“Në Shqipëri më kanë marrë me forcë, më kanë rrëmbyer dhe më pas më kanë dërguar në një kamp. Më pas më kanë keqtrajtuar deri në gradën e fundit. Për arsyet e mësipërme nuk mund të vij në Shqipëri, pasi nuk më sigurohet jeta. Njerëz të SHIK-ut më kanë ndjekur për disa vjet”, shkruan Avdyl Loshaj. Më pyesni me disa vitesh, pas arratisjes nga Shqipëria.
“Ftoj prokurorinë dhe gjykatën shqiptare, që kanë hapur një proces gjyqësor ndaj personave që na kanë rrëmbyer, të vijnë në Holandë, ku jam rezident prej disa vitesh, pasi u arratisa nga kampi i SHIK-ut, dhe të marrin dëshminë time”, deklaronte atëbotë Avdyl Loshaj,një fshatar i thjeshtë i një fshati me emrin Carrabreg nga Komuna e Deçanit . Propozimi i tij vijon se dëshmia mund të realizohet në ambasadën shqiptare në Holandë, tek oficeri i policisë, i cili është pika e kontaktit midis policisë holandeze dhe asaj shqiptare. Ndërkohë, gjykata dhe prokuroria deklarojnë se ende nuk kanë vendosur nëse do të shkojnë apo jo në Holandë. Një gjë e tillë do të vendoset në seancën gjyqësore të radhës.
“Si më rrëmbyen” Avdyl Loshaj, i mbijetuari pas rrëmbimit të SHIK-ut, do të jetë prova kryesore që do të hedhë dritë mbi mënyrën e torturës me pasoja të biznesmenit shqiptaro- maqedonas Remzi Hoxha, 13 vjet më parë. Sipas burimeve nga akuza, Loshaj do të jetë një nga dëshmitarët e organit të akuzës në seancat gjyqësore ndaj katër ish-drejtuesve të SHIK-ut, me në kryer Arben Sefgjinin, aktualisht drejtor i përgjithshëm i Tatimeve në Ministrinë e Financave. Hetues të çështjes thanë se Loshaj ka pohuar paraprakisht se është arrestuar në muajin tetor 1995 në Qytetin Studenti, afër godinës 24. Ai ka pohuar se kanë qenë tropojanë ata që kanë ushtruar tortura ndaj tij. “Ka qenë edhe një person grek. Çfarë ka bërë ai në trupin tim, vetëm kur të vijë dita ndonjëherë që të dal edhe unë para gjyqit mund ta faktoj…”, paralajmëron i mbijetuari i torturave të SHIK-ut.
Foto: NH (Nebih Hoxha) dhe AL(Avdyl Loshaj) Foto: NH (Nebih Hoxha) dhe AL(Avdyl Loshaj)
Ai ka dëshmuar se ka firmosur nën dhunën e agjentëve të Shërbimit Informativ disa deklarata të shkruara, të parapërgatitura nga ata. “Bëhej fjalë për atentate ndaj Zef Brozit, kryetarit të Gjykatës së Kasacionit, Prelë Martinit, kryetarit të Gjykatës së Apelit, gjoja se i kishim organizuar ne. Thuhej se kisha bashkëpunuar me Remzi Hoxhën për atentatin e Gligorvit në Maqedoni”, ka rrëfyer Loshaj. “Dëgjova Remziun” Loshaj ka deklaruar gjithashtu se gjatë torturave në qendrën e SHIK-ut në Vain të Lezhës ka dëgjuar britmat e Remzi Hoxhës. “Këto britma unë i kam dëgjuar në një vend diku, ku ka qenë edhe një shërbëtore. Shërbëtorja fliste në një dialekt shkodran. Nuk e di se në ç‘vend kam qenë, pasi më vendosën në kokë një thes të zi gjatë udhëtimit që kam bërë”, shton ai. Loshaj deklaron se u ka ikur agjentëve pas hedhjes nga tre kate e gjysmë, për të shpëtuar nga torturat çnjerëzore që i bënin. “I kisha këmbët e lidhura. Më rrihnin me shkopinj gome. Aq sa s‘mundja të ndalja urinën. Dikur njëri prej tyre, ai greku, ai që fliste greqisht, i tha tjetrit ‘hiqma këtë qelbësirë prej këtu, dërgoje në WC. Në WC isha pa të mbathura dhe aty pashë një dritare të vogël. E mbylla derën dhe kam parë poshtë. Desha të hidhesha me kokë, për të vrarë veten. Nxora trupin jashtë dritares dhe më kapën nga bluza. Ajo u shqye dhe kam rënë në tokë me këmbë”, përfundoi i rrëmbyeri....(Agjencioni Floart-Press,23 nëntor 2008)
