2011-01-25
Flas gegnisht, por shkruaj tosknisht
Nga:BESNIK DIZDARI
Jam biri i një mësuesi, ndër të parët e gjuhës shqipe, qysh në fillim të shekullit... që shkoi, Mësuesit të Merituar, Gani Dizdari. Të fisit tim janë edhe Nasuf Dizdari e Tahir Dizdari, të lidhur aq fort me gjuhën shqipe si gazetarë, si studiues, si botues gazetash, si hartues fjalorësh unikalë të shqipes, si poliglotë të shquar. Unë vetë kam gati 50 vjet që përmes shkrimeve të botuara,shkruaj çdo javë në gjuhën shqipe. Editoriali i faqes së parë të gazetës “Sporti” kushtuar Kampionatit Kombëtar të Futbollit, botuar në vitin 1991, them se duhet të jetë shkrimi i parë në gegnishten letrare për një aktualitet të botuar në një gazetë kombëtare mbas rënies së regjimit. Kam lindur në Shkodër dhe kam mbaruar gjimnazin e atjeshëm (1960), çka do të thotë se e kam marrë maturën duke i shkruar hartimet e referatet letrare në gegnisht, duke qenë me më të mirët midis bashkënxënësve.
Mu duk disi e nevojshme kjo hyrje “anagrafike” për të vazhduar disi lirshëm më tej.
* * *
Kështu, ndërsa sot e gjithë herët e tjera, mendoj gegnisht dhe flas gegnisht, për të shkruar, shkruaj tosknisht!
Nuk di se kush mund të shpjegojë këtë aftësi të çuditshme të trurit njerëzor, i cili si fjalorët e sotëm të Google-it, madje edhe më shpejt se ata, ky tru pra, bën të mundur që rrufeshëm gegnishten e menduar dhe të folur ta kthej në tosknishten e shkruar. Nuk e kam problem. Jam kthyer në një automat.
Të vetmin problem kam atë që ne shkodranët i themi “e”-ja e “pazâne”, “ë”-ja e famshme me dy pika sipër, për të cilën Luigj Gurakuqi na ka lënë këtë vërejtje emblematike:
“… âsht nevojë qi Toskët mâ t’parët t’na japin dritë e t’na vênë në rrugë. Lypset por qi ata, n’kët punë, t’a harrojnë vesin e t’parëve t’vet, t’cilët, sikur thamë sypri, e kapërcyene kufinin n’përdorim t’e-s s’pázashme, tuej e përdorue shpesh edhe ku s’duhej”.
E unë, ndërsa them me vete gegnisht: “Tashmâ lojtarët qenë lodhë tejet, e ksodore nuk po kishin mâ fuqi për me e ruejtë ritmin e naltë qi po ua merrte frymën prej sulmit të pandalshëm të nji kundërshtari të papamë”, kur i bie tastierës së kompjuterit, vetvetiu më del kështu në tosknishte: “Tanimë lojtarët ishin lodhur së tepërmi e për këtë arsye nuk kishin më fuqi për të ruajtur ritmin e lartë që po ua merrte frymën, për shkak të sulmit të pandalur të një kundërshtari të paparë”.
Megjithatë, një shpjegim e jap: gegnishtja e tosknishtja janë mjaft afër me njëra-tjetrën dhe në fund të fundit, të dyja janë shqip. Njëra më e bukur se tjetra.
Ksodore kam pra, gati pesëdhjetë vjet, që ndërsa krijoj në sferën time, përsa i përket gjuhës së shkruar, jam shndërruar në një kompjuter, ndër të parët, që ka ardhur duke u përsosur më shumë se këta të sotmit që quhen Dell, Helwett Paccard, Apple, Acer, Compaq.
Them se e gjithë kjo është një aftësi e madhe e imja (dhe jo vetëm e imja), një shndërrim gjuhësor i papamë, që e bëj tash gati pesëdhjetë vjet, qysh se pata pranuar që të bëhem gazetar profesionist nën regjim.
