2011-02-01

nga Mario Vargas Llosa :Tundimi i të Pamundurës

image

Botimet “Aleph” hedhin në treg numrin 18 të revistës letraro-kulturore me të njëjtin emër, drejtuar nga Gentian Çoçoli. Eseistikë, prozë, poezi, art, ditar, dramë përfshihen në këtë numër me emra të njohur të letërsisë, duke sjellë edhe nga fusha e përkthimeve autorë bashkëkohorë; më poshtë botojmë një fragment nga ligjërata e nobelistit Vargas Llosa, të mbajtur me rastin e marrjes së çmimit “Servantes”

Ka diçka madhështore të marrësh një çmim të quajtur Servantes dhe pikërisht në Alkala' de Henares, qyteti ku lindi babai dhe mjeshtri i madh i letërsisë sonë, në një ceremoni të cilën prania e Madhërive Tuaja e bën edhe më madhështore. Për më tepër që kjo ngjarje zhvillohet pikërisht në ditën kur, me vdekjen e autorit të Don Kishotit, përkujtohet fuqia e një gjuhë së cilës gjeniu i tij e mbrujti me jetë e fantazi që ende sot gjallojnë plot freski, sa herë që shfletojmë historinë e Kalorësit të Fytyrës së Vrerosur. E ç'mund të thotë ky shkrimtar fatlum për Servantesin që s'është thënë tashmë? Ç'të shtosh mbi veprën e tij që të mos tingëllojë si këngë e vjetër.

Bibliografia marramendëse dhe adhurimi i publikut e kanë, në një fare mënyrë, monumentalizuar si Homerin, Danten, apo Shekspirin. Këta autorë që me Servantesin, janë shndërruar në simbole të një gjuhë dhe një kulture, duke na herë të harrojmë, shpeshherë që kjo ikonë gati e hyjëzuar prej respektit dhe adhurimit të brezave që një krijesë prej mishi e gjaku që u përball, si të gjithë, me kurthet e një fati të panjohur dhe që vepra e tij nuk qe fryt i ndonjë mrekullie apo rastësie, por i vullnetit, punës, mjeshtërisë dhe durimit.

Në asnjërin prej këtyre autorëve nuk është kaq e dukshme kjo vese njerëzimi, e prekshme prej njeriut të zakonshëm, sesa në jetën plot bëma, që zuri fill në këtë qytet, një ditë vjeshte të vitit 1547, të Migelit, birit të Rodrigo Servantesit, berber e kirurg i paaftë, që e shkoi jetën i përndjekur nga akuzat e duke ia mbathur prej fatit të keq. Kjo që, me sa duket, e vetmja trashëgimi që i la të birit; fatkeqësi, gjyqe, shkishërime, arratisje, vështirësi të një jete qe pavarësisht zbulimeve të historianëve, ka ende pika të errëta dhe, njëlloj si ajo e Shekspirit kemi ende shumë për të zbuluar. Por ajo që dimë me siguri është se jeta e Servantesit qe ajo e një qytetari pa ofiqe e pasuri, i cili jetoi në mediokritet, pavarësisht se plumbat që mori në Lepanto dhe dora e majtë që i mbeti e gjymtuar i kanë shtyrë historiografiët ta trajtojnë si hero. Nuk qe i tillë, të paktën jo në kuptimin epik të fjalës, por në atë kuptimin tjetër, të heshtur, që është heroizmi i njerëzve anonime, për faktin se u mbijetoi shumë fatkeqësive e tersllëqeve — pesë viteve të burgimit në Algjer, robërisë së renegatit grek Dali Mami, refuzimeve të burokratëve kur deshi të vihej në shërbim të Kurorës në Indi, burgosjeve për shkak të borxheve dhe hidhërimit që nuk po arrinte lavdinë në gjininë fisnike të poezisë duke iu dashur të kënaqej me plebejën prozë, kaq larg majës së intelektuales dhe kaq pranë asaj të vulgut.