Konstatimi, marrja e dëshmisë nuk ishte firmosur nga gjyqtari kosovar që kishte zhvilluar seancën e pyetje-përgjigjeve
Dëshmia e dhënë drejtësisë kosovare nga Avdyl Loshaj është rikthyer sërish në Kosovë nga gjyqtarët shqiptarë. Shkak për rikthimin në Kosovë të kësaj dëshmie është bërë konstatimi në letër-porosi se gjyqtari që ka zhvilluar seancën në Gjykatën e Pejës dhe ka ndjekur pyetje-përgjigjet e dhëna nga Loshaj, nuk e ka firmosur në fund procesverbalin. Madje, dërgimi sërish në Kosovë i letër-porosisë është shoqëruar edhe me disa pyetje që gjykata i drejton gjyqtarit kosovar, mbi procedurat që ndiqen nga këta gjyqtarë në përfundim të një seancë, dhe nëse duhej ta firmosin apo jo procesverbalin. Kjo mangësi në letër-porosi solli edhe shtyrjen e seancës së djeshme dhe pritjen e përgjigjes nga autoritetet kosovare. Dëshmia e Loshajt ka mbërritur kohë më parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda përmes Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa në të ky dëshmitar dhe njëkohësisht person i arrestuar nga strukturat e SHIK nën gjykim, ka dhënë shpjegime për ngjarjen për të cilën përmendet. Askush nuk jep detaje rreth dëshmisë së tij, ndërsa mësohet se shumë shpejt ajo do të lexohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Por, kjo dëshmi do të lexohet dhe merret në administrim nga trupi gjykues vetëm pasi të plotësohet edhe mangësia e fundit e konstatuar në fund të procesverbalit, pra mungesa e firmës së gjyqtarit të seancës. Avdyl Loshaj mësohet të ketë dëshmuar në muajin dhjetor në Gjykatën e Pejës, me kërkesë të tij, pasi ngriti pretendime se nuk kishte siguri jete në Shqipëri. Kërkesa u pranua dhe pyetjet nga palët iu dërguan me letër-porosi autoriteteve kosovare, të cilat e zbatuan atë në muajin dhjetor kur Loshaj ndodhej posaçërisht për këtë arsye në Kosovë. Dhënia e dëshmisë nga ana e dëshmitarit Loshaj është konfirmuar në sallën e gjyqit nga prokurori i çështjes, Xhevat Hana, i cili deklaroi se “në 24 dhjetor të vitit 2010, nga ana e autoriteteve kosovare kam marrë konfirmim se në datën 20 dhjetor 2010 është realizuar pyetja e dëshmitarit Avdyl Loshaj në Gjykatën e Pejës. Në 22 dhjetor ky material i ka kaluar Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, e cila do t’ia dërgojë në rrugë zyrtare Ministrisë së Drejtësisë në Shqipëri”. Letër-porosia mbërriti por me mangësi të një firme, ndaj dhe i është rinisur po përmes Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë drejt Kosovës për ta plotësuar(Floripress,4.2.2011).
Lexoni:
http://www.bing.com/images/searchq=avdyl+loshaj&view=detail&id=6013D1002B544BF86634183545FB813511D5F014&first=1&FORM=IDFRIR