2011-01-27

Koha e shkrimeve të Rezarta Resos




Dikur njihej si prezantuesja e TVSH-së. Derisa u bë e njohur në botën e librave si përkthyesja e romanit “Kujtimet e një Geishe”. Por nga Amerika emri i saj ka ardhur në një tjetër formë: si autore tregimesh. Që premtojë vërtet shumë


Nga Iva Tiço
Rezarta Reso
Ka nga ata shkrimtarë që thonë se letërsia ka lindur bashkë me ta, bashkë me ato germat dhe vjershëzat e para të shkarravitura në kopertina fletoresh shkolle. Për gazetarët: shkrimtarët tipikë, ata që thonë që letërsia ka lindur bashkë me ta. Por ka edhe një kategori të dytë shkrimtarësh, ata që nuk e mbajnë veten për të tillë e që duket sikur letërsia ka fjetur tek ata për vite me radhë, derisa një ditë shfaqen kaq natyrshëm sikur ta kishin bërë këtë profesion prej kohësh. Rezarta Reso është një ndër tipiket e kësaj kategorie: kur disa javë të shkuara emri i saj i shkruar u shfaq mbi një tregim të botuar në të përditshmet shqiptare, shumëkujt iu duk më se e natyrshme që pas debutimit të saj në letërsi si përkthyese me “Kujtimet e një geishe” ajo të shfaqej me krijimtarinë e vet. Një talent që kishte qëndruar i fshehur brenda saj nuk dihet se prej sa kohësh, derisa kishte qenë përkthimi ai që ia kishte nxjerrë në sipërfaqe: “Eshtë e çuditshme se sa i dashur bëhet përkthimi i një libri për përkthyesin...”, rrëfen Rezarta, -“gati-gati të duket sikur e ke krijuar bashkë me autorin (të paktën këto ishin ndjesitë e mia) dhe diku thellë, në ndonjërën prej qelizave që nxisin kurajot çmendurake, mund  të përshkëndijë ideja që... hëmmm, mbase s’është e vështirë të provosh të shkruash vetë... Mbase kjo ka qenë një arsye e fshehur që kisha grumbulluar, ndonëse në mënyrë fare të paorganizuar, ngjarje, njohje, marrëdhënie, ca të hedhura në copa letrash, ca te strukura në kujtesë dhe që të nxitura nga një moment i jashtëzakonshëm në jetën time, më shtynë t’i rendisja e t’ia hapja vetes me guximin për të krijuar art e për të vazhduar ta ndaj me të tjerët...”. Kështu ajo nisi të shkruajë. Eshtë ende herët që ajo të mund të parashikojë reagimet e lexuesve për atë çka është vetëm e saja. Ajo ka shprehur atë ç’ka ndjerë e ç’ka përjetuar në mënyrën e vet. “Nëse kam mundur ta përcjell me po atë intensitet dhe vërtetësi te lexuesi... atëherë... do vazhdoj të shkruaj...”.
Nëse fillimi i të marrit me përkthime apo me të shkruarën mund të ngjajë si i rastësishëm, lidhja e Rezarta Resos me letërsinë vetëm e rastësishme që nuk është. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe: vajza e shkrimtares Ivoni Reso do të ndikohej patjetër nga profesioni i së ëmës, që e kishte rrethuar me libra, e me historira që fëmijë. “Mbi të gjitha besoj se kam trashëguar prej saj genin e dashurisë për artin dhe letërsinë. Ajo është përpjekur të kishte të njëjtin ndikim edhe tek im vëlla, por ai nuk “e ndjente” si unë letërsinë, parapëlqente shkencat... dhe u bë mjek”. Librat ishin kënaqësia dhe arratisja e Rezartës, lexonte dhe njehsohej me personazhet që i pëlqenin, me ngjarjen, qoftë kjo e gëzueshme  apo e trishtuar dhe gëzohej apo vuante sikur gjithçka po i ndodhte pikërisht asaj. “Pushimet e dimrit apo të verës mbi të gjitha i prisja me kënaqësinë që do lexoja vetëm libra, pa u ndërprerë nga mësimet e detyrueshme”, rrëfen Rezarta, teksa thotë që kur erdhi rasti të vendoste se çfarë do të bënte në jetë, nuk mund të gjente asgjë tjetër më të përshtatshme se fakulteti i Gjuhë –Letërsisë.
