2011-01-26
SOKRAT HABILAJ:Grimca malli Shqipërie në Innsbruck.
Në se do të flitej për mënyrën me të cilin autorja Kozeta Krulis trokiti në dyert e letërsisë, ky tipar është sinqeriteti i saj i të bërit letërsi. Paraqitja e saj nuk ngjanë aspak me atë të shumë e shumë krijuesve të tjerë, të cilët para se të dalin tek lexuesi, marrin aq shumë masa që të zbulojnë tek ata, anë të veçanta të tyre. Bëjnë përpjekje, herë-herë jo të suksesshme, që t’i lenë më shumë vend anës së jashtme të tyre, për të lënë të kuptohet se janë duke shpallur letërsi mirëfilli. Jo, Kozeta Krulis nuk vepron aspak kështu. Ajo e ndjenë se shpirti i saj ka diçka për të treguar, qoftë edhe nga jeta e saj dhe e nis krejtësisht thjesht. Në vëllimin e saj me tregime, “Vajza nga Berati”, ajo thuajse nuk mundohet të zbukurojë asgjë, nuk mundohet të imponojë asgjë, siç ndodh me ngulmin, herë-herë bezdisës tek disa krijues. Duke vepruar kështu, ndihet qartë se nuk ka asnjë merak, le të themi, se si do të pritet libri i saj, por lë të kuptohet se kjo është jeta ime, kjo është edhe letërsia ime. Kjo jam unë dhe nuk mund të jem ndryshe. Ndodh kështu sepse në ndërgjegjen e saj, ajo ka një lidhje të fuqishme mes shtysës krijuese, dëshirës ndoshta të hershme të saj për të bërë letërsi dhe vet jetës së saj të re në Innsbruck, por edhe asaj jete që ka lënë pas. Të ëndërrosh të bësh letërsi dhe pastaj si bazë të saj të vesh jetën tënde, ky është një guxim krijues, guxim të cilit autorja Krulis e ka përmbushur me sukses. Në vijim të kësaj ideje, sa herë që imagjinata e saj kërkon të eci frelëshuar, duket se është një forcë tjetër që i dikton asaj udhën nga ku duhet të eci. Duket se një dorë e padukshme i thotë asaj të mos endet mes ngjarjeve të tjera, sepse ngjarjet i ka brenda vetes. Kjo është jeta e saj. Që në fillim duhet thënë se kjo jetë nuk ndryshon shumë nga ajo e shumë e shumë shqiptareve të tjera, të cilat morën rrugët e botës në kërkim të një të ardhmeje më të mirë. Në pamje të parë, duket se brenda tyre këto jetë, nuk është se kanë shumë gjëra për t’u treguar. Ato ngjajnë me njëra tjetrën. Janë të gjitha gri dhe duket se ne jemi mësuar me atë grinë e tyre të trishtuar, a edhe me atë monotoninë e tyre po kaq trishtuese dhe me pak interes. Por nëse afrohemi pranë çdo jete të tillë, do të shohim se asnjë nga këto jetë nuk është tamam si tjetra. Ato janë të ndryshme në brengat e tyre të pangjashme. Autorja Krulis e di këtë fakt. Dhe për këtë arsye ajo na ofron rrëfimin e jetës së saj, që ngjanë dhe nuk ngjanë me të tjerat. Ajo është si mijëra e mijëra të tjera dhe nuk e ka parë të arsyeshme të përqendrohej shumë tek zbukurime i atyre që ka treguar. Në këtë libër ka folur thjesht, sinqerisht dhe kjo e bënë atë të këndshme në rrëfimin e saj. Duhet theksuar fakti se tej pozitës së një emigranteje kur gjendet mes udhëve të botës, tej halleve dhe streseve që të imponon kjo situatë e re, ajo është krenare në rrëfimin e saj. Krenare deri në dhimbje për botën nga vjen. Kjo duket normal për t’u thënë, por në këtë botë të trazuar, sa e sa njerëz që ikën nga ky vend, gjithë mllef dhe inat, andej nga udhët e botës, janë edhe në të drejtën e tyre, që gjithsesi më dhimbje, të mallkojnë fatin e tyre të shkuar. Ndryshe nga ky realitet, kjo grua e re, së cilës jo vetëm ajo kohë, i kishte vrarë shumë e shumë ëndrra, gjen forca të zbulojë anën e bukur të vendit që kishte lënë pas. Ajo e di se kudo që të shkonte do të kishte një imazh aspak të këndshëm për vendin e saj dhe është