2011-01-26

Prishtina kërkon hetime për raportin e Martit, EULEX-i kërkon dëshmi

Çavusoglu: Raporti s'ndikon në pavarësinë e Kosovës

Kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit Mevlut Çavusoglu ka deklaruar se janë paraqitur shumë amendamente në projektrezolutën për tregtinë me organe njerëzore të senatorit të Këshillit të Evropës, Dik Martit.
"Shumë amendamente janë paraqitur rreth raportit të Dik Martit, por për to do të dihet më shumë sonte (të hënën) në mbrëmje kur të kalojë afati i fundit për paraqitjen e tyre. Qëllimi i raportit është që të ndihmojë dhe të forcohet stabiliteti i vendeve anëtare të atij rajoni", ka theksuar Çavusoglu, raportojnë mediet serbe.
Çavusoglu thotë se ky nuk është një raport politik dhe nuk do të duhej të ndikonte në një situatë politike. "Kjo është një çështje krejt tjetër. Nuk duhet të ketë as ndikim pozitiv e as negativ", ka thënë ai.
Diskutimi rreth rezolutës "Trajtimi çnjerëzor ndaj njerëzve dhe tregtia e paligjshme me organe të njerëzve" të Martit është caktuar për të martën dhe pritet të zgjasë deri rreth orës 16:30 kur Marty pritet të mbajë një konferencë për gazetarë.



Raporti në Asamblenë e KiE, Dick Marty: Disa dëshmitarë janë vrarë


Asambleja Këshillit të Evropës po shqyrton raportin e Dick MArtyt rreth akuzave të tij për tregti të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri.
Në fjalën e tij Marti ka theksuar se raporti i tij në trafikim organesh në Kosovë dhe Shqipëri nuk është lexuar mirë dhe pjesa më themelore e raportit ku thuhet se dëshmitarët janë zhdukur është anashkaluar.
Sipas tij, indiferenca ka qenë e përgjithshme mbi vrasjen dhe zhdukjen e dëshmitarëve serbë dhe shqiptarë mbi atë që ai e ka cilësuar si trafik organesh nga UÇK-ja.
“Janë zhdukur dëshmitarët serbë dhe kosvarë që janë cilësuar tradhëtarë dhe kjo nuk duhet të anashkalohen. Po kemi dëshmitarë dhe ata janë të besueshëm, janë precizë dhe kjo është ajo që frikëson qarqe të caktara” theksoi në fjalën e tij Marti.
Marty gjithashtu ka deklaruar se raportin e tij e ka hartuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të vënë drejtësi për viktimat e këtij trafiku.
“Raporti nuk flet për statusin e Kosovës, nuk flet për marrëdhëniet mes shqiptarëve e serbëve dhe për krimet e Millosheviçit. Ai është një raport që flet për shkelje të të drejtave të njeriut. Ka pasur kombe dhe shtete që janë ndjerë të fyer, por këtë unë e kam bërë për të afërmit e viktimave dhe për dënimin e kriminelëve”, ka deklaruar Marty.


Përfaqësues politikë të Kosovë thonë se miratimi i raportit të senatorit zviceran Dick Marty nga Këshilli i Evropës është një veprim që e dëmton Kosovën, ndërsa shprehen të gatshëm për të bashkëpunuar në hetimin e të gjitha pretendimeve të ngritura në atë raport.
Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, kërkon nga Marty që të dorëzojë të gjitha dëshmitë nga raporti i tij, me çka do të mundësohej fillimi i hetimeve. Dje Asambleja Këshillit të Evropës miratoi me vetëm tetë vota kundër, raportin e senatorit Dick Marty, në të cilin ngrihen pretendime ndaj disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për përfshirje në krimin e organizuar, përfshirë trafikimin e organeve njerëzore.
Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, tha në një bisedë për Zërin e Amerikës se kjo e ka dëmtuar imazhin e Kosovës ndërsa ka ritheksuar gatishmërinë për të mbështetur çdo hetim të pretendimeve të ngritura.
“Sa i përket çështjeve që janë përfshirë në rezolutë, ne ndoshta kemi qenë të parët që kemi kërkuar që të nisë edhe një proces hetimor, i cili përfundimisht do të hidhte dritë mbi të vërtetën për sa i përket atyre spekulimeve dhe shpifjeve në formë të pohimeve në raportin e Dick Marty-t. Edhe pse tashmë tre herë janë bërë hetime ndërkombëtare për këto çështje dhe përfundimet që janë nxjerr kanë qenë se nuk ka asnjë dëshmi për diçka të tillë, ne kemi bërë thirrje që EULEX-i të filloj sa më shpejt me një proces hetimor profesional e kompetent dhe shpresojmë të shpejtë, për t'i dhënë vulën e të vërtetës këtyre spekulimeve jashtëzakonisht të dëmshme”, tha ai.
Zëdhënësi i Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, Blerim Krasniqi tha se hetimet nuk mund të fillojnë para se Marty t’i ofrojë dëshmitë për çështjet e ngritura në raportin e tij.
“EULEX-i deri më tani i ka dërguar dy letra zotit Marty, ku i ka kërkuar të sjellë dëshmi dhe prova, deri më tani nuk kemi marr dhe jemi në pritje. Prokurorisë i duhen dëshmi dhe prova në mënyrë që të fillohet ndonjë rast i hetimit të mundshëm”, tha ai.


