Nimfa Hakani është ulur këmbëkryq në letërsi si një shkrimtare me përvojë.
Vilhelme Vrana Haxhiraj
Cila grua në glob, e jetoi jetën dhe i realizoi gjithë ëndrrat e saj vallë?! Çdo femër sado e realizuar të jetë, nuk e ka gjetur ashtu si duhet vetëveten e humbur në rrjedhat e kohës, pasi ka pengje në realizimin e dëshirave të saj. Nimfa e arsimuar në fushën e inxhinierisë, hyri relativisht vonë në sofrën letrare, gjë që, për anakronizmin mesjetar të atyre njerëzve me mendësi të mykura, është një risi e papranueshme dhe shpërfillëse. Gjithsesi Nimfa është vetvetja dhe si e tillë, paçka se vonë, vazhdon të realizojë ëndrrën e rinisë, atë të krijimtarisë letrare, e cila të bënë tjetër njeri, një njeri më të mirë. Kjo, pasi letërsia shpalos jetën dje, sot dhe si do të jetë nesër. Pikërisht me synimin e së ardhmes, ajo të hapë horizonte të gjera që realitetin ta shohësh në sy, ashtu siç është dhe në një këndvshtrim kritik ndaj çdo fenomeni social. Unë logjikoj se, letërsia dhe arti janë oponenca e parë e çdo lloj politike të mbrapsht apo trashëgimie zakonore që sjellin anomali dhe regres.
Karakteristikë e veçantë e krijimtarisë së autores, është se ajo mbështetet në tabanin kombëtar të trashëguar ndër shekuj, ku përdor një narracion të lirshëm, të zhdërvjellët, ku spikat një fjalor leksikor i pasur që i përshtatet kohës së zhvillimit të ngjarjeve. Të bijen në sy fjalitë lakonike ose të thukta, me njëtrajtëshmëri rrëfimi të habitshme, ku reflekton një pasuri e madhe të figurave letrare. Këto veçori vihen më në dukje në botimin e saj të fundit, në romanin “Virgjëresha e Stratit” botuar në nëntor, 2018.
Sapo nisa leximin e romanit, nuk di pse me trup e me shpirt u zhvendosa dy shekuj më parë si në hapësirë dhe në kohë, në periudhën e artë të Rilindjes Kombëtare. Shprehjet frazeologjike, që romani i ka me tepëricë, të kujtojnë këtë periudhë të ndritur dhe shkrimtarët e mëdhenj e të papërsëritshëm rilindas, që hodhën bazat e letërsisë shqiptare.
Ky roman i ndërtuar mbi tri legjenda paralele, analoge me skeletin e romanit, të shtjelluara mjeshtërisht nga autorja në epoka të hershme historike, përshkruhen si në pasqyrë. Sa fillon të ndjekësh legjendën e parë, që i kushtohet arnautkës së bukur, si një hyjni në oborrin e sulltanit, të përshfaqen përrallat e kulturës arabe, “ Njëmijë e një Netë”, të rrëfyera magjishëm nga Shehrezade.
Një roman i këndshëm për të gjithë!
Nëpër faqet e librit njohim jetën me tërësinë e ndërlikimeve të saj, ku spikasin përpjekjet për mbijetesë, e cila njeh jo vetëm fitore, por dhe humbje. Në gjithë vorbullën jetike të paraqitur në krijimtarinë e Nimfës, ku ndeshim ulje apo ngritje, qëndrim në vend dhe ecje përpara, pse jo dhe regres. Në këtë jetë, ku janë mëse të zakonshme vrazhdësia me ankthin, e moralshmja përballë amorales, dhunës, denigrimit, mashtrimit, dukuri të përdorura nga qenie jonjerëzore, si fenomene të përditësisë, i gjejmë në romanin“Virgjëresha e Stratit”.
Gjithsesi autorja dobësitë e një shoqërie të prapambetur nën thundrën pushtuesit, të molepsur nga vesi, ka ditur t’i mposht me pasionin dhe gjallërinë që jep çasti, ku përditësia është e ndërthurur nga dashuria njerëzore, një ndjenjë e rizbuluar në libër nga rrjedhat e vetë jetës, kjo, dikur e humbur në vragat e kohës. Ajo me mjeshtëri ka ditur t’i kapërcejë vështirësitë e pengesat e kohës së egër si: mosmarrëveshjet, zhgënjimet dhe dështimet, shpesh herë duke kaluar përtej kufijve të reales. Pikërisht duke na paraqitur të gjitha këto dukuri në tërësinë e tyre, si pjesë përbërëse e të pandara të jetës njerëzore, autorja vë në dukje si cilësitë pozitive, edhe negative përmes personazheve.