Nuk e harroj kurrë. Kur kam shkruar shkrimin e parë në fillim të viteve ’60, natyrisht e shkrova në gegnisht. Nuk ma botuan mû për këtë shkak. Një i afërt i imi, që shihte pasionin tim të pandalshëm për gazetari, e që më donte fort, më tha: “Lodhesh kot, nuk ta boton kush, duhet të shkruash tosknisht”. Dhe unë e shkrova tosknisht. U botua menjëherë. Ka qenë viti 1962, pra dhjetë vjet para se të mbahej Kongresi i Drejtshkrimit. Kështu që sot rrêna (gënjeshtra) të tilla që thonë se:
“Po përhapen një numër të pavërtetash rreth gjuhës standarde shqipe”; se “rrethe të caktuara, të paçliruar nga mendësitë e vjetra, synojnë të sheshojnë politikisht dhe ideologjikisht rrugën për të ndërmarrë politikat e tyre “të guximshme” për përmirësimin e “standardit” për të krijuar një të ashtuquajtur neostandard”; se “qëndrimi ndaj gjuhës standarde po vlerësohet si qëndrim ndaj demokracisë”; se “gjuha letrare e njësuar ka zgjidhur përfundimisht një problem kulturor kombëtar duke pohuar njësinë kombëtare të shqiptarëve”; se “mëtohet se në formimin e gjuhës standarde, dialektit të Veriut i është bërë padrejtësi”; se “sqarojmë se konceptet drejtësi – padrejtësi janë të zbatueshme në fusha të tjera të jetës shoqërore, por jo në formimin e gjuhëve standarde”; se “Partia Komuniste dhe regjimi komunist interesoheshin në radhë të parë për përhapjen e ideologjisë së tyre me çdo mjet të mundshëm dhe se ata nuk shqetësoheshin fort nëse krijoheshin vepra letrare a këngë në këtë ose atë dialekt”; se “praktika e mëparshme e krijimit dhe botimit të letërsisë artistike dhe shkencore në gegërishte u vetëndërpre”; të gjitha këto “konkluzione” kaq të rrepta, kaq të pamëshirshme, kaq të pashtjelluara, kaq diktatoriale, nuk i kapërdin asnjë njeri me mend në krye.
E vërteta është kjo tjetra, po e tyre, që përgënjeshtron të mësipërmet (u ka shpëtuar) që thotë:
“Në kushtet kur veprimtaria botuese ishte vetëm në duart e shtetit, kjo u absolutizua dhe iu mohua krijuesve e drejta e natyrshme për të zgjedhur vetë formën gjuhësore të shprehjes”. Apo kjo tjetra gjithnjë e tyre: “E vërteta është se deri në vitin 1944, administrata e shtetit shqiptar përdorte në shkresa të ashtuquajturin “dialekt zyrtar” të mbështetur kryesisht në të folmen e Elbasanit”. Me shpërfillje fyese e quajnë “të ashtuquajturin dialekt zyrtar”! Çfarë egërsie!
E pra, ajo qe vendosur qysh më 1917, prej Komisisë Letrare Shqipe. Po përse u hodh poshtë e gjitha kjo më 1972, madje duke ndryshuar me ligj krejt rregullat e shkrimit të gjuhës të deriasokohe të Komisisë të 1917-s, e cila qe përbërë prej do burrave peshërëndë, emrat e të cilëve ishin: At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci, Dr. Pekmezi, Dom Ndre Mjeda, Prof. Dr. M.Lambertz prej Viene, Sotir Peci, Aleksandër Xhuvani, Prof. Nachtigal prej Graz-it, Fejzi Alizoti?...
Thoshte Neni 1 i rregullave të Komisisë Letrare Shqipe 1917:
“Gjuha do të shkruhet ashtu si flitet sot prej popullit. Si themel i orthografis do të mirret djalekti i Elbasanit me disa ndryshime”.
Atëherë, çka pate, u mblodhe më 1972 dhe me aq ashpërsi flake tej një shqipe të shkruar zyrtarisht në gjithë ata dhjetvjetësha? E kësisoj, çka ke që hidhesh përpjetë se po mblidhet për herë të tretë një konferencë, me synimin e mirë për të përmirësuar? Kur nuk ka asnjë ligj që i pengon konferencat gjuhësore? Dhe lëshohesh turr, pa asnjë lloj diplomacie të paktën, në “mbrojtje” të pafalshme fanatike të gjuhës që u quaka “standarde”, që kjo konferencë dashka ta zhdukka nga faqja e dheut!
