Akademik Sabri Hamiti ka marrë çmimin letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” për viti 2010, që e ndau Ministriae Kulturës. Ky është çmimi i dytë që merr akademik Hamiti pas atij të dhënë në Tiranë. Ndërsa, çmimi letrar për librin më të mirë të vitit 2010 në prozë iu dha Ardian Haxhajt, për romanin “Kujtimet e një çifuti’’; ai për poezi iu dha Ndue Ukajt, për veprën “Godo nuk vjen”; për kritikë, eseistikë më të mirë iu dha Anton Berishajt, për studimin “Letërsia per-formative”; kurse çmimi letrar për librin më të mirë të vitit 2010 për vepër të përkthyer iu dha Avdi Visokës, për veprën “Njeriu i revoltuar”, të Albert Kamy, përkthyer nga gjuha frënge. Lajmi është bërë i ditur nga MKRS-ja përmes postës elektronike. Në të thuhet se vendimi është marrë në pajtim me nenin 1 dhe 11 të Rregullores për Çmimin Kombëtar Letrar “Azem Shkreli dhe për çmimet vjetore letrare të MKRS-së. Ndërsa juria, e cila bëri përzgjedhjen e fituesve të sivjetmë të çmimeve letrare për 2010, është përbërë nga Ramadan Musliu, Nysret Krasniqi, Kujtim Rrahmani, Isak Ahmeti dhe Arsim Canolli. Edicioni i sivjetshëm i ndarjes së çmimeve letrare vjetore është përcjellë me largime dhe akuza nga autorë të njohur të letrave shqipe në drejtim të MKRS-së për anshmëri dhe joprofesionalizëm në ndarjen e çmimeve. Menjëherë pas bërjes publike të konkurrentëve nga gara për të marrë çmimin vjetor ishin tërhequr Rexhep Qosja, Bedri Hysaj, Agim Vinca e më vonë edhe Ag Apolloni. Propozuesi i Rexhep Qosjes ishte tërhequr pa dhënë ndonjë sqarim, përveçse ishte tërhequr sepse kishte konkurruar pa pyetur autorin. Bedri Hysaj kishte thënë se ka konkurrentë më të vjetër se ai për çmimin për vepër jetësore. Kurse Agim Vinca ishte tërhequr, siç është shprehur ai, pasi kishte marrë vesh se përbërja e jurisë përzgjedhëse, sipas tij, ishte partiake dhe joprofesionale për të ndarë çmimet letrare.
Akademik prof.dr.sci.Sabri Hamiti lindi më 10 maj 1950 në Dumnicë, Podujevë, nga baba Hamit Hamiti dhe nana Mehreme Duriqi. U rrit në familje bashkë me tri motra e dy vllezër.Në vitin 1957 Hyri në shkollën fillore në vendlindje.
Me 1968 mbaroi gjimnazin në Podujevë dhe u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Nisi botimet letrare në Bota e re e në gazeta e revista të tjera. Mori pjesë në demonstratat e studentëve në Prishtinë. I ndjekur nga policia, disa muaj jetoi duke u fshehur te të dashurit e tij.
Në vitin 1972 Diplomoi me sukses të shkëlqyeshëm në Universitetin e Prishtinës, në gjuhë e në letërsi shqipe. Botoi veprën e parë letrare te Rilindja e Prishtinës. Regjistroi studimet pasuniversitare me temë “Poetika e re shqipe” në Universitetin e Sorbonës, në Paris, mirëpo për mungesë parash u kthye në Prishtinë.
Në vitin 1973 u martua me Kumrije Rugovën, moshatare dhe mike e studimeve. Hyn në punë në shtëpinë botuese Rilindja të Prishtinës. Nis studimet pasuniversitare në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, të cilat studime i kreu pas dy vitesh.
Në viin 1980 Për një vit akademik specializoi teorinë e formave letrare në École des Hautes Études en Sciences Sociales, në Paris. Mori Diplomën e Shkallës së Lartë për letërsi frënge e qytetërim frëng në Universitetin e Sorbonës në Paris.
Në viin 1987 Doktoroi me temë nga letërsia bashkëkohore shqipe në Universitetin e Prishtinës.
Në viin 1989 Hyn në lëvizjen për Pavarësinë e Kosovës, të prirë nga Ibrahim Rugova, mik i tij i studimeve. Më vonë, gjashtë herë me radhë (1992, 1998, 2001, 2004, 2007, 2010) u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës, ndërsa nga viti 2006 është anëtar i Kryesisë së Kuvendit .
Në viin 1993 Zgjidhet profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Po ashtu ligjërues në studimet postdiplomike të letërsisë.
Në viin 1995 Si anëtar i Komisionit Kombëtar punoi për njësimin e programeve shkollore të lëndëve nacionale dhe për hartimin e teksteve të përbashkëta për të gjitha shkollat shqipe.