Por nëse me letërsinë emri i saj është lidhur vetëm tre vitet e fundit, që me botimin e librit “Kujtimet e një Geishe”, për të gjithë ata që kanë kujtesë të fortë Rezarta Reso ka qenë shumë e njohur që në vitet ’80, si prezantuese e emisioneve të TVSH-së së asaj kohe. Në fakt ajo mund të quhet që është aty: ka filluar që kur ishte 7 vjeç nëpër konkurse recitimesh sa në radio apo në televizion dhe më pas që në shkollë të mesme nisi të drejtonte emisionin e librit për fëmijë apo emisione të tjera deri në fillim të viteve ‘90. “Kur merrja pjesë nëpër konkurset e fjalës artistike, më ishte mbushur mendja të bëhesha aktore, por më pëlqente edhe të jepja mësim... më pëlqente t’u tregoja të tjerëve, sidomos fëmijëve, historira, t’u lexoja libra dhe t’u recitoja vjersha”. Por jo gjithçka ka qenë kaq rozë në botën televizive të Tiranës së viteve ’80. Rezarta e kujton atë periudhë “si vitet më të ndrydhura, më të ftohta, gati të frikshme, por në të njëjtën kohë të mbushura me shpresa, dëshira, ëndrra e pasione, që na ushqenin shpirtërisht dhe na jepnin kurajën që edhe në ato kushte jo vetëm të mbijetonim, por edhe të krijonim një atmosferë kënaqësish e lumturish të vogla rrotull vetes. Padyshim në jetën time televizioni zinte një pjesë të madhe,  me pasoja nga më të ndryshmet, që herë më jepnin kënaqësi e herë keqardhje, por që më vinin vazhdimisht në lëvizje dhe në kërkim. Me gjithçka pozitive apo lënduese janë nga eksperiencat më të rëndësishme të jetës sime”. Ndër të tjera televizioni i dha mundësinë që në moshë fare të re dhe ndryshe nga shumë moshatare të vetat të njihej me punën, të krijonte marrëdhënie me njerëz të moshave të ndryshme, gra e burra dhe njëkohësisht të njihej nga teleshikuesit, të vlerësohej e të gjykohej prej tyre. “Televizioni shqiptar dhe media e viteve ‘80 nuk ka asgjë të përbashkët me atë çka gëlon sot në Shqipëri. Vetëm diçka nuk ka ndryshuar dhe s’mund të ndryshojë kurrë dhe që është në të gjithë botën e njëllojtë: nëse bëhesh person publik, duhet të jesh i vetëdijshëm që do të kthehesh në qendër bisedimesh, hamendjesh, parapëlqimesh, antipatish, personazh historish apo thashethemesh, e kështu me radhë. Në kushtet e një stacioni të vetëm televiziv, me vetëm disa orë në ditë programe, ishte e natyrshme që jo vetëm atyre që u dilte fytyra në ekran, por edhe punonjësit e institucionit të njiheshin nga të gjithë qoftë edhe vetëm si emra. Nën presionin e një censure gati paralizuese ideologjike që kontrollonte që nga fjalët e hapjes apo të mbylljes e deri tek veshja, vështrimet, qëndrimi,  buzëqeshja, isha jo gjithmonë e kënaqur nga vetja. E dija që nuk mund të jepja tërësisht atë që ndieja, nuk thoja dot atë çka dëshiroja, megjithëse ishte e vërtetë dhe ndryshe nga ç’dilte në ekran. Ndërkohë edhe opinionet bënin punën e tyre: “është e ngrohtë, komunikuese”, “përkundrazi është si e ngrirë”, “ buzëqesh shumë, vend e pa vend” , “më pëlqen zëri i saj’, “pikërisht zërin s’ia duroj dot”...”. E nëse atëherë nuk ekzistonin gazetat e revistat ku Rezarta dhe koleget e saj të mund të lexonin se çfarë thuhej për to, komentet për veten mund t’i dëgjonte gjithkund: nëpër autobusë, radha apo nga miqtë e të afërmit. Sidoqoftë, për të televizioni mbeti një pasion që nuk u shuajt kurrë, pavarësisht nga rrethanat dhe kushtet.
