Violeta Murati, Gjakovë
Në kasabanë e Gjakovës, në Xhaminë e Hadumit, ku të huajt shijojnë turizmin e fesë 600-vjeçare; Çarshia e Vjetër 1 km, me 700 dyqane ka humbur shkëlqimin e zejes, mbijeton vetëm qeleshepunuesi
Një katolik, Jak Vulaj, i bindur edhe prej një prifti tjetër, i shiti tokën Aga Hadumit për dy lëkurë bualli për të ndërtuar një xhami. U ndërtuan dy xhami monumentale dhe dy hane, që ruhen edhe sot pas 600 vjetësh në Gjakovë. Kështu janë mbajtur në kujtesë të gjatë nami i këtyre dy burrave, të pandarë - e para gjë që thotë çdo njeri aty. Madje, thuhet se emri i qytetit u vu për nder të katolikut, duke u quajtur fillimisht Jakovë. Ndërsa në muret e oborrit të xhamisë, pak e nga pak nisi të dilte nga embrioni e të zhvillohej deri në qytetin e sotëm, prej lagjes më të vjetër, mëhallës së Hadumit, vendthemelimi i qytetit.
Xhamia e Hadumit bashkë me bibliotekën e saj të famshme, unikale, na tregojnë se u dogj gjatë natës së parë të sulmeve ajrore të NATO-s nga forcat paramilitare serbe, duke zhdukur kështu dokumentet e rralla që datonin që nga koha e themelimit. Sot nuk ka gjurmë djegieje, nga biblioteka kanë mbetur si dëshmi ca gurë të mëdhenj grumbull, asgjë tjetër. Në rreth 1 km Çarshia e Gjakovës është djegur dy herë prej serbëve, e ndërtuar dhe rindërtuar ka mbetur me të fundit zeje, atë të qeleshepunuesit. Seiti ka mbijetuar dhe na tregon se si ka ruajtur në breza plisin, i fundit. Në Çarshi sot nuk flitet më për zejtari; dogajat, a dyqanet, si i thonë ndryshe, janë mbushur me mallra turke dhe kineze e vështirë se ka shpresa, siç na thotë Seiti: “Të ringjallet shpirti i Gjakovës”.
Është e diel dhe dyqanet pa përjashtim janë mbyllur; respektohet, nuk mbahet mend qyshkur, pushimi i shenjtë!
***
Për të hyrë në Gjakovë, ka dy rrugë; që të dyja mbresëlënëse që heqin edhe nocionin psikologjik të kufijve: udhëtimi mund të jetë nga tuneli, pasi ke përshkruar një nga veprat më të fundit të qeverisë shqiptare, që tanimë ka emrin “Rruga e Kombit”, hyn në Kukës, Prizren dhe për më pak se një orë je në Gjakovë.
Ndërsa udhëtimi tjetër është nga Komani me traget, mespërmes Tropojës dhe për gjysmë ore mbërrin. Në doganë është një ndalesë “e vogël”; ndërsa në autobus ngjiti Zekë Çeku, kryetari i Shoqatës së Operatorëve Turistë për Kosovën, duke na u drejtuar se ishte “nikoqiri për pjesën e Kosovës”, pa kërkuar ndjesë, pa përshëndetur me tone arrogante hyn polici i doganës për Kosovën. Me rreptësi kërkon pasaportat, duke thënë se u ndalohet mediave televizive të filmojnë apo kush ka aparat të fotografojë në doganë! “Nëse nuk zbatoni urdhrin, edhe ju arrestojmë!”, - ishin fjalët e policit të doganës, prej të cilit në fakt prisnim diçka më miqësore!
Zeka, që iu ndal fjala në fyt, nuk guxoi të fliste më, vetëm se na udhëhoqi pas kontrollit në doganë drejt e në Çarshi të Madhe. Aty harruam këtë “inat” të doganierëve të Kosovës me ne shqiptarët e Shqipërisë.
