2011-01-27

LETËRSISË SHQIPE DOMOSDO I NEVOJITET NJË RIKONFIGURIM

Kohë më parë, kritikës letrare iu shtua edhe një emër, pikërisht në kohën kur mendimi kritik për atë që ka mbetur si trashëgimi letrare apo për që po krijohet sot, është fare I pakët.
Ky emër I ri I kritikës vie nga Gjilani, dhe quhet Tahir Arifi. I bashkangjitet emrave të rrallë nga ky qytet që merrem me studime në fushën e letërisë, sidomos të plejadës së re me Nuhi Ismajlin e Mehmetali Rexhepin.
I heshtur për nga natyra, I kursyer prej fjalësh dhe sidomos për veten, hyri bindshëm dhe tepër serioz në fushën më të ndjeshme të kritikës letrare me studimin “Poezia e Rexhep Elmazit”, përmes të cilit studim edhe magjistroi në letërsi.
Ky dhe ishte shkasi për një bisedë për të përditshmen “Zëri” dhe lexuesit e saj.

“Zëri”:
Botës letrare shqipe, tash së voni, në fushën e letrave dhe, mbi të gjitha fushës së mendimit kritik, ju shtua dhe një emër i ri, Tahir Arifi. Cili në të vërtetë është ai?

Tahir Arifi:
Në vitin që poeti Rexhep Elmazi i dha “Frymëmarrje” artit të tij,në një kënd tjetër të hapsirës sonë pa pasur asnjë lidhje me këtë zhvillim ndjeu frymën e parë Tahir Arifi,që rreth dyzet vjet më vonë do të ndjejë më ndryshe “Frymëmarrjen”e vitit jo shumë të largët 1972.

“Zëri”:
Sfiduat bindshëm fushën e kritkës me një studim letrar duke riaktualizuar krijimtarinë poetike të Rexhep Elmazit, një ndër krijuesit më premtues të kohës dhe njëkohësisht më tragjikët. Ju provokoi veprimtaria e tij atdhetare, poezia apo fati tragjik i një krijuesi?

Tahir Arifi:
Individët nuk janë tragjik,ata mund të jenë vetëm komik …do të thoshte një emër i njohur i letrave,prandaj mendoj se ishin që të tria këto momente që ju shtroni në pyetje.Fati tragjik lind një poezi “par exellenc”,ndërsa veprimtaria atdhetare e përplotëson sinqeritetin e kësaj poezie dhe tërë kjo e ndërthurur me një talent të lindur të jashtëzakonshëm.

“Zëri”:
Duke e vlerësuar nga shumë aspekte krijimtarinë letrare të Rexhep Elmazit, ç’ vend zë figura e tij në letërsinë shqipe? Në të vërtetë, Rexhep Elmazi a ishte më shumë poet apo atdhetar, apo një simbiozë e pandarë dhe fatkeqësisht e ndërprerë?

Tahir Arifi:
Ishte një “Uragan i ndërprerë” siç do të thoshte Kadare në situate tjetër;ishte simbiozë më e përkryer e mundshme e krijuesit dhe atdhetarit siç do të thoshte dikush nga miqtë e tij;ishte njeriu i veçantë prej të cilit do të mësonin edhe ata që sot janë”emra” në letërsinë tonë.Ai ishte i tillë,i veçantë edhe si atdhetar,edhe si poet…madje edhe si njeri që politika i ka ngushtuar frymëmarrjen.

“Zëri”:
Pse e zgjodhët pikërisht Poezinë e tij për një studim letrar? Ishte një vlerë letrare e pashtjelluar nga kritika , një fat i ndërprerë prej krijuesi apo dhe një mosgatishmëri i kritikës së kohës për t’u marrë me poezinë e Rexhep Elmazit?