I gjithë romani të mrekullon me përshkrimet mahnitëse të natyrës, të karaktereve njerëzore, të kafshëve. Mjaft bukur përshkruan bukurinë e kalit të kalorësit Dardan, Abrionit dhe të Sorkadhes së Bardhë. Mendimi i autores ka zhbiruar thellë në çdo detaj që përfshin shqisat, si, në format, në ngjyrat, në zërat, në gjendjet shpirtërore të njerëzve si dhe në ndryshimet e befta të natyrës. Në këtë aspekt, mënyra e të shprehurit, dialogjet mes personazheve të kujtojnë librin “Decameron” të Giovani Boccaccio(shkruar 1351-1353). Ashtu siç është jeta lakuriqe në Decameron, e tillë paraqitet edhe në këtë roman. Personazhet në faqet e këtij libri vijnë nga këndvështrime dhe botëkuptime të ndryshme të autores mbi gjithësinë, sidomos mbi natyrën njerëzore. Ata duke u shfaqur para lexuesit si njerëz jo të zakonshëm, por mbinjerëzorë, dallohen për një këmbëngulje të pakthyeshme për jetën dhe duke respektuar normat e kohës që jetojnë, i japin gjallëri dhe interes rrëfimit. Mes orvajtjeve të tyre, dalin më në pah të veçantat e karakterit, moshës, gjinisë, si dhe zakonet apo traditat e një periudhe mesjetare të fshatit të vogël e të padëgjuar, Strat, i ndërtuar në këmbët e malit Tomorr. Duke e analizuar jetën e çdo personazhi imtësisht, përmes një kaleidoskopi me kënde të ndryshme vrojtimi e rrezatimi, ku me talentin e Nimfës, lexuesi në këtë mënyrë përjeton me detaje dramën njerëzore dhe atë kombëtare. Këto dukuri apo fenomene janë në një përmasë që e bën këdo të drithërohet me ngjarjet dhe tragji-komeditë e jetës, që për njerëzit e velur e të kamur, apo intrigantë, janë të padukshme dhe mëse të zakonshme. Personazhet kryesor të udhëhequr nga mirësia dhe bujaria ndikojnë për mirë në ndryshimin e karakterit të njerëzve me paragjykime që nuk e njohin fare jetën.
Romani nga faqja e parë deri në faqen 420, është një trill, ku autorja rrëfen bukur, i pasur me figura letrare, shprehje të bukura frazeologjike, paralelizma dhe krahasime.
Në libër janë dhjetëra personazhe, por unë do të përmend disa syresh që kanë peshë në roman.
Personazhi më i dashur, rreth të cilit zhvillohet brendia, edhe pse nuk është shumë e dukshme dhe ka shkëputje vazhdimësie, është vajza e bukur si hyjneshë ose Sorkadhja e Stratit, Deriana. Kjo vajzë naive, e paditur, shumë e re në moshë, me një bukuri engjëllore, jo vetëm mahnit cilindo me bukurinë e saj, por me sjellje i bën për vete gjithë ata që e shohin për herë të parë. Ja si e përshkruan autorja: “Deriana ndjeu kënaqësinë e ftohtësisë së ujit në dorë dhe zhyti në të edhe dorën tjetër... papritur vështroi e habitur bukurinë e fytyrës së saj tek shpalosej në syprinën e ujit sikur të mos i përkiste asaj.” -Ky një detaj i spikatur, që tregon brishtësinë dhe naivitetin e saj. Personazhi i dytë që lë mbresa është Abrioni luftëtari nga Dardania, që rastësisht takon vajzën me një bukuri të jashtëzakonshme, e cila e bëri të besojë se Ajo ishte
jotokësore. “...Ato qëndronin përballë sa të ndryshme, aq, edhe të ngjashme në bukurinë e tyre pothuaj jotokësore. Mbeti pa frymë duke vështruar figurën e kalit me bardhësinë e tij verbuese, jelet e bardha që ia merrte lehtazi era, me pullat e kuqrremta dhe atë të vashës, me linjën e bardhë, jelekun e kuq dhe flokët gështenjë valë,valë që i rrinin si kurorë rreth fytyrës së bardhë...” – autorja mjeshtërisht ka vënë përballë dy bukuri, njëra kafshë dhe tjetra njeri, por për çudi jo vetëm u kuptuan me njëra-tjetrën, por dhe kafsha që s’ka gojë, u dashurua me Bukuroshen e Stratit. Një tjetër personazh shumë i dashur për lexuesin është “Oshënari i Shpiragut”, ai burrë i moshuar, i edukuar në shkollat ushtarake të jeniçerëve, i cili kishte shërbyer në sulltanatin e Stambollit, ishte shndërruar në një predikues dhe udhërrëfyes i së mirës. Përballë stratiotëve të mirë dhe plakut të urtë e të ditur Oshënar, qëndron prifti Nestor Nergovani, një jetim i dërguar nga kisha helene për të ndërtuar kishën dhe përhapjen e fesë helene në zemrën e Shqipërisë. Ky prift mjaft negativ, me karakter të dobët, intrigant, me vese amorale, i tunduar nga bukuria dhe brishtësia e femrave, në emër të Krishtit dhunonte nën petkun e veladonit të zi. I ndikuar nga rrëfimet e mençura të Oshënarit të Shpiragut, duke përdorur mashtrimin, i bindi stratiotët që të shenjtëronin Derianën, me pretekstin se një bukuri e tillë hyjnore do të sillte xhelozi dhe smirë tek vajzat dhe djemtë e fshatit, madje dhe brenda familjes ku do të shkonte nuse. Sipas tij, Deriana do të ishte mollë sherri dhe burim i fatkeqësive në fshat. Prifti për të shmangur dhe frenuar epshin e tij shtazarak, e shuguroi Derianën në malin e Tomorrit si Virgjëresha e Stratit. Porse në të vërtetë, Ai, dhe vetëm ai ishte shkaktar i vdekjes tragjike të Derianës.
