2019-06-05

OKB e shqetësuar me situatën Kosovë – Serbi, kërkohet rifillimi i dialogut


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, është shprehur i shqetësuar në lidhje me tensionet mes Kosovës e Serbisë.

Guterres ka bërë apel tek të dyja shtetet që të përmbahen nga deklaratat nxitëse që mund të provokojnë telashe dhe ka kërkuar që pa vonesa t’i largojnë barrierat për vazhdimin e dialogut.

“Tensionet midis Prishtinës dhe Beogradit janë serioze edhe më tej dhe vazhdojnë të paraqesin barriera për vazhdimin e dialogut produktiv dhe nxisin shqetësimin mes zyrtarëve lokalë e ndërkombëtarë për shkak të rrezikimit të mundshëm të stabilitetit”, thuhet sipas mediave serbe në raportin e Guterres për gjendjen në Kosovë, që do të diskutohet më 10 qershor në seancën e Këshillit të Sigurimit.

Duke kërkuar që të hiqen barrierat për vazhdim të dialogut, Guterres ka shprehur shqetësimin duke thënë se taksat ndaj mallrave nga Serbia janë ende në fuqi, sikurse edhe paralajmërimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për kundër-masa ndaj Prishtinës nëse nuk hiqet taksa.

Guterres ka theksuar se nga raportimi i tij i fundit, nuk është zhvilluar asnjë takim mes përfaqësuesve të Kosovës e Serbisë nën udhëheqjen e BE-së, ndonëse në fund të prillit dy palët u takuan në samitin e Berlinit të organizuar nga Gjermania dhe Franca.

Shefi i OKB-së thotë se nga raporti i tij i fundit, rrjedhimisht në gjashtë muajt e fundit, “në Kosovë janë kthyer 43 persona, nga të cilët 34 janë serbë”. Theksohet po ashtu se në gjashtë muajt e fundit kanë ndodhur disa incidente në vendbanimet me etni të përziera.

Vlen të theksohet fakti se SHBA-të dhe Britania kanë kërkuar që për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të raportohet vetëm 2 herë në vit dhe jo 4 sa ka qenë deri më tani sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së.

Ndërrimi i motmoteve, ripërtëritje e dashurisë vëllazërore

                   Kërko brenda në imazh                 Nga :  FLORI BRUQI  Për të festuar Viti i Ri 2025 , ja disa urime që mund të ndani ...