Dan Braun dhe "kodi" i suksesit të tij

Ka sfiduar me librat e tij Kishën Katolike dhe masonët, e ndërsa gëzon frytet e famës dhe ato financiare të punës së deritanishme, bën plane për të ardhmen dhe temat që synon të rrahë

Kishte kohë që njihej nga lexuesi, por famën e vërtetë botërore e mori me botimin e “Kodi da Vinçi”. Së fundi ka nxjerrë edhe “Simboli i humbur”, që është pritur me shumë kuriozitet nga miliona lexues. 

Dan Braun është i qetë, që ka mundur të hedhë në treg edhe një tjetër libër dhe i ka lejuar vetes një pushim të shkurtër. Nga pamja e jashtme, ai vazhdon të jetë i njëjti si edhe vite më parë, madje edhe për sa i përket veshjes, xhaketës bojëkafe, këmishës së hapur ngjyrë deti dhe pantallonave kaki.

 Mbase është rastësi, por kjo është pak a shumë edhe veshja e preferuar e personazhit të tij tashmë të famshëm, të disa librave, Robert Langdon, simbologjistit që ka marrë përsipër të nxjerrë në dritë shumë të vërteta të mbajtura të fshehura nga forcat e pushtetit tokësor. 

“Langdon është njeriu që kam dashur gjithmonë të jem. Kur e krijova si hero të romaneve të mia, nisa të përjetoja një jetë paralele dhe arrita të lidhem e ta dua aq shumë sa nuk e ndava nga shkrimet e mia për gjashtë vjet me radhë”, thotë Braun në një intervistë dhënë një të përditshmeje italiane.

E besoni me të vërtetë personazhin tuaj?

Absolutisht. Plotësisht. Fillimisht kam qenë shumë skeptik ndaj tij, por më pas bëra kërkime të ndryshme dhe gjërat ndryshuan. Mund të duket si çmenduri, por është e vërtetë. Edhe këtë libër e kam shkruar bazuar në bindjen time. 

Në roman citoj një eksperiment të bërë në Princton. Sipas këtij eksperimenti, nëse në një gotë në të cilën uji është duke u shndërruar në akull ti përqendrohesh dhe mendon gjëra të bukura, atëherë kristalet që po forcohen bëhen të bukur në formë, ndërsa nëse përqendrohesh në gotë duke menduar apo sjellë ndërmend gjëra të këqija, humbjen apo situata krizash, atëherë kristalet që formohen janë vërtet të shëmtuara. 

Sigurisht që nuk pretendoj që një fakt i tillë të pranohet menjëherë dhe me normalitetin më të madh, por gjatë historisë ka pasur gjithmonë momente kur shkenca mbështet të vërteta që deri dje mund të jenë dukur të pamundura.

 Këtë e thotë edhe një nga personazhet, Kathrine,motra shkencëtare e Peter Solomon, masoni që ruan simbolin e humbur. Ndoshta pas 50 vitesh, njerëzit do të thonë: A ju kujtohet koha kur pushteti dhe fuqia e mendjes konsiderohej një kotësi dhe madje më kaq, qesharake? Unë i shkruaj këto libra jo për të dhënë përgjigje, por për t‘i bërë njerëzit që të bëjnë pyetje.

Në kohët kur shkruanit dhe botuat romanin e parë “Crypto” ju hidhnit hipotezën e një sulmi terrorist në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte viti 1998. 

Çfarë keni menduar më 11 shtator të vitit 2001?

Ishte një gjë e tmerrshme, por që për hir të së vërtetës nuk më befasoi.

Mal‘hak, engjëlli-djall që do të ketë me çdo kusht “simbolin e humbur” të masonëve, duket sikur bën të njëjtat veprime me të terroristëve. A keni pasur parasysh Bin Ladenin për një gjë të tillë?
Jo këtë herë. Bin Laden ishte frymëzim i imi në librin “E vërteta e akullit”. 

Edhe aty bëhet fjalë për vitin 2001 dhe unë flisja për terroristët në Afganistan. A jam profet? Mendoj që është vetëm fat, në fakt një fat i keq, duke qenë se bëhet fjalë vetëm për fatkeqësi dhe luftë.

Duke filluar nga “Kodi da Vinçi” e në vazhdim zgjodhët tema që, për hir të së vërtetës kanë bërë shumë bujë. Sfida ndaj Opus Dei…
Unë nuk e vras mendjen për këtë. Edhe ata duhet ta kenë kuptuar tashmë se bëhet fjalë për një roman. Unë nuk kërkoj polemizime, por teatralitetin. Më pëlqen që të rrëmoj në materien gri që ekziston mes së drejtës dhe së padrejtës

. Në “Simboli i humbur” mbështes faktin se etërit themelues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishin masonë e deistë. Nuk është e vërtetë që Amerika u themelua si një vend i krishterë. Politikanët që mbështesin një teori të tillë në televizion, nuk thonë të vërtetën.

A është e vërtetë që keni kërkuar të takoni Papën?

Fjala “kërkoj” më duket pak si e paedukatë.

Prisni që t‘ju ftojë ai?

Ah po të ndodhte kjo, do të hidhesha menjëherë në një avion për ta takuar. Sigurisht që nuk do të isha dakord për shumë gjëra, por kjo nuk ka rëndësi për mua.

Mamaja juaj drejtonte korin e Kishës Episkolape. Ju shkoni më në kishë?

Vetëm në raste funeralesh dhe martesash, por kam qenë gjithmonë në të ri fetar. Kam qenë i dhënë pas studimeve të feve të ndryshme. Në kapelën e shkollës ku kam studiuar, gjeje studentë të të gjitha feve dhe kështu u rrita mes një diversiteti të madh fetar.

