Prof. SAMI REPISHTI:DEMOKRACIA E PLAGOSUN RANDE NE SHQIPERI

Ridgefield,CT.USA- Zhvillimet e fundit ne arenen politike te shtetit shqiptar jane shqetesuese per te gjithe ata qe deshirojne te shohin nji Shqiperi demokratike me orientim Europian, sepse kaosi qe e mbeshtjell sot vendin rrezikon vete ekzistencen e Shqiperise.

Skandali i “kasetes video Meta-Prifti asht vetem nji sinjal ogurzi.

Leximi i shtypit shqiptar nga ky vend i larget, me solli ne mend fjalet e nji mergimtari ne Europen e vitit 1925, te ndjerin Imzot Fan .Noli i cili shkruente:”Cili do te jete perfundimi po te vazhdoje ky regjim tradhetaresh, kusaresh, kriminelesh, tiranesh e bashipozukesh? Nje katastrofe tragjike si ajo e 1914-es, te cilen munt te refuzojne t’ a shohin vetem ata patriote qe jane verbuar krejt, ata qe u lodhen nga lufta dhe i hodhen armet, dhe shtrihen ne gjume, duke pritur shpetimin nga Fati…”

(Liria Kombetare, Gjeneve,16 gusht).

Sot. 86 vjet ma vone,, zera te arsyeshem qortojne: “Riktheni demokracine ne Kuvend “(Presidenti B.Topi),(pushoni) “…keto lloj çorbash demagogjike, paradokse e genjeshtra politike“(ish Presidenti R.Mejdani)’”…qe neser te mos çfaqet ne forme te dhuneshme e tragjike “(bashkevuejtesi - aktivist F.Lubonja)

Ndersa i ndjeri Faik Konitza do te shtonte: Si ashte e mundun qe Shqiperia kaloi kaq shpejt nga tragjedia ne operete? Te dy keto para-ardhes frikesoheshin nga tragjedia, ashtu siç frikesohem edhe une sot. Asht nji ironi e fatit qe fjala “tragjedi” ndjek ngjarjet ne vendin tone. Duket sikur jetojme pa nji vullnet tonin, si nji instrument ne duart e fatit qe shpesh here ashte i verbet.

Qe nga dita e ramjes se turpshme te komunizmit ne Shqiperi dhe deri sot kane kalue plot njizete vjet, nji periudhe kohe e njohun si “tranzicion”, faze kalimtare qe ndane diktaturen e kuqe nga “demokracia” qe shpresohej ne vendin tone. Njizete vjet me rradhe kemi deshmue shkallezimin e nji procesi qe dale nga dale, por ne menyre te pashmangun solli qeveri mbas qeverie ne gare njena ma tjetren cila damton ma shume mireqenien e popullit ne vend dhe imazhin e tij ne boten e qytetnueme. Duket se klasa politike shqiptare nuk ka synime qe ngrejne nalt kete mireqenie dhe kete imazh, dhe se ashte e vendosun qe synimi i tyne kryesor te jete marrja e pushtetit me zgjedhje te pandershme, dhe mbajtja e tij me mjete te pandershme.Kjo ashte pershtypja e ime, e kolegeve te mi, dhe e miqve amerikane te Shqiperise.

Nuk vuej nga tundimi me parapa te ardhmen, por jam edukue me preferue poziten e thjeshte te shkollarit te paangazhuem ma shume se qendrimin e dyshimte te nji politikani partizan te verbuem nga ideologjia, pushteti ose te mirat landore. Por nuk mund te mohoj pervojen qe meson se e kaluemja asht nji harte qe tregon rrugen e se ardhmes. Nji logjike e ketill me detyron te perfundoj se e kaluemja e vendit tim, e shtetit dhe e shoqenise shqiptare viktime e ketij shteti, nuk premtojne shume.

Shkurt, kam frike!

Grupet politike, pozita dhe opozita, hypin e zdrypin nga pushteti pa qene te afte me gjete nji rol per veten e tyne, aq ma pak nji zgjidhje per problemet kombetare. Nji ”katrahure” e ketill politike nuk ushqen nji shoqeni shqiptare as me dituni as me shpresen se dite ma te mira na presin ne te ardhmen. Masat e hutueme manipulohen nga propaganda e organizueme, megjithse shqiptaret ma shume se kushdo tjeter njohin efektet e propagandes genjeshtare, plaget e se ciles ende nuk jane sherue,.

”Fjalet kane rrjedhime“ thone amerikanet. Ne Shqiperi jemi ma te hapet:”Gjuha thyen rrashten!”.

Nji ndjenje deshprimi, dobesie e pamundesie sikur ka paralizue shoqnine shqiptare sot. Natyrisht, asht e lehte te japesh keshilla nga “kulla e fildishte”. Megjithate, nuk evitohet bindja se rruga e ndjekun keto njizete vitet e fundit ka perfundue ne qorr-sokakun e sotem pa shprese dalje. Qe nga viti 1991, skena politike shqiptare ka qene nji vazhdim aktesh e ngjarjesh qe per natyren e tyne jane dallue si tragjike , groteske dhe absurde.

