Kontributi i akademik Rexhep Qosjes edhe në ngritjen e kuadrove shkencore në folkloristikë është temë me interes për shqyrtim në këtë sesion shkencor, në kuadër të shënimit të 70-vjetorit të lindjes së këtij studiuesi të madh, sepse ai ka dhënë ndihmesë të çmuar edhe për ngritjen e kuadrove shkencore edhe në këtë fushë të dijes albanologjike. Ndihmesa e akad. Rexhep Qosjes në aftësimin e kuadrove shkencore në fushën e folkloristikës ka të bëjë kryesisht me punën e tij të mentorit në projekte në shkallë magjistrature e doktorate në Fakultetin e Filozofik, përkatësisht të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, në cilësinë e profesorit ordinar në Degën e Letërsisë Shqipe, si dhe në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në cilësinë e këshilltarit shkencor në Degën e Letërsisë. Kjo veprimtari e tij shtrihet në periudhën rreth 30-vjeçare, që nga fillimi i viteve ‘70 e këndej.
Fushat studimore në folkloristikë
Janë tri fusha të mëdha të studimeve në folkloristikë, të cilat janë trajtuar në kuadër të projekteve të kandidatëve të profesor Rexhep Qosjes, për magjistraturë ose doktoratë, siç janë: poezia epike legjendare, studimet teorike për figuracionin e stilin në poezinë popullore shqiptare, si dhe studimet krahasimtare, në rrafshin krahasues letërsi gojore-letërsi e shkruar.
1. Poezia epike legjendare. -Studimet për poezinë legjendare shqiptare në dy dekadat e fundit të shekullit të kaluar, me përkujdesjen e profesor Qosjes, shënuan rezultate të çmuara në shkencën e folkloristikës. Brenda projekteve hulumtuese shkencore të kandidatëve të prof. Qosjes, për poezinë epike legjendare është realizuar një projekt për baladën shqiptare dhe një tjetër për Eposin e Kreshnikëve: Poetika e baladës shqiptare (1987) dhe Poezia legjendare e Rugovës (1994). Realizues i projektit të parë është Sadri Fetiu, kurse i të dytit është Zymer Neziri, që të dy studiues të poezisë epike legjendare në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Këto projekte qenë disertacione doktoratash, të mbrojtura në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Filozofik përkatësisht i Filologjisë.
Rezultatet e mbërritura të kandidatit S. Fetiu në fushën e studimit të baladës popullore e sidomos të poetikës së saj, janë vlerësuar si studim monografik me interes të veçantë jo vetëm për ndriçimin e vlerave artistike e këtij lloji të poezisë sonë gojore legjendare dhe të folklorit tonë shumë të pasur, por edhe përgjithësisht të studimeve albanologjike. Në këtë vepër janë shtruar dhe janë shqyrtuar probleme me peshë të veçantë për baladën popullore shqiptare, për historikun e studimit të saj, për rrafshin krahasues me llojet e tjera të krijimtarisë popullore, për tipologjinë e saj, për funksionin e shtresave në strukturën e saj, për personazhin, konfliktin dhe strukturën kompozicionale.
Për projektin e kandidatit Z. Neziri, mentori R. Qosja ka theksuar se «ky disertacion i doktoratës sjell risi, sepse për herë të parë është shënuar në mënyrë të tërësishme poezia legjendare e një krahine siç është Rugova; për herë të parë është incizuar në bobina magnetofoni fondi i tërësishëm i poezisë legjendare në Rugovë....për herë të parë është bërë vjelja sistematike e të gjithë brezave të lahutarëve të gjallë që dinin këngë të eposit të lashtë; gjithashtu për herë të parë janë grumbulluar të dhënat biografike për të gjithë lahutarët e Rugovës prej vitit 1791-1946». Kjo është monografia e parë krahinore në studimet tona për Eposin e Kreshnikëve, ku konstatohet se Rugova është ndër rajonet më të pasura shqiptare me këngë të këtij lloji të epikës legjendare.
2. Studime teorike për figuracionin dhe stilin.-Puna e prof. Qosjes në specializimin e kuadrove shkencore në fushë të studimeve në poezinë lirike gojore dhe në figuracionin e saj poetik, në poezinë gojore epike historike, në poezinë epike legjendare të këngëve të kreshnikëve dhe të baladave, është gjithashtu një ndihmesë për t’i çuar përpara studimet tona, ndonëse të vonuara në krahasim me kulturat e tjera në juglindje të Evropës.