Autorja thotë se, është mbështetur në legjendën “Bukuroshja e Strumit” dhe tek “E Bukura e Stambollit”
Meqënëse gjithë struktura e librit, si analogji është ndërthurur në tri legjenda që faktikisht sipas realitetit historik, i takojnë mesjetës. Jeta e çdo njeriu nis lakuriq, ashtu e paraqet edhe Nimfa, atë, me gjithë lakuriqësinë e saj.
Nganjëherë rrethanat jetike ndikojnë te shumë individ në mosrealizimin e ëndrrave dhe synimeve vetjake. Nimfa nuk është as e para dhe as e fundit autore që nisi vonë krijimtarinë letrare. Shembuj ka plotë si në Shqipëri dhe më gjerë, që kanë nisur të shkruajnë në moshë disi të pjekur. Po marr një shembull nga letërsia e shquar evopiane, të madhin Miguel de Cervantes (1547 -1616), i cili në prag të gjashtëdhjetave shkroi romanin “Don Kishoti i Mançës”, një kryevepër e letërsisë botërore. Jo vetëm ka ngelur e tillë edhe sot pas 400 viteve, por dhe pas shumë shekujsh do të ketë të njëjtat vlera letrare dhe sociale.
Krijimtaria e Nimfës ka nisur me librin (tregime dhe novela nga jeta shqiptare dhe ajo amerikane), me titull “Pacienti 101” (botim i vitit,2015), që të mrekullon me larminë e temave, një libër që pati shumë sukses dhe u prit mirë nga kritika profesionale si dhe nga kritiku më i paanshëm, lexuesi. U pasua nga “Luani i fjetur”; nga libri për fëmijë, “Gjetoja dhe Orët”, bazuar në legjendën e “Gjeto Basho Mujit”
Autorja jeton dhe punon në ShBA, prej mëse 20 vitesh, megjithatë në krijimtarinë e saj ka prfshirë tematika nga aktualiteti shqiptar, me vendngjarje të vendosura në kohë të ndryshme historike. Autorja jonë e nderuar ka botuar tri novela në librin me titull,“Nën pemën e portokallit, Rina dhe Zgjimi”, botuar më, 2016, në anglisht “Under the Orange Tree”.
Pra Nimfa nuk shkruan vetëm tregime me tema nga atdheu i saj, por edhe nga vendi më demokratik, ShBA, që u bë bujtëse për Nimfën dhe fëmijët e saj, duke i hapur horizonte dhe synime të reja për jetën, sidomos në fushën e letrave. Kjo i bënë tregimet e saj më tërheqës dhe më të këndshëm për lexuesin. Ndërsa romani “Virgjëresha e Stratit” hap një etapë të re, një rrugë të vështirë në krijimtarinë e Nimfës, që kërkon punë, vullnet dhe palodhshmëri.
Pas leximit të romanit të ngelen në mendje fragmente të mrekullueshme si nderimet e banorëve të fshatit në ceremoninë e përcielljes për në banesën e përjetësisë, Derianën, prindërit e saj dhe gjyshen Deonë,(një personazh shumë i dashur). Po perifrazoj disa përshkrime që të japin kënaqësi shpirtërore. “...por bukuria e asaj vashe ishte aq jotokësore, -tregonte Eunuku plak,-sa vetëm të të jepej mundësia ta shijoje atë duke e parë, ishte një privilegj që vetëm njëherë të jepej në jetë...”; “Askusn në jetën e saj shtatëmbëdhjetëvjeçare nuk ishte sjellë me të me aq admirim dhe përkujdesje, askush nuk i kishte thënë se sa e bukur ishte”,- si eunuku Çabir, i cili kujdesej si për bijën e tij, që nuk e kishte patur dhe s’do ta kishte kurrë fatin të bëhej baba... “Kishte një bukuri të tillë, që nuk duhej prekur; vetullat, qerpikët, buzët e kuqe të plota i kishte të përsosura.”
