Nga Prof. As. Dr. Lirak Karjagdiu : i realitetit dhe të vërtetës


Figura e Vëllait të Madh, është më e frikshmja. Ai ndodhet në maje të piramidës. Ai është i pagabueshëm dhe i plotfuqishëm. Vëllanë e Madh, nuk mund ta shohë askush. Ai është fytyra e afisheve, zëri i teleekraneve. Vëllai i Madh, është figura me të cilën Partia përfaqësohet përpara botës.


Xhorxh Oruelli u lind në Indi në vitin 1903. Emri i vërtetë i Xhorxh Oruellit është Eric Artur Bleir. Ai është padyshim një ndër shkrimtarët më namëmëdhenjë të letërsisë moderne angleze. Ai studimet i bëri në Kolegjin Eton në vitin 1917, ku filloi të shkruante për disa revista të kolegjit. Nga viti 1922 deri në vitin 1927 Oruelli shërbeu në Policinë imperiale indiane. Pas kësaj atë e kishte pllakosur një krizë e rëndë financiare. Shkrimtar u bë në vitin 1935. Ndërkaq, në vitin 1936 ai luftoi dhe u plagos në Luftën e Spanjës, duke luftuar në anën e Republikanëve. Ai mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore si pjesëtar i Gardës për Siguri të Britanisë dhe njëherësh gjatë viteve 1941 deri në vitin 1943 punoi për Shërbimin e Lindjes së BBC-së. Një kohë punoi edhe si redaktor i rubrikës së letërsisë në gazetën Tribune dhe njëherësh punoi edhe për gazeta të tjera të mirënjohura të asaj kohe si: Observer dhe Manchester Evening News. Në letërsi Xhorxh Oruelli njihet si një ndër romansierët më të spikatur të letërsisë angleze. Dy romanet më të njohura, që i sollën popullaritet janë “Ferma e kafshëve”, të cilën e botoi në vitin 1945 dhe “1984”, që doli në dritë në vitin 1949 dhe është padyshim kryevepra e tij dhe një ndër kryeveprat e letërsisë moderne angleze. Ai vdiq në Londër në vitin 1950. Në vitin 1949, mbaroi romanin e tij 1984, me të cilin fitoi famë të përbotshme, duke u bërë një ndër shkrimtarët më të spikatur të letërsisë botërore. Është interesant se gati në të gjitha veprat e tij, frymëzimi dhe inspirimi kryesor i tij janë pikëpamjet dhe qëllimet e tij politike. Madje ai ishte i mendimit se letërsia nuk mund te shkëputet nga politika. Sipas tij, shkrimtari që shkëputet nga politika, nuk është shkrimtar. Ai në eseun e tij me titull: Përse shkruaj, të botuar në vitin 1947, kishte paralajmëruar se do të shkruante edhe një libër të ri dhe të fundit. Ky libër i ri dhe i fundit ishte romani 1984. Po në këtë ese ai kishte shkuar: “Gjatë dhjetë vjetëve të fundit më së shumti kam lakmuar ta shndërroj shkrimin politik në art”, duke paralajmëruar kësisoj romanin politik 1984, që u botoi një vit para shuarjes së tij.

Paralajmërimi i totalitarizmit

1984 është roman politik dhe është shkruar me qëllim të paralajmërimit të shoqërisë perëndimore nga rreziqet e totalitarizmit. Oruelli ishte dëshmitar i drejtpërdrejtë i tmerreve dhe katrahurave, që shkaktonin regjimet totalitare në Spanjë dhe Rusi, me qëllim që ta mbanin dhe forconin pushtetin e tyre. Ndaj, ai shkroi veprën 1984 për t’i alarmuar vendet perëndimore, nga rreziku i totalitarizmit, ndonëse ende nuk ishte i sigurt se si t’i qasej komunizmit. Kjo për faktin se në vitin 1949, kur e shkroi këtë vepër, Lufta e Ftohtë ende nuk kishte marrë përmasa të mëdha. Përveç kësaj, një numër jo i vogël i intelektualëve amerikanë e mbështeste komunizmin. Së këndejmi, marrëdhëniet diplomatike midis shteteve demokratike dhe komuniste ishin mjaft të paqarta dhe konfuze. Për më tepër, atëbotë në shtypin amerikan, Bashkimi Sovjetik shpeshherë përshkruhej si eksperiment i madh moral. Megjithatë, Oruelli ishte tejet i shqetësuar nga përhapja e persekutimeve dhe shtypjes në vendet komuniste, madje ai ishte çmeritur dhe lemeritur nga keqpërdorimi i teknikës dhe teknologjisë të vendeve komuniste për t’i kontrolluar, etiketuar, shpifur, denigruar, sunduar dhe shtypur qytetarët e tyre. Vlen të vihet në dukje se ky autor nuk është i vetmi shkrimtar që ka bërë përçapje për ta parashikuar ardhmërinë. Vepra të ngjashme, kanë shkruar edhe shkrimtarë të tjerë anglezë, si fjala vjen Alldos Haklli, Herbert Xhorxh Uellsi, etj.