Projektet e realizuara janë: Personifikimi në poezinë popullore (gojore) shqipe (1975), Figura e krahasimit në këngët tona lirike të dashurisë (1978), Stili dhe figuracioni i letërsisë popullore shqiptare (1984). Dy projektet e para janë tema magjistrature, kurse i treti është disertacion doktorate. Realizues i projektit të parë, për personifikimin, është Rrustem Berisha, kurse për të dytin, për krahasimin, është Zymer Neziri. Që të dyja këto projekte ishin njëkohësisht edhe projekte pune në Degën e Folklorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës. Realizues edhe i projektit të tretë, për stilin dhe figuracionin, është Rrustem Berisha.
Projekti i magjistraturës, i kandidatit Rr. Berisha, Personifikimi në poezinë popullore (gojore) shqipe, me mentor profesor Qosjen, është vlerësuar si kontribut i rëndësishëm në studimin e personifikimit dhe të figuracionit në poezinë tonë popullore dhe është ndihmesë për shndritjen e njërës prej çështjeve më të rëndësishme teorike të krijimtarisë sonë gojore për personifikimet kozmike, personifikimet e objekteve dhe të bimëve, personifikimin e qenieve, personifikimet e abstraksioneve dhe personifikimet gjeografike.
Projekti Figura e krahasimit në këngët tona lirike të dashurisë, i kandidatit Z. Neziri, është vlerësuar nga mentori Qosja kështu: «Nuk ka dyshim se punimi i magjistraturës, Figura e krahasimit në këngët tona lirike të dashurisë, është një prej studimeve të rëndësishme të folkloristikës shqiptare mbi ndërtimin figurativ të vargut popullor, në këtë mes të vargut të lirikës popullore... Punimi i tij bëhet studim në të cilin ngriten probleme kapitale të folkloristikës sonë, madje të shkencës sonë të letërsisë në përgjithësi».
Profesor Qosja ka qenë mentor i kandidatit Rr. Berisha edhe për disertacionin e doktoratës, Stili dhe figuracioni i letërsisë popullore shqiptare, një projekt po ashtu i rëndësishëm për studimet tona në folkloristikë, për stilin e poezisë sonë popullore dhe për veçoritë e tij, për figuracionin e pasur të kësaj poezie, ku janë analizuar në veçanti krahasimi, epiteti, metafora, simboli, personifikimi, hiperbola, alegoria, ironia, antiteza, gradacioni etj.
3.Studime krahasimtare. -Në fushën e studimeve krahasimtare, në rrafshin krahasues letërsi gojore-letërsi e shkruar, prof. Qosja ka drejtuar projektin -Roli i letërsisë popullore në krijimtarinë e Fishtës (2002). Realizues i këtij hulumtimi shkencor është Jakup Sahiti. Kjo punë kërkimore-shkencore ishte disertacion i doktoratës, i mbrojtur në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Për kandidatin J. Sahiti, në referat thuhet se ai: «Shtron çështje të gojorësisë ose të oralitetit, si veçori karakteristike dhe thelbësore të letërsisë popullore ...dhe përfundon me konstatimin tashmë të njohur se gjatë historisë letërsia e kultivuar ka pasur lidhje të përhershme me krijimtarinë popullore, kurse analogjitë e tyre në subjekte, në heronj e në figura janë të padiskutueshme dhe janë të shkallës botërore.» Në vijim të referatit për këtë kandidat thuhet po ashtu: «Kandidati shtron edhe çështjen e komunikimit me qeniet mitike, nga lëvizin e veprojnë personazhet e Fishtës në kohën e luftës, fillimisht Ali pashë Gucia e pastaj të tjerët, të cilët u gjasojnë personazheve të eposit tonë heroik kur mbronin nderin, kullat dhe krahinën e sulmuar nga kralat e këndejdetit dhe të andejdetit.»
Edhe kandidatët që kanë kryer hulumtime dhe kërkime shkencore nga fusha e folkloristikës, me një mentor tjetër: Fazli Syla, Demush Shala, Nuhi Vinca, Enver Mehmeti, Faik Shkodra, Rahmi Tuda, Adem Zejnullahu, Bahri Brisku, Sabahajdin Cena, Mehmet Rukiqi, Myzafere Mustafa, Ali Ahmeti, Jahir Ahmeti, Leontina Gega, Arbnora Dushi etj. patën model mbërritjet intelektuale kulmore dhe punën hulumtuese-shkencore të akad. Rexhep Qosjes për përgatitjen e temave të tyre të magjistraturës ose të doktoratës në Universitetin e Prishtinës, pikërisht në Degën e Letërsisë, ku ai ishte edhe themelues dhe drejtues i studimeve pasdiplomike.