Jeta e Servantesit na emocionon ose na trishton, por nuk na mahnit: ishte jeta e rëndomtë e një spanjolli të zakonshëm të atyre kohërave të trazuara. Ajo që na mahnit është sesi nga kjo jetë e vakët mundi të lindte një aventurë aq e madhe si ajo e Don Kishotit, ky roman mbi të cilin duket se është thënë gjithçka, por që sa herë e lexojmë zbulojmë se ende ka shumë për të thënë.

Çdo vepër gjeniale është e dukshme dhe e padukshme njëherazi. "Don Kishoti" sikurse "Odiseja", "Komedia Hyjnore" apo "Hamleti" na pasurojnë si njerëz duke na treguar se nëpërmjet krijimit artistik njeriu mund të kapërcejë kufijtë e gjendjes së tij dhe të arrijë një formë pavdekësie; në të njëjtën kohë na godet duke na ndërgjegjësuar për vogëlsinë tonë në momentin që na vendos përballë gjigantit që e ngjizi këtë bëmë. Si arriti ta bënte një zotvrasje të tillë? Si mundi ta sfidonte në këtë mënyrë krijesën e Zotit? Duke shkruar historinë e kalorësit fisnik, Servantesi fuqizoi dhe e lartësoi gjuhën spanjolle në maja që s'i pat arritur kurrë më parë dhe vendosi një maksimum emblematik për të gjithë ne që shkruajmë në këtë gjuhë; ripërtëriu gjininë e romanit duke i dhënë një shumëllojshmëri dhe rafinim aq të madh sa ambicia, shkatërruese dhe ndërtuese e botës që e ushqen. Që nga ai moment, të gjitha romanet do të vlerësoheshin sipas këtij standardi që kjo gjuhë vendosi, as më pak e as më shumë. I gjithë teatri do të kishte si etalon modelin Shekspirian.

Që qe dhe vazhdon të jetë një vepër e madhe komike dhe serioze njëherazi, që ajo ndërton në një mit të thjeshtë dialektikën e pazgjidhshme midis reales dhe ideales, që dërrmon dhe në të njëjtën kohë u bën homazh romaneve kalorësiake, këtë na e kanë shpjeguar kritikët. Por kanë folur pak për atë që, ndër shumë gjëra të tjera, si çdo paradigme e madhe letrare, Don Kishoti është trill mbi trillin, për atë që ai është dhe mënyrën sesi vepron në jetë, shërbimi që sjell dhe dëmet që mund të shkaktojë.

Kjo temë rishfaqet në të gjitha veprat letrare, sepse është një temë e përhershme në jetën e njerëzve dhe asnjë romancier nuk e ka përshkruar me kaq përsosmëri në një histori kaq joshëse e të qartë, siç e ka bërë Servantesi që ndoshta nuk e kish aspak ndër mend ta bënte dhe as nuk e dinte ç'po bënte.

Bëhet fjalë për diçka shumë të thjeshtë në fillim, edhe pse më pas fillon të ndërlikohet. Burra e gra nuk janë të kënaqur nga jetët që bëjnë, shumë larg dëshirave të tyre, e, meqë nuk arrijnë të heqin dorë nga këto jetë që nuk i kanë, i jetojnë në ëndrra; d.m.th. në përrallat që tregojnë. Letërsia është një degë e kësaj pemë të begatë që quhet trill". Kjo e të shpikurit të historive, të trilluarit për të përballuar më lehtë historinë që po jetojmë është aq e vjetër sa gjuha dhe padyshim nisi të përdorej që kur fillesat e një komunikimi inteligjent zëvendësuan të thirrurat e britmat e antropoidit në shpellat primitive.

Aty duhet të kenë filluar të dëgjohen, pranë zjarrit, trillet e para, me po atë admirim me të cilin gjatë dy mijëvjeçarëve dhe në çdo cep të gjeografisë do i dëgjonin vogëlushet nga gojët e gjysheve, tributë e mbledhura pyjeve nga folës dhe magjistarë, banorët në sheshet e fshatrave kënduar nga goja e komikëve të gjuhës, dhe të pasurit nëpër sallonet e oborreve e pallateve mbretërore të recituara nga vjershëtarët. Me shkrimin, trillimi kaloi tek libri i cili fiksoi atë çka deri më atëherë ishte një univers që i përkiste gojëtarisë.

