2011-02-01

Shkrim me shkas:Më shumë Dick se Dick Marty!

Nga Gerti Bogdani

Duket se zhurma dhe politika e opozitës në këtë fillim viti e ka vendosur Shqipërinë edhe një herë, përgjatë një jave të tërë, në listën e lajmeve kryesore të stacioneve kryesore ndërkombëtare. Atë që me shumë mundim ishte arritur këto vite të fundit, ditë pas dite dhe hap pas hapi, që Shqipëria të përmendej pozitivisht në lajmet e mediave botërore, që Shqipëria të ishte destinacioni i parë turistik për vitin 2011; lideri i opozitës dhe një grup i vogël njerëzish arritën ta shkatërronin për vetëm 5 orë, kur dogjën makina e pemë, goditën me shkopinj e hunj, hodhën gurë e deri bomba “Molotov” gjatë mësymjes së Kryeministrisë së vendit, në tentativën e tyre të dështuar për grusht shteti.

Por jo vetëm kaq! Demonstrata e 21 janarit e drejtuar nga z. Rama, arriti të vendoste dhunën në fokusin e opinionit publik, duke hequr ndërkohë vëmendjen nga një prej çështjeve më të rëndësishme aktuale për shqiptarët dhe dinjitetin tonë kombëtar: raporti famëkeq i Dick Marty-t.

Raporti i Dick Marty-t duhet të ishte kryefjala e momentit dhe të bashkonte të gjithë klasën politike shqiptare... por duket se lideri i opozitës ka gjëra më të rëndësishme për të bërë dhe interesa e dëshira krejtësisht personale për të kënaqur. Fatkeqësisht, për Shqipërinë dhe shqiptarët, zoti Rama gjen gjithmonë diçka tjetër për të bërë dhe për t’u marrë, kur për kohët janë të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Këtë herë, duke e kaluar cakun dhe duke u munduar ta kthejë Shqipërinë edhe një herë njëzet vite e kusur pas, në kohën e historive me zhurmues.

Është e çuditshme, që gjithmonë kur shqiptarët kanë nevojë më shumë se kurrë që të jenë të bashkuar dhe të kthjellët në politikën e tyre, kur Kosova dhe të gjithë shqiptarët cenohen nga një raport tërësisht antishqiptar dhe johuman; kur në Maqedoni shqiptarët nuk diskutojnë të drejtat e tyre legjitime, të cilat Marrëveshja e Ohrit duhet t’i garantojë, por kanë filluar luftën e dosjeve mes njëri-tjetrit; në këto momente kur po përgatitet regjistrimi ‘total’ i shqiptarëve në rajon; pikërisht në këto momente Shqipëria duhet të ishte më e qëndrueshme dhe më e shëndetshme se asnjëherë tjetër.

Për më tepër, që nuk ka arsye të mos jetë, sepse jetojmë në një kohë, kur çdo qytetar shqiptar, i majtë apo i djathtë, i vogël apo i madh, mund të lëvizë pa viza në Evropë, është anëtar i NATO-s, është qytetar i vendit që u shpall nga bota mbarë numri 1 i turizmit për 2011-n dhe që ka shënuar zhvillime më shumë se çdo vend tjetër në kohën më të shkurtër.

Veç faktit që mbase ka edhe një Dick Marty shqiptar, i cili i fton, i organizon dhe i nxit shqiptarët (më lejoni të korrigjoj; jo shqiptarët, por një grusht të vogël huliganësh antishqiptarë) në demonstratë, dhunë dhe grusht shteti.

Sikundër raporti i Dick Marty-t i votuar në 25 janar është krejtësisht antishqiptar; ajo që zoti Rama i bëri Shqipërisë në 21 janar është krejtësisht antishqiptare dhe nuk zhbëhet dot me një konferencë për shtyp shumë-gjuhëshe, e cila filloi në anglisht dhe mbaroi në italisht. Çuditërisht, nuk kishte edhe sekuenca në greqisht, duke pasur parasysh faktin që zoti Rama është një folës i mirë i greqishtes së pastër.

Ajo që zoti Rama i bëri flamurit shqiptar në 21 janar, duke e flakur si leckë nga dora e një rrugaçi, është krejtësisht antishqiptare.

Duket se këta zotërinj kanë të përbashkët jo vetëm rezultatin e veprimeve të tyre, por edhe mënyrën se si i bazojnë ato.

Nëse Dick Marty e fillon raportin e tij mbi një libër të shkruar nga Carla Del Ponte, e cila për sa kohë ishte prokurore në Hagë, nuk arriti të vërtetonte asgjë; lideri i opozitës e fillon diskursin e tij politik mbi zgjedhjet e 28 qershorit, vërtetësia dhe cilësia e të cilave ishte vlerësuar maksimalisht nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë.

Nëse Dick Marty e bazon raportin e tij jo mbi prova dhe fakte konkrete, por mbi hamendësi dhe deduksione të tij, të cilat duhen provuar dhe vërtetuar; lideri i opozitës e bazon diskursin e tij politik mbi manipulime dhe rrëfime priftërinjsh, mëkatarë në vetvete, të cilat duhen provuar dhe vërtetuar.

Nëse Dick Marty me raportet e tij sulmon jo vetëm shqiptarët, por edhe shtetin amerikan, siç bën me raportin e tij të vitit 2007; lideri i opozitës me dhunën e tij fizike sulmon një nga institucionet kryesore kushtetuese të vendit, Kryeministrinë, ndërkohë që me paaftësinë e tij politike mbyll veshët ndaj thirrjeve të ndërkombëtarëve dhe mbi të gjitha ato të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Nëse Dick Marty e gjen mbështetjen e raportit të tij tek lobingjet antishqiptare serbe dhe sllave; lideri i opozitës e gjen mbështetjen për kauzën e tij të humbur tek disa ish-politikanë që qytetarët shqiptarë me votën e tyre i lanë jashtë Parlamentit dhe jashtë politikës.

Natyrshëm mund të lindë pyetja: “Përse më shumë Dick se Dick Marty?”

Përpos të përbashkëtave, Dick Marty dhe z. Rama kanë një ndryshim shumë rrënjësor. Nëse antishqiptari Marty është shtetas zviceran, megjithëse nga çfarë ka treguar deri tani fare mirë mund të ishte edhe qytetar, qoftë edhe nderi, i Serbisë; antishqiptari Rama është shtetas shqiptar.

Megjithatë, historia mijëravjeçare e Shqipërisë ka treguar se sado që ta kenë luftuar atë, armiq nga jashtë, apo Hamzenj nga brenda, ky vend dhe komb ekziston këtu që prej fillimeve të historisë së këtij gadishulli, tashmë me një të ardhme të qartë evropiane dhe perëndimore. Dhe, pavarësisht të gjithë negativitetit që solli (demon) strata e një jave më parë, pati edhe disa elementë pozitivë që sjellin shpresë.

21 janari tregoi se Shqipëria nuk i do dhe nuk i përkrah njerëz të tillë dhe këta të fundit janë të pakët në numër. 21 janari tregoi që Shqipëria ka miq të mirë në Perëndim dhe mbi të gjitha në kontinentin përtej oqeanit. 21 janari tregoi që shqiptarët janë qytetarë dhe jo vetëm distancohen, por e dënojnë dhunën. 21 janari tregoi që shteti ynë është i qëndrueshëm dhe që institucionet janë forcuar, forcat e ruajtjes së rendit treguan që jemi vend i denjë anëtar i NATO-s. 21 janari tregoi që shqiptarët e duan dhe e mbrojnë flamurin e tyre!!!

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...