2019-06-06

Esad Mekuli (1916 – 1993)

 Drita që nuk shuhet

Esad Mekuli (Sak Nokshiqi) Filloi të merret me shkrime letrare që në klasat e ulëta të gjimnazit. Bashkëpunoi në revista e fletore të ndryshme: Venac (Beograd), Mladost (Zagreb), Podmladak Jadranske straza (Split); pastaj në Novi Behar (Sarajevë), Granit (Podgoricë), në revistën profesionale veterinare (Zagreb dhe Beograd) dhe në gazetën “Beogradski student”. Pas luftës, krahas poezisë, merret edhe me përkthime poezi e proë, në shqipe dhe nga shqipja në gjuhën serbokroate. Në mes të tjerash, ka përkthyer në gjuhën serbokroate:”Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë, “Në pritje” poezi të Besim Bokshit, “Thirrje” të Ali Podrimjes; po ashtu ka botuar dhe disa antologji e panorama të poezisë shqipe në gjuhën serbokroate. Ndërsa nga gjuha serbokroate ka përkthyer në gjuhën shqipe “Kurorën e maleve” të Njegoshit dhe disa vepra të tjera, si në prozë ashtu edhe në poezi. Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i Akademisë së Malit të Zi dhe i Akademisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa anëtar korrespondent i Akademisë Serbe dhe i asaj të Sllovenisë.

Re e mllefur

Hivzi Sulejmanit, shkrimtarit dhe revolucionarit të shquar

Tërë bota në zemrën e lënduar.
Tërë bota në mushkëri
të zhbiruara…

Dashnor
agimesh të kuqërremtë,
të qartë-
edhe për të vuajtur,
për të pabarabartë.

Magjistar i vetmuar
që me re kuvendon
dhe mrekullohet me gjethin
e zverdhur
që stuhinë e vjeshtës e acarin
lart në gemb kundërshton.
Greminës së jetës, gjatë
ai
jetën shumfish e shprushi
gjurmë kohe duke lënë-
vetveten
duke zbuluar
dhe unin tonë.

Ai-
Re e Mllefur
që shkrep rrufe;
Ai-
troll i ngrohtë
nën këmbë
dhe në ne.

Sytë që panë botën

Qielli i ngrystë
kah
nata ligjëron.

Vonë
hana thyhet
në pasqyrën e Sienës.

Dritat e bregut
gjerdan
shpërlahen në lumë.

*
Qyteti i Dritës:
tejet e zezë e zeza,
tejet e bardhë e bardha;

Tejet e ftohtë ftohtësia,
tejet e ngrohtë ngrohtësia.

Qytet luksi dhe mjerimi:
revolucionesh dhe
kundërrevolucionesh.
Parisi-
gjithçka në të.

*
Pupçik apo shtrirë
mbi zhele
nën urë.

Të braktisur
nën strehën e skamnorëve-
mërdhezë.

Plehrishte.

Parisi-
Qytet i Dritës?

Kthimi në vendlindje

Gjurmë të vulosura
në pëlhurën e sokaqeve,
nën perden e së kaluarës.

O tempora, o mores!

Vështron
Tani
fëmija e dikurshme
atë shehër-qytezë,
ata fëmijë-pleq
dikur
të sotëm…

(Ditët e fëmijërisë
ku janë
a thue’
ç’ngjau
kështu?)
sheh:
koha ka shembur
hanin e vjetër,
dyqan pas dyqani
dhe magaze-
avli të shumta
ka rrënuar;
rrugë e rrugica
ka ndryshuar;
mullinin e lashtë
lumi e ka vërshuar:

(Po fytyrat
moshatarësh
faqerrudhur
syfikur
flokëthimë,
medet!
Vallë, këto
Ato të dikurshmet?)

Shikon
i tronditur-
i huaj
në vendlindje!

O kohë rrënimtare,
ju ditë
që kalojnë!
Vallë
nd’rrimet
të vetme
qëndrojnë?!

Aty jam
Para një porte të hekurt

Aty jam,
i tëri-
si ai mjeshtri
që dikur moti
në këtë portë
tentene hekuri
qëndisi:
ndër libra të mi
jam-
ato të pakta,
në mendime
të fjetura
fisi
që me gjak i shkrova,
i zgjova
me frymë në fyt
në vetmi,
në biseda
për Njeriun
që vuan e gëzohet
për jetë…
aty jam-
kujtimi im
ju flet.