Letërsia vendosi, i dha përjetësi miteve e prototipave të ngjizur në trill; falë saj, në një mënyrë të mistershme, ajo jetë alternative, e krijuar për të mbushur humnerën midis realitetit dhe dëshirave ku përkundej krijesa njerëzore, fitoi të drejtën të kishte një qytet dhe fantazmat e imagjinatës morën jetë, duke u bërë, e thënë me fjalët e Balzakut, historia personale e kombeve.



2

Trilli është zbavitje në një moment të dytë apo të tretë, edhe pse, nëse s'është i tillë ai nuk ka vlerë. Trilli është në radhë të parë një akt rebelimi ndaj jetës reale, në radhë të dytë një shëlbim për atë që i angështon të jetuarit në burgun e një fati të vetëm, për ata që tundohen nga "e pamundura", që sipas Lamartinit bëri të mundur krijimin e "Të Mjerëve" të Viktor Hygoit dhe që duan të çlirohen nga jeta e tyre e të bëhen protagonistë të një jetë tjetër, më të pasur o më mizerabël, më të denjë apo më të tmerrshme se sa ajo që u ka rënë për pjesë. Kjo mënyrë e të shpjeguarit të trillit mund të duket mizore duke pasur parasysh se në një vështrim të parë s'është veçse një mënyrë e ëmbël e të shkuarit të kohës të një zotërie i cili natën, para se t'i hapet goja kryen krimin e Raskalnikovit dhe e zë gjumi, apo të zonjës virtuoze që pi çajin e orës pesë pasdite duke bërë prapësira si zonjat e Boccacios, pa e marrë vesh i shoqi. Por siç na shpjegon Alonso Quijano, trilli është diçka më e ndërlikuar sesa një mënyrë për të vrare mërzinë; është çlirim kalimtar nga një pakënaqësi qenësore, një melhem për këtë uri për diçka ndryshe nga ajo çka jemi e kemi që në mënyrë paradoksale trilli e qetëson dhe e nxit njëherazi. Shpesh këto jetë hua, që nuk janë tonat falë trillit, në vend që të na shërojnë prej dëshirave që kemi na bëjnë edhe më të ndërgjegjshëm se sa të vegjël jemi krahasuar me këto qenie të jashtëzakonshme që prodhon fantazuesi i pleksur në qenien tonë.

Trilli është dëshmi dhe burim mospajtimi, shpërfillës ndaj botës, provë e pakundërshtueshme që jeta e vërtetë, ajo e jetuara, është bërë sipas masës të asaj që jemi dhe jo të asaj që do të dëshironim të ishim. Prandaj na duhet të shpikim jetë të tjera. Kjo jetë e trilluar, e mbivendosur me atë tjetrën, sidomos kur është e mrekullueshme, si në kohët kur Servantesi shkroi epopenë e tij, nuk është tregues i lumturisë shoqërore, përkundrazi. Për ç'arsye një shoqëri do të ndiente nevojën të krijonte brenda saj këto jetë paralele, këto gënjeshtra nëse ajo që ka i mjafton, nëse të vërtetat e ekzistencës e mbushin? Dalja e një romani të madh është gjithnjë tregues i një rebelimi jetik, artikuluar në ndërtimin e një bote të trilluar, që duke parë shëmbëlltyrën e botës reale e refuzon dhe e vë në pikëpyetje. Kjo ndoshta shpjegon forcën me të cilën Servantesi i ka mbijetuar realitetit të tij; shpaguhet duke kryer një zotvrasje simbolike, duke e zëvendësuar realitetin që e keqtrajtonte me një tjetër të mrekullueshëm, të cilin, falë forcës së fituar nga zhgënjimet e tij, e trilloi për t'ia kundërvënë këtij të parit.

Ta luftosh realitetin nëpërmjet fantazisë, që është ajo që bëjmë të gjithë kur tregojmë apo krijojmë histori është një lojë zbavitëse për sa kohë jemi të qartë për kufijtë e pathyeshëm midis realitetit dhe trillit. Kur ky kufi eklipsohet dhe gjërat nakatosen si në mendjen e Don Kishotit loja ia lë vendin çmendurisë e mund të përfundojë në tragjedi.