Greva e urise e ish te perndjekurve ne Shkoder e Tirane me 1993 u mbyt nga druri i policise; rezultati i referendumit te 1995 pruni ngritjen e autoritarizmit qeveritar; zgjedhjet e vitit 1996 nuk ishin as te lira as te te drejta; “piramidat“ qe shterren kursimet e popullit fukara u perkrahen nga qeveria; kryengritja leniniste e vitit 1997 vrau ma shume se 2000 shqiptare dhe tregoi skena hakmarrje te pabesueshme; qeverite qe ndoqen u treguen jo efektive dhe sektariste e provinciale, si dhe krijuen pershtypjen e institucionalizmit te korrupsionit ne qarqet e nalta qeveritare; obstruksionizmi i jetes parlamentare u ba kultura politike e Shqiperise dhe vazhdon edhe sot; votuesi shqiptar bojkoton zgjedhjet qe nuk perfaqsojne vullnetin e tij, e keshtu me rradhe…

Sot dialogu politik ne Shqiperi kufizohet vetem ne shtypin e vendit, sepse ne Kuvend ka vetem monologe te pafund, te pakripe, dhe pa dinjitet. Gjuha vulgare ka avancue ne gjuhe rrugaçerie. Askush nuk ndigjon, flasin vetem ata qe shajne. Eksperimenti parlamentar ka deshtue ne nji menyre mjerane, dhe vendi yne ashte ekspozue aq keq sa jemi ba “gazi i botes”. Arsimi, avenuja qe premton pergatitjen e breznive te reja te edukueme asht degjenerue ne tregeti notash, diplomash dhe profesoresh te vorfenuem. Te rijt largohen nga vendi te pashprese, dhe te larguemit nuk kthehen sepse e dine qe nuk perfillen.

Ekonomia ece me hap te matun vetem ne saje te kapitalit privat te grumulluem, ne shumicen e madhe, me menyra te pandershme. Evadimi i taksava ashte pjese e kultures jo-qytetare qe e ushqen. Bankat, institucionet tjera financiare e investuese jane ne duerte e te huejve dhe kane nji objektiv: te perfitojne sa ma shume nga mungesa e elementit vendor. Shoqenia shqiptare i asht nenshtrue nji indoktrinimi materialist qe ushqen kapitali i eger, i pakontrolluem, dhe i pashpirt. Vorfenia e gjithmarshme nxite krimin, prostitucionin drogen dhe alkoholizmin, si dhe te ligat qe ata sjellin ne vendin tone. Dhe si kunorzim i ketij kaosi politik dhe shoqnor njizete vjeçar, plot krime e padrejtesi, nuk gjindet asnji “fajtor” Krimi lulezon lirisht sepse nuk ka drejtesi, dhe drejtesia nuk ekziston sepse ashte ba pjese e politikes se dites. Viktima ashte harrue. Nderkaq, gjunjezohemi pa turp para botes se jashtme me kerkesen per anetarsim ne Bashkimin Europian…Cilen Europe? Ate te mbas vitit 1945 qe ka institucionalizue viktimen - e jo fituesin!- si manifestimi i nji qytetnimi te ri europian, tue e gdhene ate literalisht ne monumentin e kujteses se perjeteshme?

Krenaria e jone si qytetare te lire nuk vjen nga pasunia e grumullueme me çdo mjet; aq ma pak krenaria jone kombetare; por nga vlerat kulturore qe na pajisin si individe dhe si shoqni shqiptare, dhe nga arritjet tona ne ndertimin e nji shoqnie civile shqiptare qe mbron me kujdes te drejtat qe i perkasin, natyrale dhe civile, si dhe nga gatishmenia e shoqnise me i mbrojte ata. Si komb shqiptaret jane te njohun per guximin e tyne luftarak; duhet te punojme te kultivojme edhe guximin civil, aftesine e gatishmenine me mbrojte deri ne sakrifice te drejtat e mohueme nga autoritarizmi qeveritar. Per individet, ashtu si per kombet, nderi qendron ma nalt se jeta….megjithese asgja nuk vlen ma shume se nji jete njerezore e lire dhe me dinjitet.

Me shprehje biblike ngrihen sot akuza kunder klases politike shqiptare: Ju urreni çdo njeri dhe çdo akt ndertues, ju sfidoni paturpsisht drejtesine dhe luftoni cdonjenin qe guxon me fole haptazi te verteten. Ju keni shtype te vorfenin dhe i keni grabite atij buken e gojes te fitueme me djersen e ballit. Ju persekutoni te drejtin, ju merrni rushfet nendore e mbi dore, dhe nuk lejoni qe ankesat e te shtypunve e te shfrytezuemve te dalin para gjyqit, aq ma pak te ndeshkohen fajtoret.

Krimi i pandeshkuem ngjalle pakenaqesite masive dhe perban brumin e revoltes se justifikueme. Perballe nji mundesie te ketille asht detyra e te gjitheve, e mbare shoqnise shqiptare me eliminue kushtet qe nxisin popullin deri ne deshprim dhe perfundojne ne akte shkaterruese.

Sot, atmosfera politike ne Shqiperi asht e elektrizueme me nji potencial shperthimi. Sot, asnjeni nga ne nuk duhet te shikoje besnikerine ndaj partise, ose klanit sundues, si nji pengese per veprim: Duhet shpetue vendi nga aventurat politike e partizane; duhen çlirue shqiptaret nga frika e qeverise dhe frika e urise. Duhet çlirue shqiptari nga mentaliteti komunist i nenshtrimit. Sot, populi shqiptar ashte viktime e shtypjes dhe manipulimit. Por, mos harroni, Ai nuk asht i pafuqishem!

Ky rreth i hekurt qe mundon shqiptaret duhet thye njihere e pergjithmone. Le te ngrihet Rinia shqiptare e edukueme me frymen e demokracise Euro-Atlantike. Asht e ardhmja e tyne qe rrezikohet nga breznite qe humben rastin historik me u ngrite, dhe treguen paaftesine e tyne me udheheqe. Kjo ashte nji detyre historike per te rinjte, e nji mase preventive me shpetue vendin nga nji katsastrofe qe e kercenon- e qe kercenon sidomos te rijte sot, dhe femijte e tyne neser.


18 janar 2011

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)