjeshtë.
Unë,
jam valë deti
që në tokë s’ka mbritur asnjëherë,
jam këngë gjinkallash
që këndoj vetëm në verë.
Jam puthje ylberi,
plot ngjyra,
që shfaqem dhe iki si ëndërr.
Jam galaktikë dashurish
që puthjen kam në qendër.

NËSE VJEN…

Nëse vjen në qytetin tim këtë maj,
eja, të pres.
Edhe trëndafilat po të çelin me vonesë,
Ti eja, do të të pres me lule të tjera plot ngjyra.
Mund të vish edhe zbathur,
mjafton të ecësh lehtë-lehtë,
ngadalë,
mos e trondit dheun.
Jo se kam ndonjë gjë me ty,
apo ecjen tënde të zhurmshme,
po… po presim Skënderbeun!


ZOGJTË NË KORR

Poshtë fshatit në Kosinë
Këndonte një gardelinë
Pak më tej, te lofata
Ceq ceq ceq bënte bishtgjata

Vjen gushkuqi nga qershia
Dhe u fut te kullumbria
Ja merr këngës siç di miku
Kur dëgjon qofka te fiku

Qof qof qof nga Bregu i Janës
Nis një cëre fluturimin
Ju bashkua melodisë
Që nga baça e Rinisë

Në kanal një patë e egër
Ngiti kokën e dëgjonte
Nënë stenë poshtë një rrëze
Po vinte një zë thëllëze

Për matanë afër një fiku
Ja filloi qukapiku
Shqiponja nga Bregu i Stanit
Ju drejua Lëmit të Fanit

Na u bë një korr me zogj
Simfoni e pa dëgjuar
E dëgjon Bufi te pisha:
-Këtë kor të kishte kisha!

PËRGATITI :FLORI BRUQI


****

Ligor Shyti, me krijimtari, e ka mposhtur dhimbjen …



(Pak radhë për një autor, plot mirësi e zemërbardhësi)

1.Kur po shkoja, si zakonisht, drejt sallës së bibliotekës, në Muzeun Historik Kombëtar të kryeqytetit, sillja në kujtesë sa e sa “festa” të autorëve, pjesëmarrës për librat e tyre të rinj. Ata kanë qenë botues nga Shqipëria, por edhe nga Kosova ose emigrantë tanë, me banim në Greqi, Itali e tjerë. Po kësaj here, përurimi i romanit “Ishte Eliana” kishte diçka tjetër të veçantë, pra dallonte nga disa të mëparshmit.

Poetja e tashmë mikja krijuese, Venka Capa, më dërgoi ftesë për t’u ndodhur aty, në përurimin e atij libri të ri të krijuesit përmetar Ligor Shyti. Të them të drejtën, duke e ditur që ajo është me origjinë nga rrethi i Dibrës, në fillim, nuk e kuptova ngulmimin e saj. Po, kur hyra në mjediset e Muzeut dhe e pashë Ligorin të ulur në një karrocë me rrota, e kuptova mirë, se si ishte e vërteta. Pra, i dhashë plotësisht të drejtë kësaj krijueseje të re, e cila interesohej ashtu për një koleg të Shoqatës së personave me aftësi të kufizuara, në të cilën bën pjesë edhe vetë Venka.

Pasi poetja e publicistja Fatime Kulli e hapi veprimtarinë përuruese, të pranishmit, krijues, kolegë e miq të autorit, në një ekran panë të filmuar pjesë nga jeta dhe botimet e shkrimtarit e poetit të talentuar, Ligor Shyti. Më tej, tërhoqën vëmendjen recitimet e disa poezive, si dhe urimet e përshëndetjet e përzemërta për autorin, nga: Erisa Peçi, Riza Lahi, Diana Çuli, Murat Dervishi, Majlinda Kruti, Shpëtim Baxha, Venka Capa, Murat Gecaj, Merita Dabulla, Niko Tyto e të tjerë. Një përfaqësues i Shoqatës “Përmeti”, i solli autorit të librit përurues përshëndetjet e përzemërta të bashkëkrahinasve të tij.



Si zakonisht, në mbyllje e mori fjalën autori i romanit dhe i disa krijimeve tjera të bukura, në prozë e poezi, Ligor Shyti. Ai i falënderoi nga zemra gjithë pjesëmarrësit e folësit në përurim, si dhe ata që kanë ndihmuar e bashkëpunuar në botimin e librave të tij. Më tej, pas shkëmbimit të librave të ndryshëm, i vazhduan së bashku bisedat e këndshme, si për këtë autor dhe në përgjithësi për krijimtarinë, sidomos të shkrimtarëve e poetëve me aftësi të kufizuara shëndetësore. Pjesë e pandarë e mendimeve, ndjenjave dhe shprehjeve të tyre janë mirësia e zemërbardhësia, dashuria e optimizmi për jetën, aftësia për ta përballuar e mposhtur gjendjen e krijuar, për shkaqe të ndryshme. Po kështu, ata kanë veçori dalluese përpjekjet e pareshtura të tyre për t’u integruar denjësisht dhe për të qenë të barabartë me të tjerët, në familje, shoqëri e kudo. Prandaj dhe të gjithëve ne, na del për detyrë njerëzore që të ndodhemi në ndihmë e sa më pranë tyre.

Për këtë të vërtetë, mësova shumë edhe në bisedën e shkurtër, që bëra me një çift të ri dhe me aftësi të kufizuara shëndetësore. U emocionova shumë, kur në sytë dhe fytyrën e tyre dallova aq gëzim, lumturi e mirësi të sinqertë. Së bashku me ata bëra një fotografi dhe, pasi ua dhashë kartëvizitën time, në bllok ma shënuan e-mailin e tyre domethënës: klodilida@yahoo. com



2.

Mund të shkruaja shumë radhë të tjera për këtë takim mbresëlënës dhe emocionues, kushtuar krijimtarisë së Ligor Shyti. Ndërsa lexuesin po e informoj më poshtë, vetëm më librat e botuara nga ky autor, pa përmendur këtu publikimet e ndryshme, në shtyp e në Internet, as planet e tij për të ardhmen.

Në vitin 2000, ai iu gëzua botimit të parë, romanit me titullin “Çmimi i faljes”. Më tej, librat e tij ndoqën njëri-tjetrin, romanet: “Letër nga Ferri” (2003), “Françi, mbesa e kapitenit”(2007) e “Ishte Eliana” (2012) dhe përmbledhjet me tregime: “Detektivi”(2006), “Kuqoja”(2008) e “Në qendër të të gjitha gjërave, qëndron mirësia” (2000). Ndërsa libra publicistikë të tij janë: “Bastioni i socialistëve në Përmet u shkërmoq” (2007) e “Kosina dhe kosinarët, në vite”(2007). Ndjenjat e mendimet e bukura të shpirtit të tij poetik i ka përmbledhur në poezitë e vëllimit me titullin, “Në aerodromin e ëndrrave të mia”. (2010)

I urojmë nga zemra autorit Ligor Shyti: Shëndet të plotë dhe jetëgjatësi! Mirësinë, optimizmin për jetën dhe dashurinë e tij të pafundme njerëzore, dëshirojmë e shpresojmë ta shohim të pasqyruar bukur, në sa e sa botimet të tjera të reja, në prozë e poezi.

Nga Prof. Murat Gecaj

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...