Më 24 shtator 1998 persona të panjohur të Sigurimit të fshehtë serb i bëjnë atentat në shkallët e banesës së tij në Dardani të Prishtinës. E shpëtojnë mjekët shqiptarë me ndihmën e Zotit.
Në viin 2000 zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë të Shkencave e Arteve të Kosovës.
Në viin 2008 Zgjidhet anëtar i rregullt i Akademisë të Shkencave e Arteve të Kosovës.
Sabri Hamiti jeton e punon në Prishtinë.
LIBRAT
Shqiptimi poetik si rebelim tematik e gjuhësor kundrejt letërsisë pararendëse shfaqet me figura të forta si Njeriu vdes i ri, madje në trajtë titulli. Më tutje kërkimi si vetënjohje duke krijuar variantet e Narcisit modern, si figurë themelore e letërsisë në shkallën e parë të shkrimit. Edhe më tutje figurat e kujtimeve personale, të shtrira në kohë dhe në botën e të tjerëve, që presin me thikën e harrimit; dhe ritëm, rimë, muzikë.
Trungu ilir, figurë kryesore e identitetit e sprovuar në Kohën moderne të rrethanave. Trungu ilir një libër kult, i dramatizuar në teatër dhe shfaqje e ndaluar nga cenzura. Leja e njohtimit 1985, libër binjak me të parin, kërkim i identitetit të rrezikuar nga jashtë, duke përfshirë një referencë të largët me fantazinë apo utopinë negative të Oruelit në 1984. Kujtimet e të ndodhurave i mbledh poema dramatike Kutia e zezë.
Kaosmos, shenjë a thirrje për frikën e torturën sistemore që prek individualitetin e universalitetin e njeriut. Dramatika e marshit barbar në ardhje e në shkuarje, ashtu dhe bukuria e jetës në rendin e përmbysur: parajsa, purgatori, ferri. Mandej ABC si katalog i dhembjeve etnike, me figurat që si shpërthyes të mprehët prekin në kohë e në hapësirë. Melankolia, së fundit është gjendje e figurë për pasojat që ka bota e ndiesive e kaluar nëpër botën e egërsive.
Romani i rinisë Njëqind vjet vetmi shtreson psikologjinë e vetmitarit që rritet ndërmjet mungesave e pengesave. Aty është jeta e tre brezave që i ngjajnë kaq shumë njëri tjetrit. Vetmia është shekullore: njëqind vjet, por kjo është figurë e pambarimit. Referenca reale shkon nga Lidhja e Prizrenit e këndej. Po shkrimi ndjek logjikën e vet, që nga legjenda e përralla për të përfunduar në një epilog baladik të njohjes dhe të vetënjohjes shqiptare.
Futa e Misioni, dy tekste dramatike që lidhen fort me ndodhjet në Kosovë në deceniet e fundit të shekullit XX. Një shkrim i rrezikshëm dhe i rrezikuar, që universalen don ta provojë me realen: situata për t’u identifikuar. Dy heronjtë tragjikë të dramave japin tipe të ndryshëm heronjsh shqiptarë: një herë hero i mashtruar, herën tjetër hero i flijuar. Dhe këtu mbetet të rindërtohet heroi veprues, si vizion apo si realitet i vendit, që do ta përmbyllë skemën e heronjve shqiptarë.
Sprovat për një poetikë, një trajtim e kërkim teorik i letërsisë shqipe i të gjitha periudhave, shfaqet që nga libri i parë Variante deri te libri i fundit Bioletra, për të krijuar një sistematikë të kërkimit e një sistem të të menduarit. Pra, letërsia apriori e kritika aposteriori. Nga poetika e autorëve te poetika e periudhave dhe tutje te poetika e letërsisë shqipe. Dhe në fund të fundit poetika personale në Bioletra, e shfaqur si një teori e shkrimit dhe e leximit letrar.
Dy periudha të letërsisë shqipe: letërsia filobiblike e letërsia romantike, që rrokin katër shekujt e parë të kësaj letërsie. E para duke pasur karakteristikë zotëruese parashkrimin biblik, kurse e dyta duke e pasur për bazë temën e zgjimit nacional ashtu dhe shpërthimet individuale romantike. Të dyjat të lexuara nëpërmjet autorëve më të mëdhenj. E para me Buzukun, Budin, Bogdanin e Varibobën, e dyta nëpërmjet De Radës, Naimit, Serembes, Pashko Vasës, Samiut, Mjedjes, Çajupit. Vetëdija për dy doktrina letrare.
Letërsia e gjysmës së parë të shekullit XX, e shfaqur më parë si letërsi e modelit kritik, përballë modelit himnizues romantik. E vijuar me letërsinë moderne që zbulon e shfaq poetika e individualitete të fuqishme letrare. Zhvillim i hovshëm i të gjitha gjinive letrare duke krijuar një ambient e një vetëdije, ku krijohet dialogu i çuditshëm ndërmjet autorëve të mëdhenj si Faik Konica, Gjergj Fishta e Fan S. Noli në një anë dhe Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli e Migjeni në anën tjetër.