Ngjarjet e romanit ndodhin në vitin 1984 në Londër, pjesë e Oqeanisë, një superfuqi e kontrolluar me dorë të fortë nga Partia që udhëhiqet nga “Vëllai i Madh”. Figura e Vëllait të Madh, është më e frikshmja. Ai ndodhet në maje të piramidës. Ai është i pagabueshëm dhe i plotfuqishëm. Vëllanë e Madh, nuk mund ta shohë askush. Ai është fytyra e afisheve, zëri i teleekraneve. Vëllai i Madh, është figura me të cilën Partia përfaqësohet përpara botës. Figura e tij, ndjell frikën, dashurinë dhe respektin. Ka pak figura në letërsi që përshkruhen aq të plotfuqishme, madje as Mbinjeriu i Niçes nuk është i tillë. Shteti në veprën 1984 paraqitet si shtet që nuk ka ligje, ai ka vetëm një synim: bindje dhe nënshtrim të verbër dhe të plotë ndaj Partisë. Shoqëria e Oqeanisë është e ndarë sipas shtresave shoqërore në: besnikë të Partisë, servilë apo anëtarë të thjeshtë të partisë dhe masës që përbëhet nga proletarët. Protagonisti Uinston Smith, është një anëtar i thjeshtë i partisë, i cili punon në Ministrinë e së Vërtetës (që në të vërtetë është Ministria e Gënjeshtrave dhe e Propagandës), si falsifikues i zakonshëm i arkivave. Ndonëse, zyrtarisht shtiret se e respekton pushtetin, ai në të vërtetë fshehurazi punon kundër Partisë. Ndërkohë, Uinston Smithi, njoftohet me një vajzë të quajtur Xhulia, e cila ishte një zyrtare e nivelit më të ulët dhe e cila po ashtu ishte e interesuar të luftonte kundër Partisë. Ata dashurohen dhe kalojnë çaste të lumtura në vende ku nuk mund të diktoheshin nga syri i Vëllaut të Madh. Ata kërkojnë nga O’Brajëni, një anëtar i lart i besnikëve të Partisë, që t’i vejë në kontakt me organizatën e quajtur Vëllazëria. Kjo forcë opozitare luftonte kundër Partisë. Thuhej se udhëhiqej nga armiku kryesor i Partisë, Emanuel Golldshtajni. Mirëpo, e gjitha del një mashtrim i madh, që kishte pasur për qëllim futjen në kurth të Uinston Smithit dhe Xhuliës. Si rrjedhojë, ata arrestohen, ndahen dhe torturohen brutalisht. Në fund, Uinstoni kupton se nuk ka mësuar ta dojë dhe respektojë Vëllaun e Madh.