Marty tha dje se ka “dëshmitarë besueshëm”, por sipas tij ata janë shumë të frikësuar dhe nuk i besojnë drejtësisë vendase apo asaj ndërkombëtare. Ai ngriti edhe çështjen e programit për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë, çështje kjo e cila edhe sot është diskutuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku deputeti nga Monakoja, Zhan Sharl Zhordeto, bëri thirrje që vendet e Ballkanit të mbrojnë plotësisht dëshmitarët në proceset për krime lufte. Në raportin e tij mbi këtë çështje ai ka theksuar se situata me dëshmitarët e mbrojtur në Kosovë është dukshëm më keqe se në vendet e tjera.
Zëdhënësi i qeverisë Memli Krasniqi thotë se kjo çështje do të zgjidhet me ligjin që tashmë është hartuar dhe miratuar nga qeveria e Kosovës.
“Ne si qeveri kemi përgatit ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve. Fatkeqësisht pas krizës institucionale që u shkaktua me daljen e papritur të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga institucionet dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ka qenë e pamundshme që të miratohet një ligj i tillë në mungesë të kuvendit, por, ne besojmë se shumë shpejt me qenë se ligji është i gatshëm do ta miratojmë këtë ligj, i cili do të jetë një pikënisje tepër e rëndësishme për sa i përket çështjes së mbrojtësve të dëshmitarëve”, tha zëdhënësi i qeverisë, Memli Krasniqi.


Ndërsa, zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi thekson se ky mision ka mekanizma për mbrojtjen e të dëshmitarëve që janë përdorur edhe në të kaluarën.


“Ajo që më duhet të theksojë është se EULEX-i ka një njësit për mbrojtjen e dëshmitarëve, njësit që bashkëpunon me shtetet e Bashkimit Evropian. Deri më tani ka pasur disa raste të suksesshme ku janë mbrojtur dëshmitarët. Për momentin ky njësit ka kapacitete që i nevojiten për punën që e bënë, në rast se shihet nevoja ose bëhet kërkesa që të ketë një numër më të madh, atëherë ky njësit do t'i përshtatet kërkesave që do të parashihen të ardhmen”, tha zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.
Marty, nxiti reagime me zemërim në Kosovë me pretendimet se udhëheqës të lartë të Ish Ushtrisë Çlirimtare dhe kryeministri aktual Hashim Thaçi, janë të përfshirë në veprimtari të paligjshme, përfshirë edhe trafikimin e organeve njerëzore.


Protesta të shqiptarëve para Këshillit të Evropës


Nga  Elida Buçpapaj e Skender Buçpapaj

Dhjetëra e qindra shqiptarë kanë protestuar sot para selisë së Këshillit të Evropës ku po debatohet për raportin e raportuesit të Këshillit, Dik Martyt. Protestuesit mbanin në duar flamurin kombëtar dhe flamurin shtetëror të Kosovës si dhe fotografi të shqiptarëve të masakruar nga regjimi militar e paramilitar serb gjatë luftës në Kosovë. Protestuesit gjithashtu mbanin në duar edhe pankarte në të cilat kërkohej nga anëtarët e asamblesë së Këshillit të Evropës të hedhin poshtë këtë raport dhe të kanë parasysh krimet serbe në Kosovë.
Oratorë të kësaj demonstrate theksuan se krime ka bërë Serbia në Kosovë e jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Shqiptarët nuk e kanë traditë të merren me trafikim të organeve të njeriut dhe se të gjitha ato që i shkruan Dik Marty janë shpifje monstruoze të fabrikuara nga kuzhinat serbe e ruse. (Bota sot)


