2019-06-05

Të jesh me Jose Samaragon


Është një moment me të vërtetë për t’u shënuar ai kur Jose Saramago, nobelisti portugez i letërsisë, zakonisht i njohur edhe për ashpërsinë e karakterit, arrin të çlirohet dhe relaksohet në një të qeshur. Paradoksi është se një gjë e tillë ndodh, ndërsa ai flet për vdekjen e tij. Ai qëndron i mbështetur drejt në kolltukun e tij, në një nga dhomat e shtëpisë së blerë në vitet e pasluftës në Lisbonë. Para tij nderet një tymnajë e dendur, e cila furnizohet pareshtur nga puroja që i digjet ngadalë ndër gishta. Pikërisht puroja është një nga gjërat prej të cilave nuk heq dorë kurrë, edhe pse dimrin e kaluar u shtrua në spital për një problem akut me mushkëritë. “Mjekët e kishin me dy mendje, të më shtronin apo jo, sepse gjendja ime ishte shumë e rëndë. Me sa duket, nuk donin që të mbaheshin mend si spitali ku ndërroi jetë Jose Saramago”, tregon shkrimtari. Ndërsa rrëfen, i vihet re një kënaqësi në timbrin e zërit. “Unë jam ateist e nuk besoj në mrekulli, por me mua ndodhi vërtet një gjë e tillë dimrin e kaluar. Shanset e mia të shërimit ishin aq të pakta, saqë të gjithë janë çuditur kur munda t’i mbijetoj goditjes së radhës”. Saramago e ka marrë gjithmonë jetën me të qeshur e me ironi, madje edhe famën, e cila i erdhi vonë. Fillimisht ai punonte si mekanik makinash dhe përpunues metalesh e më pas vendosi që t’ia kushtonte forcat dhe veten letërsisë artistike në moshën 50-vjeçare. Sapo i kishte mbushur të 60-at, kur u botua romani që do ta bënte të famshëm, “Memorial of the Convent” (1982). Ai është një përrallëz e rrëfyer në stilin barok dhe ka në qendër ngjarje që zhvillohen gjatë periudhës së Inkuizicionit në shekullin XVII në Lisbonë. Aty rrëfehet dashuria mes një ushtari të gjymtuar dhe një fallxhoreje të re. Në këtë histori bashkëngjitet edhe ëndrra heretike e një prifti. Romani është përkthyer në vitin 1988 me titullin “Baltasar dhe Blimunda” dhe në vitin 1990 është shndërruar në opera. Suksesi i saj përshpejtoi edhe famën e 15 romaneve të tjerë që pasuan. Ai u shtoi atyre edhe disa vëllime me tregime, poezi, pjesë teatrale dhe shënime udhëtimi nëpër Portugali. Në vitin 1998, komiteti i çmimit “Nobel” i dhuroi çmimin e famshëm, duke vlerësuar “parabolat dhe alegoritë, imagjinatën, ironinë dhe skepticizmin modern”.

Pas disa muajsh të rëndë të kaluar në spital, Saramago u rikthye në shtëpi në shkurt. Javën e kaluar ai mbushi 87 vjeç dhe ka rinisur që të përmbushë me shumë vullnet e këmbëngulje të gjitha pikat e axhendës së tij të punës, sikur të mos kishte ndodhur gjë. Filmi “Verbëria”, i adoptuar nga libri i tij i famshëm, del këtë javë në kinematë e botës. Vetë shkrimtari sapo e ka parë në Lisbonë. Në libraritë e këtij qyteti sapo ka dalë romani i tij i fundit, “Udhëtimi i Elefantit”. Gjatë dhjetorit i duhet të bëjë një udhëtim të gjatë në Brazil, për të marrë pjesë në një ekspozitë të hapur për nder të jetës dhe veprave të tij. Ndër shumë obligime të tjera, shkrimtari ka edhe atë të kryesimit të fondacionit “Jose Saramago”, qëllimi i të cilit, sipas vetë fjalëve të novelistit, është “të sjellë një dinamikë të re në jetën kulturore të Portugalisë”. Por kryesimi i tij është onorifik, duke qenë se ajo që mundëson veprimtarinë e fondacionit është bashkëshortja e tij, tashmë që prej 20 vitesh, Pilar del Rio. Pilar është një gazetare dhe tani edhe përkthyesja e veprave të tij në spanjisht. Gjatë 15 viteve të fundit, çifti ka jetuar kryesisht në shtëpinë e tyre në Lanzarote. Ata u zhvendosën aty pasi qeveria portugeze, nën presionin e Vatikanit, nuk nominoi romanin e tij, “Ungjilli sipas Jezu Krishtit” (1991), për një çmim të madh të letërsisë