* * *
Në një deklaratë (nuk heqin dorë kurrsesi shqiptarët prej deklaratave kolektive) prej ku janë marrë citimet e mësipërme, të një grupi kundërshtuesish të kësaj konference, kam gjetur plot 20 herë cilësorin “standard” për gjuhën shqipe. E cila u quaka pra, “gjuha standard”! Është fyerje që tosknishten letrare që vendosi Kongresi i Drejtshkrimit 1972, që është aq e pasur dhe aq e bukur, ta quash “standard”. Si shqiptar them se vërtet është fyerje për gjuhën tonë të bukur shqipe që ta quash “gjuha standard”. Sidomos gjuhëtarëve, mendoj se nuk iu lejohet ta emërtojnë gjuhën tonë shqipe me një cilësor që nuk është shqip përveç të tjerave: “standard”! Kur mund t’u shqipëroka në një tufë fjalësh e përcaktimesh të tilla të pastra si “shembull”, “pikë lidhjeje”, “parapërgatitur”, “nivel cilësor”, “bashkësi karakteristikash”, “njësim”, “e barabartë”, “që merret si shembull”.
“Kundërshtuesit” e mësipërm deri tash pra, megjithatë, ia kanë bërë një ndryshim Kongresit të Drejtshkrimit. Nuk i thonë më “gjuhë letrare e njësuar”, siç e përcaktoi fjalë për fjalë ai Kongres, por dinakërisht “standard”!
Në një farë mënyre e çatdhetarizojnë gjuhën shqipe duke ia zëvendësuar “shqipen” me “standardin”. Madje deri në skaj, teksa kanë filluar të shkruajnë pak a shumë kështu: “Përse nuk e përdor standardin?”; “pse nuk shkruan në standard?”; “kush e sulmon standardin?”; “pse e politizojnë standardin?”; “pse duan ta ndryshojnë standardin?”; “standardi është vendosur njëherë e mirë”; “standardin e ka pranuar edhe Kosova”; “standardi nuk është toskërisht, por është gjuha standarde”; “standardi është vendosur një herë e nuk luan më”; “është standardi”, “përvetësoni standardin”!
Kurrkund “gjuhë shqipe”, por vetëm “standard”!
Duke iu kthyer një mjedisi që nuk po e zinte gjumi se po mbahej një konferencë e sipërpërmendur, vërejta se nga 40 nënshkrues, në mos gaboj nja 35 ishin fatmëdhej, sepse ishin nga Jugu i Shqipërisë, pra njerëz që mendojnë, flasin e shkruajnë tosknisht. Mezi ishin gjetur nja dy a tre (nëse ishin vërtet) nga Veriu i Shqipërisë, nga ata pa shumë fat përderisa mendojnë e flasin gegnisht, por shkruajnë tosknisht.
Në të vërtetë, ky raport 35 me 5, më pëlqeu. Sepse më në fund, po ata, vetvetiu e pranonin se ajo çka vendosi Kongresi i Drejtshkrimit ishte njësimi i gjuhës së shkruar shqipe me tosknishten letrare dhe kushtrimi i të parëve i kishte çuar përpjetë për të mbrojtur me fanatizmin e tyre të folmen që ua kishte mësuar nëna qysh në gji, që është tosknishtja, e cila nuk ka asesi nevojë për mbrojtjen e tyre dhe të askujt, sepse është fort e bukur, fort e pastër, fort melodioze. Mjafton të kujtosh Naimin e Konicën, Nolin e Poradecin, Çajupin e Kutelin, të cilët i dhanë shqipes sonë një elegancë të papame. Mirëpo, si u bëhet gati nja 5 milionë shqiptarëve të tjerë, që po ashtu, nëna e tyre qysh në gji ua ka mësuar të folmen e Veriut, që është po aq fort e bukur, po aq fort e pastër, po aq fort melodioze? Dhe që vazhdojnë ta mendojnë dhe ta flasin, dhe nuk po duan t’ia dinë, madje as edhe prej talljeve të dënueshme që i bëhet deri në emisione televizive të folmes së tyre?