Përfundim
Në vitet ’70, në kuadër të studimeve të letërsisë në Universitetin e Prishtinës, profesor Rexhep Qosja krijoi bazat shkencore edhe për thellimin e studimeve në folkloristikë. Në këtë periudhë miratohen dhe realizohen për herë të parë projekte për studime në fusha të ndryshme për poezinë e për prozën gojore. Ndonëse me vonesë të konsiderueshme, aty fillojnë studimet monografike në poezinë gojore lirike, që janë të parat e këtij lloji në studimet shqiptare, dhe krijohen modele për studimet e para monografike krahinore në fushë të epikës gojore, sidomos të Eposit të Kreshnikëve. Po ashtu krijohen modele edhe për studime të mëtutjeshme në fushë të baladës popullore shqiptare dhe të poetikës së saj. Gjatë kësaj kohe zgjerohen bazat për studime teorike-letrare dhe teorike-estetike, që ishin pikë mbështetëse edhe në studimet në folkloristikë. Kjo shkollë e Prishtinës, po e quaj kështu kushtimisht, krah i asaj të Tiranës, është e lidhur ngushtë me akad. Rexhep Qosjen e me emrin e tij.
Prandaj, duhet të konstatohet se nuk mund të shkruhet historia e folkloristikës pa e pasur parasysh edhe ndihmesën e akad. Rexhep Qosjes. Nuk mund të shkruhet as historia e studimeve stilistike në poezinë tonë popullore pa e përmendur edhe ndihmesën e prof. Qosjes. As historia e studimeve të figuracionit në poezinë tonë popullore nuk mund të shkruhet pa e theksuar ndihmesën e prof. Qosjes.
Kur të shkruhet historia e studimeve të epikës heroike të Eposit të Kreshnikëve, duhet mbështetur edhe në ndihmesën e prof. Qosjes. Edhe kur të shkruhet historia e studimeve të baladës popullore shqiptare dhe të poetikës së saj duhet vlerësuar ndihmesën e prof. Qosjes. Gjithashtu, edhe kur të shkruhet as historia e studimeve krahasuese letërsi e shkruar-letërsi gojore, duhet shndritur ndihmesën e prof. Qosjes.
Dhe, në fund të kësaj kumtese, dua të them se po ashtu nuk mund të shkruhet as historia e studimeve pasdiplomike në Prishtinë për përgatitjen e kuadrove shkencore-arsimore në letërsi, po edhe në folkloristikë, pa e përmendur afërsinë pedagogjike të prof. Qosjes me studentët, që është afërsi e rrallë në Universitetin e Prishtinës, kurse gatishmëria e tij për t’i ndihmuar kandidatët është veçori po ashtu shumë e rrallë e arsimtarëve në këtij universiteti në të gjithë brezat e tij, që nga themelimi e deri më sot.
Bibliografia
Adem Zejnullahu, Krijimtaria gojore dhe proza e shkruar shqiptare në Jugosllavi, recensues prof. dr. Shefqet Pllana, prof, dr. Fazli Syla, Instituti Albanologjik i Prishtinës , Prishtinë, 1987, 242 f.
Mr. Ali Ahmeti, Vajtimet dhe gjëmat shqiptare të Plavës dhe Gucisë, recensorë mr. Sadri Fetiu, mr. Ismail Doda, «Pobjeda», Titograd, 1986, 188 f.
Ali Ahmeti, Letërsia gojore e krahinës së Plavës e të Gucisë, recensues dr. Zymer Neziri, dr. Sadri Fetiu, Instituti Albanologjik i Prishtinës , Prishtinë, 2oo4, 285 f.
Mr. Arbnora Dushi, Elemente të epikës gojore në prozën e Ismail Kadaresë, recensues dr. Sadri Fetiu, dr. Kujtim Rrahmani, Instituti Albanologjik i Prishtinës , Prishtinë, 2004, 156 f.
Dr. Bahri Brisku, Deti dhe detarët në letërsinë popullore shqiptare, recensues dr. Sadri Fetiu, dr. Adem Zejnullahu, Instituti Albanologjik i Prishtinës , Prishtinë, 2006, 296 f.
Demush Shala, Rreth këngëve kreshnike shqiptare, recensorë Anton Berisha, Ali Aliu, «Rilindja», Redaksia e botimeve, Prishtinë, 1985, 335 f.
Dr. Faik Shkodra, Përkime midis letërsisë popullore dhe poezisë së shkruar shqipe, recensues Rexhep Qosja, prof. dr. Gjergj Zheji, prof. dr. Agim Vinca, Instituti Albanologjik i Prishtinës , Prishtinë, 1995, 334 f.
Dr. Fazli Syla, Poezia popullore shqiptare e kaçakëve, recensues dr.Anton Berisha, mr. Sadri Fetiu, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1982, 191 f.