europiane. Më pas shkrimtari, pikërisht në lidhje me një sjellje të tillë, kërkoi një falje publike, falje e cila iu dha. Në librin e Saramagos, Jezusi, i biri i Jozefit, pati një marrëdhënie dashurie me Maria Madalenën dhe sfidon Zotin e etur për pushtet, që i kërkon vetësakrifikimin. Kur Saramago provokoi një stuhi të vërtetë në Portugali vitin që shkoi, duke thënë se vendi i tij po shndërrohej në një krahinë të Iberisë së Bashkuar, disa menduan se vërejtjet e tij ishin motivuar nga inati ndaj qeverisë portugeze, por vetë shkrimtari ngulmon se inati i tij ishte ndaj qeverisë së kohës, kur u mor vendimi ndaj tij e jo ndaj Portugalisë. Zhvendosja e tij me banim në Lanzarote shënoi një ndryshim edhe në prozën e nobelistit. Ngjarjet e librave që janë shkruar gjatë kësaj periudhe zhvillohen në vende të paspecifikuara dhe nuk bazohen shumë, sikundër të tjerët, në rrënjët e historisë dhe mënyrës së jetesës portugeze, apo në rrugët e zhurmshme të Lisbonës. Elementi spekulativ është bërë më i pranishëm, megjithatë elementët kryesorë janë alegoria dhe simbolizmi. Për vetë shkrimtarin, puna e tij është mundësia e realizimit të së pamundurës. “Unë i kërkoj lexuesit që të pranojë një pakt: edhe nëse ideja është absurde, gjëja më e rëndësishme është të imagjinosh zhvillimin e saj. Ideja është pika e nisjes, por zhvillimi është gjithmonë racional dhe logjik”. Për sa i përket romanit të famshëm, “Verbëria”, i cili është botuar sërish dhe ka ridalë në treg këtë javë, Saramago thotë se ai tregon për brishtësinë e civilizimit tonë dhe për lehtësinë e rrënimit të tij. “Me urinë, luftën, shfrytëzimin e njeriut nga njeriu, jemi në një ferr të vërtetë. Katastrofa e vërtetë është verbëria jonë kolektive dhe verbëria është portretizimi më i dhimbshëm i njerëzimit në situatën aktuale. Çështja është se kush ka pushtetin dhe kush nuk e ka. Kush kontrollon furnizimin me ushqime dhe shfrytëzon të tjerët”, thotë shkrimtari. “Verbëria” është libri i dytë i autorit i shndërruar në film, pas “The Stone Raft” në vitin 2002. Saramago ka hezituar për një kohë të gjatë për të dhënë lejen e shndërrimit të librit “Verbëria” në film, pasi ky libër është shumë delikat. Sipas vetë fjalëve të tij, është i dhunshëm, që flet për degradimin social dhe nëse do të binte në duar të gabuara, do të ishte një katastrofë. Pas shumë përpjekjesh, filmi që do të dalë këtë javë konsiderohet nga vetë shkrimtari “si një arritje”. Një tjetër libër i fundit i suksesshëm i Saramagos, që ka dalë para disa muajsh, është “Vdekje me intervale”. Sipas Saramagos, ai është frymëzuar nga ideja se çfarë do të ndodhte nëse vdekja do të shkonte me pushime. Kur njerëzit e një vendi të izoluar nisin që të mos vdesin më, një grup mafiozësh klandestinë merr situatën në dorë dhe vendos që të bëjë tregti me këtë “dhunti” të këtyre njerëzve. Në libër vdekja përfaqësohet nga një grua, e cila ka nisur të mos e kryejë mirë punën e saj, pasi ka rënë në dashuri dhe nuk ia ka ngenë gjërave të tjera. “Unë nuk e konsideroj librin si një histori dashurie. Disa njerëz e konsiderojnë si një rrëfim, në të cilin dashuria triumfon ndaj vdekjes, por për mua gjithçka është thjesht një iluzion. Kisha ka tentuar që të gjejë shpjegimin e gjithçkaje që na rrethon sipas mënyrës së saj dhe idetë që ajo i ka mbrojtur gjithmonë në shekuj me dhunë. Kjo është një mungesë tolerance vrastare. Inkuizicioni dogji të gjallë njerëz që guxonin të mendonin ndryshe nga versioni i kishës. Edhe Papa i ri do që dogma të respektohet dhe të mos vihet në dyshim. Unë jam kundër kësaj. Ne duhet gjithmonë të kemi lirinë dhe të drejtën të vëmë përherë në pikëpyetje gjithçka”, thotë shkrimtari.

