2011-01-31

NJE POEZI PER TY, NGA LUIGJ SHKODRANI

(Luigj Shkodrani, Një poezi për Ty, Bukuresht 2010)













Nuk mund ta vlerësosh sa duhet një poet po qe se nuk din të respektosh respektin e tij ndaj gjuhës amtare dhe vlerave atdhetare të vendit tënd. Luigj Shkodrani nuk është as gjeniu i letrave shqipe në diasporë, dhe as poeti i diasporës që nuk ka vlera të mirëfillta në shkrimet e tij.
 Cila është muza shqiptare e frymëzimeve tij? Muza shqiptare është hyjnesha e frymëzimeve e letrare që thot: "Të jesh pjesë e artit është bukuria e bukurive, sepse arti është konkurencë e natyrës”. Kështu do të shprehet Delvina Kërluku në një intevistë të saj, ndërsa ne kemi paraysh Luigj Shkodranin dhe lirikën e tij ku defilon jeta dhe natyra, familja dhe malli ndaj tyre, ndaj atdheut dhe njerëzimit. Cilësitë e poetit shëmbëllejnë me cilësitë e bariut: çiltria, njerëzia, guximi, dinjiteti dhe liria. Luigj Shkodrani është bariu i fjalëve të bukura që e hymnizon besnikërinë e femrës shqiptare, duke e hedhur në flakën e ferrit imoralitetin dhe pabesinë. Shpirti i tij ngjitet në qiej kur e kaplojnë flatrat e frymëzimit ndaj bukurisë, dhe zbret në zgafellat e skëterës kur e ndjen veten të mashtruar nga gjarpëri i tradhëtisë, prezent edhe në këtë vëllim,  ku, mënjanë defilon bota magjike e dashurisë, ndërsa në anën tjetër fshikullimi i ligësisë.