Ishin pikërisht një sërë rrethanash dhe kushtesh që e bënë Rezarta Reson të hiqte dorë nga ky pasion i saji dhe të merrte vendimin për të jetuar në Amerikë. Një vendim as i shpejtë dhe as i lehtë, për më tepër që ishte e bindur se ishte një nga ato vendime që nuk të lënë të kthehesh mbrapa dhe pas të cilit do t’i duhej të niste një jetë të re krejt ndryshe nga tridhjetë vjetët që kishte kaluar në Shqipëri. “Mbërritja në Amerikë qe një shok psikologjik. Frika dhe pasiguria e mospërshtatjes, përhumbja, gjuha e pastërvitur, mungesa e shoqërisë, komunikimi i kufizuar herë nga droja, herë nga indiferenca, m’u kthyen në demonë torturues”. Vetëm këmbëngulja e familjes dhe besimi që ai vend do t’i jepte më në fund diçka për t’i shpërblyer sakrificën që kishte bërë, dalëngadalë ia rikthyen vendosmërinë që të mos kthehej mbrapsht. Tashmë, 12 vjet pas ikjes, Rezarta mund të thotë pa asnjë hezitim se Amerika është me të vërtetë vendi i mundësive të jashtëzakonshme, mjafton të kesh vetëm dy cilësi, dëshirën dhe vullnetin për të bërë diçka”. Rezarta është nga ato që nuk i mungon as dëshira dhe as vullneti.
Katër vitet e para në Amerikë, pasi kreu një vit në “Becker College”, për të plotësuar lëndët e diplomës së Shqipërisë, punoi si mësuese. Nuk ishte e bindur se ky profesion ishte ai që ajo do të donte të bënte deri në fund të jetës, ndaj kur iu dha rasti të aplikonte në bibliotekë, e bëri me mjaft dëshirë dhe kur pas një konkursi dhe dy intervistave arriti të punësohej, ishte plotësisht e bindur se kjo punë i përshtatej më mirë se gjithçka tjetër. “Diploma e Shqipërisë dhe ajo e marrë nga “Becker College” nuk ishin të mjaftueshme për t’u emëruar si bibliotekare profesioniste”, - thotë Rezarta, -“prandaj vendosa të vazhdoj për Master dhe për tre vitet  tjera, dy herë në javë, pas pune ose të shtunave kam udhëtuar në shtetet fqinjë Rod Ajland dhe Nju Hempshajr për të marrë klasat e nevojshme që kërkonte programi i Universitetit të Rod Ajlandit për Masters për Biblioteka dhe Informacion Shkencor. Ka qenë një periudhë e lodhshme dhe e ngarkuar. Shpesh largohesha nga shtëpia në 8.00 të mëngjesit e kthehesha më 10.00-11.00 të mbrëmjes. Prindërit e mi ishin të përkushtuar të më lehtësonin nga detyrimet familjare dhe mbi të gjitha duke u përkujdesur për vajzën, që ndodhte të mos më shihte tërë ditën”. Por gjithë kjo sakrificë nuk i shkoi dëm. Pas Masterit u emërua në Departamentin e Rinisë dhe të Fëmijëve, po në bibliotekë. Një përvojë kjo krejt e ndryshme nëse do të krahasohej me punën që bëjnë koleget e saj në bibliotekat shqiptare. “Amerika, e ndjekur nga Kanada-ja dhe Australia kanë sistemin më të pasur dhe më të përparuar në mënyrën se si janë të ndërtuara bibliotekat publike dhe se