Interpretimi i veprave të zgjedhura të autorëve të zgjedhur të letërsisë bashkëkohore. Shkrim i një dialogu të mbrendshëm letrar, në të cilin autorët e veprat e zgjedhin lexuesin-interpretuesin po aq sa ai i zgjedh këto. Kjo dëshmon më tepër një sistematikë të shkrimit e të leximit se sa një sistem. Pra, loja e përhershme e kërkimit është që autorët: krijuesi e interpretuesi t’i shfaqen të hapur njëri tjetrit, për të gjetur bashkërisht universalen letrare në trajtë të poetikës.
Katër monografi letrare për autorët e njohur të letërsisë bashkëkohore shqipe: dy të hullisë së shkrimit tradicional, një të nismës moderne e një të shkrimit modern. Njëri i futur në kodifikimin moral dhe i rebeluar fort (Hivzi Sulejmani); tjetri i bërë popullor nëpërmjet humanitetit e moralitetit të letërsisë (Nazmi Rrahmani); një poet i nemun e i ndjekur nga talenti i vet (Bilal Xhaferri) dhe autori emblematik i letërsisë moderne shqipe në gjysmën e dytë të shekullit XX (Anton Pashku).
Poezia
Njeriu vdes i ri, 1972
Faqe e fund, 1973
Thikë harrimi, 1975
Trungu ilir, 1979
Leja e njohtimit 1985, 1985
Lind një fjalë, përzgjedhje, 1986
Kaosmos, 1990
ABC Albetare për fëmijë të rritur, 1994
Melankolia, 1999
Sympathia, 2004
Lulet e egra, 2006
Litota, 2007
Njëqind vjet vetmi, 1976
Futa, 1988
Misioni, 1997
La Mission, 2007, Paris, Editions l’Espace d’un instant
Variante, 1974
Teksti i dramatizuar, 1978
Kritika letrare, 1979
A-ZH, Romanet e Nazmi Rrahmanit, 1982
Arti i leximit, 1983
Njeriu kryengritës, 1987
Vetëdija letrare, 1989
Faik Konica: jam unë, 1991
Tema shqiptare, 1993
Poeti i nemun Bilal Xhaferri, 1996
Letra shqipe, 1996
Lasgushi qindvjeçar, 1999
Bioletra, 2000
Studime letrare, 2003
Shkollat letrare shqipe, 2004
Tematologjia, 2005
Presidenti Ibrahim Rugova (Memento për Rugovën), 2007
Letërsia moderne, Tiranë, 2009
Albanizma, 2009
Poetika shqipe, 2010
Letërsia e vjetër shqipe, 1995,
Letërsia moderne shqipe, 1998,
Letërsia romantike shqiptare, 2004
Vepra komplete, 2002
Vëllimi i parë: Poezi
Vëllimi i dytë: Poezi
Vëllimi i tretë: Poezi
Vëllimi i katërt: Roman
Vëllimi i pestë: Drama
Vëllimi i gjashtë: Kritika letrare
Vëllimi i shtatë: Letësia filobiblike, Letërsia romantike
Vëllimi i tetë: Letërsia moderne
Vëllimi i nëntë: Letërsia bashkëkohore
Vëllimi i dhjetë: Letërsia bashkëkohore
Sabri Hamiti: Shkollat letrare shqipe
Sabri Hamiti: Monumentet e kulturës së identitetit shqiptar
Sabri Hamiti: Fraza e pambaruar
Sabri Hamiti: Njeriu meditant, njeriu militant
Sabri Hamiti: Albanian literary schools (Përkthyer nga Dr. Muhamet Hamiti)
Sabri Hamiti: Les écoles littéraires albanaises (Përkthyer nga Dr. Halit Halimi)
Poezi të Sabri Hamitit në anglishte (Përkthyer nga Dr. Robert Elsie)
Mirënjohjet
Urdhri "Gjergj Kastrioti Skënderbeu"
Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit
Urdhri "Gjergj Kastrioti Skënderbeu"
Çmimi kombëtar "Azem Shkreli", për vepër jetësore në fushën e letërsisë nga Ministria e Kulturës e Kosovës, 2010
Çmimi i Madh për Letërsinë për vitin 2010 na Ministria e Kulturës e Shqipërisë për veprën letrare "Poetika shqipe".
Çmimi letrar "Azem Shkreli"(2010)
Dr. Ibrahim Rugova: Përurimi i veprës së madhe të Sabri Hamitit
Prof. dr. Ali Aliu: Revolta ëndërrimtare
Prof. dr. Zejnullah Rrahmani: Lexuesi duhet të mësojë notin për ta ndier shijen e paanësisë së detit të poezisë së Sabriut
Dr. Kujtim M. Shala: Sprova për një Poetikë
Dr. Kujtim M. Shala: TEMATOLOGJIA: THEMA E LOGOS
Drama "Misioni" e Sabri Hamitit në frëngjisht.
FLORI BRUQI