Mikpritja e parë në Gjakovë bëhet në Çarshinë e Madhe, të famshme të Jaupajve. Është një kompleks godinash prej druri, gdhendur në karakteristikën e qytetit. Lokal dhe hotel - në Çarshinë e Jaupajve ushqimi është gjëja e parë që të prezantojnë. Në restorant janë shtruar në një tavolinë të madhe lloj-lloj gatimesh, ku sjellshëm nguten të thonë: E kemi në traditë pasurinë e ushqimit. Tavolina është plot, për çdo enë kanë ngulur nga një kunj të gjatë dhe ngecur në majë një fletë të bardhë me emrin e llojit të ushqimit. Kanë shtuar pak nga tradita orientale pikantet, ato me spec djegës, por në fakt nuk ndryshon gjë nga tradita e Shqipërisë, si fjala vjen, Tropoja, Peshkopia, Korça apo Kruja - të njohura për nikoqirllëkun.
Edhe në Gjakovë vëmendja e të gjithëve është te pritja e turistëve. Qytetin mund ta mësosh dhe në Çarshinë e Jaupajve nga fletëpalosjet e pafund që të lënë në dorë. Por, pasi ha drekë, mund të shëtitësh. Nëse je turist kureshtar, menjëherë do të hidhesh tek çarshia, rrugicat degë-degë që fshehin historinë më të vjetër të qytetit.
Elenora Çeku vjen me një frymë dhe me emocione na drejtohet se është hera e parë që po bën ciceronen për një grup shqiptarësh. Hera e parë edhe para kamerave. Ndjeshmërinë e ndal shpejt dhe thotë se Gjakova është një nga qytetet e saj, personalisht, më të preferuarit. Tregon sa i vjetër është qyteti i saj dhe me bindje thotë se prej kohëve të hershme kanë zbuluar fakte se ky qytet mund të jetë edhe antik, i njohur ndryshe me emrin Gabuleo dhe më vonë mori emrin që ka sot.
Më herët qyteti ka qenë si fshat dhe më vonë u bë kasaba, mirëpo deri në vitin 1582, rëndësi të madhe në zhvillimin e Gjakovës kishte Xhamia e Hadumit, që u ndërtua në vitin 1594-1595. Prej kësaj kohe vendalinjtë njohin si histori kur nisi Gjakova të lulëzonte dhe mori pamjen e qytetit: “Nga rrethinat e xhamisë, prej mureve të saj nisi të zhvillohej dhe të bëhej migrimi i banorëve nga fshatrat”, - tregon Zeka, mikpritësi ynë në Kosovë.
Bashkë me xhaminë vendet më të preferuara për turistët janë edhe teqeja e bektashinjve apo muzeu i çarshisë. Vendasit e kuptojnë se feja ku ato besojnë po bëhet një kuriozitet turistik për të huajt ndaj na thonë se “sidomos të huajt preferojnë të vizitojnë objektet e kulteve”.
Rruga e çarshisë pothuaj ecën me historitë e gjakovarëve. Gjithmonë ka një luftë aty mes katundarëve dhe me fshatarët e ardhur. Mbetje mentale nga zanafilla kur u bë migrimi i fshatrave dhe vendi u popullua, por më shumë sot gjakovarët e Çarshisë e lidhin me serbët, të cilët tregojnë se donin të bënin presion mes qytetit dhe fshatit. “Kështu që gjakovarët e sotëm nuk i duan fshatarët, duke i etiketuar të pakulturuar”, - na thotë Safet Mula. Ky që ruan i fundit dhe i vetmi traditën e zejes së qeleshes na shoqëron gjithë Çarshisë dhe në ndjenjë justifikimi për varfërinë që ka sot ky vend, por dhe traumën e një historie tragjike thotë: “Çarshia është kall dy herë, e para në vitin 1918. Serbët e rrafshuan dhe prap në ‘99-n. E kena rindërtu, e njëjta identik”.
Në fakt, nuk ka gjurmë djegieje në Çarshi, vetëm ndonjë qoshe drurësh tradhton. Fjala identik nuk përdoret vetëm si nënkuptim arkitekture, stili, por dhe në vjetërsinë e drurit - ndërtesat ngjajnë realisht të vjetra dhe na tregojnë se druri është vendosur si i përdorur, që të mos duket i ri, se nuk ka kuptim! Kjo është identik, me stilin e të vjetrën e drurëve të Çarshisë.