Saramago ka lindur në vitin 1922, në një familje fshatare në Azinhagë, në veri të Lisbonës. Kur Saramago ishte 2 vjeç, familja u zhvendos në qytet, ku i ati, Joze, një artiljer në Luftën e Parë Botërore, gjeti një punë si polic trafiku dhe nëna e tij nisi të punonte si pastruese në një familje borgjeze. Pas grushtit të shtetit të vitit 1926, që rrëzoi nga pushteti republikën, Antonio de Salazar u ngjit në pushtet me militantët fashistë të policisë sekrete. Në një libër me tregime të shkurtra, që pritet të dalë vitin e ardhshëm, Saramago përshkruan pikërisht këtë periudhë të vendit të tij. Në të gjen përshkrime të mënyrës së jetesës së njerëzve në Lisbonën e viteve ‘30. Kujtimet më të mira të fëmijërisë së tij, shkrimtari i ka me gjyshërit nga ana e të atit. Ata jetonin në fshat dhe ai shkonte shpesh aty për të kaluar muajt e verës. Gjyshi ishte një rrëfimtar i lindur dhe i tregonte historira nga më të ndryshmet, të cilat vunë në punë fantazinë e djaloshit dhe shërbyen si brumë për shumë vepra të tij të mëvonshme. Pas vendosjes së familjes së tij në Lisbonë, vëllai i tij i madh, Francisko, vdes në moshën 4-vjeçare. Përpjekjet e shkrimtarit për të gërmuar varrin e të vëllait 70 vjet më vonë i gjejmë të pasqyruara edhe në romanin “All the Names”. Duke qenë se familja e tij nuk kishte mundësi që t’i financonte kolegjin, Saramago shkon në një shkollë teknike, prej së cilës ai diplomohet si mekanik. Ndërkohë që nisi të ushtronte profesionin, herë pas here i lejonte vetes të zhytej në lexime të gjata në libraritë publike të qytetit dhe madje punoi në një kompani botuesish në mesin e viteve ‘50. Në këtë periudhë ai përktheu Tolstoin, Bodlerin dhe Hegelin, veç të tjerëve, para se të bëhej gazetar. U bë anëtar i Partisë Ilegale Komuniste në vitin 1969 dhe për këtë rrezikoi seriozisht burgun. Pas revolucionit të vitit 1974, kur qeveria e pasuesit të Salazarit ra, Saramago u bë zëvendëskryeredaktor i së përditshmes revolucionare, “Diario de Noticias”. Kjo ishte një periudhë shumë intensive pune dhe më në fund Partia Komuniste u ligjërua. Reputacioni i Saramagos ishte ai i një stalinisti gjatë kësaj periudhe dhe ai bëri shumë armiq, por pas vitit 1975 e la punën në gazetë. Në këtë periudhë edhe Portugalia ishte shndërruar në një vend shumë më të qetë. Fillimisht nobelisti i ardhshëm u martua me Ilda Reis, një sekretare, në vitin 1944. Ata u divorcuan në vitin 1970. Romani i parë, “The Land of Sin”, doli në dritë në të njëjtin vit kur i lindi djali i vetëm, Violante, pra në vitin 1947. Pas një heshtjeje të gjatë, ai nisi botimin e disa poezive dhe pjesëve dramatike. Në vitin 1976 kaloi një periudhë papunësie dhe pikërisht atëherë iu dha romaneve. Libri “The Manual of Painting and Calligraphy”, që doli në dritë pikërisht në këtë periudhë, ishte një roman autobiografik. Aty shprehen idetë e tij për dështimin e revolucionit dhe falë këtij dështimi, që i mundësoi edhe largimin nga puna, ai iu dha letërsisë për të mbijetuar. Ajo ishte opsioni i tij i vetëm. Me librin “Risen from the Ground”, që flet për tri breznitë e familjes së tij, Samarago nisi linjën e atyre që konsiderohen si tri romanet e mëdha të viteve ‘80 në letërsinë portugeze dhe ndërkohë “shpiku” stilin që sot njihet si “stili rrjedhës”. Edhe pse është ende një anëtar i Partisë Komuniste, Saramago e përshkruan veten si një “komunist hormonal”. Inatin më të madh shkrimtari e ka me kishën që, sipas tij, ka bërë shumë gjëra të gabuara. Sipas tij, ai nuk i mbështet komunistët për ato që kanë bërë, pasi si ata, ashtu edhe kisha, nuk janë për nga bëmat larg njëri-tjetrit, por Saramago mendon se ka të drejtë që të mbështesë idetë e tij dhe mbi të gjitha është i bindur se të gjitha ideologjitë dhe fetë janë pak a shumë njësoj. Megjithatë, në vitin 2003 ai shkruan se, pavarësisht viteve të gjata të miqësisë me Fidel Kastron, lideri kuban “ka humbur besimin tim, ka dëmtuar shpresat e mia dhe ka tradhtuar ëndrrat e mia”. Po të vëmë re, Saramago nuk predikon komunizmin në romanet dhe shkrimet e tij, por ai e përjeton atë më tepër si një gjendje shpirtërore, filozofike dhe morale. Në romanin e tij, “The Cave” (2001), ai rrëfen se fokusi i jetës është zhvendosur nga katedralet te supermarketet. Megjithatë, aftësia e tij më e madhe është të shkruarit me një ndjeshmëri e realizëm të lartë për njerëzit e thjeshtë dhe telashet e tyre.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...