si funksionojnë. Biblioteka publike në këto vende, është një qendër internacionale informacioni, edukimi, argëtimi,  një qendër arti dhe kulture ku zbatohet një nga pesë ligjet e arta të bibliotekës të përcaktuara nga profesori dhe bibliotekari i famshëm Indian, Shiyali Ramamrita Ranganathan: Çdo libër të ketë një lexues dhe për çdo lexues të ketë një libër”. Përveç librave, biblioteka ofron shërbime dhe programe nga më të ndryshmet dhe për të gjitha moshat, duke filluar që nga bebet e sapolindura, fëmijët e vegjël, nxënësit e shkollave, studentë, studiues, profesionistë, amatorë me interesa të veçanta, pensionistë e deri tek të moshuarit që jetojnë në Shtëpitë e Përkujdesjes së Pleqve, si dhe për individët me aftësi mendore apo fizike të kufizuar”. Një eksperiencë e gjithanshme kjo, që e ka ndihmuar Rezartën të njohë më thellë e më mirë komunitetin e Uorçester-it, dhe gjithë shoqërinë amerikane. Puna në bibliotekë i ka dhënë mundësinë të njihet me emigrantë nga vende të ndryshme të botës me të cilët ka shkëmbyer mendime, për jetën dhe për mënyrën se si janë përshtatur, çfarë kanë humbur duke lënë vendin e tyre dhe çfarë kanë gjetur në Amerikë... Të gjithë i kanë shprehin hapur faktin që Amerika jep mundësi shumë më të larmishme e të pakufizuara për veten e mbi të gjitha për të ardhmen e fëmijëve. “Këtë e provova tek vetja ime dhe e shoh edhe te komuniteti gjithnjë e në rritje të shqiptarëve të ardhur pas viteve 90-të. Në këtë moment, me punën dhe gjithë ç’kam arritur gjatë këtyre viteve, them se vendimi për të emigruar në SHBA ka qenë një nga vendimet më të mira që kam marrë ndonjëherë. Ndjehem e lirë dhe e plotësuar”.
Fakti që biblioteka, si një nga institucionet që organizon dhe ofron shërbime të përbashkëta, është kthyer në një vend takimesh, njohjesh dhe programesh ku fliten gjuhë të ndryshme, është një nga gjërat që Rezarta çmon më shumë në punën e saj të përditshme. “Koleksioni që kemi ngritur vitet e fundit, së bashku me dy koleget e mia shqiptare, Ermira Topi e cila punon në departamentin e Periodikut dhe Afërdita Lamani, e cila punon në departamentin e Qarkullimit të Librave, ka tërhequr dhe ka sjellë shumë shqiptarë, emigrantë të dhjetë vjetëve të fundit, të cilët frekuentojnë rregullisht bibliotekën dhe marrin pjesë në programe të ndryshme, sidomos në ato të fëmijëve. Para 6-7 vjetësh, biblioteka kishte vetëm 17 libra të vjetër në shqip. Tani ka rreth 400 libra për të rritur, 150 për fëmijë, revistat JETA dhe KLAN si dhe Gazetën ILLYRIA që botohet në Neë Jork. Për çdo vit është aprovuar një fond i veçantë për të blerë libra të rinj, por ne inkurajojmë dhe dhurata që qytetarë të ndryshëm dëshirojnë t’i sjellin në bibliotekë për koleksionin e gjuhës shqipe”.