Mr. Jahir Ahmeti, Poezia popullore e fëmijëve, recensues dr. Sadri Fetiu, dr. Enver Mehmeti, Instituti Albanologjik i Prishtinës , Prishtinë, 1997, f. 139.
Jakup Sahiti, Roli i letërsisë popullore në krijimtarinë e Gjergj Fishtës, disertacion i
doktoratës, dorëshkrim, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2002, 436 f.
Refarati i Komisionit: akad. Prof. dr. Rexhep Qosja, këshilltar shkencor, dr. Shefkije Islamaj, bashkëpunëtore shkencore, dr. Zymer Neziri, bashkëpunëtor i lartë shkencor, për kandidatin Jakup Sahiti, Roli i letërsisë popullore në krijimtarinë e Gjergj Fishtës, doktoratë, dorëshkrim, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, më 14.5.2002.
Dr. sc. Jusuf Vatovci, Leksikon i magjistrave dhe i doktorëve të shkencave në trojet shqiptare jashtë Shqipërisë 1430-1995, botim i autorit, Prishtinë, 1998.
Mr. Leontina Gega, Përkimet e letërsisë gojore me poezinë e shkruar për fëmijë:Rexhep Hoxha, Vehbi Kikaj, Rifat Kukaj, recensues dr. Myzafere Mustafa, dr, Adem Zejnullahu, Instituti Albanologjik i Prishtinës , Prishtinë, 2004, 2006 f.
Mehmet Rukiqi, Krijues dhe bartës të tregimeve popullore në Drenicë, recensues prof. dr. Fazli Syla, prof. dr. Enver Mehmeti, Instituti Albanologjik i Prishtinës , Prishtinë, 1998, 308 f.
Dr. Myzafere Mustafa, Përralla shqiptare, poetikja dhe mitikja, recensues dr. Anton Berisha, prof. dr. Enver Mehmeti, Instituti Albanologjik i Prishtinës , Prishtinë, 312 f.
Nuhi Vinca, Lirika popullore shqiptare në regjionin e Strugës, recensues Rexhep Qosja, «Flaka e vëllazërimit», Shkup, 1992, 111 f.
Nuhi Vinca, Lirika popullore shqiptare e dashurisë, recensues prof. dr. Shefqet Pllana, dr. Adem Zejnulllahu, Instituti Albanologjik i Prishtinës , Prishtinë, 1989, 456 f.
Rahmi Tuda, Çështje paremiologjike, Bashkësia Kulturore Shqiptare e Tetovës, Shkup, 1995, 166 f.
Rahmi Tuda, Vlerat estetike të poezisë sonë legjendare, recensues dr. Sadri Fetiu, dr. Enver Mehmeti, «Flaka e vëllazërimit», Redaksia e botimeve, Shkup, 1993, 175 f.
Rrustem Berisha, Personifikimi në poezinë popullore shqipe, recensentë Ali Aliu, Ibrahim Rugova, Rilindja, Redaksia e botimeve, Prishtinë, 1976, 182 f.
Dr. Rrustem Berisha, Stili dhe figuracioni i poezisë popullore shqiptare, recensentë dr. Rexhep Qosja, këshilltar shkencor, dr. Fazli Syla, bashkëpunëtor i lartë shkencor, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1986, 323 f.
Dr. Sadri Fetiu, Poetika e baladës popullore shqiptare, recensentë akademik Rexhep Qosja, dr. Fazli Syla, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1987, 289 f.
Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë, 35 vjet të Fakultetit të Filologjisë (1960-1995), materialet i mblodhi dhe i mbarështoi prof. dr. Fadil Raka, Prishtinë, 1995.
Referati i Komisionit: prof. dr. Rexhep Qosja, prof. dr. Shefqet Pllana, prof. dr. Ali Aliu, për kandidatin Zymer Neziri, Figura e krahasimit në këngët tona lirike të dashurisë, magjistraturë, dorëshkrim, Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, Prishtinë, më 30. 11. 1979.
Referati i Komisionit: akad. prof. dr. Rexhep Qosja, prof. dr. Fazli Syla, doc. dr. Enver Mehmeti, për kandidatin Zymer Neziri, Poezia legjendare e Rugovës,doktoratë, dorëshkrim (1994), Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës, Prishtinë, më 9. 6. 1995.
Zymer Neziri, Poezia epike legjendare e Rugovës, disertacion i doktoratës, dorëshkrim, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë, 1994, 248 f.
Zymer Ujkan Neziri, Poetika e krahasimit. Figura e krahasimit në këngët tona popullore të dashurisë, recensues akad. prof. dr. Rexhep Qosja, akad. prof. Alfred Uçi, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2004, 301 f.
Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...