Në librin tuaj të fundit është një fjalë që të godet: “Shpresë”. Është kjo vetëm një koincidencë me parullën e Obamës?

Këtë pyetje ma ka bërë edhe një senator i rëndësishëm. Në fakt, nuk e kam ndjekur fushatën e Obamës. Isha shumë i zënë me shkrimin e librit dhe për disa muaj i kisha humbur të gjitha lidhjet me botën.
Po më falni për pyetjen, ju për kë votuat?

Unë votoj si i pavarur dhe herë votoj njërin krah, e herë tjetrin.
Po Obama a ju pëlqen? Ai më duket një tip inteligjent, me një mision të pamundur.

Pra qenka vetëm një koincidencë që një nga masonët në libër është zezak?

Presidenti aktual nuk është i vetmi afro-amerikan i pushtetshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë doja të tregoja vetëm se masonët janë një grupim i hapur për të gjithë.

Në libër ju shfaqni simpati për masonerinë. Ky është një fakt që të bie në sy menjëherë. Po për sa i përket episodeve të errët? Ju citoni vetë Lozhen P2, por pa kujtuar vrasjen e Roberto Calvit…

“…ura e fretërve të zinj, rasti ‘Ambroziano‘”. 

E di e di. E njoh mirë këtë histori tërheqëse. Për ca kohë mendoja që të shkruaja një roman që lidhej me të. Por nuk është kjo tema e librit. Nëse ke një rrëfim të jashtëzakonshëm si historia e P2, por nuk përputhet mirë me disa nga idetë e tua, atëherë duhet ta lësh mënjanë, sepse ndoshta rrëfimit të kësaj historie nuk i ka ardhur koha.

Pushteti. Feja. Shërbimet e fshehta. Masoneria. Gratë. Siç e dini në Itali mund të keni një personazh shumë interesant për librin tuaj të ardhshëm, Kryeministrin e vendit, Berluskoni.

“Oh. ‘Kodi Berluskoni‘. Më pëlqen”.

Ju intereson ky argument?

Nuk di shumë në lidhje me telashet tuaja, por mendoj se ndaj njerëzve që qeverisin një vend duhet të ekzistojë “luksi” i “dyshimit”, sepse puna e tyre është jashtëzakonisht e vështirë dhe bëhet në një botë të vështirë.

Nga P2 te skandalet financiare dhe mafia, emri i Berluskonit ndodhet në të gjitha çështjet më të rëndësishme.

Po atëherë, si ka mundësi që sillet ende vërdallë? Po, po duhet të jetë interesant. Do ta vë në dosjet e mia.

Kritikët thonë se në librat tuaj ka shumë reklama duke filluar nga “Twitter” deri tek “iPhone”.

Kritikët e kanë zakon të thonë shumë gjëra

Si i bëni kërkimet tuaja në lidhje me argumente të ndryshme që ju interesojnë për librat që shkruani?

Tashmë nuk mund të lëviz pa më njohur njeri. Për shembull për të konsultuar disa materiale në Arkivin Qendror më është dashur të vë një palë syze të errëta për të mos u njohur. Për fat kam edhe gruan që më ndihmon.

Për ju thonë se jeni shumë i rezervuar si njeri dhe keni pak miq shkrimtarë.

Po, është e vërtetë. Kam mik John Grisham, që është një njeri i këndshëm. Më ka mbështetur në momentet e mia të vështira, duke më inkurajuar e më dhënë zemër.

Ju keni studiuar shkrim krijues me David Foster Wallace. Ishit miq?

Jo, por ka qenë shumë kohë më parë. Vetëvrasja e tij ishte shumë e trishtë. E kuptoj shumë mirë kur një shkrimtar nis të ndihet vetëm. Janë momente me të vërtetë të errëta.

Thonë për ju se i dedikoni një pjesë të madhe të suksesit shkrimtarit italian, Umberto Eko.

Duhet të them se nuk e kam lexuar Ekon. Kam parë filmin “Emri i trëndafilit”. 

Di edhe atë që të dy shkruajmë për komplote dhe di që ai ka thënë disa gjëra jo fort të mira për mua. Por çdo njeri ka shijet e veta. Sigurisht që ai është një talent i jashtëzakonshëm, por librat e tij nuk bëjnë pjesë tek ata që unë lexoj.

A është e vërtetë që për të shkruar ju çoheni në orën katër të mëngjesit?

Është pjesa më e mirë e ditës. Zgjohesh dhe je në një gjendje ëndrre. Ëndrra dhe të shkruarit janë një gjendje që përafrojnë shumë me njëra-tjetrën.

 Mundohem që të shfrytëzoj atë moment të ditës kur realiteti dhe fantazia janë ende të gërshetuara me njëra-tjetrën. Studioja ku punoj, nuk ndodhet në shtëpinë ku banoj, ndaj më duhet që të shkoj aty me shumë vrap.

Ju keni incizuar tre CD para se të braktisnit muzikën. Ju mungon?
Jo, sepse i bie pianos gjithë ditën. Jam rritur duke dëgjuar Lucio Dallën. Kur isha i ri kam bërë xhiro nëpër Europë me një kor dhe kam kënduar në mesha të ndryshme në San Marco, apo Notre Dame.

Si e imagjinoni veten pas 30 vitesh?

Do të jem një zotëri i moshuar që jetoj në të njëjtën shtëpi ku jetoj edhe tani. Vazhdoj të jem i martuar dhe sigurisht që vazhdoj të shkruaj. 

Nuk mendoj se do të kem ndryshuar shumë, përveçse në rastin e flokëve.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)