Tani, edhe pse është e qartë se kokëshkreti nga Mança katranos një budallallëk pas tjetrit, pasi vepron duke e perceptuar tërësisht gabim realitetin, apo më mirë të themi që është kokë e këmbë i magjepsur nga trillet kalorësiake, ekscentrizmat e tij për asnjë çast nuk e bëjnë të përbuzshëm për lexuesin. Përkundrazi, edhe për bashkëkohësit e tij që e lexuan librin duke u shqyer gazit dhe panë në të vetëm një roman për të qeshur, thatimi nga Mança që kacafytet me mullinjtë e erës duke i kujtuar gjigante, që merr legenin e berberit si helmetën e Mambrinit dhe sheh kështjella e pallate në hanet gjatë rrugës, u shfaq si një qenie moralisht superiore, i përkushtuar në një aventure fisnikë e idealistë, edhe pse, për faj të fantazisë së tij të shfrenuar që ia turbullon arsyen, gjithçka i shkon mbrapsht. Që në fillim lexuesi identifikohet me Don Kishotin të cilin e ka vënë poshtë tundimi për të pamundurën duke u përpjekur të jetojë një trillim, dhe distancohen me mendjemadhësi nga i miri Sanijo Pança, i cili për shkak të të qenit realist e me këmbë në tokë, mishëron një formë të brishtë të njerëzimit, atë të njeriut që materia ia mbyt shpirtin dhe horizonti i të cilit është meskin e i mbrujtur me pragmatizëm.



3

Duke gjykuar ftohtë, ka një padrejtësi të madhe në këtë vlerësim të pabarabartë të dyshes së famshme, të paktën nëse e zhvendosim perspektivën e gjykimit nga ajo individuale në atë sociale. Është e qartë se mospranimi i botës ashtu siç është prej Don Kishotit shkakton një sërë shkeljesh të ligjit, krime e deri katastrofa; shkatërron pronat e dynjasë, liron nga burgu kriminelë të rrezikshëm, shfaros kopetë, shemb përdhe e plaçkit fshatarët e gjorë. Bëmat e Don Kishotit janë të lezetshme vetëm për lexuesin, por kurrsesi për ndonjërin prej këtyre djajve të gjorë që fantazia e tij i shndërron në qenie të mrekullueshme, të mrekulluara apo në kalorës dhe ata që shpesh herë përpiqet t'i palosë njëri pas tjetrit varg me ushtën e tij.

Nëse do të mbizotëronte pragmatizmi i Sanços, perceptimi i tij i saktë mbi botën, në fund Don Kishoti do t'i kishte mollaqet më pak të vrara e gojën më me shumë dhembë, por në këtë rast s'do të kishim pasur roman, ose do të kishte qenë i mërzitshëm dhe gjuha e letërsia spanjolle do të ishin më pak pjellore nga ç’janë.

Kjo do të thotë të paktën dy gjëra. E para që tek Don Kishoti nuk admirojnë një personazh real, por një fanatizëm, një qenie të trilluar dhe ajo që na largon nga Sanço është se ndryshe nga padroni i tij, nuk largohet shumë prej nesh, dhe për këtë arsye mënyra e tij e të sjellit dhe e të parit të gjërave nuk na duken si ato të personazhit të një romani, por thjesht të një njeriu të zakonshëm. Dhe kjo më shpie në konkluzionin e dytë, që arsyeja, për të qenë trill, nuk duhet të pasqyrojë realitetin, por ta mohoje atë, duke e transformuar në një irealitet, i cili në rastin kur shkrimtari është një prestigjator i fjalës si Servantesi na shfaqet si një realitet i mirëfilltë, kur në fakt është antiteza e tij.

