Kam në dorë ciklin me tetë poezi të poetes lirike Raimonda Moisiu (“Këtë natë...e vetmuar”, “Si krah engjëjsh përtej reve”,”Si një drenushë e bukur”, “Kur çelin trëndafilat”, “Ëndërr e rrëmbyer”, “Një buzëmbrëmje”, ”S’ishte e thënë të mbetej murgeshë”, ”Dashuria nuk ka emër”). Nuk është vështirë,edhe pa i lexuar poezitë,por vetëm titujt e tyre, ta kuptosh se këto janë lirika dashurie. Sfondi i tyre janë: nata, vetmia, retë, drenusha, trëndafilat dhe një murgeshë. S”është vështirë, gjithashtu, që të mos nuhatësh aromën romantike të tyre, të një idili dashurie në gji të natyrës pleksur me një vello mistike engjëllore dhe...njëherësh me një blasfemi, një murgeshë që “mëkaton”...
Personazhe të poezive janë:një heroinë lirike fatkeqe e përvëluar nga dashuria e saj e pastër e humbur tragjikisht dhe një dashnor mistik besnik dhe murgesha, sozia e një shpirti fatkeq e të lumtur, që blasfemon në emër të instinktit të pamposhtur dhe të bekuar njerëzor, në emër të pasionit të dashurisë.
Ju mund të pyesni. Edhe unë ia bëra këtë pyetje vetes sime. Kemi të bëjmë me poezi realiste të ditëve tona apo me një baladë të vjetër të një dashurie romantike të kaluar? Nuk kam asnjë lëkundje për natyrën baladeske të këtyre poezive, Ashtu sikurse nëpër vargjet e tyre ndjej një dashuri reale të ditëve tona, tharmin e tyre realist dhe modern. Subjekti baladesk i tyre është ky. Një vajzë e ditëve tona u dashurua me një dashuri të sinqertë, të pastër dhe pasionante me një djalë, një dashnor të zjarrtë dhe besnik. Idili mistik i dashurisë së tyre zhvillohet në një “guvë” mes “mureve të lashtë/thinjoshë e besnikë”;për dritë kanë “fenerin e dashurisë” që ndriçon “shtratin e guvës së lashtë”...Ata nuk i pikas asnjeri “ndërsa bënin dashuri dhe i zë gjumi “të dy të përqafuar”, “krahë engjëjsh i shpien të dy përtej reve... Por, ajme!...Ai iku, “s' u bë dhëndër”...Dhe si heronjtë e baladave ai del nga mermeri i varrit për të takuar vajzën e dashur që ka ardhur në varrezat. Ai e mban fjalën dhe vjen pas vdekjes ta takojë dhe...”krevati i dashurisë kthehet në fushë beteje” midis vajzës “ardhur nga Hëna/Djalit nga Parajsa”...
Kjo është balada e dashurisë e poetes Raimonda Moisiu, e fragmentuar në poezitë dhe e bashkuar prej meje. Baladë që na flet figurshëm për një dashuri të përjetshme, për një dashuri, siç e quan poetja, “pa emër”.
Poetja ka zgjedhur arsenalin figurativ të një balade. Mistikën, të fshehtën e pazbuluar, ireale poetja e përdor për të na dëshmuar pavdekësinë e dashurisë, e kësaj “ëndrre të rrëmbyer” nga vdekja. Poezitë “Këtë natë...e vetmuar”, “Si krah engjëjsh përtej reve”, “Si një drenushë e bukur”, “Një buzëmbrëmje” janë kapitujt e kësaj balade, që më duket se e kryen bukur “misionin' e saj për të përcjellë, ashtu siç përcjellin baladat, të vërteta të botës reale. “ti me një padurim të fshehtë prisje t' i marrësh erë borzilokut.../Se i përkisnim gjithësisë së gjallë”...
Heroina lirike del nga ky delir, del nga balada. Del sepse ajo i përket botës së gjallë. Del nga kllapia.
Nga ëndrra e nxjerr një “dritë”, dikush i ka përgjuar se si putheshin. Është vetë jeta. Janë sytë e jetës tokësore.
Personazhin e heroinës së baladës e zëvendëson “murgesha”.
Autorja zgjedh tashi stilin realist rrëfimtar. Murgesha si nëpër ëndërr nuk e përballon dot tundimin e “pasionit”:”Edhe në qofsh djalli, të kam falur/Aman, puthmë pa pushim, dashuromë”.