         Frymëzimet e tij gurgullojnë si krojet e kristalta të Sharrit dhe ndërlidhen me trena „që shkojnë e vinë në stacion”, me dyer që hapen e mbyllen, me udhëtarë që zbresin e ngjiten: „dhe dita kështu kalon.” Në mes të kesaj fantazie, poeti e ndjen veten një njeri që kërkon dritë dhe hulumton, edhepse dikush prej nesh, ende nuk e di se ku mbet jeta e tij: në mërgim apo Shqipëri! Ku qëndron veçantia vargjeve të këtij poeti të talentuar? Veçantia e tyre shëmbëllen me lirikën e disa poetëve tjerë të diasporës që e sigurojnë ekzistencën me punë fizike apo intelektuale.
 Ajo nuk ka të bëjë me kultivime figurash stilistike të lirikës kontemporane, por ajo qëndron në sinqeritet dhe sensibilitet, në çiltrinë e mendimeve origjinale dhe ndjeshmërinë e shqiptarit të diasporës që vepron gjithmonë në shërbim të kultivimit të fjalës shqipe, të bashkimit kombëtar dhe Shqipërisë magjike „si vend i dashurisë së përjetshme”. (Fragment nga parathënie e vëllimit Një poezi për Ty, botim i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, që e pa dritën e botimit në Bukuresht, në vigjilje të Ditës së Flamurit.)
                            Disa mendime të autorit për jetën dhe lumturinë
Në vend që të merremi me analizën e tekstit poetik, vlet të theksojmë se për Luigjin një dimër në atdhe është më i ëmbël se njëqind pranvera në dhe të huaj. Luigj Shkodrani qëndis vargje për dashurinë dhe thekson në kuadrin e mendimeve të tij: „Nëse më kupton gabimisht, mësoje që s'kuptove asgjë, sepse dashuria është sikur lufta. Lehtë niset, vështirë përfundon dhe është e pamundur të harrohet.” Për Luigjin, ndoshta është budallallëk të qash për dike, por është e mrekullueshme të mendosh, që lotët mund të thonë ate që fjalët s'e thonë kurrë.
 Dhe më tej: Për autorin, mik i mirë është ai që shikon buzëqeshjen tënde, por megjithatë e ndjen se shpirti yt qan, apo: skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë. Për atë, nuk ka më fatkeq se të jesh fals, kur e kupton të vërtetën. Në jetë, thot Luigji, të keqen mos e kërko, por në qoftë se të vjen, duhet ta pranosh ashtu siç të ka ardhur, por  mos lejo që të të ulë për toke, gjë të cilën unë jam duke e bërë.
          Luigj Shkodrani ka ëndërruar që jeta të jetë e lumtur: „Por kur jam zgjuar kam kuptuar se jeta është e vështirë. Kam punuar dhe jam bindur se te vështirësia qëndron lumturia. ”Më sa duket, thekson autori, “po qe se je i pa krahë dhe i vetëm, disa njerëz duan të ta venë këmbën, për të të mbajtuar nën sundim. Nëse pajtohesh me ta, mirë do të shkojë, por nëse nuk pajtohesh dhe kërkon të qëndrosh në këmbët dhe fuqitë e tua, atëherë të luftojnë me çdo mënyrë. Unë vetë kam qenë i vetmuar, por gjithmonë kam dëshiruar të qëndroj në këmbët e mia. Pse? Ngase jeta ma dha lotin dhe ma mori buzëqeshjen, ma dha vuajtjen dhe ma mori shpresën, ma mori gëzimin dhe ma fali hidhërimin, ma mori dashurinë dhe ma fali tradhëtinë, ma mori dijeninë dhe ma fali varfërinë, m’i mori të gjitha që kisha më parë dhe ma fali dhimbjen që s’e dëshiroja.  Jeta është porsi një lule që lulëzon dhe dalngadalë fillon të vyshket. Ajo është si një det që e shndrrit errësirën, por ajo është njëherit një det i mbushur me lotë që të zhyt në mendime e të tret në botë. Kjo është jeta ime. Vendos unë, gaboj unë, paguaj unë! Lermëni te jetoj!
Ja edhe disa mendime të rëndësishme të poetit mbi jetën dhe rëndësinë e saj
Jeta, pa llogaritur sa vite ka dikush në kurriz, të mëson shumë gjëra. Të mëson se si mund të gabosh dhe se si të mos i përsërisish këto gabime. Mua, jeta më ka mësuar se sa e shkurtër është që ajo të shpenzohet me inate, urrejtje, pengje apo "vajtime", dhe sa e vlefshme është kur zëvendësohet me dashuri, mirësi e dhembshuri. Më ka mësuar se sa e bukur mund të behet, nëse ato që përmenda, ti arrin t’i bësh pjesë tënden dhe t’i ndash me të tjerët gjithashtu. Jeta më ka mësuar se sa mund të të vras një fjalë e thënë pamenduar, apo një veprim i pamatur, dhe sa e vështirë mund të jetë për ta riparuar.
 Më ka mësuar që të jem përgjegjës për veprimet e mia, të kërkoj falje për gabimet e mia dhe të fal gabimet e të tjerëve. Më ka mësuar të injoroj të keqin, por jo edhe të keqen. Jeta më ka mësuar vështirësitë dhe hallet e shumta që të bien në kurriz, dhe m’i ka mësuar rrugët se si mund të përballohen. Dhe mbi të gjitha, ajo më ka mesuar se vjen një ditë, kur ajo që ka rëndësi, nuk është se çfarë bën dhe çfarë mendon, por se çfarë thua apo vepron. Vijmë në këtë botë përkohësisht, dhe vjen një ditë dita kur ikim. Ajo që me të vërtetë ka rëndësi, është se çfarë lëmë pas. (L. Shkodrani)

Kush është Luigj Shkodrani


Luigj Shkodrani u lind në qytetin e Shkodrës. Pasi përfundimit të studimeve ka kryer një kurs për gazetari.  Ka shkruar në shtypin e ditës në Shqipëri por është marrë edhe me punë të ndryshme kulturore.  Ka qenë një aktivist  i zellshëm i punës me rininë dhe drejtues i saj për 10 vjet me radhë, duke qenë i zgjedhur në forumet drejtuese të rinisë së rrethit të Shkodrës. Pas ardhjes së demokracisë është marrë me një bisnes privat, ndërsa në prag të vitit 2000, si shumë shqiptarë të tjerë, ai është vendosur në Danimarkë, ku ka kontribuar në aktivitet e zhvilluara nga komuniteti shqiptar në këtë vend. Luigj Shkodrani ishte njëri ndër inisiatorët e daljes së revistës "Aktuale" në Danimarkë, ku ishte dhe kryeredaktor i saj.
Për asnjë çast ai nuk u është ndarë shkrimeve të ndryshme, duke qenë bashkëpunëtor i palodhshëm i disa mediave të shtypit, në Shqiperi dhe në diasporë. Nëpërmjet faqes se tij në internet Shqip.dk, ka krijuar ura lidhjeje e bashkëpunimi ndërmjet shqiptarëve në krejt botën. Njëkohësisht ka kultivuar edhe poezinë për femijë. Poezitë e tij janë recituar nga  fëmijët në një radio shqipe në Danimarkë. Luigji është sekretar i shoqatës Alba Dansk, ku jep kontributin e tij të vazhdueshëm në favor të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në këtë pjesë të Skandinavisë(Baki Ymeri)