Nysrete Kumnova, kryetare e shoqatës “Thirrjet e Nënave”, tash e 21 vjet nuk di asgjë për fatin e djalit të saj, i cili është i zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.
Ky është njëri nga 1650 rastet e personave që ende figurojnë të zhdukur në Kosovë.
Megjithatë, për Personat e Pagjetur familjarët e tyre në Kosovë thonë se nuk do të ndalen së kërkuari më të dashurit e tyre.
“Asnjë informacion nuk kam marrë për djalin tim. Rasti i djalit tim po më duket se është një rast i veçantë. Ndoshta që unë po kërkoj, jam më e zëshme dhe e di që të gjithë nga ai grup, përveç djalit tim, janë kthyer qe disa vjet përpara, vetëm djali im nga ai grup mbahet peng. Unë nuk e kam mendjen të dorëzohem. Deri në frymën e fundit do ta kërkoj djalin tim dhe personat e tjerë që po na mungojnë”, ka thënë për medie Nysrete Kumnova.
Ajo ka thënë se gjetja e të zhdukurve varet nga informacionet që shteti serb jep për Kosovë, pasi që sipas saj kosovarët nuk kanë fuqi për t’i gjetur ata. Sikur Kumnovës për fëmijët e tyre, bashkëshortët, motrat, vëllezërit e familjarët e tjerë në Kosovë nuk kanë informata as qindra familje, të cilat vazhdimisht që nga paslufta kanë kërkuar që së paku t’i gjejnë eshtrat e të afërmve të tyre.
Aktualisht në Kosovë janë 1650 persona të zhdukur nga lufta e fundit.
Ndërsa për këta të zhdukur sot në ditën e personave të pagjetur do të organizohen marshe të ndryshme, ku do të kërkohet më shumë angazhim nga institucionet e vendit.
Jahir Bejta, kryetar i organizatës joqeveritare për dëmet e luftës “Ngritja e Zërit”, ka treguar se shumë familjarë të të pagjeturve kanë marshuar shumëherë në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke mbajtur në duar pankarta “Të zhdukurit nuk falen”.
Bejta ka konsideruar që deri më tani nuk është punuar mjaftueshëm rreth çështjes së të pagjeturve, ndonëse sipas tij ai disa herë kishte ngritur zërin dhe kishte kërkuar angazhim më të madh. “Ne u kemi kërkuar angazhim prej vitit 2010 edhe zonjës Edita Tahiri, edhe presidentit Hashim Thaçi, Isa Mustafës dhe kryeministrit Ramush Haradinaj. Qe 10 vjet po e ngris zërin, por kjo çështje deri tani ka ngecur”, ka thënë ai.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj, ka thënë se pesë mbetje mortore të personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë janë gjetur në vitin e kaluar gjatë vlerësimeve që ata kanë bërë.
Sipas tij, mbetjet janë gjetur në lokacionet në Gjakovë. “Nga gërmimet vlerësuese ,vlerësohet se janë gjetur mbetje mortore, por që në fund analiza e përcakton këtë. Në bazë të mbetjeve mortore duket që janë pesë persona, ndërsa definitiven e jep analiza e ADN-së. Nuk mund të predikojmë nëse janë më shumë, por në bazë të asaj që është vlerësuar, jo përmes analizës, por përmes rrobave që janë gjetur, në bazë të eshtrave është përcaktuar, sepse janë pesë koka dhe në bazë të asaj pritet që janë pesë persona”, ka deklaruar ai.
Vitin e kaluar 28 mbetje mortore u ishin dorëzuar familjarëve në vitin 2017. Gjetaj ka treguar se janë bërë vlerësimet në disa lokacione të Serbisë në lidhje me personat e zhdukur.
Sipas tij, këto vlerësime janë duke u përcjellë nga përfaqësues të Kosovës dhe të Serbisë. “Më 06 gusht 2019 fillojë një test vlerësues me një mekanizëm (aparaturë) në disa lokacione në regjionin e Rashkës në Serbi. Aparatura është siguruar nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe po ashtu me ekspert ndërkombëtar. Aparatura do të testohet edhe në Kosovë dhe nëse jep rezultate do të bëjmë njoftime publike. Për përdorimin e kësaj aparature janë dakorduar të dyja palët (kosovare dhe serbe). Në përcjelljen e testit po ashtu janë përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se ka edhe lokacione të tjera të shënjuara, të cilat do të vlerësohen.
Ibrahim Makolli: Serbia, pengesë për gjetjen e personave të zhdukur
Zt. Ibrahim Makolli, ka thënë se pengesa kryesore për mosgjetjen e të zhdukurve është vetë Serbia, e cila sipas tij nuk është shfaqur bashkëpunuese në këtë drejtim. “Duhet ta kuptojmë se mungesa e informacioneve është pengesë, por pengesa kryesore është Serbia zyrtare që nuk tregon ku janë varrezat masive të viktimave të pafajshme nga masakrat që kanë bërë forcat ushtarake e policore serbe në kohën e luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ai.
Makolli ka deklaruar se janë të pakënaqur që ende figurojnë persona të pagjetur nga lufta. “Aktualisht të evidentuar në të dhënat tona janë edhe 1.650 persona të zhdukur. Sigurisht edhe ne jemi të shqetësuar dhe të pakënaqur me faktin se familjet e personave të zhdukur kanë ankth e dhembje dhe me padurim presin për të ditur ku janë më të dashurit e tyre”, ka thënë ai.
Znj. Arbrie Nagaci, ka thënë se Serbia duhet të marrë përgjegjësi për personat që janë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. “Ne e kemi përmendur në vazhdimësi dhe jemi të bindur që pa kërkuar Serbia falje, pa marrë përgjegjësi dhe pa njoftuar për secilin të pagjetur paraprakisht është jo e drejtë dhe nuk duhet të vazhdohet më tutje. Ata duhet të japin përgjegjësi, të njoftojnë për secilin të pagjetur dhe duhet të kërkojnë falje për të gjitha viktimat civile dhe dëmet që ata i kanë shkaktuar gjatë luftës së fundit, si ato njerëzore, ashtu edhe ato materiale”.
Sipas saj, çështja e të pagjeturve duhet të jetë prioritet për Qeverinë e Kosovës.
Znj. Lirije Kajtazi, ka thënë se Serbia nuk është distancuar nga politika e Sllobodan Millosheviqit dhe se çështja e të pagjeturve duhet të jetë pjesë e dialogut me Serbinë. “Gjëja e parë që do të duhej të vendosej në tavolinë duhet të ketë qenë çështja e të pagjeturve. Serbia nuk është distancuar fare nga politika e Millosheviqit, gjë që më parë e ka thënë edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, që ne kemi vazhdimësi të luftës të cilën e kemi pasur qe një shekull. Është një vazhdimësi që vazhdon të ndiqet”, ka thënë ajo.