Është ky, ndoshta, simbolizmi i Don Kishotit, që në brendësi na bën ne të jemi solidare me siluetën e tij të shëmtuar; ai ka shndërruar praktikisht në realitet të përditshëm atë trill që njeriut të zakonshëm i nevojitet për të mbushur boshllëqet e jetës, por që e viziton me raste, kur ëndërron, lexon apo sheh ndonjë spektakël, domethënë, kur dyzohet i ndihur nga fantazia. Don Kishoti nuk dyzohet; del vërtet nga vetvetja, kapërcen limitet e të lejuarës drejt iluzionit të trillit dhe as tersllëqet më të mëdha nuk arrijnë ta kthejnë në botën reale. Më shumë sesa ëndrra apo vlerat e tij, ajo që në të është e përjetshme është etja për trillin, ajo që e bren, kaq sunduese që e shtyn në këtë aventurë të çmendur; të reshtë së qeni prej mishi e gjaku për t'u shndërruar në fantazi, në iluzion.

Është e vërtetë se ndërmarrja donkishoteske — ikja nga realiteti për të jetuar fantazinë - na ka dhënë modele njerëzore të jashtëzakonshme falë çmendurisë të së cilave bota ka ecur përpara në zotërimin e njohurive dhe që pa to jeta do të kish qenë edhe më shumë gri nga ç'është. Zhvillimi shkencor, shoqëror, ekonomik, kulturor u detyrohet ëndërrimtarëve të tillë. Pa ta nuk do të ishte zbuluar Amerika, as shtypshkronja, as të drejtat e njeriut e do të vazhdonim të kërcenim vallen e shiut që ai të binte mbi të mbjellat. Por është gjithashtu e vërtetë se thirrja e ireales, duke yshtur te burrat e gratë etjen për atë që nuk e kanë e nuk do mund ta kenë kurrë, i ka bërë ata edhe më të palumtur akoma. Bëhet fjalë për një problem pa zgjidhje pasi nuk ka metodë realiste që të bëjë të mundur atë që bën Don Kishoti, që të mund të jetojmë njëherazi edhe në jetën objektive të historisë edhe në atë subjektive të trillit.



4

Por ka një mënyrë të figurshme dhe është ajo që vendosin Servantesi dhe lexuesit e tij. Nga kjo marrëveshje e nënkuptuar që firmosin shkrimtari dhe publiku i tij për të luajtur me gënjeshtrën varet romani, gjini e lindur për të plotësuar jetët e paplota të njerëzve të zakonshëm me ato racione heroizmi ose pasioni, zgjuarsie ose terrori, që i dëshirojnë ngaqë nuk i kanë, ose të paktën jo në dozat që kërkon imagjinata, ky karburant i antagonizmit jetësor.

Vërtet, trilli s'është veçse një qetësues i përkohshëm për ankthin që buron nga vetëdija për kufizimet tona, nga pamundësia për të qenë e për të bërë gjithçka që fantazia jonë kërkon. Por edhe kështu, falë saj jetët tona shumëfishohen në universin e hijeve që edhe pse të brishta, të mbrujtura nga materie të lehta, i bashkëngjiten jetëve tona, ndikojnë në fatet tona dhe na ndihmojnë të zgjidhim konfliktin që lind nga kjo gjendje e çuditshme e jona e të pasurit të një trupi të dënuar në një jetë të vetme dhe orekse për të cilat na nevojiten një mije të tjerë.

Mënyra si letërsia ndikon jetën është e mistershme, prandaj gjithçka thuhet në lidhje me të duhet marrë me rezervë. A e bëri trilli Don Alonso Kishotin me ditëzi apo më të lumtur? Nga njëra anë e vuri në kontradiktë me botën, e vuri të përballej me një realitet të tretë e të humbasë gjithë betejat. Nga ana tjetër, a nuk jetoi një jetë shumë me të plotë se të tjerët? A do të kish qenë më zilindjellës fati i tij pa atë kokëfortësinë e tij për të projektuar mbi botën krijesat e shpirtit?