Dita e ndarjes

Nëse ka vdekje
Ti je mbi të
me dashje që të tejjetosh.

Nëse ka amshim
Ti do të jesh përherë ndër ne
me njerëzi
me zemër dlirë
me mendjemprehtësi.

O, kush më mirë
na tregoi
që deri frymën e fundit
duhet luftuar
për Njeriun!

Kah Njeriu

Po hapen dritaret në ne-kah ne
që sy më sy të shikohemi, me dashuri të dehemi
e kurrë më të mos mallëngjehemi.

Po hapen hap Njeriu kudo mbi dhe…

Mendimi i zgjuar tani po e zbulon pa ndalë
të së vërtetës burimin e gjallë.

Fjalës së vërtetë

Fjala vret si rrufeja-ajo fyese, e pavërtetë.
Mirë është kur, pa dalë, zemrën e arsyen pyet!

– Ku je, ti e madhe, ti e vërteta që zgjon e çon,
që nuk vjell vrer, po njerëzit dhe popujt bashkon?

Fjalë, e cila si mehlemi shërues bie plagë,
e varrë nuk hap, e nuk lë vrragë!

Jeta të jetojë

Të mos ketë dhunë as mëri,
E mbara të mbijetojë!
Të ketë paqe e dashuri,
Jeta përherë të jetojë!

Natën e Një Majit
Para Kërshëndellave

Moti kanë prajtë zogjtë ndër drunj.
Janë lodhur pulëbardhat në fluturim mbi ujë.

Edhe liqeni tash hesht e hesht-
nën sërmën e hënës që së larti resh…

*
Uji i Liqenit plot me yje.
Qielli festiv, bukuri ku m’je!

Po, kush këto n’errësi na fton?
Kush, kështu, jetën na kërc’non?

Vallë, orgji qirinjsh, erë temjani
në Ditën e Dritës te Liqeni?!
(Ohër, 1975)

Dy dritaret e Podrimjes
Në zërin tënd, poet,
Zërin e kohës e dëgjoj.

Vetëm mnë një anë dëgjohet të hapurit e dritares.
Dielli gjetiu pik.
Kur ana tjetër shfaqet, mos ajo e para bëhet e
shurdhër?
Mos mbyllet dritarja dhe dielli nis të pikë
edhe në çatinë e kërrusur?
Dëgjohet vetëm njëra anë dhe- shihen gishtërinjtë
e futur në vesh dhe arrijnë
të fishkëlluarit…
Kur dëgjohet ana tjetër- a do të harrojë njeriu
të lehë.
A do ta zëmë diellin tatëpjetës!

Çdo gjë jeton!

Edhe shkëmbinjët e maleve shkretuar

n’udhëtim
duke i shikuar-
ringjallen në sytë tanë:
çdo gjë
nis të frymojë,
të çapojë-
shtëpitë,
lisat,
burimet,
rrugët…
Çdo gjë
ecën,
jeton!

Gjykimi

Do të vijnë mbas nesh fëmijët tanë e fëmijët
e fëmijëve tanë
dhe ata do të flasin për ne, ata do të gjykojnë
për ne-
(Breznitë veprat i gjykojn .. -ka thanë nji njeri i
madh!)-
dhe nuk do t’na dënojn, e dij, për belbëzimet
tona, shtërzimet’
për gabimet-t’vogla e t’mëdha-për të
mbërrimet tona…
Pse-kush ka faj që prindet s’na lanë gadi kurrgja
-pos vorreve dhe padijes;
kush ka faj që aq kohë-errësija dhe vetmija-
si mrazet e pranverës kanë mbyt filizat mu në farë?!
Do të vijnë mbas nesh fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve
tanë-breznitë,
dhe ata do të dijnë për ne, se ne jemi pjella e Ditës
së Re-dhe plot diell e dashni;
do të dijnë për ne, e dij, dhe do t’ua kallxojnë me
binduni fëmive të vetë
si kemi ngallnjye, nga hini dhe vjetërsia,qytete t’reja,
fabrika dhe katunde…
si kemi shkrue kangë, si kemi thurë tregime-
tue belbzue ebecenë dhe gjuhën vetë…
(Dhe, ani, që të gjithë jemi marrë me çd! o gja, si me
qenë mjeshtra çollakë,
me pak dije po me shumë e shum vullnet…)

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...