Nga Basir Çollaku
Nuk ka dëshmi më të qartë sesa kryengritja e 21 janarit 2011, ku së paku 200 vetë të armatosur sulmuan dhunshëm policinë dhe Gardën e Republikës, me synimin e qartë që të hynin në godinën e Kryeministrisë dhe aty të bënin reale marrjen e zyrës së kryetarit të qeverisë, të Kryeministrit të Shqipërisë, që gjendej në orarin e tij të punës në zyrë. A është tregues ky a është e dhënë që nxirrte flakë, tym, plumba, dëshmia më transparente e një plani të qartë për të vrarë Kryeministrin e vendit??? As shumë mend nuk do për të thënë ‘po’, sepse flasin pamjet dhe dhuna e kapërcyer me adresë të qartë: Zyrën e Kryeministrit Sali Berisha, ashtu si sulmuan njëlloj në ‘97-n po Berishën, me të njëjtën mendje, sepse përfliten të njëjtët autorë politikë.
Pra, nuk ka dyshim se persona të stimuluar me narkotikë, shenjat mund të flasin mbase për ekstazi, që kishin bomba “Molotov”, pistoleta, e prisnin kallashët sapo të hapej dera, të kishin ndërmend të silleshin me duartrokitje e me paqe apo me lule me kreun e ekzekutivit, kur mijëra të tjerë prisnin “çlirimin e madh”. Për një student të zakonshëm drejtësie, ky plan ngjan si plan vrasjeje, shumë herë me tepër se mesazhet që paskkan mbërritur më vonë nga një qytetar nga Burreli për vrasjen e kreut të opozitës, për djegien e një makine në bulevard apo pranë tij, ditën e mësymjes së armatosur e shkatërruese. Kjo nuk shkon si alibi as nëpër çerdhe të tregohet, por le të presim fundin e hetimit. Tani në celular njerëzit mezi të pyesin si je me shëndet, nga sikleti i përgjimeve pa fund, e jo më të flasin trimërisht se do të vrasim kreun e opozitës për hakmarrje se na kanë djegur makinën ca të panjohur që mbase dhe vetë kryebashkiaku s’ka dijeni se kush janë. Kjo, për mendimin tim, është njëlloj si të bësh japrak me makarona apo kafe me kripë. Madje, prokuroria ka qenë nxitshmërisht e gatshme të zbardhë këtë plan dhe ka bërë mrekullisht mirë, që të parandalojë këtë vepër penale të rëndë si tentativë ndaj zotit Rama, ndonëse duket e trukuar fort bukur për të viktimizuar kreun e opozitës për atë që ai nuk mundi të bënte me 21 janar.
Besoj se në këtë prurje të re informacioni kemi një lajm të mirë, nëse marrim të vërtetë atë që është përcjellë mediatikisht edhe nga seanca në gjykatë ku prokurori ka thënë se janë informacione e përgjime nga SHISH. Lajmi i mirë e i keq njëherësh është fakti (duke e marrë si të vërtetë së paku) që SHISH ka ofruar të dhëna, përgjime, për t’u përdorur si prova për arrestimin e masën e sigurisë në gjykatë. Lajm i mirë duhet konsideruar fakti që punuaka ky shërbim i fshehtë për kreun e opozitës dhe lajm i keq që nuk punon aspak për Kryeministrin. Nuk dua ta marr si aksiomë këtë, por kjo përforcon idenë e përdorjes së Shërbimit kundër kreut të qeverisë, mosvënien në dijeni të tij për atë tmerr të përgatitur për të premten e 21 janarit.
Përgjimet na garantojnë se “atentatorët” janë armatosur me një stilolaps pistoletë, gjë që kundërshtohet si fakt, se kjo armë ka qenë pjesë edhe në armatosjen e 21 janarit kundër Kryeministrisë e Kryeministrit. Kur prokuroria e kërkon një armë kundër Berishës nuk e gjen, ndërsa për 10 minuta e gjen kundër kreut të opozitës, Edi Rama. Kjo katrahurë institucionesh të përdorura njëanshmërisht nuk është se sjell transparencë. Komisioni hetimor parlamentar është instrumenti më bindës që kërkon të dhëna dhe fshehja apo refuzimi që po bëjnë kryeprokurorja, kreu i SHISH, e të tjerë drejtues institucionesh për të vënë në dispozicion fakte që provojnë kryengritjen e armatosur ndaj Këshillit të Ministrave, ndaj Kryeministrit Sali Berisha. Komisioni Hetimor Parlamentar kërkon me të drejtë dhe nuk duhet asnjë kompani të rezistojë e të bëjë naze për të dhënë tabulatet, që të shihet qartë se si kanë komunikuar kryengritësit që tentuan vrasjen e Kryeministrit me 21 janar, por mbetën në tentativë. Bëhet fjalë për sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues dhe operatorët duhet të kenë dërguar pa asnjë lloj rezistence të dhënat për këdo qoftë sepse përballen me një kërkesë ligjore. Këtu nuk ka vend për shkelje ligji nuk ka përse trembet askush sepse në listë janë të gjithë, Presidenti, Kryeministri, Kryetarja e Kuvendit, e gjithë krerët e institucioneve, lë të mësohet komunikimi i fshehtë me 21 janar që të zbardhet plani i vrasjes së pamundësuar të asaj ditë të zezë. Kryeministri dhe Kryetarja e Kuvendit nuk e kanë refuzuar aspak kërkesën që të jenë ata pjesë e dëshmisë, qoftë edhe për bisedat telefonike, atëherë përse kjo frikë e madhe e të tjerëve që janë në këtë listë??? Përgjigjja të shkon vetëm në një shteg, sepse ata nuk duan të rrëfejnë mëkatet në Komisionin Hetimor, pasi aty mund të ndeshemi me shumë vepra kriminale apo urdhra të përcjellë në udhë zjarri të së premtes së datës 21. Kjo hedh gjithnjë e më shumë bindje se kryengritja që dhunoi Tiranën, ishte plan i mirëfilltë, atentat ndaj Kryeministrit të vendit, sepse në bulevard, ashtu si thotë Prokuroria e Përgjithshme, nuk u sulmua as Presidenca, ku gjendet me zyrë kreu i shtetit, Bamir Topi, as Prokuroria e Përgjithshme, 100 metra më tutje bulevardit, ku gjendet me zyrë Ina Rama, as Bashkia e Tiranës, që ndodhet po në bulevard ku ka një nga zyrat Edi Rama, por Këshilli i Ministrave, ku gjendej në zyrë Kryeministri i vendit, Sali Berisha. Ndaj, ky ishte plan për vrasje. Ata që nuk duan hetimin, kanë frikë mos gjenden ashtu si janë denoncuar publikisht pjesëtarë e hartues të planit, sepse të gjithë jemi njohur që të dhëna të frikshme të publikuara nga Kryeministri, janë informacione të ofruara nga shërbimet e huaja. Asnjë nga këto agjenci serioze nuk janë në partitë tona politike, nuk mbajnë me hatër grupimet, por punojnë që siguria e rendi kushtetues i një vendi mik të mos rrënohet, kur ata kanë mundësi të japin ndihmë. E kjo ndihmë prishi planin e tyre për vrasje që do të zbardhej plotësisht në përgjimet e bisedave.
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...