Shpërdorimi i teknologjisë për mbajtjen dhe ruajtjen e pushtetit

Në të vërtetë në romanin 1984 përshkruhet në mënyrë brilante funksionimi i një shoqërie totalitare, ku qeveria ka pushtet absolut. Titulli i librit 1984 kishte për qëllim që t’i alarmonte shoqëritë perëndimore se ekzistonte rreziku që, brenda tridhjetë e pesë viteve, një variant i ngjashëm i pushtetit me atë të përshkruar në këtë vepër, mund të dalë në shesh dhe të instalohet, nëse diktatura nuk do të kundërshtohej dhe luftohej me kohë, energjikisht, efektivisht dhe si duhej. Në të vërtetë në këtë vepër Oruelli përshkruan në mënyrë origjinale, por edhe të trishtë shtetin, që mbikëqyr, përgjon dhe përndjek çdo aspekt të jetës njerëzore, në atë masë saqë madje edhe një mendim i lirë ndaj pushtetit, konsiderohej si shkelje e rëndë e ligjit. Protagonisti i romanit Uinston Smithi përçapet ta sfidojë pushtetin, por në këtë aventurë të rrezikshme ai zhgënjehet dhe në fund dështon dhe pëson. Mirëpo, është interesant se përmes veprimeve, ecejakeve, aventurave dhe torturave të Uinstonit, që shpallet nga Partia ai armik i popullit dhe tradhtar, lexuesit zbulojnë dhe kuptojnë metodat, teknikat dhe teknologjitë nga më të ndryshmet që pushteti i përdorë për t’i vënë nën zap dhe për t’i kontrolluar qytetarët e tij. Manipulimi psikologjik apo goditja psikologjike është një nga metodat që Partia përdorë për ta reduktuar dhe madje zhdukur aftësinë e qytetarëve për të menduar në mënyrë të pavarur. Këtë e arrin përmes një teleekrani të madh, që është i vendosur në dhomën e çdo qytetari dhe ku në mënyrë të pandërprerë zhvillohet propaganda me qëllim që çdo lëshim, gabim dhe dështim i Partisë të paraqitej si arritje, rezultat, sukses dhe fitore. Njëherësh, ekranet e mëdha vëzhgojnë dhe përgjojnë edhe sjelljet e qytetarëve dhe i frikësojnë qytetarët, ngado që të shkojnë dhe lëvizin, përmes një fjalie që shfaqet vazhdimisht në ekran e që thotë “Vëllai i Madh po ju shikon”. Madje Partia shkon aq larg saqë i përdorë edhe fëmijët për të spiunuar dhe për t’i denoncuar prindërit e tyre. Në të vërtetë Partia kishte themeluar një organizatë që quhej Spiunët e rinj (Zhbiruesit e rinj) dhe të cilëve ua kishte shpërlarë trurin dhe i kishte nxitur dhe detyruar të spiunojnë kundër prindërve të tyre sa herë që ata të vërenin apo diktonin ndonjë shenjë pabesnikërije ndaj Partisë tek prindërit apo familjet e tyre.

Përpos kësaj, Partia ishte përkujdesuar që t’i “disiplinojë” edhe marrëdhëniet seksuale, duke e reduktuar dhe shndërruar seksin në një obligim, detyrë dhe mënyrë për të krijuar anëtarë të rinjë të Partisë. Në këtë mënyrë, Partia ishte përkujdesur që t’i kanalizojë dhe transformojë shfrimet, emocionet dhe frustracionet e qytetarëve në urrejtje ndaj armiqëve të Partisë. Këtë e kishte arritur, duke trilluar dhe sajuar armiqë dhe tradhëtarë të saj. Kontrolli fizik është një metodë tjetër që përdor Partia për t’i mbikëqyrur qytetarët. Kështu ajo përherë i vëzhgonte lëvizjet e qytetarëve për të parë se mos ka ndonjë shenjë të pabesisë apo tradhëtisë. Këto vëzhgime ishin aq rigoroze, saqë madje vetëm një nervozë më e vockël e shfaqur në fytyrën e një qytetari, mund të përfundonte me arrestimin e tij. Së këndejmi, shpeshherë sistemi nervor i qytetarit mund të bëhej armiku më i madh i tij. Pos këtyre, partia i detyronte anëtarët e saj që të bëninë gjimnastikë dhe të punojnë deri në orët e vona nëpër agjencitë qeveritare, duke i mbajtur qytetarët gjithnjë të rraskapitur e të molisur. Kushdo që përpiqej ta kundërshtonte Partinë, dënohej me “riedukim”, përmes torturës sistematike dhe brutale. Kështu ndodh edhe me protagonistin e këtij romani politik Uinstonin. Pas ushtrimit sistematik të dhunës ndaj tij, ai kandiset dhe bindet se nuk ka asgjë më të fuqishme se dhembja fizike. Kësisoji, duke i shtrënguar qytetarët e saj që ta pranojnë dhe t’i nënshtrohen autoritetit të saj përmes dhunës së shfrenuar, Partia ishte në gjendje ta kontrollonte, ta shtrembëronte dhe falsifikonte realitetin. Kjo bindje e dhunshme shkonte aq larg saqë Partia përmes dhunës i shtrengonte dhe detyronte qytetarët që të binden se 2 + 2 = 5 (dy plus dy bëjnë pesë). Partia përcjellte dhe kontrollonte çdo burim të informatave, përmes monitorimit dhe rishkrimit (apo falsifikimit) të përmbajtjeve të të gjitha gazetave dhe historisë për qëllime të saja. Po kështu, Partia nuk lejonte që qytetarët të mbanin shënime, të dhëna, fotografi apo dokumente nga e kaluara. Kujtesa bëhej e paqartë, e vagulltë, e dyshimtë dhe e pasigurtë dhe kësodore qytetarët ishin të gatshëm të besonin çfarëdo që u servirte dhe u thoshte Partia. Duke e kontrolluar të kaluarën ata do të ishin në gjendje ta kontrollonin edhe të ardhmen. Njëherësh, duke e kontrolluar të kaluarën, Partia mund t’i përligjte të gjitha veprimet e saj në të tashmen. Përmes teleekraneve të mëdha dhe mikrofonëve të fshehur nëpër gjithë qytetin, Partia ia kishte dalur mbanë që të vëzhgonte pothuajse çdo lëvizje të qytetarëve. Për më tepër, Partia përdorte mekanizma dhe teknologji të sofistikuar dhe komplekse për të ushtruar kontroll në vetëdijen e qytetarëve, në shkallë të gjerë, duke filluar që nga të dhënat për prodhimtarinë ekonomike, burimet e informacionit e duke shkuar gjer te teknologjia apo makineria për torturimin e atyre që Partia i konsideronte si armiqë të saj.
Kjo vepër është një rrëfim paralajmërues për rreziqet politike nga regjimet diktatoriale, e shkruar nga një mjeshtër i rrallë i prozës. Ndërsa, proza e fillimit të shekullit të XX-të, orvatej t’ia sqaronte lexuesve se çfarë mund të bëjë politika e drejtë dhe demokratike si dhe shkenca dhe teknologjia për progresin dhe emancipimin e shoqërisë njerëzore, ky autor rropatet t’i paralajmërojë lexuesit se çfarë pasojash të rrezikshme mund të ketë keqpërdorimi dhe abuzimi i pushtetit politik dhe i arritjeve teknike dhe teknologjike për njerëzimin.

