M`u kujtua Shekspiri, ndërsa palët kanë nisur një betejë nenesh dhe referencash juridike rreth privatësisë dhe korrespondencës, me gjasë nga kërkesa për tabulatet telefonike të komisionit parlamentar për ngjarjet e 21 janarit: “...thonë se ca kusarë nga mjeshtëria e lartë e një skene kanë rrëfyer ligësitë e tyre...”. Fabula jonë mund t`i nënshtrohet ndonjë korrektimi formal padyshim por, në logjikë, futet kallëp te fantazia brilante e tragjikut anglez. “Kusarët (në fakt, nuk i mendoj si të tillë) janë mazhoranca dhe opozita; “skena” është polemika rreth privatësisë; “rrëfimi i ligësive” është shfaqja e hipokrizisë së tyre në raport me privatësinë. I vetmi ndryshim me kusarët e “Hamletit” qëndron në faktin se, “rrëfimi i ligësive” i partive tona po bëhet në mënyrë të pavetëdijshme, pa e kuptuar.
Mazhoranca, përmes komisionit parlamentar për hetimin e 21 janarit, ka kërkuar vënien në dispozicion të të gjitha tabulateve telefonike të kupolës së shtetit. Arsyetimi se, “nuk na duhen bisedat por, vetëm oraret dhe subjektet e komunikimit”, nuk ka asnjë sens praktik dhe juridik. Objektit të hetimit parlamentar nuk i shërben fakti nëse kanë biseduar, por se çfarë kanë biseduar. Dhe, komisioni parlamentar i mazhorancës ka gjithë tagrat ligjorë për të mbledhur një informacion të tillë. Por, jo kështu. Sepse ky është një invadim pa rregulla, pa prova, i privatësisë së hierarkëve të institucioneve kushtetuese kryesore të shtetit. Dhe të mendosh se këtë ekses juridik është duke e konsumuar ajo mazhorancë, që, në respekt të nocionit demokratik të privatësisë së individit, akuzonte vetëm një muaj më parë në Parlament minorancën si analfabete në fushën e lirive, kur kjo kërkonte të hetonte sekretin e votës. Atëherë, cilën të besojmë: mazhorancën e dhjetorit 2010 apo atë të janarit 2011? Janë shumë pak tridhjetë ditë, për të qenë kaq e ndryshme.
Minoranca ka vënë alarmin se komisioni parlamentar i hetimit të 21 janarit është duke realizuar një “puç të butë” përmes dhunimit të privatësisë së krerëve të shtetit. Kjo është e vërtetë. Nëse komisioni parlamentar nuk tërhiqet nga ky ilegalitet antikushtetues, jemi në kushtet e emergjencës demokratike. Mirëpo hipokrizia e opozitës me privatësinë është ekzemplare. Në thelb, formula e saj e hetimit të zgjedhjeve të 2009-s ishte ndërtuar mbi dhunimin e privatësisë së votuesve në shprehjen e preferencave të tyre politike. Mbi këtë “pakujdesi” antidemokratike dhe pa asnjë provë në pretendimin e saj, ajo prodhoi antipolitikë, prodhoi krizë, prodhoi radikalizëm, prodhoi dhunë. Prandaj është hipokrite. Prandaj është e vështirë të besohet se e shqetëson privatësia e Presidentit të Republikës apo e shefes së organit të akuzës. Njësoj si mazhoranca që kërkon të ndërhyjë në privatësinë e kreut të shtetit, pa asnjë provë; opozita kërkonte të dhunonte fshehtësinë e votës, pa asnjë provë. Edhe në këtë rast pyetja është detyrim: për opozitën, privatësia është një e drejtë kushtetuese vetëm për Presidentin apo edhe për qytetarin e thjeshtë?
Nuk është hera e parë që palët ngecin në viskozitetin e pandershmërive të tyre politike. “Privatësia”, që kaq shumë ka hyrë në modën e leksikut të tyre së fundi, është vetëm njëra prej tyre. Kanë shfaqur pandershmëri ku e ku më të mëdha. Privatësia, mbase është më e vogla mirëpo, i ka “kapur”. Prapë më kujtohet Shekspiri. “...privatësia është gracka, ku shpirti i partive kapet si laraska”!
Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve
Kërko brenda në imazh Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme Haki Taha, u lind n...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...