2011-02-01

Tropoja me dy heronj, sot Azemi, dje Bajram Curri

Shtatorja e Azemit, përballë heroit Bajram Curri



18 vjet pas vrasjes, italianët i ndërtuan një bust në Palermo gjykatësit të famshëm që u përballë deri në vdekje me mafian, Giovanni Falcone. Tropojanët kanë vendosur t’i ngrenë një madhështi të tillë birit të tyre, Azem Hajdari. Tropoja me dy heronj, sot Azem Hajdari, dje Bajram Curri. Busti i heroit të demokracisë do të vendoset përballë atij të Bajram Currit që luftoi dhe dha jetën për bashkimin e trojeve shqiptare. Të dy i përkasin Malësisë së Gjakovës. Së shpejti monumenti prej bronzi i Azemit do të shfaqet gjigand, i rrethuar nga lartësitë e Shkëlzenit dhe Jezercës. Rreth tij do të mblidhen të gjithë: familjarët, miqtë, shokët, politikanët pikërisht në qytetin e lindjes, në Bajram Curri. Është një projekt i Bashkisë së Bajram Currit, qyteti ku Azem Hajdari lindi dhe u rrit dhe më pas i dha krenari e bashkë me të edhe historinë që ai krijoi në kohën më të vështirë për shqiptarët. Bashkëqytetarët e Azemit, të mbështetur nga qeveria e Kryeministrit Sali Berisha, edhe ai bir i trevës së Malësisë së Gjakovës, kanë vendosur ta rikthejnë Azemin në vendlindje. Aty ka shtëpinë, ku hodhi hapat e parë dhe mësoi për jetën... Një shtatore për të në qendër të qytetit, aty historia shkon bashkë me të, rreth madhështisë së këtij njeriu të thjeshtë, jeta e të cilit ishte shembull i pasionit për punën, për detyrën, për të vërtetën, për drejtësinë. Por, atë natë të 12 shtatorit të ‘98-s, kundër tij lëvizën mafiozët dhe i gjithë moçali i pushtetit komunist. Të dyja palët e urryen për vdekje. Azemi lindi në Tropojë, në vitin 1963, në një kohë diktature të rreptë, të një lire të rrethuar brenda hekurave të regjimit hoxhist, ku jeta zhvlerësohej si një gjethe ahu... Rrezikim i ngjante atij honi të thellë ku diktatura komuniste përgatiste të hidhte lirinë e ëndërruar e të masakruar të shqiptarëve. Në atë kohë, Azem Hajdari ndiqte shkollën e mesme në qytetin e Bajram Currit. Ishte kohë e fataliteteve të mëdha, kohë e dhunës nga më të egrat në krejt Evropën komuniste-lindore. Fati i tij nuk mund të përzihej me diktaturën e kuqe, ndaj u vu në krye të lëvizjes studentore me datën 8 dhjetor të ‘90-s, vit kur studionte për drejtësi dhe ishte bërë baba i një foshnje të vogël. Dukej sikur parulla “Liri-Demokraci” kishte dalë prej gjoksit të Azem Hajdarit dhe ndiqej nga mijëra kryeqytetas. Ai udhëhoqi uraganin e madh deri në rrëzimin e diktaturës, por duke mos iu ndarë realizimit të plotë të lirisë në Shqipëri as ato ditë të protestave të mëdha, as në sallën e Parlamentit. Për rëndësisë e saj u foli shqiptarëve deri në shtëpitë e tyre, ku sa herë trokiti, i hapën dyert, nga Tropoja në Sarandë. Më 12 dhjetor 1990, të detyruar prej uraganit, por edhe prej revoltave antikomuniste që po vinin prej Evropës Lindore, pushtetarët komunistë mes shumë debatesh lejuan pluralizmin politik, përndryshe krijimin e Partisë Demokratike. Një kryesi e dalë prej mbledhjes së kësaj dite vendosi që deri në mbajtje të kongresit, Partia Demokratike të udhëhiqej nga kjo kryesi, në krye të së cilës u vendos Azem hajdari, që prej atij momenti e deri në fund të jetës së vet, biri i Tropojës mbajti mbi supet e veta krejt një rrjedhë të fuqishme antikomuniste, duke dëshmuar jo vetëm guximin për të luftuar, por edhe prirjet për ndërtimin e institucionalizimit të demokracisë së brishtë shqiptare. Dhe erdhën zgjedhjet e para pluraliste, prej të cilave Azemi u bë deputet i Shkodrës, por PD-ja nuk mundi t’i fitonte zgjedhjet në nivel kombëtar. Kandidatura e Azem Hajdarit në marsin e vitit 1992 fitoi në mënyrë të pakundërshtueshme ndaj socialistë komunistëve, në të njëjtën zonë. Populli martir i Shkodrës, jo vetëm i dha votën e vet studentit të dhjetorit, por edhe e siguroi atë se do ta kishte krah në çdo lloj uragani kundër komunizmit. Në Parlamentin e parë demokratik shqiptar, Azem Hajdari mbeti deri në fund zëdhënës i rindërtimit të shpresës shqiptare, çdo fjalë e tij ka kumtuar shpirtin e nacionalistit të ndershëm, të politikanit të mprehtë, të energjive të rralla studentore. Ai ishte ndër të parët deputetë shqiptarë që e ngriti problemin e madh të vëllezërve të Kosovës. Ideja e pavarësisë do të mund të gjeneronte zgjidhje të reja, për të çuar në fund të fundit tek rrëzimi i “Murit të Berlinit” që ndante shqiptarët mes tyre. Djali nga Tropoja që tashmë kishte mundur të krijonte legjendën shqiptare, ngriti zërin fort kundër veprimeve të Janullatosit në Shqipëri, si edhe kundër politikave greke që të hynte në bisedime serioze e korrekte me palën greke lidhur me pronat legjitime të çamëve, të cilët u dëbuan me dhunë prej pronave të tyre në vitet 1920-1924. Me të njëjtin guxim, me të njëjtën vendosmëri, Azem Hajdari nuk reshti as në Parlament edhe ndaj opozitës së atëhershme, atyre rudimenteve të bolshevizmit. Një betejë e pastër përmes së cilës kërkonte demokracinë e vërtetë, drejtësinë e pastër plot aspirata të reja. Edhe në zgjedhjet e viteve 1996-1997, Azem Hajdari zgjidhet sërish deputet, tashmë një lider i kurajos qytetare të popullit të vet. Në shtatorin e vitit 1997, Azemi u qëllua në sallën e Kuvendit të Shqipërisë nga një deputet socialist. Dora mbajti koburen për vdekje, por trupin e shëndetshëm veçse e gjakosi. I plagosur shkon sërish në Parlament, duke akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë pushtetarët e majtë. Por, ata goditën sërish derisa e rrëzuan përdhe, me breshëri plumbash në një natë të errët, si ajo e 12 shtatorit të ‘98-s. Dora vrastare tashmë e dinte se ku fshihej zemra e dytë e Azem Hajdarit. Por tropojanët, bashkëqytetarët e tij, kanë vendosur ta ngrenë në piedestal, me pamjen e tij prej trimi, guximtari, shtatlartë si kreshtat e maleve të Malësisë së Gjakovës, me të cilën së shpejti do të gdhihet dhe ngryset çdo ditë...

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...