A nuk ka në këtë ndërmarrje pa tru diçka që na thyen rutinën, na bën të jetojmë diçka prej gjithë asaj që nuk bëmë, që nuk qemë e që kemi jetuar duke e dëshiruar, duke e shndërruar? Prandaj, nëse të gjitha qeniet njerëzore që pëlqejnë trillet kanë një preferencë të veçante për Don Kishotin, ne që i kushtojmë jetën shkrimit të tyre, ndihemi thellësisht të ndikuar nga historia e tij, që simbolizon atë që marrim përsipër çdo herë, kur vëmë përballë fletës së bardhë fantazinë tonë dhe fjalët, përpiqemi ta imitojmë në zellin për të rrënjosur imagjinaren te e përditshmja, ëndrrën tek vepra, mitin tek historia, e gjejmë tek aventura e tij nxitje për tonat. Por ndoshta këto vlerësime janë tepër abstrakte për të folur për një prirje, atë të rrëfimtarit të historive, së cilës i detyroj praninë time sot këtu, në atdheun e shtrenjtë të Don Migel Servantesit, duke marrë këtë çmim që nderon kujtimin e tij e që nderohem unë nga Mbretërit e Spanjës.

Si kushdo që shkruan, unë kam qenë lexues para se të isha shkrimtar, dhe natyrisht, para se të isha lexues kam qenë dëgjues trillesh.

Prirja ime duhet të ketë lindur nga magjepsja prej asaj jetës tjetër që më zbulonin rrëfimet e gjyshërve, apo të teto Elvirës, Mamae, në Koçakamba, kur isha një despot i vogël me pantallona të shkurtra që me sa duket pretendoja një histori që të kishte një fillim e një mbarim për çdo lugë supe. Unë isha asokohe tejet i lumtur, duke jetuar si Alonso Kishoti, "i gjithi i magjepsur e i mbrujtur nga ato që kish lexuar në librat e tij gënjeshtare". Pinoku, Hija, Kojota, Bill Barnsi, Gulielmi i Vogël, Mandrake e Nostradamus, bëmat e Zorros ne San Huan të Kapristanos, ato të Sandokanit dhe të Janjesit besnik në Malajzi dhe historitë shpërthyese në shtëpinë e madhe të Ladislav Kabreres me Peneken dhe Billikenin mbushnin ditët e mia të lumtura. Në kujtesën time këto personazhe ishin më të gjallë se Gumusio, Roman, Artero, Zapata e Baliviani apo miqtë e tjerë të La Sales me të cilët imitonim bëmat e tyre në oborret e çatitë e shtëpive. (Olmedo ankohej sepse i takonte gjithnjë të bëntë Çitën, majmunin e Tarzanit). Nuk e di se kur kam dëgjuar për herë të parë për Don Kishotin, por do më pëlqente të ketë ndodhur atje, në Bolivi, dhe nga goja e gjyshit Pedro të cilit i detyroj fëmijërinë time, një zotëri me një ballë të gjerë e me hundë të madhe. Shkruante vargje festive kur paraqitej rasti, tregonte përralla me një mjeshtëri prej magjistari e më nxiti të lexoja kryevepra.



5

Por kujtoj me saktësi se përpjekja ime e parë për të hyrë te Don Kishoti, diku aty nga shkolla e mesme, qe një dështim; në çdo paragraf, fjalët e vështira e arkaike zvetënonin çdo iluzion, kurse mua ajo që më pëlqente tek romanet — e ajo që ende më pëlqen tek ta - është që të me asgjësonin e të më tjetërsonin si Alonso Kishotin historitë e Amadisit e të Espliandanit e të më bënin të dashurohesha, të tërbohesha, të luftoja, të qaja, të vrisja e të rilindja. Vetëm vite më pas, falë "Udhëzuesit mbi Don Kishotin" (1905) ete Azorin-it, një përshkrim i rrugëtimit të tij nëpër krahinën e Mançës, në gjurmët e Servantesit, e rilexova romanin kësaj here deri në fund.

