2011-02-01

Ilir Meta: Mbështesim kontrollin e tabulateve

“LSI kishte paralajmëruar puçin e shtetit”. Reagon PS: Asgjë nuk e ndal popullin

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mbështet Komisionin Hetimor për kontrollin e të gjitha tabulateve telefonike të krerëve të shtetit, por edhe të disa deputetëve, me qëllim zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit. Meta tha se për të ndihmuar transparencën LSI është e gatshme të pranojë çdo hetim, edhe për deputetët e saj. Ai komentoi më tej demonstratën e parë të opozitës, duke pohuar se 21 janari ka qenë një sulm i mirorganizuar, i armatosur, i drejtuar nga Edi Rama kundër Këshillit të Ministrave për marrjen e pushtetit me dhunë. Ai shtoi se Rama, më 28 janar, organizoi një tjetër demonstratë, por këtë herë paqësore, me qëllimin e vetëm qe të mbulonte atë çka ndodhi një javë para saj.


image
Paralajmërimi

Meta deklaroi dje se e priste demonstratën e dhunshme të 21 janarit. “Ne e kemi paralajmëruar prej kohësh se kryetari i Partisë Socialiste synonte të nxiste destabilitet në vend, jo vetëm kaq, por kemi paralajmëruar 2 ditë para 21 janarit këtu, me përgjegjësi maksimale, se më 21 janar ishin mobilizuar banda, kriminelë, elementë me precedent penal, të cilët do të sulmonin forcat e Policisë së Shtetit dhe institucionet. Dhe më 20 janar, një ditë përpara puçit, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së të gjitha këto informacione, të ardhura nga strukturat dhe dashamirës të LSI-së nga rrethet, ia ka çuar me shkrim drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në mënyrë krejtësisht zyrtare”, - deklaroi ai. Meta shtoi se demonstrata e dytë e 28 janarit ishte e qetë, sepse synonte të mbulonte 21 janarin. “28 janari ishte një manifestim hipokrizie dhe jo qytetarie”, - tha ai. Meta përshëndeti angazhimin e SHBA-ve për të ndihmuar hetimin e kësaj çështjeje, pasi, shtoi ai, zhvillimet e pas-21 janarit kanë ngritur pikëpyetjet e tyre për objektivitetin dhe seriozitetin e procesit të hetimit, i cili patjetër që duhet të hetojë pasojat, por në radhë të parë të hetojë shkaqet, nxitësit, frymëzuesit e dhunës. Meta i konsideroi si të pabaza dhe qëndrimet kundër hetimit të tablateve telefonike të krerëve të shtetit. “Nuk e kuptoj se si ata të cilët për një vit e gjysmë janë çjerrë për gjoja transparencën, pse kanë frikë se me kë kanë biseduar gjatë 5 orëve të sulmit kundër rendit kushtetues.

Në rast se gjithsecili ka bërë detyrën dhe është sjellë si qytetar i denjë i këtij vendi duhet të shkojë të bashkëpunojë vetë me Komisionin Hetimor Parlamentar. Ne jemi Republikë Parlamentare dhe Parlamenti është mbi gjithçka”, - tha Meta. Ai ftoi opozitën të marrë vendet e saj në Komisionin Hetimor Parlamentar, që edhe ajo të kontribuojë në mënyrë pozitive dhe konstruktive në këtë proces transparence të 21 janarit. Pas deklaratës së kreut të LSI-së reagoi deputetja socialiste, Olta Xhaçka, sipas së cilës “aktori i videohajnisë” duhet t’u japë fund deklaratave në mbrojte të një pushteti të vjedhur. “Kusaria e Sali Berishës e matrapazllëku i Ilir Metës sot kërkojnë shpagimin kushtetues e ligjor e jo deklarata për shtyp pa bereqet. Ata janë partia në pushtet, ne jemi populli që kërkon shtet. Liria, barazia, vëllazërimi na bashkojnë sot me çdo shqiptar, të majtë e të djathtë, kundër kusarisë që vret për pushtet, ndaj përgjigjja që kemi për zotin Meta është se asgjë nuk e ndal popullin e asgjë nuk i shpëton kusarët”, - tha ajo.





Kreu i LSI-së: Historia e kutive, pretekst për të bojkotuar zgjedhjet



Një bojkot i mundshëm nga opozita i zgjedhjeve të 8 majit nuk do të habiste askënd. Kështu deklaroi dje kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë mbledhjes së kryesisë. Sipas tij, ky ka qenë qëllimi i vetëm i Edi Ramës dhe aspak transparenca e zgjedhjeve të kaluara. “Ua kemi thënë ndërkombëtarëve që në fillim të historisë së kutive se qëllimi kryesor është si të mos hyhet në zgjedhjet vendore, si të përsëritet loja e vitit 2007, por në përmasa të tjera, vetëm për një arsye, sepse kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk ndahet dot nga kjo bashki, për më tepër se nuk ka as mandat deputeti. Dhe e gjithë kjo lojë është në funksion të karrierës së një individi, i cili për një vit e gjysmë ka sulmuar rëndë proceset integruese të vendit, ka bërë një fushatë të shfrenuar për të penguar liberalizimin e vizave, ka përgjegjësinë kryesore për mosmarrjen e statusit kandidat dhe që tani ka nxjerrë fytyrën e vërtetë të tij, e cila është fytyra e dhunës së atyre elementëve kriminalë që i pa gjithë Shqipëria më 21 janar, duke sulmuar institucione”, - tha ai. Më tej, Meta kërkoi të përshpejtoheshin përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore të 8 majit.

“Ky duhet të jetë dhe ky do të jetë objektivit ynë kryesor. Vendi ka një datë të shpallur për zgjedhjet, që është 8 maji, dhe është detyrë e çdo force politike që të marrë pjesë në zgjedhje, por natyrisht asnjë forcë politike nuk mund të marrë pjesë kundër vullnetit të saj. Por axhenda e vendit nuk mund të shmanget nga askush që ka frikë nga procesi zgjedhor dhe që është mësuar që zgjedhjet t’i fitojë në tavolinën e kulisave dhe si dhuratë nga të tjerët”, - tha ai. Në kuadër të përgatitjet së këtij procesi Meta propozoi që i ardhuri rishtas në parti, Ylli Majani, të ishte sekretar për Çështjet Zgjedhore i LSI-së. “Objektivi im kryesor për zgjedhjet e 8 majit është dyfishimi i rezultateve të LSI-së në zgjedhjet e fundit vendore të shkurtit të vitit 2007, si parti, pra në përqindje, pra për këshilltarë dhe njëkohësisht për bashki dhe për komuna, domethënë për njësitë vendore. Ky është një rezultat plotësisht i arritshëm, i cili natyrisht kërkon një motivim të gjithanshëm të gjithë strukturave tona”, - tha më tej ai. Kreu i LSI-së deklaroi se brenda 15 shkurtit duhet të jenë gati propozimet nga njësitë vendore të LSI-së për kryetarë të njësive vendore, pra bashkitë apo komunat në gjithë vendin. “Dhe brenda 15 shkurtit do të bëjmë edhe takimin paraelektoral në Pallatin e Kongreseve me përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim për të përcaktuar të gjitha linjat dhe prioritetet tona për zgjedhjet e ardhshme vendore dhe për rezultatet që pritën më 8 maj”, - përfundoi ai.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...