Eshtë pikërisht ruajtja e gjuhës shqipe një punë më vete për Rezartën, aq më tepër tani që i është përkushtuar marrjes mirëfilli me letërsi. “Mbi të gjitha më ka ndihmuar komunikimi i pandërprerë me shoqërinë që lashë pas”, thotë Rezarta, “e sidomos me miken time më të ngushtë Kristina Jorgaqin, e cila më ka furnizuar pa kursim me libra, revista, komente, biseda rreth kulturës në Shqipëri”. Ky kontakt e ka bërë që të mos ndihet asnjëherë e shkëputur, jo vetëm me atë që ndodh këtu, por edhe të bëjë “stërvitjen gjuhësore”. Gjë të cilën ia mundëson edhe “gjuha e shtëpisë”. “Në shtëpi flitet vetëm shqip”,- thotë Rezarta -“me gjithë “gabimet” e vajzës sime 17-vjeçare, Kristel, e cila preferon të flasë vetëm anglisht. Nuk e fajësoj. Shkon në shkollë, ku flitet vetëm anglisht, pas shkolle shkon në aktivitete të paktën dy orë në ditë, kthehet dhe bën mësimet po në anglisht 2-3 orë të tjera... sa kohë do t’i mbetet për të mësuar dhe për të folur një shqipe korrekte, kur edhe unë takohem me të vetëm në darkë? Pavarësisht nga këto pengesa, Kristeli flet shqip, sidomos me gjyshërit dhe me mua dhe sa herë që gjyshja mundohet t’i flasë anglisht, Kristeli i thotë: “ Nëna, ti bën gabime kur flet anglisht... flit shqip që unë të kuptoj...”.
Ideja për të përkthyer në shqip Rezartën e ka rrokur sa herë lexonte libra të bukur që nuk ishin të botuar në Shqipëri. Por asnjëherë nuk kishte pasur guximin ta merrte përsipër këtë punë. Ishte nxitja e së ëmës dhe e kunatës së saj Eva, e cila i rekomandoi librin e “Geishës” duke ditur dobësinë e Rezartës për kulturën aziatike, por mbi të gjitha ishin fjalët e Kristina Jorgaqit, e cila pasi dëgjoi shkurtimisht disa përshkrime nga libri, i tha: “Kështu si ma tregove mua hidhe në letër...”. Ashtu siç e kishte rrëmbyer leximi i atij libri, po ashtu Rezarta Reso u përfshi e tëra në përkthimin e tij. “Kristina ofroi me kënaqësi dëshirën ta redaktonte dhe falë përkujdesjes së saj për të nënvizuar dobësitë e shqipes sime, nuancat që shkisnin pa dashur nën influencën e anglishtes apo tendencës për t’i qëndruar sa më besnike frazës në origjinal, e shihja që pas çdo kapitulli ndjehesha më e sigurt”. Pas marrëveshjes me shtëpinë botuese Dudaj, Rezarta u angazhua vullnetarisht të siguronte lejen e botimit duke kontaktuar autorin, Artur Golden i cili e vuri në dijeni se ia kishte shitur copyright-in shtëpisë botuese “Random House”, nga agjentët e të cilës Rezarta ruan kujtimin e mirë të një komunikimi të shpejtë, korrekt dhe dashamirës. Ishte sigurisht një kënaqësi e madhe ta shihte më pas emrin e saj në faqen e brendshme të librit, por kënaqësia më e madhe qenë sigurisht komentet. “Megjithëse libri, në rrethe të ngushta ishte pëlqyer, unë kisha emocione dhe kureshtje të dija se si do të ecte në treg dhe si do të pritej nga lexuesit e ndryshëm... Kam ndjerë një kënaqësi të rrallë kur lexoja apo merrja mesazhe që libri ishte pëlqyer aq shumë... e ndjeva veten përsëri në Shqipëri... sikur nuk isha larguar ndonjëherë... Nuk kishte më asnjë rëndësi nëse emri im do t’i kujtonte lexuesve drejtuesen e dikurshme të emisioneve të fëmijëve në televizion. Kisha zbuluar diçka të re te vetja që po e ndaja sërish me të tërë dhe ky ishte një vazhdim i asaj ç’kam ëndërruar që fëmijë... t’u tregoja histori të tjerëve”.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...