Asokohe isha një gllabërues i historive të të tjerëve që shkarraviste ndonjë të veten. Kurrë s'e mendoja që një ditë do të bëhesha shkrimtar, por më ngacmonte kjo ambicie e cila dukej më e pamundur sesa ato të tjerat që më nanurisnin në fshehtësi: si, të bëhesha marinar, toreador, aviator, ushtarak, eksplorues, mosketier, mbret i mambos apo të zotëroja Indinë dhe Brixhit Bardonë. Por gjithnjë e kam ditur që do të isha një lexues i regjur romanesh, sepse orët që kaloja i përhumbur në këtë vorbull fatesh të jashtëzakonshme, peizazhesh ekzotike e njerëzish interesante, ishin më të bukurat. Pa e tepruar mund të them se aty midis moshës pesëmbëdhjetë deri njëzet vjeç, ndërsa studioja për Letërsi dhe Drejtësi dhe shkruaja lajme e reportazhe, e rregullova që, pa lëvizur nga Lima, të luftoja në Kuomintang me kamaradët kineze në rrugët e Shangait, të ndiqja një balenë të madhe të bardhe në detrat e Oqeanisë, në një plazh të Anglisë së Re, të bëja jetën boheme në periudhën midis dy luftërave në Montparnasse, të transformohesha në buburrec e të dënohesha për një krim që s'ia kisha idenë në një qytet që duhet të ketë qenë Praea, të vuaja disfatën napoleonike në Morne Plaine te Waterloose të asfiksohesha nga fobitë e errëta dhe armiqësitë e turbullta në Deep Southin e egër dhe i ndihur nga E Mrekullueshmja Kënaqësi — e Jetës — Sime, të bëja gongorina të mbrapshta me Karmesinën, trashëgimtaren e Greqisë, ndërsa shkatërronte Perandorinë Turke. Malraux, Melville, Hemingway, Kipling, Kafka, Viktor Hugo, Stendhal, Faulkner, Johanot Martorell, Balzac, Flaubert, Tolstoi e shumë fabulatorë të tjerë të mrekullueshëm duhet ta ndanin e ta merrnin këtë çmim bashkë me mua, pasi pa ata që ndriçuan rininë time e më mësuan t'i ndërthurja ëndrrat me jetën falë fjalëve, nuk do kisha arritur të bëhesha shkrimtar. Letërsia ka qenë dashuria ime e parë e më e madhe, më e ëmbla nga robëritë, por gjithashtu jam më se i vetëdijshëm që s'do kisha mundur t'ia dedikoja kohën time pasionit tim ashtu si kam bërë, as të shkruaja ate ç'ka kam shkruar, as të botoja atë që kam botuar e natyrisht as të ndodhesha këtu sot për të marrë çmimin Servantes, pa Spanjën, tokën e paraardhësve të largët që tani është edhe e imja.

E kush mund ta thoshte, në atë verë të largët të vitit 1958, kur zbarkova në portin e Barcelonës e përshkova Ramblat për të gjetur vendet që Orwell përshkruante në librin e tij "Homazh Katalonjës", të cilin e mbaja të fshehur në valixhe, se, që nga ai çast në jetën time do të ndodhte një shndërrim magjik. Falënderimet s'do kishin fund, por besoj se mund t'i reduktoj në disa syresh. Në radhë të parë mjekëve katalanas, dashamirës të tregimtarisë së Leopoldo Alasit, të cilët botuan librin tim të parë. Dhe Karlos Barral, poet, botues, mik e bashkëpunëtor i shtrenjtë të cilin kurrë s'do mundemi ta falënderojmë aq sa duhet për atë që ka bërë për të gjallëruar jetën kulturore ne vitet gjashtëdhjetë e të bashkonte në një ndërkëmbim të madh librash, idesh, vlerash e miqësish lexues e shkrimtarë të të dyja brigjeve të oqeanit. Ka diçka donkishoteske te Karlos Barral-i, në trupin e tij të thatë prej ulcerës, e në përbuzjen e tij për botën ushqimore, në bujarinë e tij prej zotërie të epokës së Rilindjes e në retorikat e tij therëse, por mbi të gjitha në aftësinë e tij për të mos iu bindur realitetit, duke punuar kundër interesave të veta, duke preferuar formën në vend të përmbajtjes, teatrin në vend të jetës e duke jetuar trillin deri në pasojat e fundit, domethënë, shkatërrimin dhe vdekjen.

Përktheu nga origjinali: Arlinda Përmeti

Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë

  Search inside image Akademik  Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni  , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...