Nga Fatmir Terziu
Dhe çuditërisht ishte një lajm i dhimbshëm. Një lajm që vinte nga një kënd larg vatrës së tij. Larg Atdheut! Larg fjalës, vargut, poezisë, dihamës së tij të fuqishme letraro-artistike, që ia kushtoi vite me radhë dheut ku lindi dhe u rrit. Ky lajm që vinte nga Greqia, edhe pse lajmërohej në rrugë elektronike në një itinerar miqësor, Shqipëri-Greqi-Londër, sërish kishte edhe dhimbjen, edhe emocionin, edhe retorikën brenda tij. Një lajm që vinte nga njeriu i letrave, miku i poetit shqiptar, dhe mik i mjaft krijuesve shqiptarë, Dionisis Kirzidis. Dhe lajmi është lajm! I dhimbshëm, emocionues apo retorik ai sjell në veshin e dëgjuesit të tij, në mendjen e lexuesit të tij, atë aspekt që tingëllon fuqishëm si një sinjal lajtmotivi, për fuqinë e poezisë, për tharmin e këndshëm poetik, që poeti në dhimbje e sipër, poeti i Madh shqiptar, Xhevahir Spahiu, e ka shpërndarë në vite anë e kënd me poezinë e tij të fuqishme. Natyrshëm, jo për “Dhimbjen e tij”. Se poeti ‘dhimbjen’, ‘dashurinë’ dhe gjithshka, ia ka falur poezisë. Mikja e tij e jetës, poezia, bëri të vetën edhe në këtë moment, kur dhimbjet e sëmundjes tejçohen në damarë ndjeshmërie dhe lutjeje për poetin shqiptar. Dhe natyrshëm poetë të shumtë pastaj janë të të njëjtit mendim. Poeti Petraq Risto shkruan: “I dashur Fatmir, edhe unë lutem krahë teje ne Kishën e Madhe te Fjalëve. Lutem për mikun tone te përbashkët, për Poetin dhe Akademikun Xhevahir Spahiu, lutem dhe pse ikonat poetike janë thjesht flori kallp. Lutem për atë njeri qe, ashtu si unë mendon se thithja e ajrit është fjale, përderisa mushkëritë janë një libër i hapur; lutem për atë njeri, i cili, ashtu si unë, mendon se poezia është det dhe truri është i rrudhur si një funddeti. O Zot, nëse ekziston, si mundet qe poetit i heq te drejtën te flasë; atëherë, nëse te lutemi: guxo dhe ktheja fjalën, ktheja zërin, ne te kundërtën, ne do shkojmë ne Malin e Tomorit, ne Lisin e Dodonës do te lutemi për te e do ankohemi për TY. Miqësisht, Petraq Risto. Vjollca Kola shton më tej: “Nuk gjenden fjalë për të përshkruar keqardhjen për këtë poet madhështor, që ka dhe urojmë ta ketë përsëri Shqipëria. Lutja jonë është shumë pak për këtë njeri me zemër të madhe, por po të jetë nevoja edhe për kontribute të tjera do të jemi të gatshëm, për ta rikthyer përsëri në botën e vargjeve, që vetëm ai do shkruajë dhe me aq ndjenjë. Uroj nga zemra dhe lutem që të kthehet sa më shpejt në gjirin e poetëve, të shokëve dhe të familjes së tij”. Profesor Aleksandër Peçi i dërgon këtë telegram Presidentit të Republikës së Shqipërisë: “Mesazh urgjent. Sekretarit te Përgjithshëm te Presidencës Zotit Aleksandër Flloko. Zoti Flloko. Nëpërmjet Jush njoftoj Presidentin e Republikës Z. Bamir Topi dhe Shtetin shqiptar se Xhevahir Spahiu prej 2 ditësh ndodhet i shtruar ne spitalin 5 ne gjendje te rende me hemorragji cerebrale. 70 % e kapilareve te qafës nuk i furnizojnë Trurin me gjak çka do te thotë se megjithë përkujdesjen e mjekësisë shqiptare e cila është shembullore, situata është tepër kritike dhe ndoshta pas konsultimeve me mjeket tanë duhen përshpejtuar gjith procedurat per ta dërguar jashtë shtetit. Respekte, Prof Aleksandër Peçi. Më tej zoti Peci shkruan për dijeninë edhe të zotërinjve Enkelejd Joti, Alban Jaho, Agim Poçari. Ai shprehet:
“Zotit Enkelejd Joti, Zotit Alban Jaho, Zotit Agim Poçari
Siç e kini marre vesh sot nga shtypi por dhe nga mesazhi ne vijim me te cilin informoj Presidentin e Republikës, Xhevahir Spahiu prej 5 ditësh ndodhet i shtruar ne spital 5 me hemorragji cerebrale ne gjendje kritike për jetën. Është koha qe e drejta për te jetuar e këtij Poeti te Madh kushton shume me tepër se çdo e drejte tjetër... Respekt, Prof Aleksandër Peçi. “Lutemi, bashkë të gjithë për Xhevon,”- shkruan shkrimtari shqiptar, Faruk Myrtaj nga Kanadaja, ...le të shpresojmë që zemra dhe shpirti i tij do t’i japin edhe një shans të mundur me të padrejtë...”. Nga Amerika e largët janë mjaft të tjerë që shprehin fjalët e tyre të ngrohta. Shkrimtari Pëllumb Kulla bashkon urimet e tij për një shërim të shpejtë të poetit, Xhevahir Spahiu. Poetja Iliriana Sulkuqi e kthen me poezi lutjen e saj. Dalan Luzaj, flet me lot ndër sy për mikun e madh të familjes Luzaj. Granit Zela, kërkon që të përfshijë shkrimin tek “Drita” në Shqipëri. Raimonda Moisiu me dhimbje kërkon fjalët e saj.
Xhevahir Spahiu lindi më 1 mars të vitit 1945 në Malind të Skraparit, është shkrimtar i njohur shqiptar. Studioi në fakultetin histori-filologji, dega gjuhë-letëresi shqipe.
Që nga viti 1968 ka punuar si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, redaktor në revistën “Nëntori”, mësues dhe libretist në Teatrin e Operas e Baletit në Tiranë.
Është i nderuar me çmimin “Migjeni” dhe dhe është fitues i çmimit të parë në konkursin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut.
Tituj të veprave
Mëngjes sirenash (1970)
Ti qytet i dashur (1973)
Vdekje e perendive (1977)
Dyer dhe zemra të hapura (1978)
Bashkohësit (1980)
Agime shqiptare (1981)
Zambakët e Mamicës (1981)
Kitaristët e vegjël (1983)
Nesër jam aty (1987)
Heshtje s´ka (1989)
Dielli i lodrave (1990)
Poezia shqipe (1990)
Kohë e krisur (1991)