Thonë, se, “edhe djalli që është më i zi, se nata pa yje dhe hënë, po ta shohësh me kujdes, do t’i gjesh një copëz vend të bardhë në trupin e tij.” Diçka e tillë ndodhi edhe me sulltanin, njeriun që komandonte botën. “Papritmas, sulltani ia bëri me shenjë që t’i afrohej... ‘Përse nuk më ke thënë se paske fshehur një perri të tillë, Çabir efendi?! ...”Çoje mbrapsht në harem këtë hyjni e ma sill përsëri nesër...Jeta e saj është në duart e tua. Nëse i ndodh gjë kësaj perrie, ty të ikën koka.”
“...Dhoma sikur u ngurtësua paskëtaj. E vetmja gjë që dukej e gjallë në atë çast ishte vasha arnaute me bukurinë rrëzëllitëse dhe sulltani përballë i përhumbur në sytë e saj larushë, “...Sulltani e vështroi një copë herë krijesën e jashtëzakonshme arnaute...e nuk po mundëte të nxirrte qoftë edhe një fjalë ... Papritur ngriti dorën dhe i çiku faqen me mollëzat e gishtrinjëve si për t’i provur vetes se ajo vashë vërtet ishte bërë prej mishi dhe gjaku...”- kur gjithë vezirët dhe krye-eunuku Çabir prisnin që sulltani të merrte vendimin ekstrem për sakatosjen e asaj brishtësie dhe bukurie hyjnore, ai tha: “Unë, I Madhërishmi Sulltan, Zot i Lindjes e së shpejti i Perëndimit, erdha me një vendim tepër të vështirë për këtë bukuri që nuk ka shoqe në rruzullin tokësor. Kjo perri që ndodhet para nesh, nuk do të përfundojë në haremin e askujt. Ajo është Virgjëreshë dhe e tillë do të mbetet derisa Allahu t’i thërrasë shpirtin. Kush do të guxojë ta prekë, do t’i pritet koka dhe do të vendoset në kamaren e turpit. Bukuria e saj është hyjnore dhe duhet shenjtëruar. Para gjithë vezirëve e shpall atë Shenjtore të perandorisë Osmane” – Pasi firmosi fermanin, i caktoi një saraj enkas për arnautkën e bukur, e cila jetoi në kujdesin atëror të krye-eunukut Çabir. Deri sa vdiq,Ai, Çabiri, e mbajti besën, i shërbeu, u kujdes me besnikëri dhe i bëri nderimet e fundit, duke e varrosur virgjëreshën në kodrën e Luleve. Nga më të bukurat dhe më të dhimbshmet është mbajtja e besës së Abrionit, i cili u kthye nga lufta në Shqipërinë Jugore dhe në vend që t’u kërkonte prindërve dorën e Derianës, ai u gjend para një tragjedie. Deriana dhe familja e saj përcillej për në banesën e fundit.
Për këtë libër voluminoz, ka shumë për të thënë, por unë po mjaftohem me kaq duke i uruar shkrimtares së talentuar, Nimfa Hakani, suksese dhe i buroftë pena mjaltë Shqipërie!
Nimfa, ka plot maja të pashkelura. Ngjitu në to, mikja ime, kapur përdore me si Çabiri, i cili kujdesej si për bijën e tij, që nuk e kishte patur dhe s’do ta kishte kurrë. mbesat dhe nipin!
Urime Nimfa dhe për shumë tituj të tjerë!
Vilhelme Vrana Haxhiraj
Vlorë, 4.11.2019
Vo:I nderuar lexues, më vjen mirë që një tjetër zonjë e nderuar, pedagoge e gjuhëve të huaja, Hava Ymeri me banim në Santa Babara(Kaliforni) e vlerëson librin e Nimfa Hakanit.
Koment nga Santa Barbara:
E nderuara Zonja Nimfa,
Librin tuaj "Virgjëresha e Stratit" e lexova me një kënaqësi të jashtëzakonshme. Libri është mjaft emocionues, prandaj nuk e lëshova nga dora, derisa arrita në faqen e fundit.
Ju përgëzoj për nivelin e lartë artistik të rrëfimtarisë përmes një leksiku të pasur. Përfytyrimet tuaja artistike janë me të vërtetë befasuese. Ju keni një mjeshtëri të lakmueshme për ta mbajtur pezull kërshërinë e lexuesit. Me shtjellimin artistik të ngjarjeve, ju e futni lexuesin në botën e legjendave, përmes të cilave del në pah adhurimi i njerëzve për madhështinë e Malit të Tomorrit.
Hava Ymeri
Santa Barbara, Kaliforni
24 mars 2019