Por, unë jam shumë i vogël në këto punë. Lexojini me vëmendje këto rreshta shembullorë me presje, pikë e zanore me theks, siç i ka shkruar një kolos i shkrimit dhe studimit të shqipes, datuar më 1958. Ai quhet Ernest Koliqi. Thotë:
“… Shqipja ushqehet prej djalektevet dhe nëndjalektevet, në të cilat erdh tue u ndá nga vargu i ngjarjeve të histories dhe nga struktura gjeografike e vendit. Kjo ndámje, e syperfaqeshme jo themelore, nuk e vobekson gjuhën t’onë, mun e pasunon. Lypet, sot e tutje, nji përpunim mjeshtruer i filleve të saja të ndryshme për t’arrîjtun në trajtat përfundimtare të përbashkëta, duem të thomi në krijimin e asaj “koinè” qi âsht në maje të gjitha dishireve t’ona. Të mirret parasysh, veç, se nguta gjithëhera prishë punë. Fjala, kjo vegël shprehëse qi njehet si dhurata mâ e çmueshme bâ njerzímit prej Perendís, nuk duron dhunime dhe vetëm në lirî lulzon e shëndritë. Asht zhivë qi s’kapet. Rrëshqet e u ikë rrjegullave e caktimeve e urdhnave të gramatologvet, t’akademívet edhe të ligjëbâsavet. Ndrrohet e shëndrrohet, tue kalue gojë në gojë e mot në mot, vetëm nëpër shkase të trillit të vet. Prandej duhet dorë kejèt e lehtë për me prekë në landën e gjallë të gjuhës, po deshtem t’i a ruejmë vërtytet e mysterëshme ethnike qi i a mbajnë të njoma rrâjët… Kur fryma, zâni, âmsimi ngjyra e pâlci i fuqis shprehëse i çdo kandi të Shqipnis do të gjindet i derdhun në shqipe, atëherë kombi ynë mund të thotë se zotnon nji gjuhë të përshtatun me qitë në dritë në menyrë të dêjë pasunín e ndiesíve njerzore të ndryme në zemrën jetike por përherë të ré të tij”.
* * *
Atëherë, çfarë po ndodh ndër ne? Asgjë. Mbahet një konferencë për gjuhën. Me qëllimin e mirë për të rrahur çështje, për të diskutuar, doemos me synimin po të mirë që t’ia arrijmë që edhe shqiptarët të shkruajnë siç mendojnë dhe siç flasin. Dhe vetëm kaq.
Nuk e di përmbajtjen në hollësi të kësaj konference. Vetëm kam lexuar në shtyp kryekreje nga qëllimet e saj të mira dhe vetëm kaq. Dhe nëse ajo do t’i shikonte edhe vendimet gjuhësore, shtetërore, politike, administrative të Kongresit të Drejtshkrimit 1972, them se mirë do të bënte. Sepse edhe më naivi është i bindur, që ashtu siç thotë Arshi Pipa (kam fatin e madh ta kem fqinj në lagjen time në Shkodër): “Në fakt, Shqipja e Njësuar Letrare, nuk âsht tjetër veçse nji variant i përpunuem i tosknishtes si fonologji e gramatikë”.
Kësisoji, më mirë se çdo prepotencë peticionesh nervoze, do të ishte që “kundërshtarët” e saj të shkonin në këtë konferencë apo në konferenca të tjera dhe me argumente shkencore të hedhin poshtë këtë tezë të prof. Arshi Pipës, që dihet, është një shkencëtar i shquar i gjuhësisë, përveçse shkrimtar, poet dhe politolog. E po ashtu, të shkojnë dhe me argumente shkencore të hedhin poshtë gjithë platformën e tij kritike për politikën e drejtshkrimit të shqipes. Bie fjala, që “kundërshtarët” të vërtetojnë të kundërtat e tezave të tilla të prof. Pipës, përmes të cilave ai këmbëngul me forcë se:
“Sot për sot, gegnishtja letrare âsht praktikisht e vdekun”; se edhe Stalini “e pati mençurinë me thanë se ndryshimet cilësore në gjuhë lypin “shekuj” dhe se nocioni i “revolucioneve të befasishme” në fushë të gjuhsisë, âsht “qesharak”; se “gjuha standard pak ka të bâjë me shkencën e gjuhsisë, mbasi funksioni i ktij standardi âsht me sigurue hegjemoninë toske mbi gegët për brezat e ardhshëm”; se baza teorike e Shqipes së Njësuar Letrare, âsht marrë hua prej teorisë së Marr-it, simbas të cilit gjuha âsht element i superstrukturës me karakter klasor”; se “autorët e Fjalorit të Shqipes së Njësuar Letrare nuk janë konsekuentë në zbatimin e kritereve dhe diskriminojnë leksikun e shqipes së Veriut e ky diskriminim vepron kundër interesave të pasunisë leksikore të kombit”; se “gegnishtja ka nji histori letrare mâ të vjetër e mâ të pasun (Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani) dhe se ajo flitet prej mâ se dy të tretave të shqiptarëve dhe se përvoja ime me gjuhën shqipe ma ka vërtetue se gegnishtja âsht mâ e pasun se tosknishtja në leksik dhe frazeologji”.