“Gjakova meriton lëvdatë, e ka ba rindërtimin dhe rikonstruktimin e gjithë dyqaneve, duke ruajtur natyrën e vjetër si dru i përdorur; dritare, vitrinë me dru ku ka qenë ekspozuar malli. Pas luftës është imituar druri. Dyqanet janë plaçkit fillimisht dhe i është vënë zjarri”, - thotë Zeka.
Vetëm se nuk ka më identik pazarin, zejen. “Ka mallra kineze, turke, kjo është një e keqe”, e pranojnë. “Vetëm unë bëj plisa në Çarshi”, - ndërhyn Safeti, që na tregon se është kushëri i Avni Mulës dhe se kishte ndjekur në Tiranë koncertin e Inva Mulës.
Nuk na thonë konkretisht nëse ka ndonjë projekt për t’i ringjallur zejet, por duket se ka shpresë. Megjithatë, Safeti kujton se vitet ‘700 këtu kanë qenë të gjitha zejet e zhvilluara. Rreth 60 zeje si qeleshepunues, jorganxhinj, kutixhinj, kazanxhinj, të gjitha llojet, që tani i kanë lënë se nuk kanë leverdi.
“Unë si fëmijë e mbaj mend se këtu kanë qenë gjitha zejet, u nijshin çekiçat tuj punu, mandej njihen me emna se kush punonte qilimat”, - kujton Safeti. Ja dhe rrugët që kujtojnë se janë quajtur sipas zanatit; Rruga e Kazanxhinjëve apo Zhgunaxhinjve.
Ka pasë dhe punues të tupanëve. Por tani zhguna nuk prodhohen më. Sot shumë pak bëhen zeje. Të gjithë kur tregojnë, kthejnë kokën nga Seiti: Vetëm punuesi i plisit ka mbetur! Çarshia është një kilometër. Te djegia nga serbët përfundojnë të gjitha rrëfimet me histori. Dy burra mbajnë mend se kur kanë dalë nga dita e parë e luftës krejt Çarshia prej 1 km ka qenë e djegur. “Këto janë kallur brenda dy-tri netëve”. Kur ndizet një dyqan, marrin flakë 20-30 menjëherë. Por entuziazmi sikur rritet, kur Seiti na thotë se në Gjakovë kurrë nuk ka pasur serbë dhe turq; se aty ka qenë medreseja e madhe dhe e vogël dhe gjithmonë ka pasur dy besime.
Përballë na del një dyqan me çitjane grash - a s’është orientalizëm kjo veshje, e ardhur nga Turqia, si ndikim pyesim!? Jo, - na e pret Seiti, - kjo është tamam veshje gjakovare, e vjetra. Biseda këtu ndërron menjëherë, se duhet të na mbushin mendjen që janë larg turqve: “Projekti për arkitekturën e Çarshisë është marrë nga Sarajeva, është bërë para se me ardh turqit”.
Seiti është i pakënaqur nga qeverisja e sotme, por shumë shpejt kuptojmë se është një kundërshtar i partisë që ka pushtetin. Ndaj, e ka edhe më të lehtë të mendojë me rebelizëm mbi Çarshinë, se kishte menduar “qysh me e ringjall sepse shpirti i Gjakovës kjo është. Mirëpo dyqanet janë krejt mbyll. Atëhere komuna duhet me stimulu, me dhënë qera, se nuk po na shiten plisat!”
Në Gjakovë, në Çarshi gjenden 700 dyqane. Ndalemi në një nga dyqanet e zejtarisë që quhej saraç ose lëkurëpërpunues për kuajt. Zeka tregon se ndër zejtarët e rrallë që ka mbijetuar në këtë situatë të tregut, është Seiti, pjesa tjetër ka mall të importuar. Është edhe dyqani i argjendarisë, që përmendet si zeje e njohur në Gjakovë, por ka ende edhe disa dyqane që merren me drugdhendje. Qeshim e një tabelë përballë saraçiut, ku shkruan “Aripunues”, në fakt aty prodhohen varëse e bizhu prej floriri, e filigramë - kjo e fundit mbahet si traditë.
