Shkëndijat e “Flakës së janarit” frymëzojnë mërgatën

Këshilli i përvjetorit të demonstratave kërkon nga institucionet ngritjen e një lapidari në Prishtinë kushtuar tre dëshmorëve të janarit
image de l'article
Në Münsingen, afër Bernës, është mbajtur të shtunën, më 15 janar, manifestimi përkujtimor në 29 vjetorin e rënies së dëshmorëve Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla. Manifestimin e ka përgatitur një këshill i ngritur në nivel të mërgatës sonë në Zvicër, për organizimin e përvjetorit të tridhjetë të demonstratave të vitit 1981.

Hydajet Hyseni
Në këtë mbrëmje përkujtimore morën pjesë edhe mysafirë nga Kosova si Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës së Ish të Burgosurve të Kosovës dhe bashkëveprimtar i tre dëshmorëve, Zenun Pajaziti, familjar i dëshmorit Kadri Zeka dhe të tjerë Manifestimin e nderuan po ashtu, ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj dhe ai i Maqedonisë, Ramadan Nazifi pastaj bashkëpunëtorët e Kadri Zekës e Hydajet Hysenit, miqtë zviceranë, Katrina Asal dhe Beat Schaffer. 

Me një lojë koreografike me tematikë jetën dhe rënien e dëshmorëve të janarit, programin e hapi Shkolla e Vallëzimit “Shota” nga Arau, e drejtuar nga Agron Bajrami.

Pastaj, në skenë u ngjit Saime Isufi, veprimtare dhe ish bashkëshorte e Kadri Zekës. Në fjalën e saj, znj. Isufi, krahas tre të rënëve të 17 janarit përkujtoi edhe dëshmorët tjerë si Rexhep Malaj e Nuhi Berisha dhe veprimtarët që kanë ndërruar jetë larg atdheut si Zijah Shemsiu, Rrustem Mahmutaj, Hasan Kadriu, Rexhep Halimi, Shahin Hajdini dhe Nexhmedin Ahmeti. Ajo, me këtë rast, bëri të ditur se këshilli i formuar në Zvicër për shënimin e 30 vjetorit të demonstratave ka vendosur të kërkojë nga institucionet e Kosovës ngritjen e një lapidari në Prishtinë kushtuar tre dëshmorëve të janarit: Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Saime Isufi
Bashkëveprimtari i tre dëshmorëve, kryetari aktual i Shoqatës së Ish të Burgosurve të Kosovës, Hydajet Hyseni ka folur gjerësisht për simbolikën e Flakës së janarit, emër që tashmë e mban manifestimi maratonik i cili mbahet prej 20 vjetësh në Kosovë.” “Duke nderuar dëshmorët e janarit, nderojmë të gjithë dëshmorët e lirisë, të çdo brezi dhe të çdo orientimi politik të gjithë hapësirës së copëzuar shqiptare”, ka thënë Hyseni i cili pastaj është ndalur edhe në raportet Zvicër-Kosovë. “Shpreh mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për Zvicrën demokratike për strehën e ofruar. Raportet miqësore midis dy popujve tanë, të ndërtuara në ditë të vështira, nuk mund t`i cenojë kurrfarë raporti i stisur me akuza falso të sajuara e të lansuara nga kuzhina serbomëdha”, ka shtuar ai, duke iu referuar raportit të shumëpërfolur të Martyt.

Publicisti dhe veprimtari Ismet Rashiti,duke bërë fjalë rreth shëmbëlltyrës së dëshmorëve të janarit, i quajti ata “tre ideatorët e mëvetësisë së Kosovës dhe të bashkimit të trojeve shqiptare”.

Në vazhdim, me fjalë përshëndetjeje, publikut iu drejtuan edhe ambasadori i Kosovës Naim Malaj dhe ai i Maqedonisë, Ramadan Nazifi.

Ambasadori i Kosovës, Naim Malaj dhe ai i Maqedonisë, Ramadan Nazifi, me bashkëshortet

Me fjalime spontane janë paraqitur në vazhdim dy veprimtarë të moçëm të çështjes kombëtare dhe bashkëpunëtorë të hershëm të vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës: Hasan Ukëhaxhaj dhe Hasan Malaj. Ukëhaxhaj duke folur me pietet për bashkëveprimtarët e tij të ndjerë, ka shtruar pyetjen: “vallë a do të kishin arritur Jusufi, Kadriu e Bardhoshi që me organizimin e tyre brilant, pendën e mprehtë dhe fjalën e zjarrtë ta ngrinin ndërgjegjen kombëtare në atë nivel, qysh e ngritën me rënien e tyre heroike, sikur ata të ishin gjallë?” Ndërkaq, veterani tjetër i lëvizjes kombëtare, Hasan Malaj, ka evokuar hollësi interesante nga jeta dhe aktiviteti i tre dëshmorëve që i kishte njohur nga afër dhe në rrethana të ndryshme.

Bardhosh dhe Jusuf Gërvalla
Anëtarët e Këshillit Organizativ, Riza Demaj dhe Bejtullah Tahiri në vazhdim u kanë ndarë mirënjohje familjeve të dëshmorëve: Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka. Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Xhevë dhe Fehmi Lladrovci dhe Zija Shemsiu.

Me një recital kushtuar rezistencës dhe dëshmorëve janë prezantuar nxënësit e mësimit plotësues: Shkëlqim Qerimi, Ilire Kozhani, Greta Musliu, Detjon Koleka dhe Redoin Rrmoku. Idriz mehmeti ka recituar një poezi të veten kushtuar UÇK-së ndërsa Xhezide Lumi, në rolin e moderatores, ka deklamuar edhe poezi të autorëve të ndryshëm. Këngëtarët: Ajshe Muriqi-Fetaj, Xhemal Murtishi, Naim Sulejmani dhe Nikolin Përpali janë paraqitur me këngë të zgjedhura kushtuar dëshmorëve.

Ajshe Muriqi-Fetaj

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)