Mos të harrojnë veç, që para se të bëjnë kundërshtimin e tyre shkencor për të gjitha këto teza të drejta apo të padrejta të prof. Pipës, të marrin e të lexojnë librin e tij “Politika e Gjuhës në Shqipninë Socialiste” që mezi e zbulova diku në fundet e eksponateve të Panairit të Librit të Tiranës që sapo është mbyllur. Një libër i Botimeve “Princi” dhe i përkthyer me aq përkujdesje e kulturë prej Primo Shllakut, i cili tregoi se di të shqipërojë me plot forcë edhe në gegnisht, edhe në tosknisht, siç është botuar prej tij ky libër në një vëllim të vetëm me të dy drejtshkrimet, siç i zotërojnë aq mirë intelektualët e Veriut, në ndryshim nga ata të Jugut, të cilët zotërojnë vetëm tosknishten!
Me protesta asisoji, me partizanerina kryeforta, me britma për paprekshmërinë e një vendimi të 40 vjetëve më parë, a thua se është fjala për Biblën e Kuranin, vështirë se mund të përfitojë gjuhësia shqiptare, e pra dhe vetë gjuha shqipe.
Kujtoj se si në fillim të viteve ’60 në rrugët e Tiranës sundonte e folmja e Tiranës, dialekti i saj i Shqipërisë së Mesme, ashtu “i qetë e arsyetues e i melmyem me undyrë talljesh butloshe”, siç thotë me përkëdheli Koliqi. Me kalimin e viteve, gjithçka ndryshoi. Rrugëve të Tiranës filloi të sundojë tosknishtja, sepse nëpër dikastere e institucione shtetërore e në krejt jetën publike vërshuan punonjësit nga Jugu. E tash? Le të bëjnë studime gjuhëtarët. Le të hulumtojnë paksa rrugëve të Tiranës dhe befasisht do të vërejnë se në çdo hap dëgjon të folmen e Veriut, gegnishten çuditërisht me larminë e shumë zonave të saj. Dhe përse? Thjesht sepse në Tiranë kanë vërshuar shqiptarët e Veriut si kurrë më parë, ata të cilëve dikur iu ndalohej Tirana.
Kësisoji, gjuha shqipe e folur (e mbas pak edhe ajo e shkruar) po pëson një shkundje publike dramatike. Ajo po përzihet shumë, duke iu larguar jo vetëm të ashtuquajturit “standard” po e po, drejtshkrimit 1972 po e po, po dhe unjisimit (unifikimit) të saj. Përballë gjithë kësaj, nëse heshtin ose janë të njëanshëm gjuhëtarët, gjuha shqipe do të tronditet jo për mirë. Rrezikon të ndodhë ajo që ka përkufizuar shumë bukur Dom Nikoll Gazulli: “Tuj kenë gjuha nën sundim të popullit e jo ndë dorë të dijshmëve, merret me mend qi populli e ndryshon jo në katund por edhe nji njerit në një tjetër”.
Atëherë? Logjika ta do që siç e kam thënë më 2002, në shkrimin “Nuk kam pse të jem fanatik i Kongresit të Drejtshkrimit”:
“Janë me qindra intelektualët në Shqipëri, njerëz të kulturës kombëtare e të gjuhës, shkrimtarë a studiues, që janë tejet kritikë ndaj atyre vendimeve të padrejta që përmban në vetvete Kongresi i Drejtshkrimit. Jo pra, kundër gjuhës së njësuar letrare dhe as kundër vendimeve të drejta të këtij kongresi. E, nuk është kurrë vonë për të përmirësuar. Aq më tepër në gjuhë. Kjo është atdhetari, jo kokëfortësia për të mos e prekur me pupël Kongresin e Drejtshkrimit 1972. Siç thotë një sentencë e njohur latine: “Errare humanum est, perseverare diabolicum” (“Me gabue âsht njerëzore, mos me heqë dorë prej gabimit âsht djallëzore”).
Kështu pra, nuk ka pse të trembemi kaq fort prej një konference gjuhësie. Le të shpresojmë se ashtu siç mendojmë, ashtu siç flasim, po ashtu edhe të shkruajmë. Dhe jo siç ngjet me autorin e përvûjtë të këtij shkrimi, i cili mendon gegnisht, flet gegnisht dhe shkruan tosknisht.
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...