Punimi i zejtarisë së arit ka qenë shumë i hershëm këtu, që lidhet me minierën e Novobërdës afër Prishtinës, si dhe me minierën e Trepçës. “Ju e dini se është nxjerrë sasi e madhe e argjendit, prandaj në fillim është punuar edhe ari e argjendi”, - thotë Zeka, duke ulur pak zërin, si për të treguar një sekret “lakmie” për Kosovën.
Halli më i madh i tyre tani është tjetër gjë; ruajtja dhe konservimi i zejeve! Ndonëse dikush hidhet e na thotë se ky mbetet një problem kryesor gjithandej Ballkanit, “dhe te ju në Shqipëri, edhe në Maqedoni”.
Gjakovarët e sotëm tregojnë histori shkëlqimi me zeje, duke e dëshmuar edhe si vlerë punëtorie prej tyre, ndaj tregojnë se në ish-Jugosllavi shqiptarët kanë qenë të parët që zhvilluan biznesin privat. Në kohën kur i tërë biznesi ishte në duart e shtetit shqiptar, në gjithë ish-Jugosllavinë, hapën të parët argjendarinë. “Janë bërë filigramët e parë, furrtarët, ëmbëltorët, byrektorët ishin shqiptarë nga Kosova, Tetova e Gostivari”, - tregon Zeka, duke kryer vërtet mirë detyrën e tij prej nikoqiri në Gjakovë. Por në historinë e Çarshisë janë dhe Terzinjtë. Ura më e famshme në Gjakovë, emrin e këtyre zanatlinjve ka. Është 120 metra e gjatë, me tetë harqe; e vendosur mbi lumin Erenik ajo lidhte Pejën e Prizrenin. Është ndërtuar 60 vite para se të krijohej Gjakova si qytet. Tregojnë se kanë qenë ndër më të fuqishmit, të organizuar, sa kanë pasur kasat e veta. Kanë ndërtuar ura, vepra arti, vepra publike. Një tjetër urë e ndërtuar prej tyre është e Tabakëve dhe Ura e Shenjtë, kur shkohet nga Gjakova në Rahovec. Ndërtimi i urave ka pasur domethënie për vendin, pasi njerëzia nuk ka mundur të hyjë në qytetin e Gjakovës. “Ndaj kanë ndërtu urën për të ardh për të ble mall”, - na tregon shoqëruesi ynë, ndërsa në Çarshi, Terzinjtë i përmendin si zanatlinj në zejen e lëkurës dhe në tregtinë e shkëmbimit të mallrave.
Largohemi nga Çarshia me fjalën e fundit se është një projekt për ta rivitalizuar Çarshinë, megjithëse buxheti është i pakët, ka pak shpresa dhe sytë mbeten si gjithnjë te donatorët e huaj. Por shumë pak punohet në këtë drejtim - thuhet përfundimisht, i njëjti problem në Prizren, Gjakovë dhe Pejë. “Më tepër me mundësi personale mbajnë gjallë këto zeje”...
***
Në një ditë tetori, bluja që përhap dielli, është mahnitëse. Pasi kalon një pjesë të mirë të Çarshisë së Vjetër, vetëm një kthim i shkurtër të ndriçon në madhështi Xhaminë e Hadumit. Fasada të merr mendtë nga ornamenti oriental, stil zbukurimi plot lule pikturuar. Ka shumë finesë pikturimi, sidomos në ngjyrë. Është punë arti sesa feje. Tamam si në një kopsht mistik. Këtë lloj zbukurimi kaq çlirues, plot dritë nuk e kanë xhamitë që ndërtohen sot. Zeka ndal në çast në këmbë dhe thotë: Ja mbrapa xhamisë janë varret. Janë varre të vjetra, po ashtu edhe në pjesën përballë oborrit.
Kubeja e madhe, pikturuar plot lule me ngjyra të forta, shtruar me qilim është funksionale; atë orë pasditeje nuk gjetëm njeri, po hyrja ishte e lirë, sepse është nga qendrat më të vizituara në Gjakovë. Këpucët i hoqëm te dera, si e do feja.