Marty: Kam dëshmitarë

Në punimet e sotme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës është vënë për diskutim raporti i raportuesit të posaçëm të këtij mekanizmi, Dick Marty, për, siç është thënë, “trafikim të paligjshëm organesh nga një grup i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Duke rikujtuar fillimisht rrethanat që kanë nxitur këtë raport, e që kishin të bënin me pohimet e ish-kryeprokurores së Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, Carla del Ponte, Marty në paraqitjen e tij tha se “raporti nuk ka të bëjë fare me statusin politik të Kosovës, nuk ka të bëjë me raportet midis Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë mënyrë nuk është kundër popullit kosovar dhe atij shqiptar”.
Raporti, sipas tij, ka të bëjë me “shkeljet e të drejtave të njeriut”.
“Kur u publikua ky raport, e kam nënvizuar se duhet të lexohet me kujdes dhe fjalët duhen kuptuar ashtu siç janë shkruar dhe pa nënkuptime të tjera”, ka thënë Marty, duke vlerësuar se, bazuar në raportimet e mediave dhe reagimeve të politikanëve, ky rekomandim i tij është injoruar.
“Është e vërtetë se në raportin tim do të mund t’i shmangia emrat, por pastaj do të bëja një vlerësim të përgjithshëm dhe i gjithë kombi do të mund të fyhej”, tha Marty, por, sipas tij, e vërteta dhe sinqeriteti intelektual, respekti për popullin kosovar dhe familjet e viktimave “kërkojnë nga ne që gjërave t’u themi me emër”.
“Këta emra janë emra që janë cituar për shumë vite në dokumentet që janë hartuar nga forcat policore, nga shërbimet sekrete të disa vendeve, për të mos përmendur edhe artikujt e gazetave që janë shkruar nga gazetarë shumë të respektuar”, ka thënë Marty.
Ai ka pohuar se për përmbajtjen e raportit ka dëshmitarë. “Po, kemi gjetur dëshmitarë, po, ata janë dëshmitarë kredibilë, ata na e kanë mundësuar të jemi të saktë dhe pikërisht kjo frikëson qarqe të caktuara”, ka thënë Marty, duke mohuar se këta dëshmitarë kanë ndonjë lidhje me serbët apo me rusët dhe janë njerëz që e duan vendin e tyre, Kosovën.
Sipas tij, “dëshmitarët janë shumë të frikësuar dhe nuk i besojnë drejtësisë vendore apo asaj ndërkombëtare dhe në këtë rrafsh, Marty i kushtoi një vëmendje të posaçme programit për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë, çështje kjo e cila do të diskutohet në punimet e së mërkurës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
“Rezoluta dhe raporti, që bëjnë thirrje për hetime, janë akte të drejtësisë dhe respekt për ata burra dhe gra që jetojnë në këtë vend të vogël, i cili tashmë ka vuajtur kaq shumë”, tha në fund Marty, duke porositur se drejtësia nuk mund të vihet në vend pa të vërtetën.
Pohimet në këtë raport janë kundërshtuar ashpër nga Prishtina zyrtare, e veçanërisht nga kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, emri i të cilit është përmendur në të, duke e ndërlidhur me akuzat për “trafikim organesh, kontrabandim armësh dhe narkotikësh”.

Marti: Raporti nuk flet për statusin e Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka nisur diskutimet për raportin e senatorit zviceran Dik Marti, i cili akuzon lidershipin e UÇK-së për trafik organesh njerëzore. Në fjalën e tij, Marti ka deklaruar se raportin e tij e ka hartuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të vënë drejtësi për viktimat e këtij trafiku.
"Raporti nuk flet për statusin e Kosovës, nuk flet për marrëdhëniet mes shqiptarëve e serbëve dhe për krimet e Millosheviqit. Ai është një raport që flet për shkelje të të drejtave të njeriut. Ka pasur kombe dhe shtete që janë ndjerë të fyer, por këtë unë e kam bërë për të afërmit e viktimave dhe për dënimin e kriminelëve", ka deklaruar Marti.
Më pas Marti ka denoncuar eleminimin sipas tij të dëshmitarëve që mund të konfirmonin akuzat në raportin e tij. "Dëshmitarë nga pala serbe apo shqiptarë janë zhdukur dhe këto fakte ne nuk mund t'i anashkalojmë", ka pohuar Marti, duke përfshirë në fjalimin e tij edhe Shqipërinë, ku sipas tij kryheshin transplantet e organeve.
"Si raporti im ka edhe raporte të BBC-së dhe EULEX për persona të grabitur dhe të burgosur në kampet e përqendrimit në veri të Shqipërisë. Viktimat kanë qenë serbë por edhe shqiptarë të Kosovës, që janë konsideruar si tradhtarë për shkak se kanë bashkëpunuar me serbët", ka shtuar Marti.
Ndërkohë, zyrtarë të tjerë evropianë kanë reaguar duke kërkuar nga Marti që t'ia dorëzojë provat dhe dëshmitë e tij autoriteteve hetimore. "Ne duam një hetim ndërkombëtar lidhur me hetimin e akuzave të Dik Marti dhe mbrojtje të dëshmitarëve", ka deklaruar një zyrtar evropian.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...