2011-02-02

Nesër përurohet drama “Van Goghu kosovar”

Në Institutin Albanologjik në Prishtinë , më 03.02.2011, e enjte do të përurohet vepra “Van Goghu kosovar” e autorit Ilir Muharremi. “Kë të dramë e ka inskenuar në vitin 2007 aktori dhe regjisori Hazir Sh. Haziri. Drama është dhënë premierë në Teatrin Dodona, pastaj ka vazhduar në Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të zi” thotë Muharremi. “Drama në vete përmban nuanca tragjike, dhe dramatike, poashtu është e ngjyrosur me absurd, ekspresionizëm dhe ekzistencializëm”.

Ngjarja rrëfen për një piktor 22-vjeçar, i cili përjeton momente të vështira jetësore gjatë periudhës së rinisë, gjë që i kushton shumë shtrenjtë në fazat e mëvonshme të jetës. Në luftë, ushtria serbe ia vret nënën, babanë dhe motrën. I tmerruar nga sa kishte parë duke ia masakruar familjen, ai kalon në skizofreni. Tërë ngjarja pasqyron jetën e tij prej skizofreni, nga e cila në fund nuk mund të shërohet, andaj si ‘strehë’ e gjen çmendinë. Ai krejt rastësisht zbulohet që është skizofren nga një fqinj që banonte përballë shtëpisë së tij, i cili, sapo dëgjon zhurmën e muzikës, afrohet dhe sheh djaloshin që thoshte me zë të lartë fjalë të pakuptimta. Gjatë gjithë dramës djaloshi e imagjinon vetveten si profesor i artit. Nga larg i vjen një shok dhe e fton që të marrë pjesë në një ekspozitë. Djaloshi 22-vjeçar fascinohet pas kësaj oferte. Nga çmenduria e tij dhe nga simpatia e madhe për Van Gogh-un, ai e pret edhe veshin e vet, për të shëmbëllyer piktorin e famshëm. Këtu fillojnë të vërehen shenjat e para të çmendurisë së tij. Gjatë gjithë dramës mbase nuk vërehet fare se është i çmendur, deri kur i shfaqen halucinacionet, gjendje kjo që e bind atë se çdo gjë që e shikon përreth është e vërtetë. Mirëpo, në fund, djaloshi bindet që disa gjëra nuk janë të vërteta. Ndaj dhe gjendja e tij mendore përkeqësohet edhe më shumë, si pasojë e së cilës ai detyrohet të shkojë në çmendinë, pasi përshëndetet me miqtë e tij më të ngushtë.




Dr i shkencave të arteve dramatike Ilir Muharremi u lind më 1983 në Pejë. Shkollën fillore e kreu në Prishtinë, ndërsa shkollën e mesme të artit e përfundoi në Pejë. Ka diplomuar më 2004 në Fakultetin e Arteve Dramatike, drejtimi i aktrimit në klasën e profesorit Luan Daka. Prej asaj kohe ka qenë i angazhuar në shumë shfaqje teatrale si: “Sfida e madhe” e autorit prof.dr.Nebi Islami,“Nata e dymbëdhjetë” William Shekspeare“Duart e ndyta” e Zhan Pol Sartre, “Shkolla e grave” e Molierit, etj. Ndërsa, ka magjistruar dramaturgjinë. Drama me të cilën ka magjistruar Ilir Muharremi titullohet “Van Goghu Kosovar” . 
Ka doktoruar më 2010 me temën: “Ekspresionizmi, absurdi,ekzistencializmi dhe cmenduria: katër dramat shqiptare/shfaqjet”në Fakultetin filologjik “Kiril i Metodij” në Shkup. 
Punon si asistent në Fakultetin e edukimit në Prishtinë. 
Dr.sci. Ilir Muharremi ka punuar edhe si gazetar në gazetat ditore: “Koha ditore” dhe “Lajm Ekskluzive”, në rubrikën e kulturës.
Është autor i dy librave me poezi: “Djalli në qytetin tim” 1996“Dera e fundit e çmendurisë” 2003
Ky është libri i tretë i tij.

Flori Bruqi

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...