kjo arsyeja që ajo guxon ta marr fjalën e para vet dhe të tregojë se tej imazhit të një vendi të varfër, të një vendi-bunker, ka edhe një pamje tjetër ky vend, nga e cila ajo ndihet e lumtur. Por nëse e vërejmë me kujdes rrëfimin e saj, ne që jemi pjesë e këtij vendi, do të konstatojmë se lumturia e saj është një lumturi krejt e veçantë. Një lumturi-dhimbje! Ecja e saj udhëve të botës, ashtu si edhe vet titulli i tregimit të parë, është një vrapim mbi mina. Por duket se kjo është gjëja që e shqetëson më pak autoren. E gjithë brenga e saj qëndron në faktin se si të paraqesë vendin e saj. Si të heq, atë imazh aspak pozitiv që kishte ky vend tek syri i një të huaji. “Përse keni ikur nga vendi juaj”, është pyetja më normale që mund të bëhet kudo ku priten refugjatë, por në të njëjtën kohë është edhe pyetja më e dhimbshme për atë që e do vendin e vet më shumë se veten. Është edhe paragjykimi i parë për atë që ka lenë pas vendin e tij. Për një moment duket se ajo zihet ngushtë, duket se do të pyesë veten, vërtet pse ika dhe në një kahe krejt tjetër me këtë ikje biblike të shqiptare, ajo nis e flet për bukurinë e vendit të saj. Këtë e bën me policin e thjeshtë, me këdo që takon në rrugë dhe veçanërisht me atë, i cili do të mbushë jetën e saj në vijim. Ajo hynë krenarisht mes Perëndimit. Është kjo arsyeja që edhe nisja e jetës së saj të re, nuk bëhet nga pista të njohura për një emigrante, por nga një sallon i bukur ku luhej tango. Ky nuk. është aspak zbukurim, por një gjetje artistike e bukur për të treguar se vendi i saj kishte qenë i varfër, por zemrat e banorëve të saj nuk kishin qenë të tilla, se vendit të saj i ishte imponuar një diktaturë mesjetare, po njerëzit e saj nuk e meritonin një diktaturë të tillë, se në vendin e saj vriteshin ëndrrat, por jo të gjitha ishin vrarë. Në librin e Kozeta Krulis, duket se është e vështirë të kuptohet se ku mbaron rrëfimi jetës së saj dhe ku fillon trilli artistik. Ajo nuk i ruhet këtij fakti, madje përmend pa ndrojtje ngjarje, apo edhe emra real. Kozeta Krulis nuk ka ndrojtje të thotë se si të gjitha shqiptaret, kurrë nuk ka mundur të realizojë atë që ka dashur. Ajo jetoi mes dilemës së dashurisë dhe kujdesit me prindërit e saj dhe pamundësinë e tyre për t’i dhënë asaj ato që kërkonte dhe me ardhjen e viteve nëntëdhjetë besoi se jeta e saj do të merrte një drejtim krejtësisht ndryshe. Koha e keqe e saj vazhdoi edhe pas viteve nëntëdhjetë, kur iu vra njeriu i saj i dashur dhe më në fund besoi se jeta e saj mund të bëhej edhe në një vend tjetër. Është një jetë ku pleksen bashkë lumturia dhe trishtimi. “Mua më duhet të tregoj plagët që morën pjesën më të madhe të jetës...”, thotë jo tek novela e saj, “Tango në Innsbruck”.
Libri me tregime i Kozet Krulis, “Vajza nga Berati” është i ndarë të tre pjesë, por ashtu të ndarë, të tre pjesët tingëllojnë si një e vetme. Ato janë si grimca, jo vetëm të një jete, por edhe grimca të një malli të pa rrëfyer për vendin e saj.Ky është krijimi i saj i parë letrar. Mënyra e saj origjinale e të rrëfyerit, ngarkesa emocionale dhe thjeshtësia që përshkojnë këtë libër, të krijojnë bindej se edhe në të ardhmen, ajo do të ketë për të treguar të tjera gjëra, të cilat do të tingëllojnë, po kaq të sinqerta. Padyshim krijimet e ardhshme do të jenë edhe më të arrira nga ana artistike, por gjithmonë do të kujtohet ky rrëfim i bukur, i ngrohte dhe kaq i thjeshtë i vajzës, përjetësisht nga Berati, Kozeta Krulis.
Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...