Pas nesh Zeka hyn dhe bën bismilah - na tregojnë se rrëzë murit ka qenë biblioteka e shekullit të 16-të; dhe sot ka një grumbull gurësh; libra fetarë; dorëshkrime kulturore.
Këtu është dhe varri i vëllait të Çabejt. Tregojnë se gjuhëtari ka ardhur dikur për ta kërkuar varrin e të vëllait. Pse ka përfunduar në Gjakovë i vëllai, mësues në zanat, e lidhin me Luftën e Dytë Botërore, kur Italia fashiste pati dërguar mësues nga Shqipëria në Kosovë. Si duket, kjo traditë është ruajtur, sepse para ca kohësh edhe një lajm fliste për një bashkëpunim me shkollën e Gjirokastrës nga ky qytet.
Në xhami rrëfehet edhe historia se si qanë nga gëzimi pleqtë e Gjakovës, kur mësuan lajmin se Kosova dhe Shqipëria në atë kohë u bashkuan; “por interesat e Serbisë i ndanë”. Zekë Çeku, shoqëruesi ynë, na tërheq vëmendjen tek minarja e xhamisë; e ndërtuar me gurë të mëdhenj, siç është tipike për kullat shqiptare. “Janë karakteristike gurët, qysh në atë kohë është bërë një kombinim i formës klasike të ndërtimit të xhamive me elementin e arkitekturës autoktone me kullat e gurit”.
Xhamia është ruajtur identike, qysh kur është ndërtuar para 600 vjetësh. Tregojnë se ka pasur disa dëmtime, por është restauruar. Përballë saj, dykatëshe është Bashkësia Islame e Gjakovës. Kjo na thonë se është një shtëpi e trashëgimisë dhe ndërtimtarisë urbane të lindjes ose Turqisë. Në të gjithë Kosovën shikohet kjo arkitekturë.
Rreth Xhamisë së Hadumit lindin të gjitha pyetjet edhe nëse vërtet në Gjakovë ka një tendencë të rritjes së fesë islame apo të një lëvizjeje të islamizimit!?
Zeka nuk heziton ta shuajë edhe këtë kureshtje, ku përfshin edhe të huajt kur duan të njohin përtej fasadës fizike të xhamisë: “Unë nuk merrem me politikë, por duhet informuar se nuk kemi rritje të besimtarëve në fenë islame, shifrat janë po ato, 80% janë myslimane, 15% katolikë dhe 5% serbë ortodoksë, numri është i njëjtë, por ka një rrymë të re”. Për vehabizmin është fjala, që Zeka e thotë se është më i zhurmshëm. Për ta përtypur këtë të re nga Gjakova, na thonë se si në Shqipëri dhe Kosovë shqiptarët besojnë në fenë myslimane, se jemi sunitë dhe pjesa e sheikëve me ato sektet e tyre. Është i qartë Zeka kur shpjegon se kemi të bëjmë me islamizmin sekular sikurse është në Turqi, ndoshta kjo ka “tronditur” besimin në Gjakovë, se po ndihet lëvizja nga radikalizmi. Gjakovari thotë se nuk ndryshon numri i besimtarëve myslimanë, por ka vetëm një tendencë të rritjes së vehabizmit, një krah mjaft radikal; me mjekër, pantallona të shkurtra... “në natyrën e islamizmit kosovar nuk është kjo, ndonëse shumë prej tyre anojnë pak nga fondamentalizmi”.
Prej 12 sekteve të pjesës islame të sheikëve, me zanafillë në Iran, 7 na thonë se gjenden në Gjakovë. Por në fund, Zeka kryen qëllimin turistik, duke thënë se orientimi i të gjithëve është Çarshia e Vjetër, Xhamia e Hadumit, sepse historia e Gjakovës si qytet këtu e ka zanafillën, këtu do të ishte nukleusi, qendra e qytetërimit gjakovar. “Prej xhamisë kanë filluar të zgjerohen e zhvillohen zejet rreth 600 vjet më parë”. Mirëpo dyqane ka pasur dhe më parë, por Gjakova na thonë s’ka pasur statusin e kasabasë, e ruajnë ende këtë term për qytetin. “Ka qenë i papranuar si qytet”. Qyteti që lindi nga dy lëkurë bualli...
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...