Spekulimi me gjuhën për qëllime politike

Një nga mesazhet më të rëndësishme të romanit 1984 është se gjuha është një nga mjetet apo elementet kruciale për formimin e opinionit publik. Prandaj, Partia ishte i mendimit se nëse gjuha kontrollohet nga një agjenci politike, atëherë struktura e saj do të mund të ndryshohej dhe modifikohej në aso përmasa saqë do ta bënte të pamundur formulimin dhe artikulimin e ndonjë ideje apo mendimi tjetër kundër Partisë. Sipas pushtetit totalitar të përfaqësuar nga Vëllau i Madh, kjo mund të arrihej përmes krijimit të një gjuhe të re që do ta zëvendësonte gjuhën angleze. Në të vërtetë, gjuha e re ishte gjuha zyrtare e Oqeanisë dhe ishte krijuar me qëllim të përmbushjes së nevojave ideologjike të AngloSoc (Ingsoc), apo Anglishtes së Socializmit. Në vitin 1984, nuk kishte ende të tillë që mund ta përdornin gjuhën e re, ndonëse artikujt kryesorë në gazetën The Times (Dhë Tajms) shkruheshin vetëm nga specialistët e kësaj gjuhe. Mirëpo, shpresohej se gjuha e re do ta zëvëndësonte në tërësi gjuhën e vjetër (apo anglishten standarde) deri në vitin 2050. Ndërkohë, anëtarët e partisë gradualisht kishin filluar ta përdorinin dhe ta mësonin gjuhën e re, duke përdorur më dendur fjalë, terma, neologjizma dhe konstrukte gramatikore të kësaj gjuhe. Sipas tyre, deri në vitin 2050, mbase edhe më herët, pothuajse e gjithë gjuha e vjetër do të zhdukej. Si rrjedhojë, edhe e gjithë letërsia e krijuar në këtë gjuhë do të zhdukej. Veprat e shkrimtarëve famëmdhenjë si Çoserit, Shekspirit, Miltonit, Bajronit, etj, do të ekzistonin vetëm në versionin e gjuhës së re. Me këtë rast, veprat e këtyre shkrimtarëve jo vetëm që do të pësonin ndryshime, por do të shndërroheshin në diçka krejtësisht të kundërt me atë që kanë qenë. Le të na kujtohet se shumë ide të Oruellit rreth gjuhës si mjet për kontrollimin e opinionit publik janë përdorur më vonë, ndonëse në mënyrë pak të modifikuar, edhe nga shkrimtarë të tjerë për të kritikuar, fshikulluar dhe satirizuar kolonializmin.
Fare në fund, është me interes të vihet në dukje se ky roman është përkthyer në gjuhën shqipe dy herë. Herën e parë e ka përkthyer, shkrimtari, publicisti, profesori dhe përkthyesi letrar nga Kosova, Ramiz Kelmendi, në vitin 1980, ndërsa herën e dytë e ka përkthyer përkthyesi nga Shqipëria, Çelo Hoxha, në vitin 2005. Kjo flet pak a shumë për përhapjen dhe popullaritetin e këtij autori dhe kësaj vepre te shqiptarët, që fillon qysh në shekullin e kaluar dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)