Është një thirrmë tokësore. Të vdekurit me të vdekurit. Të gjallët me të gjallët, thotë filozofia popullore e jetës tokësore. Motivi i murgeshës në këtë poezi, është motivi figurativ alegorik i shpirtit të femrës, që nuk mund ta shmangë tundimin erotik edhe pse ka bërë një betim. Heroina përjeton “netë të ftohta si metal”, netë vetmie. Ajo kërkon që të jetë “e lirë, e qetë” në shpirtin e saj. “Qetësi për vete, mirënjohje për ty, /O ëndrra ime e rrëmbyer egërsisht!”.
Raimonda Moisiu në këtë cikël i këndon një dashurie reale, tokësore. Nuk ka pse të na ngatërrojë forma artistike e baladës e zgjedhur nga poetja për të na përcjellë mesazhin e kësaj dashurie. Ajo i këndon një dashurie të sinqertë, një dashurie të pastër femërore. Ajo nuk nguron ta shprehë hapur dhe drejtpërdrejt pasionin e saj të përflakur me detaje konkrete: ”çarçafët flaken tej”, “dihatje edhe puthje”, “gulçimet rënkuese ëmbël' dhe “buzëqeshja pa faj”.Heroina lirike nuk i ndrydh dhe nuk i shtyp këto ndjenja jetësore intime:”Mua më tmerron, më dredh çdo betejë/Sa e ëmbël kjo me ty mbi shtrat”. Autorja përshëndet emocionalisht dhe artistikisht emancipimin shpirtëror të femrës shqiptare të brezit të saj:”Krevat kaq të bukur prej bari të virgjër/Kurrë në jetë s' ka patur asnjë perandoreshë”.
Forma e baladës dhe pasazhet alegorike të natyrës, të parkut Elisabet, të Manjolës dhe të korit të zogjve, janë një vello artistike e moderuar, që nuk e zbehin aspak zjarrin erotik. Transcedentalja e ndihmon poeten që të na japë figurshëm moton kryesore, kryeidenë e lirikës erotike të Raimonda Moisiut se dashuria është një “zjarr që s' njeh thëllime”. Vdekja nuk e mposhti dhe nuk e shoi dot ndjenjën e dashurisë:”Ai që dashuron, ka shkuar/Mbi trupin tim ëndrrat kanë mbetur/ëndrrat e dashurisë”. Kjo zgjedhje artistike, nga ana tjetër, dëshmon edhe për një “dobësi”, një ndrojtje, një kompromis me statusin e femrës pararendëse, të brezit të autores dhe më parë kur dashuria ishte tabu për to;velloja baladeske e ka edhe këtë risk, këtë kompromis delikat.Brezi më i ri i femrës shqiptare, më “moderni”... Ideali i dashurisë në poezitë e Raimondës, është ideali i një dashurie të pastër dhe besnike pa kufizime dhe ndroje erotike, një dashurie të idealizuar dhe të papersonalizuar, ajo pohon: ”Dashuria nuk ka emër”, “një është”.Ajo i këndon dashurisë në përgjithësi dhe dashurisë së veçantë njëkohësisht.Poetja ka ditur të ngrihet mbi dramat e jetës intime dhe t'i këndojë dashurisë si ndjenjë dhe përjetim hyjnor dhe real: ”Veç emrat s' janë të njëjtë/por një është dashuria”, arrin kështu në një përgjithësim të vërtetë artistik.
Besoj se nëpërmjet këtij diskursi nëpër vargjet e këtyre poezive vura në dukje dhe plot merita të laboratorit krijues të poetes, midis të cilave do të veçoja dramacitetin, tensionin e vargut, alegoritë, paralelizmat me natyrën, metaforat, krahasimet. Më bëri për vet lirizmi pasionant, i guximshëm dhe i sinqertë i saj, që flet për një zë të veçantë në poezinë tonë lirike erotike.;poezi e cila po bën një rrugë të natyrshme të evolucionit të saj artistik të mundimshëm, duke gërshetuar sfidën e hapur dhe të papërmbajtur erotike, që jo rrallë kalon në delir erotik, me nostalgjinë elegjiake. E natyrshme. Liria e fituar nuk qenka kollaj të menaxhohet edhe artistikisht. E përshëndes guximin moral femëror dhe risinë artistike të poetes Raimonda Moisiu.
Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...