Tahir Arifi:
Ata që më shumë folën për Rexhepin si poet e atdhetar ishin kryesisht miq të idealit të poetit.Kritika me ndonjë përjashtim pak e lakoi emrin e tij sepse s’ishte lehtë të flasësh për të në rrethanat e asobotshme.Më vonë me përjashtim të miqëve të tij në Gjilan sikur u harrua,ndërsa gjithkund ishte potencuar talenti,origjinaliteti dhe vlera e pakontestueshme e artit të tij.Marrë parasysh të gjitha këto,si bashkvendës dhe studiues ndjeva obligim edhe profesional po edhe moral që artit të këtij poeti t’i depërtojë më në thelb nga sa i ishte depërtuar më parë.

“Zëri”:
Cilat janë mesazhet letrare të riaktualizimit të figurës dhe krijimtarisë letrare të Rexhep Elmazit?

Tahir Arifi:
Letërsisë shqipe domosdo i nevoitet një rikonfigurim.Duhet të lirohemi,mbase nga deklamimi i vargjeve për plisin,gurin,kështjellën (sigurisht jo t’i hedhim në harresë) dhe të shohim dimensione të tjera të shtrirjes poetike në dekadat e fundit.Në këtë drejtim Rexhep Elmazi është njëri nga emrat më emblematik,që mbase qëllimshëm “është harruar”.Në këtë rikonfigurim vendi i poezisë së këtij poeti duhet të jetë as më pak e as më shumë se aty ku ishte në vitet gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë të shekullit të kaluar,kur hierarkinë e përcaktonte Kuvendi i poezisë shqipe “Jeta e Re”.

“Zëri”:
Meqë e keni filluar me studime të këtilla letrare veprimtarinë tuaj kritike ( me shkrimtarë që kanë përmbyllur punën krijuese për fate dhe rrethana të ndryshme) , do ta vazhdoni kështu edhe me studime tjera.

Tahir Arifi:
Sikur më tërheqin krijuesit që jeta u fali pak gëzime,shumë ëndrra dhe ne na e falën shpirtin e tyre përmes artit jashtëzakonisht të realizuar.Sigurisht,është më e lehtë të flasësh për krijues që kanë përmbyllur veprimtarinë, duke e ditur se njeriu është qenie dinamike.Pastaj edhe logjika e “distancës” të jep më shumë mundësi që të njohësh më mire artin poetik në këtë rast.

“Zëri”:
A ju duket se në dekadën e fundit, veçanërisht, ndjehet një boshllëk i mendimit dhe vlerësimit kritik për atë që shkruhet dhe botohet sot në Kosovë

Tahir Arifi:
Kritka është po në atë nivel ku është edhe krijimtaria.Nuk ka “censure”ndaj secilin mund ta shpllësh poet;ndaj secili mund të merret me kritikën.Në këtë pështjellim edhe arti serioz e edhe vështrimet serioze për të kalojnë pa u vërejtur.Megjithkëtë ajo që shënon vlerë në të dyja këto veprimtari do të mbijetojë.Boshllëk të analizave serioze ka sigurisht,po në këtë inflacion shkrimi dhe rrethanash të pavolitshme sociale, ata që do të mund të bënin punën e duhur janë diku “jasht” në një formë a tjetër.

“Zëri”:
Mos edhe ai mendim i pakët kritikë më shumë po shqyrton jovlera dhe emra sipas preferencës, duke mos patur kaçik ( pse jo dhe mungesë guximi) të ballafaqohet pikërisht me vlerat?

Tahir Arifi:
Shpesh nuk është fjala vetëm për “kaçikun”.Keni ju emra të dëshmuar të artit e kritikës që me përplot epitete i shihni të flasin e shkruajnë për jovlera e madje antivlera.Po ç’të bëhet; mecenëve të sotëm u mungon niveli minimal kulturor për të ndihmuar atë që duhet ndihmuar.Në këtë prizmë secili bëhet krijues,secili bëhet kritikë.

“Zëri”:
Cili mund të jetë shkrimtari i radhës që do t’i “nënshtrohet” vlerësimit kritik në laboratorin tuaj prej studijuesi?

Tahir Arifi:
E pata filluar me Bilal Xhaferin; e vazhdova me Rexhep Elmazin..të shohim…mbase Mirko Gashi.

Bisedën e zhvilloi: Sabit Rrustemi

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...